(Botohet me rastin e ndarjes nga jeta të autorit, Profesor Nasho Jorgaqit (1931-2022)
Agim Vinca
Një vepër që i ka munguar kulturës shqiptare, e shkruar me dashuri e përkushtim; që hedh dritë të plotë mbi jetën dhe veprën e njërit nga personalitetet më të mëdha të kulturës dhe të historisë shqiptare, Fan S. Nolit (1882-1965) – kështu do të mund të cilësohej vepra më e re e profesor Nasho Jorgaqit (1931), “Jeta e Fan S. Nolit” (botues OMBRA GVG, Tiranë 2005). Në dy vëllime dhe në mbi një mijë faqe, ky shkrimtar dhe studiues i njohur, njohës i thellë i jetës dhe veprës së Nolit, i ofron lexuesit jetëshkrimin e plotë – nga lindja deri në vdekje – të shkrimtarit, intelektualit, klerikut, politikanit, shkencëtarit e diplomatit të madh, Fan S. Nolit, por edhe kënaqësinë e leximit të një vepre, e cila, ndonëse tejet e vëllimshme, falë paraqitjes sugjestive të lëndës, gjuhës së rrjedhshme dhe stilit të kultivuar, lexohet me ëndje. Njëzet e pesë vjet autori ka jetuar shpirtërisht e mendërisht me këtë vepër, e cila i takon llojit të letërsisë dokumentare.
I sprovuar edhe më parë në këtë lloj letrar, autori i kësaj vepre, Nasho Jorgaqi, thekson se ekzistojnë dy modele kryesore biografish: biografitë e tipit shkencor kritik a la Andre Morua e Emil Ludvig dhe biografitë e mirëfillta letrare të tipit të Stefan Cvajgut. Të parët i japin përparësi faktografisë shkencore, kurse të dytët, edhe pse mbështeten mbi fakte, i japin përparësi fantazisë. I ndodhur përpara kësaj dileme që në fillim të punës së tij, Nasho Jorgaqi ka zgjedhur një rrugë të ndërmjetme: vepra e tij e gjerë jetëshkrimore mbështetet mbi fakte burimore të jetës së Nolit, të cilën e ndjek në mënyrë kronologjike, por trajtohet në formë të lirë e inventive, ashtu siç i ka hije një shkrimtari e jo historiani. Rindërtimi i jetës së Nolit, duke u mbështetur te faktet dhe dokumentet, por duke qëmtuar edhe hollësi nga përditshmëria jetësore dhe tipare nga karakteri i tij, duket të ketë qenë parim bazë i punës së autorit. “T’i jepja jetë jetës së Nolit”, si thotë vetë autori, ky ka qenë synim i studiuesit Nasho Jorgaqi. Mund të konstatojmë me kënaqësi se këtij synimi ky studiues i rryer i ka dalë në krye me sukses.
Vepra “Jeta e Fan S. Nolit” e Nasho Jorgaqit, siç mund të shihet nga vetë titulli, i takon llojit të literaturës dokumentare. Ajo është biografia më e plotë e shkruar deri më sot për Nolin dhe jo vetëm për Nolin, por edhe për cilindo krijues tjetër të letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Duke qenë një vepër me karakter gjithëpërfshirës, vepra në fjalë sjell fakte e të dhëna të shumta, herë-herë edhe të panjohura më parë për Nolin, por edhe interpretime të reja e origjinale, që figurës së Nolit ia japin përmasat e saj të vërteta, me vlerat e mëdha e të paçmuara, që realisht ajo i ka, por edhe me mistifikimet eventuale që e kanë përcjellë në rrjedhë të viteve këtë kolos të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Falë punës së tij të madhe hulumtuese e krijuese dhe qasjes objektive temës së zgjedhur për trajtim, autori i kësaj vepre ka arritur të ndriçojë shumë rrethana nga jeta e gjatë e Nolit dhe shumë aspekte të veprimtarisë së tij të gjerë e komplekse politike, shoqërore, letrare, artistike, diplomatike, shkencore, kulturore, kishtare etj., të cilat, deri tani, në literaturën noliane, letrare dhe shkencore, janë trajtuar në mënyrë jo të plotë e të njëanshme, qoftë për shkak të të dhënave jo të plota e të paverifikuara, qoftë si pasojë e pasioneve a paragjykimeve politike, ideologjike, fetare, krahinore e të tjera.
Nasho Jorgaqi ka pasur në dispozicion shumë materiale (letra, dokumente, dëshmi, kujtime etj.); ka bërë shumë vizita e udhëtime (nga Ibrik-Tepeja, Greqia, Egjypti, Vjena, Gjeneva, Berlini, Nju-Jorku, Uashingtoni e deri në Boston e tutje), duke ndjekur hap pas hapi itinerarin jetësor të Nolit; ka kontaktuar me shumë njerëz, që nga të afërmit e familjarët e gjer te miqtë e bashkëpunëtorët e tij të ngushtë; ka konsultuar pothuajse tërë literaturën për Nolin, në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera; është zotuar të ngrihet mbi simpatinë e dashurinë e tij për të dhe mbi bindjet e preferencat e vetjake politike e ideologjike, pra të jetë objektiv; ka punuar një kohë të gjatë me përkushtim të veçantë mbi këtë vepër, prandaj ka arritur ta japë në mënyrë të plotë jetën e Nolit dhe t’u përgjigjet në mënyrë të saktë shumë çështjeve që kanë të bëjnë me veprën dhe figurën e tij, duke e shikuar atë gjithmonë në kontektin shoqëror, politik, kulturor dhe shpirtëror të kohës dhe “duke u mbajtur fort pas sensit të historisë dhe të dialektikës njerëzore”.
Në monografinë e N. Jorgaqit ndriçohen për herë të parë në mënyrë të plotë e të gjithanshme marrëdhëniet e Nolit me Tiranën zyrtare; pozita e tij mes dy zjarreve – mes emigracionit antikomunist shqiptar dhe diplomacisë intolerante të Shqipërisë, por edhe ruajtja e “ekuilibrit të admirueshëm” nga ana e tij, duke qëndruar gjithmonë në pozita atdhetare e demokrate. Dashuria për atdheun e të parëve dhe mbështetja e të gjitha përparimeve të bëra në Shqipëri, në cilindo sektor të jetës, por edhe respektimi i ligjeve të atdheut të tij të dytë, SHBA-ve dhe rregullave të jetës amerikane, si edhe respekti e dashuria për mërgatën shqiptare të Amerikës dhe organizatën e saj emblematike, “Vatrën”, pa harruar të mirat që ata kishin bërë për të, do ta stolisin personalitetin e Nolit deri në vdekje.
Në këtë vepër gjen përgjigje edhe një pyetje, që i ka intriguar në vazhdimësi lexuesit e veprës së Nolit dhe adhuruesit e figurës së tij, shqiptarët në përgjithësi, kudo që janë: përse Noli nuk e vizitoi asnjëherë Shqipërinë në të gjallë të tij, edhe pse jetoi, siç dihet, deri në vitin 1965?
Nga vepra e Nasho Jorgaqit, e cila mbështetet mbi dokumente e dëshmi autentike, del se Noli iu shmang ofertave të lidershipit të Shqipërisë për ta vizituar atë në vitet ’40-’50 për të mos rënë në sy të keq te autoritetet amerikane, sidomos në kohën e makartizmit, por edhe më herët e më vonë, aq më shumë që ai akuzohej vazhdimisht nga kundërshtarët e tij të shumtë si “i kuq” e “bolshevik”, kurse në në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kur qenë krijuar kushtet për këtë vizitë, kur Noli, sado në moshë, ishte i gatshëm të merrte rrugën për në mëmëdhe dhe kur me këtë udhëtim kishin rënë dakord edhe autoritetet amerikane, qeveria shqiptare refuzoi t’i ofronte atij mikpritje, me pretekstin se nuk ishte distancuar nga qarqet ekstreme (antikomuniste) të mërgatës shqiptare të Amerikës, që mbanin qëndrim të hapur kritik ndaj regjimit të Tiranës. N. Jorgaqi citon telegramin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të dt. 28 korrik 1962 drejtuar Misionit Shqiptar në Nju-Jork (OKB), në të cilin thuhet tekstualisht: “Mos tregoni asnjë interesim për ardhjen e Fan Nolit dhe mos e inkurajoni atë”. Pra porosia nga Tirana ishte e qartë. Nolit i refuzohej mikpritja! Ky ishte shansi i fundit që Marathonomaku i madh, njeriu që kishte bërë aq shumë për këtë vend; që e kishte shpëtuar atë dy herë nga copëtimi (herën e parë, pas Luftës së Parë Botërore, më 1918, kurse herën e dytë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore) dhe që ia kishte ngritur namin lart e më lart, të vizitonte atdheun, të cilin nuk e kishte parë plot 38 vjet, nga dhjetori i vitit 1924, kur kishte qenë i detyruar ta braktiste atë.
Tre vjet më vonë, më 13 mars 1965, ai do të mbyllte sytë përgjithmonë me këtë peng, pra pa e parë edhe një herë Shqipërinë të cilën e deshi aq shumë dhe për të cilën punoi pa u lodhur gjatë tërë jetës.
Harku kohor i jetës së Nolit është tejet i gjatë dhe i gjerë, si në kohë, ashtu edhe në hapësirë. Noli jetoi, siç dihet, 83 vjet, prej të cilave 18 vjet i kaloi në Trakë, kryesisht në vendlindjen e tij, Ibrik-Tepe ose Qytezë; 6 në Greqi dhe Egjypt, 2-3 nëpër Evropë, 50 në SHBA dhe vetëm 4-5 në Shqipëri. Gjatë jetës së tij ai pati të bënte me shumë njerëz, politikanë, diplomatë, shkrimtarë, intelektualë, klerikë, njerëz të thjeshtë, shqiptarë e të huaj. Për jetën dhe veprën e tij kanë shkruar shumë pena të njohura të shkencës, letërsisë dhe historiografisë shqiptare. Pati korrespondencë me shumë personalitete të shquara të kohës së tij. Njohu e takoi në jetë shumë njerëz, në mesin e të cilëve edhe burrështetas e intelektualë nga më të mëdhenjtë. Vetë u mor me shumë personalitete e krijues të mëdhenj si Krishti, Muhameti, Skënderbeu, Napoleoni, Shekspiri, Servantesi, Khajami, Poja, Ibseni, Tolstoji, Stendali, Bethoveni etj. Përktheu vepra të tyre ose shkroi artikuj, introdukta e monografi mbi ta. Për të gjitha këto flitet gjerë e gjatë dhe me shumë kompetencë në librin “Jeta e Fan S. Nolit”.
Ajo që i mungon këtij libri është një tregues emrash të vendeve e personave të shumtë që përmenden në të, i cili do t’i ndihmonte lexuesit që të orientohej më mirë në materialin e gjerë të veprës dhe në morinë e fakteve që sjell ajo, si edhe një bibliografi e plotë e shkrimeve për Nolin, një bibliografi e shteruese e jo selektive, siç është dhënë në këtë rast. Mendimi ynë është se treguesi i emrave dhe bibliografia e shkrimeve në një libër siç është ky kanë qenë më të nevojshme se albumi i fotografive, me të cilat është i pajisur libri (të dy vëllimet), të cilat, sado me interes që janë, tashmë janë publikuar nga autori në një libër të veçantë (në librin “Fan S. Noli: antologji fotografike”, Tiranë 2002).
Duke u nisur nga përvoja e Nolit si biograf i Skënderbeut dhe Bethovenit, Jorgaqi ka bërë përpjekje të çlirohet nga mitizimi, që i kanoset çdo biografi, veçanërisht kur shkruan për njerëz që i do dhe i çmon shumë, çfarë është për të dhe për të gjithë ne Noli i madh dhe ka bërë përpjekje që ta paraqesë figurën e Nolit me dritat dhe hijet e saj, aq më shumë që disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, që e kanë njohur atë për së afërmi, pohojnë se si individ Noli “nuk ishte imun ndaj dobësive njerëzore” (Qerim Panariti) dhe se shpesh ai ishte “një kombinim paradoksesh” (At Artur Liolini). Çlirimi nga “kuçedra me shtatë krerë”, si i quante Noli mitet, është sfidë e çdo biografi, që nga Plutarku e këndej. Falë përvojës së tij të gjatë si krijues dhe në mënyrë të veçantë si hartues biografish, Nasho Jorgaqi ka arritur t’i shmanget me sukses kësaj sfide dhe ta japë figurën e Nolit në mënyrë të plotë e objektive, gjithnjë në kontekst të kohës dhe rrethanave historike.
Noli ynë, ky demiurg i fjalës shqipe, kampion i lirisë e pavarësisë kombëtare dhe pionier i qytetërimit dhe demokracisë së vërtetë, në penën e biografit të tij të pasionuar, Nasho Jorgaqit, është njeri i gjallë e jo figurë skematike.