Nga Pëllumb Vreka
Gjatë kohës që shërbeja në ushtri, kam punuar në disa punë speciale, si brenda dhe jashtë vendit, si piktor i kartëmonedhave të Shqipërisë në Bankën e Shtetit, shef i Repartit të Prodhimit të Dekoratave të Ushtrisë e Policisë, në realizimin e muzeumeve të ndryshme, etj., etj.
Një punë specifike ishte hedhja në hartë e situatave të stërvitjeve me trupa apo ato komando shtabi. Këto specialitete më kanë dhënë mundësinë të ndodhem pranë kuadrove të larta Ushtarake e deri tek anëtarët e Byrosë Politike. Kështu që më është dhënë rasti të përjetoj episode të veçanta me ish-udhëheqësit e asaj kohe, por që mendoj se flasin shumë për karakterin e tyre. Duke qenë pranë tyre me detyra të angazhuara kam parë dhe dëgjuar me dhjetëra “grimca” nga jeta dhe aktiviteti i tyre.
Këtë radhë në kuadër të 110 vjetorit të lindjes së Mehmet Shehut po rendis disa nga këto “grimca” ku, pa koment tregohet personaliteti i kryeministrit më jetëgjatë në detyrë. Unë i kam përjetuar këto episode dhe i ruaj si kujtime të shtrenjta, të cilat po i rrëfej për herë të parë në DITA. Lexuesi le të gjykojë vetë…
Një rast
Në kodrat e Kamzës (Kodër Kamëz), nëpër gjatësinë që shtrihej deri në Repartin 5009 të asaj kohe, ndodheshin një sasi e madhe qendrash zjarri si edhe bateri kundërajrore. Në një hapësirë të zgjedhur ku ndodheshin pesë qendra zjarri ishin mbledhur disa dhjetëra kuadro të Ministrisë, Divizionit e Brigadës për të parë një demonstrim të një “shpikje” të re për qendrat e zjarrit. Konkretisht bëhej fjalë për të ashtuquajturat “Vetullore”.
Këto ishin disa harqe metalike sa gjerësia e frëngjisë së qendrës së zjarrit e vendosur mbi të dhe e gjerë nja njëzet centimetra me një shirit tre-katër centimetra kufizues i salduar në atë harkun metalik ku PLISI ME BAR duhej të flinte i ngjeshur.
Ndërmjet të pranishmëve ishte edhe Kadri Hazbiu. Kuptohet që xhenierët e kishin salduar atë hark mbi frëngji dhe ishte gati për vendosjen e plisit me bar. Mehmeti pasi foli pak për rëndësinë e kësaj shpikjeje e cila nuk lejonte të dukej, demek, tyta e armës nga lart dhe se ushtarëve brenda frëngjisë u çlodhte shikimin nga drita e fortë e diellit apo nga shiu.
Pasi mbaroi, Mehmeti mori nga dora e një ushtari një bel dhe vet preu një copë plis të mbuluar me bar dhe po me duart e veta e vendosi mbi llamarinën e quajtur vetullore.
Pasi e kompletoi të gjithë vetulloren e ngjeshi me grusht mirë e mirë dhe tha:
-Ja, kështu duhet t’i bëjmë të gjitha qendrat e zjarrit, apo jo mo Kadri?
-Po, i thotë Kadriu, është shumë e nevojshme, do t’i plotësojmë. Pasi foli edhe pak për detyrat e së ardhmes për këtë proces, Mehmeti ndaloi dhe i shkuan sytë te “galloshet” që kishin mbathur ushtarët dhe ju drejtua njerit prej tyre:
-Si i ndjen këmbët me galloshet, (galloshet ishin këpucë me qafa, por prej gome të veshura nga brenda me batanije), që ke mbathur?
-Ushtari iu përgjigj se mbasi udhëton shumë, këmbët djersiten, batanija laget nga djersa dhe kur ndalon këmbët ftohen shumë.
Mehmeti, pasi e dëgjoi iu kthye Kadri Hazbiut:
-E shikon o Kadri, të thashë që galloshet t’i vishnim me lëkurë dhie por nuk më dëgjove, e shikon si ankohet ushtari?
Kadriu nuk foli asnjë fjalë, vërejtja e Mehmetit përpara gjithë atij grupi e meku.
-Nejse, tha Mehmeti, do ta diskutojmë më vonë këtë çështje serioze.
Takimi për demonstrimin e mënyrës së vetulloreve dhe avantazhet e saj u mbyll.
Një rast tjetër
Në Fier zhvillohej një stërvitje vjetore e planifikuar me sulmin e tankeve dhe të këmbësorisë në drejtim të bregdetit.
Në ato kohë kanalet kulluese të bujqësisë gjatë vijës bregdetare pastroheshin mirë e mirë dhe duke qenë me gjerësi deri në dhjetë metra, përbënin një pengesë natyrale për makinerinë ushtarake, tanke e transportues të armikut që mund të zbarkonin në tokën tonë. Por, llogaritë nuk ishin bërë fort mirë, sepse armiku jo vetëm që do kish studiuar mirë terrenin e zbarkimit, por do vinte i përgatitur me mjete ura hedhëse apo buldozerë për zbutje të skarpateve.
Sa për kuriozitet. E njejta situatë ka ndodhur edhe në luftën Izrael-Egjypt. Izraeli në Sinai ndërtoi një brez (Dumë) rëre, njëqind e gjashtëdhjetë kilometra të gjatë e të lartë gati dhjetë metra, të quajtur Vija Barlev, për nder të ish shefit të shtabit të ushtrisë izraelite të luftës së parë Izrael-Egjypt. Ky brez rëre vërtet ishte një pengesë tepër serioze për t’u kaluar. Por, disa specialistë sovjetikë, që Egjypti asi kohe i kishte me “shumicë”, u kujdesën për këtë fakt dhe sollën (para sulmit), disa dhjetra makina speciale sovjetike të quajtura ZIL (Zavoda Imana Lenina, Uzina me Emrin Lenin), tek të cilat ishin vendosur pompa të fuqishme të cilat lëshonin ujë me presion të lartë, duke shkrirë rërën e duke hapur kështu vend kalime për tanket dhe mjetet e blinduara.
Vazhdimi është histori më vete, e cilat është shkruar nga ushtria izraelite në librin “Dita e Kipurit”, të cilin do ta trajtojmë në një shkrim të posaçëm të zgjeruar.
Nejse, kalojmë te pengesat tona natyrale, kanalet kulluese. Në krye të Brigadës së Tankeve ndodhej D.L. i cili ishte edhe organizatori e drejtuesi i stërvitjes. Në stërvitje do ishin të pranishëm nga “lart” edhe Mehmet Shehu me kuadro të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kish dalë një problem i madh, demonstrimi i kalimit të një tanku nëpër kanalin kullues, të gjithë pa përjashtim ishin pesimistë se ushtari shofer as që mund ta kalonte atë, ishim shumë të pasigurtë. Atëherë doli njëri me një propozim:
-Të vendosim në vend të ushtarit shofer një oficer, dhe për këtë u caktua tekniku i kompanisë, F.B., një kuadër shumë i përgatitur.
F.B. premtoi ta kalonte tankun pa problem, pavarësisht se pjerrësia tatëpjetë ishin afro 45 gradë, kuota maksimale e ngjitjes së një tanku tridhjetë e gjashtë tonësh.
Filloi stërvitja dhe të nëntë tanket e kompanisë po afroheshin në kolonë në një rrugë paralel më kanalin. Pastaj me komandë u kthyen njëherazi djathtas sipas largësisë së secilit nga njeri tjetri. Vazhduan në drejtim të bregdetit në formacion, duke hapur zjarr në ecje e sipër, kundër armikut të improvizuar.
Në afërsi të kanalit, të gjitha tanket ndaluan, përveç tankut që drejtohej nga tekniku F.B. Tanku “u zhyt” në dishezën e kanalit dhe me një sforco të madhe, dukej nga tymi i bardhë që dilte nga skapamentoja, filloi të ngjitej në skarpatin e kanalit. Me pak sforco e me nja dy manovrime të lehta majtas-djathtas, se ishte tokë e butë, tanku ia arriti të dilte në majë të kanalit në anën tjetër, eci nja dhjetë metra dhe ndaloi.
Të gjithë u çliruan nga ankthi e meraku nëse do të arrihej apo jo objektivi. Helbete, kishte ardhur vet Mehmet Shehu. Mehmeti thirri shoferin e gazit “BÇ” (kinez) dhe së bashku me të tjerë, pasi kaluan kanalin te mbikalimi prej betoni mbi kanalin kullues, u afrua së bashku me të tjerë kuadro te shoferi dhe i tha:
-Dil pak jashtë.
Shoferi F.B. u ngjit mbi tank dhe u ul në parvazin e kapakut të shoferit pa e hequr shlemafonin.
Mehmeti ndërkohë kishte në dorë një kalli misri të pjekur, ishte koha e misrit dhe fushat e Myzeqesë ishin plot me misër të njomë, e theu në mes misrin, i dha gjysmën shoferit dhe i tha:
-Bravo të qoftë, ke bërë një manovër të shkëlqyer. Pastaj u kthye nga komandanti i Brigadës së Tankeve D.L. dhe vazhdoi:
-Këtij ushtarit (vini re, këtij ushtarit), t’i jepen shpërblim dhjetë ditë leje.
Asnjë nuk foli. As vet D.L., të cilit iu drejtua Mehmeti. Në këto raste, pas përfundimit të stërvitjes, për kuadrot shtrohej drekë pune me diskutime dhe mendime, ndërsa ushtarëve iu jepej… hallvë. Diskutimi në këtë rast ishte i përqendruar te tanku që kaloi kanalin, ashti si tanket e e stërvitjes së Shebenikut, që u ngjitën në kodra me pjerrësi deri 45 gradë.
Gjatë gjithë drekës, askush nuk e përmendi faktin që ai që kaloi kanalin nuk ishte ushtar, por vet specialisti, tekniku i kompanisë asokohe, tekniku ishte njeriu më i përgatitur në mirëmbajtje e ngarje të tankeve.
Dreka mbaroi dhe kuadrot u shpërndanë nëpër detyrat e tyre. Mehmeti i shoqëruar nga kuadrot e Ministrisë po drejtohej te makina, ndërkohë që “dikush” që ruante momentin, kur Mehmeti përmendi prapë aktin e ushtarit shofer, i thotë:
-Shoku Mehmet, ai që nxori tankun matanë kanalit nuk ishte ushtar.
-Po ç’ishte- u kthye vrulltas Mehmeti.
-Ishte oficer, teknik i kompanisë.
Mehmeti u kthye gjithë mllef nga Komandanti i Brigadës D.L. dhe i tha:
-Na paske mashtruar. Ai paska qenë oficer e jo ushtar. Shumë keq. Për këtë shkarkohesh menjëherë nga detyra e Komandantit të Brigadës, menjëherë, more vesh. Dhe hipi në makinë e u largua. Stërvitja mbaroi…
Edhe një rast tjetër
Asokohe, në ushtri shërbente si tankist edhe një oficer, M.K. e quanin. M. ishte dhëndër në Librazhd, dhe me rastin e martesës dhe të marrjes së një apartamenti një dhomë e guzhinë, (M. ishte nip i një sekretari të Komitetit të Partisë), kunati e ndihmon me një shumë parash për të kompletuar këtë apartament.
Këto para, M. ia shlyente çdo muaj kunatit nga rroga. Pasi i kishte shlyer pothuajse gjysmën, kunati i thotë:
-Atë pjesën tjetër të parave ta kam falur, por, me kusht që të më rregullosh transferimin për në Tiranë.
Asokohe, transferimet bëheshin me vendime të veçanta.
-Dakort, i thotë M.
Pas disa muajsh, M. siguron një urdhër me shkrim të firmosur nga vet Mehmet Shehu dhe të vulosur me vulën e sekretarisë së Ministrisë së Mbrojtjes. Pasi mori një makinë “Vollga” bojë qielli me dy fenerë nga Parku i Ministrisë së Mbrojtjes, u nis për në Librazhd, në Komitetin Ekzekutiv. Shkuarja me një “Vollgë” në oborrin e Komitetit ishte një ngjarje e veçantë për Librazhdin. I dërguari i kryetarit e priti tek shkallët dhe e shoqëroi deri te dera e tij ku M. u fut në zyrë.
Pasi u përshëndetën, M. i jep letrën kryetarit me citimet e mësipërme. Kryetari faktikisht nuk e njihte M. dhe pasi i dha edhe një kafe, e siguroi që nesër Vendimi i Komitetit do ishte gati. M. u ngrit e po dilte nga zyra, kur rastësisht po hynte n/kryetari i cili pasi u përshëndet me M., pasi ai e njihte atë, u ul përballë kryetarit. M. ndërkohë kish mbyllur derën dhe ishte larguar.
-Kryetar, i tha n/kryetari, përse kishte ardhur ai këtu?
-Kryetari i zgjati letrën pa folur. N/kryetari e lexoi me kërshëri dhe e pyeti:
-Ç’do bësh me këtë?
-Kryetari- E diskuton- ta zbatojmë e nesër të vijë ta marrë vendimin.
-Një minutë, i thotë nën/kryetari- mua më duket pak si e çuditshme që shoku Mehmet të firmosë për një ….kapter. Prandaj nuk ka asnjë të keqe sikur ta verifikonim në Sekretarinë e Ministrisë së Mbrojtjes.
-Drejt e ke, i thotë kryetari dhe ngriti dorezën e telefonit duke kërkuar një lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes, kryesisht me sekretarinë. Pasi lidhja u krye, kryetari i spjegon dëgjuesit në anën tjetër të linjës, gjithçka kish ndodhur.
Personi nga Ministria i thotë kryetarit, mos kryeni asnjë veprim, por, na sillni shkresën urgjent këtu, pa dhënë spjegime të tjera. Kaq u desh dhe shkresa u nis për në Tiranë.
Tani lindte një problem tjetër. Kush do merrte guximin e të shkonte te Mehmeti e t’i tregonte atë shkresë. Pas shumë debatesh në Sekretari, u vendos që të merrej mendimi i sekretarit të Mehmet Shehut, I.I. një kuadër i sprovuar pasi kish kaluar nja tre ministra në shërbim të tyre.
-Bjereni këtu, tha I.I.- se ja tregoj unë pa problem.
-Në një moment që Mehmeti ishte vetëm në zyrë, hyn I.I. dhe i thotë për shkresën që si do veprojmë, pasi personi do mbajë përgjegjësi, do ketë gjyqe, shkurt do lakohej emri i Mehmetit nëpër zyra për një çështje tepër ordinere.
-Mehmeti po e shikonte me vemendje shkresën e si tip i zgjuar që ishte, pasi rrotulloi nëpër mendje atë që mund të ndodhte zyrave shtetërore e zyrave të gjykatave, tha:
-Qerratai, e paska bërë origjinale firmën time, të…falet.
Me kaq çështja u mbyll dhe M.K. shpëtoi nga burgu për fallsifikim. Por e keqja e ndoqi prap se pas disa kohe vodhi batanije, kompesata e bojë vaji dhe përfundoi në burg.
Edhe një rast tjetër
Asokohe, Anëtarët e Byrosë Politike, kryenin pushime edhe në zona jo bregdetare. Ata pushonin në të ashtuquajturat Shtëpi Pushimi të Udhëheqjes. Njëra nga këto ndodhej edhe në zonat më piktoreske të Pogradecit. Në këto zona piktoreske, jashtë brezit të sigurimit të Vilave të Pushimit të Udhëheqësve, kishte edhe turistë të huaj, të pakët në numër por ama prapë kish. Sidomos anëtarë udhëheqës të Partive Komuniste simotra të P.P.S.H në Francë, Belgjikë, Argjentinë, Brazil etj.
Mehmeti me të shoqen, në kuadër të shëtitjeve që bënin ditëve të pushimit në Pogradec u sugjerohet nga Drejtuesit e Pushtetit të Pogradecit që të vizitojnë edhe disa dhomëza, model me kompletim tradicional figurativ, si oxhak, mindere lëkure etj. Mehmeti pranon dhe të shoqëruar drejtohen nëpër këto dhomëza tek të cilat shkohej me disa rrugica druri të vendosura mbi ujë.
Kur Mehmeti hyri në njerën prej tyre, pasi e pa iu drejtua Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv:
-Nuk po kuptoj ç’vlerë kanë këto. Apo nuk dini ku t’i shpenzoni paratë. Kryetari kish menduar kur e ftoi Mehmetin të vizitonte ato dhomëza, se ai kish dijeni nga Enveri. Prandaj me mirësjellje i përgjigjet:
-Shoku Mehmet ne kemi zbatuar një projekt dhe edhe shoku Enver kur i vizitoi i pëlqeu shumë.
Mehmet, pas këtij spjegimi i dha drejtim tjetër bisedës:
-Epo po qe kështu, at’here le të bëhen edhe më të mëdha që të shërbejnë edhe për popullin, se këtej kam dëgjuar që vijnë shumë vizitorë. Me kaq vizita u mbyll.
Këto pasazhe apo grimca nga aktiviteti i Mehmet Shehut, tregojnë zgjuarsi, diplomaci por edhe seriozitet të këtij njeriu, i cili luftoi e punoi me përkushtim për këtë vend deri në fund të jetës.