Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nuk është paraqitur në seancën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), por përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Veliaj i ka drejtuar një letër gjykatëses, përmes së cilës ngre pretendime lidhur me transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit dhe kërkon hetim për rrethanat e këtij veprimi.
Në letrën drejtuar gjykatës, Veliaj shprehet se përgjigjen lidhur me këtë çështje e ka marrë të premten nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili, sipas tij, i ka thënë se transferimi është kryer me urdhër të Kryeministrit Edi Rama.
Veliaj pretendon se urdhri i Kryeministrit është i paligjshëm dhe shprehet se, nëse do ta dinte një gjë të tillë, do t’i shtoheshin akuza të tjera për prishjen e rendit kushtetues.
Në përfundim të letrës, ai i kërkon gjykatës të kryejë një hetim të plotë dhe të thelluar për këtë çështje.
Letra e Veliajt:
E nderuar znj. gjykatëse,
Siç jeni vënë në dijeni nga Avokati i Popullit, jam rrëmbyer nga paraburgimi i Durrësit pa u kryer urdhri sekret.
Përgjigjen e mora të premten nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Më tha se janë transferuar me urdhër të Ramës.
Ta dija, për nder se do më shtoheshin akuza të tjera për prishjen e rendit kushtetues, urdhri i Kryeministrit është i paligjshëm.
Kërkoni hetim të plotë, të thellë dhe të provuar.
Po e lë në dorën tuaj!
Veliaj u transferua në fund të tetorit nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit me vendim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Dërgimi në Fier solli reagime të shumta, ndërsa kryebashkiaku i Tiranës drejtoi gishtin një ditë më parë drejt kryeministrit Edi Rama.
Në reagimin e tij, Veliaj zbardhi takimin me ministrin Gogu, që sipas të cilit, i kishte përcjellë një mesazh nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Veliajt, Rama e ka kërcënuar që të pranojë përfshirjen në protestat e studentëve dhe të flamengove, të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe të mos këshillohej më me avokatin Plarent Ndreca.
j.l./ dita
