Diabeti tip 1 është një sëmundje që zakonisht fillon në fëmijëri, por që mund të ndodhë edhe tek të rriturit (30 deri në 40 vjeç). Në këtë lloj diabeti pankreasi prodhon shumë pak insulinë, e cila ndihmon qelizat e organizmit që sheqernat t’i shndërrojnë në energji. Pra insulina është ajo që realizon futjen e sheqernave nga gjaku (ku kanë ardhur nëpërmjet ushqyerjes) brenda në qelizë. Në rast se insulina është e pamjaftueshme, atëherë sheqeri nuk futet mjaftueshëm në qelizë, duke rritur kështu nivelin e tij në gjak dhe njëkohësisht duke rritur pamjaftueshmërinë e ushqyerjes së qelizave. Kjo situatë shkakton klinikën dhe komplikacionet e njohura të diabetit.
Njerëzit që vuajnë nga diabeti i tipit 1, që nga momenti i zbulimit të sëmundjes dhe për gjatë gjithë jetës së tyre duhet të marrin insulinë. Rol vendimtar në trajtim luan marrja e kujdesshme e insulinës, vetëm sipas dozave të rekomanduara nga mjeku specialist. Po ashtu, me kujdes duhet të ndiqet edhe regjimi ushqimor, i cili nuk duhet kuptuar si dietë, apo mosngrënie e ushqimeve të caktuara. Në këtë sëmundje duhet rregulluar sasia e ushqimeve që duhen konsumuar gjatë ditës.
Shenja kryesore është etja dhe urinimi i shpeshtë. Nivelet e larta të sheqerit në gjak nxisin diuerezën (filtrimin e shpejtë dhe të vazhdueshëm të urinës nga veshkat), duke shkaktuar dhe një gjendje të përgjithshme dehidratuese të organizmit.
Shenjë tjetër është uria e vazhdueshme. Si pasojë e pamjaftueshmërisë insulinike, glukoza nuk arrin t’i ushqejë plotësisht qelizat dhe ato janë vazhdimisht në gjendje urie dhe mungese të energjisë. Kjo sjell si rezultat rënien në peshë edhe pse diabetikët kanë vazhdimisht uri dhe hanë shumë.
Nivelet e larta të sheqerit në gjak shkaktojnë mjaft probleme me lëkurën dhe në mënyrë të veçantë me infeksionet. Si rezultat i çrregullimeve në qarkullimin e gjakut dhe i terrenit të favorshëm mund të zhvillohen infeksione bakteriale (streptokok, stafilokok, pneumokok, etj), e sidomos infeksionet mykotike midis gishtave të këmbës dhe të duarve.
Pacientët me diabet të tipit 1 të patrajtuar mund të zhvillojnë edhe simptoma të rënda, të tilla si: “çrregullime të pamjes, mpirje, apo ndjesisë së shpimit si me gjilpëra, sidomos te këmbët, humbje të vetëdijes, lodhje, vështirësi në frymëmarrje, tharje goje dhe deri te koma diabetike. Herë pas here këta pacientë mund të bëjnë edhe gjendje hypoglicemie si rezultat i uljeve të papritura të sheqerit në gjak. Në pacientët me diabet tip 1, koma diabetike, humbja e vetëdijes dhe në disa raste edhe hypoglycemia përbëjnë urgjenca mjekësore. Duke qenë se qelizat e trupit nuk e përdorin dot sheqerin si burim energjie, atëherë ato fillojnë të djegin yndyrat për të marrë energjinë e duhur, gjë e cila rrit praninë e acideve specifike në gjak që ndryshojnë PH e gjakut dhe shkakton atë që njihet si: ketoacidosa diabetike. Klinikisht do të kemi turbullim të pamjes, urinim të shpeshtë dhe etje, lëkurë të thatë, marrje fryme, ulje oreksi, dhimbje barku dhe të vjella.
Diagnoza e diabetit kërkon kryerjen e dy analizave laboratorike siç janë: “Matja e glukozës, sheqerit në gjak para ngrënies(esëll) në mëngjes dhe testi i tolerancës së glukozës, ku mbasi merret nga goja të 75 gram sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë, ose një ripërsëritje mbas një dite e matjes së glukozës në gjak esëll. Ndërsa matja e hemoglobinës së glukozuar, Hba1c, përdoret kur është diagnostikuar diabeti dhe përdoret për të kontrolluar atë në 2-3 muajt e fundit.
Rezultati mund të quhet pozitiv nëse glicemia në gjak para ngrënies është e barabartë, ose më shumë se 126 mg/dl, ose testi i tolerancës së glukozës është i barabartë, ose më shumë se 200mg/dl dhe nëse glicemia para ngrënies është midis 110-125 mg/dl bëhet fjalë për Pre-diabet, apo tolerancë e dëmtuar e glukozës.
Trajtimi i diabetikëve në përgjithësi kërkon një strategji të veçantë, e cila udhëhiqet më së miri nga mjeku specialist endokrinolog dhe në bashkëpunim të ngushtë me mjekun e familjes. Diabeti tip 1 kërkon marrje të përhershme të insulinës (të cilat janë të llojeve të ndryshme dhe përcaktohen rreptësisht nga mjeku specialist), monitorim të vazhdueshëm të sheqerit në gjak, por edhe të gjithë parametrave të tjerë klinikë dhe biokimikë për të mbajtur në kontroll të vazhdueshëm parametrat. Natyrisht në trajtimin e çdo lloji të diabetit luan rol ushqyerja dhe aktiviteti fizik. Në ditët e sotme një gjë duhet të jetë e qartë që nuk ka “dietë diabet”, por ka ekuilibrim të kalorive. Edhe diabetikët nuk janë të privuar nga ëmbëlsirat, por ata duhet të kenë të qartë që karbohidratet ngrenë më tepër dhe më shpejt se çdo ushqim tjetër nivelin e glukozës në gjak. Prandaj duhet bërë kujdes me sasinë.
Për parandalimin e diabetit tip 1 kërkohet:
- Kryerja e kontrolleve të rregullta të sheqerit në gjak, 1 herë në vit nëse bën pjesë në grupin e rrezikuar ndërsa njerëzit e tjerë kryerja e testit 1 herë në 3 vjet.
- Kontrolli rregullisht i tensionit të gjakut.
- Mbajta e peshës nën kontroll.
- Kryerja e aktivitet fizik, 30 minuta të paktën në 5 ditë të javës.
- Pakësimi i marrjes së yndyrave në ushqim, sidomos ato shtazore.
- Përdorimi i ushqimeve të pasura me fibra, si: fruta, zarzavate, etj.
- Shmangia e përdorimit të duhanit e alkoolit.
p.k\dita
