Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Kaim Murtishi, një intelektual dhe shqiptar i madh nga Struga
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Kaim Murtishi, një intelektual dhe shqiptar i madh nga Struga
Kulture

Kaim Murtishi, një intelektual dhe shqiptar i madh nga Struga

Published: April 5, 2023
Shpërndaje

Shpendi Topollaj

Me Kaim Murtishin më kanë njohur vite më parë, miqtë e mi të ndjerë, Zija Xholi e Gjergj Titani, i pari profesori im në Universitet, i ditur dhe i thjeshtë deri në kufijtë e të pabesueshmes dhe i dyti plot kulturë dhe vlera të mëdha si ushtarak e historian, por që edhe vitet e gjata të burgut nuk ia kishin ulur entuziazmin në biseda, lëvizje e veprime. Ndodheshim familjarisht me pushime në Strugën e mahnitshme dhe ata me gratë e tyre për koincidencë, bujtnin fare pranë apartamentit që kishim zënë ne, në shtëpinë e bukur të Kaimit. Më thanë se do të shohësh një njeri mjaft interesant e mbi të gjitha, një shqiptar të shquar që nuk resht së punuari për të grumbulluar e propaganduar gjithçka të mirë kishte trashëguar popullsia jonë e asaj treve.

Janë disa njerëz që duke qenë se mirësinë e kanë të shkruar në ballë, je i prirur t`i bësh shpejt miq, madje edhe të vjen keq që i ke njohur me vonesë. I tillë ishte edhe ky burrë i gjatë dhe i pashëm, i veshur me shumë gusto dhe gjithmonë me kostum e kravatë dhe këpucë që i shkëlqenin i cili jo vetëm mundohej të të nderonte dhe kënaqte me pritjen e tij, por dhe që kishte nxitimin të të tregonte gjithçka kishte koleksionuar ndër vite, fshatrave rreth e rrotull. Në këtë kuptim, shtëpia e tij ishte një muze i vërtetë dhe ai me të drejtë mburrej me ato eksponate të pagoja, por që flisnin aq shumë dhe të bënin të ndiheshe krenar. Humbisje midis gjithë atyre veglave muzikore të vjetra, fotografish burrash të moçëm, piktura luftëtarësh, vegla pune, enë gatimi, sofra, këmborë, furka plakash, veshje popullore, qëndisma, sepete nusesh, dorëshkrime e libra të zverdhura nga koha e plot e plot të tjera, dhe dokumente që tregonin veprimtaritë që vetë Kaimi si udhëheqës artistik, kishte organizuar, marrë pjesë a fituar tituj mirënjohjeje. Dhe sytë të mbesin te fotoja e babait të tij Xhemailit, me kostum popullor, me pushkën pranë këmbës, dorën te gjerdani i fishekëve dhe me një shikim të mençur trimi. Dhe aty pranë lahuta e tij, e para e ardhur në Ladorisht dhe e sjellë prej tij nga fshati Devë në Gjakovë dhe që i biri e ruan si relikte të shenjtë, sikur të ishte ndonjë violinë Stradivari dhe jo e bërë nga mjeshtrat anonimë popullorë që Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë. Arsimimi, talenti, profesioni, por mbi të gjitha pasioni i rrallë që vinte nga dashuria për popullin dhe vendlindjen e tij ishin arsyet që e shtynin atë të merrej gjatë gjithë jetës, me kultivimin dhe përhapjen e kulturës, veçanërisht te të rinjtë. Alfred de Myse ka thënë se “Nuk është vështirë të dashurosh, vështirë është ta shprehësh atë.” Dhe Kaimi, dashurinë e tij të madhe e ka shprehur me këtë punë me kaq vlera të cilën e kurorëzon me botim e një libri dinjitoz “Ladorishti, histori dhe tradita”.

- Publicitet -

Ai ishte bir i Ladorishtit, ku kishte lindur më 8 nëntor të vitit 1934 dhe kishte mësuar shkrim e këndim nga mësues të përkushtuar dhe atdhetarë shqiptarë të cilët nuk do t`i harronte gjithë jetën. Ata mbetën në sytë e tij modeli i ndershëm i mësuesit të përgjegjshëm. Kaimi, në moshën nëntë vjeçare u bë dëshmitar i masakrës mizore të nazistëve gjermanë, të cilët vranë pa dallim rreth njëqind burra, gra e fëmijë në shenjë hakmarrjeje, duke e kthyer atë fshat me aq tradita në Borovën e dytë. Ladorishti, atje rrëzë malit Jabllanicë, për një vit të tërë i qau e mbajti zi për ta. Banorët, në respekt të martirëve të fshatit të tyre, jo vetëm i grumbulluan dhe i varrosën me nderime të mëdha në Vakçare, por dhe nuk e shkuan ndërmend të bënin aheng për një vit të tërë ndër festa e dasma. Sa herë më takon të shkoj në këtë fshat të kulturuar te miku im, profesor i gjuhës frënge dhe poeti i njohur e simpatik Besnik Lena, do ndalem te memoriali i ri i tyre, ku do përjetoj emocione të mëdha dhe ku me vështirësi mund të mbash lotët. Ja, pikërisht për t`i përjetësuar këta njerëz të pambrojtur dhe të pafajshëm, në librin e tij, Kaimi, pas një pune sizifiane, vendos në radhë të parë atë ngjarje, dhe ata emra. Ai me qëllim i largohet pak kronologjisë së historisë qindravjeçare të ladorishtarëve për të cilën, veç të tjerave flet fare qartë edhe zbulimi i rrënojave të bazilikës së vjetër në verilindje të fshatit. Këtu ai e trajton etimologjikisht edhe emrin e fshatit edhe gjenezën e tij, ku të ardhurit sllavo – maqedonas ishin punësuar si hyzmeqarë.
Qysh në krye, Kaimi na e bën të qartë se “Mbi të gjitha Ladorishti ka Besën… Ladorishtari, po u betua për Besë, aty vdes.” Banorët e tij janë artdashës, arsimdashës dhe të emancipuar.

Më tej ai shpalos bukuritë gjeografike të këtij fshati të cilat i shoqëron edhe me fotografitë që i ka bërë me aparatin që nuk e ndan nga dora. Na dalin parasysh Belikja, Guri i Utit, i Martines, Gjeçiku, Gryka e burimit, Kodra e Lenës e deri kurora malore mbi fshat. Të gjitha këto, si për të na përgatitur për sa do të pasojë: se në këtë vend kaq impresionues, pa tjetër që edhe njerëzit të tillë do të jenë, të virtytshëm dhe që e duan jetën. Dhe këtu, ai nuk vonon të na tregojë skicën e shtëpizës fare të thjeshtë, mbuluar me kashtë, ku ka jetuar dhe për të cilën thotë se “nuk e kam peng që jetova këtu, sepse ai që nuk e përjeton vobektësinë, nuk di ta çmojë pasurinë.”

Jo vetëm fiset e fshatit na i paraqet ky autor në libër, por edhe portretet e individëve të veçantë që janë shquar ndër vite, evidentohen gati në të gjitha faqet e librit. Ata mund të jenë dalluar në luftë, në punë, në zeje apo edhe kanë lënë ndonjë anekdotë, ndofta edhe kur kanë qenë fare të zakonshëm. Të gjithë janë pjesë e një të tëre, të gjithë kanë rolin e tyre qoftë dhe modest, në jetën e atij fshati, prandaj Kaimi është kujdesur që pak a shumë, po të gjithë t`i vlerësojë, burra a gra qofshin. Se fundja edhe ai mullixhiu me romantikën tipike, ka vendin e tij, edhe ai mjeshtri i kapave të bardha i ka zbukuruar meshkujt, edhe këngëtari ka sjellë gëzim, edhe nikoqiret kur përgatisnin zahiretë e dimrit, tërhollnin petët e bakllavave apo endnin në çekrek ishin pjesë e asaj jete që në rrugën e saj ndeshej me halle e vështirësi, me mungesa e privacione, por edhe me gëzime e kënaqësi, me festa e dreka e darka për lindje, martesa e mysafirë. Dhe të gjitha këto, të shoqëruara me këngë të ruajtura nga brezi në brez me aq kujdes dhe të kthyera në nota muzikore mbi fushën e pentagramit nga autori i kulturuar i librit, i cili për lexuesit që nuk janë nga ajo anë, ka vendosur edhe fjalorthin përkatës me shpjegimin e fjalëve të zonës.

Autori i kudogjendur, mbledhësi sistematik e këmbëngulës i folklorit Kaim Murtishi që dua të besoj se në ato anë e njohin edhe fëmijët e vegjël, në funksion të pasionit të tij të veçantë, kuptohet se i ka rënë kryq e tërthor edhe Shqipërisë, ku falë këtij përkushtimi ka bërë shokë e miq intelektualë të shquar, deri në Akademinë e Shkencave. Aq e vërtetë është kjo sa studiuesi Nedat Thëllimi, pasi deklaron se “që ka pasur ladorishtas që kanë luftuar kundër shovinistëve deri në Nikolicë e dija, që ka pasur nga ata që kanë derdhur gjak në këto male e dija, që kanë lënë eshtrat e janë varrosur në varrezat e vjetra të këtij fshati, e dija, por që të ketë një burrë nga Ladorishti, e të vijë ta shkruaj këtë histori deri në Nikolicë të Korçës, rrëzë maleve të Gramozit, nuk e dija.” Ndaj dhe të gjithë, këtij burri që punon me hov e ideal rilindasi, asnjëherë nuk ia kanë kursyer ndihmesën e tyre, këshillën, sugjerimin, vrejtjen, nxitjen, vlerësimin dhe mbi të gjitha, mirënjohjen e tyre. Ata e kanë parë atë si një shembull të rrallë, nga i cili duhet mësuar se si një studiues dhe krijues, në emër të dashurisë sfidon edhe moshën. Dhe kjo punë e bën atë burrë tashmë të moshuar edhe më të ri edhe më të bukur. Ja përse miku im i dashur prof. dr. Nuhi Vinca më thosh për të se punon me vullnetin e bletës që mbledh nektarin, dhe Besniku shprehet se “Përmes këtij libri, lexuesi gjen copëza jete të mjedisit të tij, gjen njerëz të ngjashëm të rrethit të tij, që karakterizojnë një periudhë të caktuar të së kaluarës së këtij mjedisi. Kështu do të pajtohemi me idenë se ky libër është një monument kulture, një nder për ladorishtarët dhe një panoramë e mrekullueshme për një segment të jetës së shqiptarëve në përgjithësi.”

Ladorishti dhe banorët e tij, as më shumë e as më pak, por janë ashtu sikurse me objektivitet na i jep ky autor, mbartës dhe përfaqësues të gjithçkaje të mirë kanë shqiptarët.
Dhe pyetjes se ku e gjen forcën ky njeri, ky intelektual dhe ky shqiptar i mrekullueshëm, do na duhej t`i përgjigjeshim me pohimin e F. Niçes që thoshte se “Unë kam diçka të pacenueshme, të pavarrosshme, diçka që shkatërron shkëmbinjtë: kjo quhet vullnet.”

Falë këtij vullneti, jo shumë kohë më parë, Kaimi më solli librin tjetër të tij “Plagët e një shekulli” (Gurbeti në trevën e Strugës dhe të Ohrit) i cili (më lejoni të bëj pak shaka) peshonte pa frikë, nja pesë kilogram. Dhe kur e lexova, pashë se s`kishte peshore ta mbante, pasi brenda tij gjallonin aq personazhe, ngjarje, dhimbje, të vërteta, konkluzione e mësime historie, sa meriton një vëmendje të veçantë nga kritika. Kurse mua ndër të tjera më kujtoj edhe thënien e dikujt se “Nuk ka rëndësi ku dhe si keni jetuar. E rëndësishme është çfarë keni bërë, aty ku keni qenë.” Kaim Murtishi, ai burri që nxitonte të më shpjegonte me aftësinë e një ciceroni në shtëpinë e tij muze, dhe që më erdhi keq që e njoha aq vonë, ka bërë aq shumë për vendin e vet, sa kurdoherë që shkoj në Strugë, mburrem që jam mik i tij.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • FOTO: Lumë njerëzor në Tiranë, Shqipëria përjeton protestën më të madhe pas rënies së komunizmit
  • 11 qershor 2026
  • Qofsh e bekuar rini e vëndit tim! Protesta dhe dy propozime racionale  
  • “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  • E rëndë në Gjirokastër, mbytet në pishinë një 15-vjeçar, shoqërohen disa persona

Komentet e Fundit

  1. nastradini on Qofsh e bekuar rini e vëndit tim! Protesta dhe dy propozime racionale  
  2. RN'B, BN'B on Qofsh e bekuar rini e vëndit tim! Protesta dhe dy propozime racionale  
  3. demo on Qofsh e bekuar rini e vëndit tim! Protesta dhe dy propozime racionale  
  4. pensionisti on Qofsh e bekuar rini e vëndit tim! Protesta dhe dy propozime racionale  
  5. Kiri on Qofsh e bekuar rini e vëndit tim! Protesta dhe dy propozime racionale  

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?