10 mijë mjekë në Greqi janë larguar nga vendi për shkak të pagave dhe kushteve të pamjaftueshme të punës, tha Michalis Giannakos, president i Federatës së Punonjësve të Spitaleve Publike, duke i kërkuar qeverisë të marrë masa të menjëhershme për të ndalur trendin që dobëson sektorin e shëndetit publik.
Kushtet më të vështira të punës për mjekët për shkak të mungesës së stafit dhe pagave të pamjaftueshme, Giannakos i përmendi si arsyet kryesore për largimin nga sektori i shëndetësisë publike dhe lëvizjen jashtë vendit ku paguhen shumë më tepër, raportojnë mediat.
“Nëse kushtet e tyre nuk përmirësohen ndjeshëm do të largohen edhe më shumë”, paralajmëroi ai. Po ashtu, Theodoros Vasilakopoulos, ekspert i lartë i kujdesit intensiv në Universitetin e Athinës, i tha transmetuesit se situata e sistemit shëndetësor në ishuj, në veçanti, është shqetësuese për shkak të fluksit të turistëve dhe mungesës së stafit shëndetësor. “Shumë mjekë shmangin punën në ishuj sepse nuk mund të gjejnë strehim”, tha ai.