Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Klosasit e Mallakastrës si personazhe të Makbethit dhe Bylisi në mes
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Klosasit e Mallakastrës si personazhe të Makbethit dhe Bylisi në mes
Kulture

Klosasit e Mallakastrës si personazhe të Makbethit dhe Bylisi në mes

Published: March 27, 2023
Shpërndaje

Sefer Pasha

 

Me miqtë e mi nga Prizreni kisha shkuar për drekë në një nga lokalet e preferuara të Bylisit në Mallakastër. I pëlqej zogzat që gatuan lokali me ato rosnicat e qëmotit. Me një nga ciceronët sharamantë të lokalit po u zbuloja miqve mirfilltazi njëpasnjëshmërisht mozaikun e Bylisit. Por nuk isha i qetë. Një bisedë dramatike një natë më parë gazetarin dhe përkthyesin Xhevdet Shehu, më zgjoi emocione. Gazetari më foli për traditat e klosasve. Ai vetë është nga Hekali. Si Klosi dhe Hekali përtej dukjes, me kahe të kundërta mes veti, nuk kanë tallazitje e diversitet kulturor. Janë nga i njëjti brumë e me skena të përafërta ngjarjesh me humanitet universal. Biseda e vagullt me Xhevdetin më ngacmoi që të shkruaj këtë reportazh të tharmët në kuptimin floberian. Në kafene, në Ballsh, në Qafën e Kashit, nëpër Hekal, në Klos ku fillimisht isha fillikat, dhe në lokalin ku porositëm drekën, sikur na thumbonte me gjilpërë e njëjta temë. Pa të thënë njatjeta vendasit të tjerrin kronikën e ngjarjeve për monstrën tipike shqiptare Aida Klosi? Është bijë apo e martuar? Po ky Ceno Klosi? Çfarë më bëri përshtypje? Klosasit që takuam ishin të shqetësuar. Në një zë ishin dhe mallakastriotët e tjerë. Përgojohej emri i fshatit me mbiemrin homerik Klosi. Një historian ithtar turfullonte kundër kësaj kolere. Na thanë se klosasit që nga Evropa e deri në Amerikë pyesin për biografinë e “egjërës” së grurit. Po kjo pikë e zezë, u thashë bashkëbiseduesve. Klos ka jo vetëm në Mallakastër, por Klos ka gjithashtu në Mirditë, në Mat dhe në Elbasan. Por prej këtyre viseve nuk ka asnjë përshpërimë. Klosasit e Mallakastrës gjëmojnë. Pse? Fshati Klos i Mallakastrës ka emër të nderuar. Prej këtij fshati baladesk kanë dalë mendje të ndritura si Ismail Klosi, Qemal Klosi, Murat Klosi, Sherif Klosi, Bilbil Klosi, Ardian Klosi, Izet Klosi, Blendi Klosi, Fatos Klosi e të tjerë. Edhe nga brezat e rinj ka emra shumë të respektuar. Pikërisht kjo është arsyeja që klosasit në luftë për të ruajtur identitetin e fshatit qartazi të papërlyer me një ndjesi gati mitike dalldisen kur dëgjojnë për kusarët sarahoshë me mbiemrin Klosi.

- Publicitet -

***

Lëviza me miqtë nga Prizreni në rrënojat e një muri të lartë aty ku duket Povla, që bashkohet me Vjosën në Poçem. I thërrisnim “Dy gurët” në fëmini. Prizrenasit më pyetën se kujt i përket Bylisi, Hekalit apo Klosit? Bylisi nuk është i askujt u përgjigja. Është pasuri e planetit. Gjithashtu miqtë më pyetën për atë punonjësen së cilës iu gjetën “thasë” me euro. Pohoj se ajo është nuse në këtë fshat. Dhe fshati dënohet se ajo mban mbiemrin Klosi. Po bëhen gati dy shekuj që prej fshatit Klos lindin vetëm yje, prijësa legjendarë, shkencëtarë, arkeologë, burra shteti, diplomatë,  ekonomistë e ushtarakë të talentuar. Heroin Ismail Klosin agjentët e Turqisë e varën në Berat në vitin 1915. Më 4 shkurt të vitit 1943 Mehmet Shehu krijoi Çetën Plakë të Mallakastrës. Prej fshatit Klos ranë në fushën e betejave dëshmorët e luftës Hysen Çalaj, Islam Murataj, Kadri Lamaj e Veledin Harizaj. E ilustroj me Sherif Klosin. U them se Sherif Klosi, që është bir i këtij fshati, ka mbaruar studimet për mjekësi në Bolonjë të Italisë në vitin 1938. Ai është shembulli klasik i mallakastriotit tribun. Si Sherif Klosi ka dhe shkencëtarë të tjerë po nga ky fshat me bëma profetike. Kjo është arsyeja që çdo klosas nuk dëgjon dot histori me hajna në botën e digjitalizuar. Dashuria për Klosin nuk ka kufij. Një nga miqtë nga Prizreni më thotë se në këtë mes ka një logjikë tribale. Unë e kundërshtoj dhe i shpalos detajet. Fshati Klos ka audiencë prej njerëzve të ndershëm. Bijtë e këtij fshati qysh atëmot asëll – asëll në habitatin e tyre kulturalisht tradicional në disa rrafshe nuk i kanë honepsur krizat dhe intrigat. Shumatorja e opinioneve të këtyre ditëve për të mësuar se kush ishin kusarët me mbiemrin Klosi synonte që ta ruante fshatin nga baltosja e imazhit. Në fshatin Klos ka shumë fise si Muratajt, Merkajt, Velajt, Shehajt, Likajt e të tjerë. Kusarja e kusari po të kishin ndonjë nga këta mbiemra askush nuk do të merrej me ta. Nuk do t’i përgojonte njeri. Po fisi Klosi është ikonë në Mallakastër. Kurrë nuk ka pranuar mëkate. Klosi është fshat autoritarist e me kode e status si të thuash biblik. “Në jetë ka ca gjëra që duhet të jenë së bashku, domosdo” thotë në një tregim O’ Henri. Ai shton se “Diamante mbajnë gratë e hajdutëve dhe të fejuarat e batakçinjve”.

***

Edhe unë kur dëgjova për personazhet me mbiemrin Klosi të cilët akuzohen për kusari u bëra kureshtar. Fshati Klos është “Meka” e grave të fshatit tim në Kremenar. Qysh në vegjëli e mbaj mend kur plakat e fshatit betoheshin për Gradishtën e Klosit. Kur Dede Baba Reshat Bardhi, i cili qe internuar në fshatin Drizar të Mallakastrës fillonte pa rënë akshami dhe me këngë përcillte diellin për në perëndim, nënat faleshin për Gradishtën e Klosit. Baba Reshati kishte zë të bukur. Kur ai përcillte diellin me këngë, zëri i tij dëgjohej deri tek Mëhalla e Shkëmbit në Bylis. Në Gradishtë dielli merrte udhën për në detin e Vlorës.

Kur unë pashë bubullimat në shtyp mora në telefon mikun tim të rinisë Agron Çalaj. E pyeta për të mallkuarit me mbiemrin Klosi. Agron Çalaj që dikur mbulonte çështjet e artit dhe të kulturës në Divizionin e Gjirokastrës më dha një përgjigje metaforike. Më dëgjo o “nipçe” më tha ai. Sot e bëjnë qimen tra, vazhdoi duke bërë avokatin e “figurave” që nuk i lante as Povla dhe as Marusha. Mos harro më thotë miku im që në listën e njerëzve të shquar të rreshtosh dhe Ardian Klosin. Ja dhe një detaj. Ndodhesha në Athinë m’u rrëfye Agroni. Sa e kisha përfunduar librin kushtuar nënës time me titull: – “Dedeja”. Por nuk po gjeja dot një fotografi të mirë për në faqen e parë të kopertinës. Një mbasdite po ndiqja një emision kushtuar gruas së Ardian Klosit, që ishte fotografe. Kur në ekran po shfaqeshin fotografitë e artistes nga Gjermania Jutta Bezenberg u mahnita kur u shfaq në ekran fotografia e nënës time[Dedeja]. Fotografja me emër e kishte fotografuar nënën time fshehtas në yrtin e shtëpisë tonë. Gruaja e Ardian Klosit qëndronte nëpër mëhallat e Klosit me ditë të tëra për të bërë fotot e rralla siç qe dhe ajo e Dedesë, të cilën e vura në kopertinën e librit.

Po përse më tha “nipçe” Agron Çalaj? Më tha këtë gjë se ne të Kremanarit i kemi pasur denbabaden “dajo” klosasit. Kur qyteti ilir i Bylisit shkëlqente, Kremanari dhe fshatrat në periferi ishin mëhalla të Bylisit. Kur unë punoja në kooperativë në Plirat e kushëririt Zalo Hysenit një ditë vjeshte kur traktori po plugonte arën e tij [tani aty janë varret e fshatit] plori i madh zbuloi një varr. Nuk më hiqet nga mendja ajo pamje. Plugu në madhësinë e cjapit nxori një pllakë guri të gjerë e të gjatë sa ç’janë përmasat e një varri. Me Zalon u habitëm. Në guroret e fshatit nuk ka pllaka të tilla. Nga mbeturinat e varrit që plugu i flaku mbi ugar me Zalon hoqëm mënjanë një shtambë dhe një qyp të padëmtuar. Unë mora qypin. Zalua që ishte më i madh më tha se në Povël duke hapur një furrë gëlqereje Maliq Hasimi kishte gjetur pjata, monedha bronxi, lugë, unaza, shpata, heshta, çanakë balte, tepsi, tiganë, thika, kusi bakri dhe gurë me mbishkrime të çuditshme. Në Qafën e Shefos mbi Hadaj ishin gjetur tjegulla sa një saç të bëra prej një qeramike të panjohur. Ato nuk prodhoheshin dot edhe pse kishte furra të mira të sjella nga jashtë shtetit prej Enver Hoxhës. Por të gjithë mbeten pa mend kur në majën e fshatit që quhet Magulë një kompani e cila gërmoi për vendosjen e një antene, aty zbuloi një foltore të shtruar dhe të rrethuar nga të gjitha anët me qeramikë të hatashme. Kur drejtuesit e kompanisë panë se çfarë kishin zbuluar fare rastësisht e mbuluan shpejt e shpejt foltoren. Kishin frikë se u ndërpriteshin punimet. U ndodha në fshat dhe mbusha një çantë me qeramikë të hedhur nga gërmimi. Ia shpura në Tiranë arkeologut Myzafer Korkutit. Arkeologu më shpjegoi se foltorja e Magulës lidhej dhe me foltoret e tjera në Amantia, Rabie e Bylis. Studiuesi Fitim Caushi i cili është nga fshati Rabie, ballë për ballë me fshatin tim, më tregoi se nxënësit e tij kishin gjetur një statujë [hyjneshë] në muret e kalasë së Rabies. Hyjneshën e Rabies ai e kishte dorëzuar. Unë kur ika në shkollën ushtarake e lashë në një qoshe të shtëpive qypin e zbuluar në Plira së bashku me kushëririn tim. Kur u ktheva nuk e gjeta. Askujt nuk i kishte hyrë në punë. Po ta kisha tani qypi do të ishte gjëja më e çmuar në bibliotekën time. Por padituria të bën gjëmën. Në mëhallën time një njeri pasionant pas gjetjes së thesareve vazhdon të kërkojë qypat e fshehur me florinj. Quhet Sokrat Qaniu. Vet Sokrati më ka treguar se në shkëmbinjtë e Novoselës ka parë ca si shigjeta që vijnë nga lart poshtë. Ato shigjeta i kam parë dhe unë dikur. Sokrati mendon se në drejtimin e shigjetave do të ketë thesare të fshehura. Një kremenaras që ka banuar në Amerikë dhe ka vdekur andej, ka shkruar se tek Shkëmbi i Bletës duhet të kërkohet për flori. Kremenarasi ka përcaktuar dhe vendin. Kur dielli perëndon në Gradishtën e Klosit dhe hija e tij prek shkëmbin e dytë, aty ku janë shtatë shpella, duhet të kërkohet. Ndiqni hijen e diellit ka thënë i moçmi që kishte emigruar. Në një nga të shtatë shpellat ndodhet thesari.

***

Nuk jam arkeolog dhe as historian arti. Qysh kur isha fëmijë dhe kur u bëra burrë sa herë që ngjitem në Bylis them me vete se ata që vunë themelet dhe ngritën këtë qytet kanë qenë fenomenalë. Që nga pika më e lartë gjeografike në të katër anët të shfaqen pamje magjepsëse. Sidomos pamja andej nga perëndon dielli. Vjosa që del nga Gryka e Poçemit dhe shtrihet drejt detit ngjan si Kashta e Kumtrit lart në qiell. Njeriu mahnitet. Sa të lumtur kanë qenë bylinët që kanë jetuar në këtë vis perëndish. Bylisi ka qenë i vështirë për t’u pushtuar nga armiku. Ai është ngritur në këtë çupejkë strategjike për t’u treguar brezave se çfarë ka ndodhur në Mallakastër. Në gurët e tij janë shkruar volumet me prozën e gjatë e cila gjëmon për historinë. Edhe sot ata klosas që ende banojnë në fshat tregojnë se në qemerin e portës së Bilbil Klosit është gjetur një mbishkrim, ku në rreshtin e katërt lexohet fjala NIAKAIENEY, i shkruar në greqishten e vjetër e që do të thotë “FITORE”.

Tregimet për njerëzit e shquar të Klosit nuk kanë mbarim. Ato rrjedhin si ujërat e Vjosës. Për inxhinierin e veprave të mëdha ujitëse Murat Klosin tregohen edhe sot legjenda. Ai i ndërtoi kanalet vaditëse aty ku ishin udhët e dhive dhe të gjarpërinjve. E ktheu ujin përpjetë. Me sistemin vaditës që nga Lumara e Beratit mbuloi fshatrat Gjerbës, Greshicë, Hekal, Ninësh, Gadurovë, Drizar, Bejar, Damës e Kremenar.

Fëmijëria e çunave nga Hekali, Greshica, Gjerbësi, Greshica, Kremenari, Drizari, Rromësi, bile dhe përtejasit që i përfshinte qyteti i Selenicës lidhej me Bylisin. Ne të Kremenarit që shkonim për të bluar tek mulliri i Hysen Zeqos i mbanim sytë nga Bylisi. Në odat e prindërve tanë flitej dhe ngrihej dolli për Hysen Zeqon. Por ne nuk e kishim parë ndonjëherë. Sarajet e Hysen Zeqos në grykën e Povlës ishin në formën e kalasë. Prej kohësh më mundon mendimi që nuk po e përfundoj monografinë për Hysen Zeqon. Tregimet për të rrjedhin si valët e Povlës nëpër shkëmbinjtë e zinj.

…Ishim kuriozë dhe për një grua me emrin Zade. Tregoheshin rrëfime seriale për të. Bëhej fjalë për një grua të mbrapshtë. Për Zaden nëpër sofatë e fshatrave tregoheshin bëma. As sot nuk e di nëse ka ekzistuar në fshatin Klos një grua me emrin Zade. Mesa e përshkruajnë tregimet gojore ka shumë mundësi që bota e bukur klosase, e cila nuk pranon baltë, e ka krijuar vet këtë figurë groteske. Zadja përgojohesh si sinonim i gruas ngatërrestare. Dhe gratë nëpër fshatra kur kishin ndonjë vështirësi në zgjidhjen e konflikteve e thoshin me plot gojën: “Mos u bëj si Zadja e Klosit!”. Nëse kjo grua ka rrojtur vërtetë, fiset e Klosit nuk e kanë pranuar. E kanë kthyer në personazh me botë shtrigash. Një miku im poet më ka thënë në Tiranë se magjistricën e Zades klosasit e kanë krijuar vetë. Ata i shkruajnë me kokën e tyre komeditë. Kot merrem me Zaden e Klosit, i them vetes. Çdo fshat ka “zaden” e tij. Nuk ka fshat pa “zade”. Edhe gjyshja ime ka qenë një “zade” e vogël. Njerëzit e shpikin këtë figurë kundër bëmave dhe mëkateve. Populli nuk i do “zadet” me doza perversiteti. Edhe Aida Klosi është allasoj një “zade” e kohëve moderne. Big Brother i televizionit Top Chanel është i mbushur plot me “zade”. Aktorja Eva Alikaj që u fut pak ditë në spektalin skandaloz a nuk ishte një “Mis Zade”?

***

Mbajta shumë shënime nga ato që dëgjova në Klos. Rreshtova dhe një ngjarje që kishte ndodhur në vitet shtatëdhjetë. Një klosas që punonte në Fier si ekonomist e kishin arrestuar me një akuzë të rëndomtë. E akuzonin dhe për moral të dyshimtë. Kur klosasi ndodhej në burg grupi operativ i degës së brendshme i kryesuar nga shefi i hetuesisë së rrethit i bëri kontroll banese. Gjatë kontrollit të banesës, ku ndodhej vetëm gruaja e klosasit, i cili ndodhej në burg, shefi i hetuesisë në një valixhe gjeti dhe një palë sytjena. Merri këto, i tha me inat shefi i hetuesisë! Jo, iu kthye gruaja nga Klosi që e kishte burrin në burg. Po përse nuk i merr, e kërcënoi ai. Sepse nuk janë të miat iu përgjigj gruaja trime e Klosit. Cicat e mia janë si dy shkëmbinj Klosi. Këto sytjena duhet të jenë të gruas tënde ose të shokëve të tu. Gruaja jote, i tha ajo shefit të hetuesisë, i ka gjinjtë si trakaliçe [kokrra fiku të egra]. Grupi operativ la mendjen e kokës nga kjo përgjigje, që ata nuk e imagjinonin dot. Shefi i Hetuesisë ishte xheloz dhe për gruan e tij. Thënien e gruas nga Klosi, e cila e kishte burrin në burg u mor vesh në të gjithë Fierin. E mori vesh dhe Sekretari i Parë. Ai urdhëroi dhe çështja penale u pushua. Klosasi u  nxor nga burgu. Qe e mjaftueshme një përgjigje e zgjuar e gruas.

Kur isha me prizrenasit tek “Mëhalla e Shkëmbit” duke u ngjitur mbi një mur të dëmtuar u tregova vendin ku bie fshati Çërrilë. U rrëfeva miqve gjithashtu atë që tha në një promovim libri Luftar Binjaku po nga fshati Klos. Një djalë i ri nga Krusha e Madhe e Kosovës e ndiqte udb -a dhe ai u arratis dhe erdhi në Shqipëri. Krushasi kishte mbaruar studimet në Prizren për mësuesi. Pushteti i kohës në Shqipëri e emëroi mësues në Seman të Fierit. Në Seman mësuesi u ndje keq. Ai enjtej prej mushkonjave. Përfundonte në spitalin e Fierit. Bëri disa kërkesa dhe drejtoria arsimore e transferoi në fshatin malor të Çërrilës në Mallakastër. Natën e parë e priti në shtëpinë e tij kryetari i këshillit të fshatit. Pasi hëngrën darkë i zoti i shtëpisë mësuesin nga Kosova e shpuri në një konak të veçantë. Mësuesi u çudit. Dysheku ishte i mbushur me trëndelinë, kurse jastëku me borzilok. U deh nga aroma e trëndelinës dhe e borzilokut. Nuk më delte gjumi në mëngjes ka treguar më vonë mësuesi nga Kosova. Çërrilla e Mallakastrës ishte vendi i luleve dhe i borzilokut. Nuk e bezdisën mushkonjat si në Seman. Sikur jetonte në Krushën e Madhe të Kosovës

…Në fëmijëri në ato pak raste kur ngjiteshim në Bylis me gjunjët të gjakosur nga drizat, përrallet dhe bezgat ne na hutonin gërmadhat, kalaja, muret e lartë, shpellat, sterrat për djathë, ullinj e vaj, themelet e banesave të rrëzuara dhe ca si istikame që gjarpëronin rreth Kalasë së Klosit dhe të çukave të Gradishtës, ku në perëndim dielli qëndronte mbi shkëmbinj si një kal i kuq dhe pastaj siç thoshin me të mëdhenjtë ai prej Gradishtës fluturonte përmbi det e i lodhur për tërë natën delte në malin e Tomorrit [vite më vonë kur shkuam në shkollë mësuesi i rreptë Nuredin Jaupi na mësoi të recitonim Naim Frashërin që kishte shkruar: – /Jakë, o ditë e uruar/që lind nga perëndon/. Ne ishim të vegjël e për shumë dukuri ngrinim supet. Por mekeshim kur shkonim tek teatri. Fillonim dhe i numëronim stolat e gurtë ku dikur uleshin spektatorët. Çunat e Hekalit e nxirrnin teatrin me 7 000 vende. Greshiciotët me 10 000 vende. Kurse ne të Kremenarit gjithnji i ngatërronim numrat. Faktikisht teatri i Bylysit në qendrën e qytetit me katër hektarë kishte 9 000 vende. Aty ishte stadiumi dhe gjimnazi. Në ato mote Ballshi na dukej më i mirë. Ballshi ku shkonim dhe shisnim dafina e blinim bukë gruri na pëlqente. E mbaj mend si të më ketë ndodhur dje. Aty ku ka qenë kryqëzimi i vjetër i Ballshit në faqen e një shtëpie dy katëshe u vendos një çarçaf i bardhë. Na thanë se do të shfaqej një film. Ishim disa shokë nga Kremenari dhe Drizari. Ne vendosëm për ta parë filmin. Kthimin do ta bënim natën. Me tu errur filloi të shfaqej filmi “Dëgjoni këngën time”. Aktori që e këndonte këngën ishte në moshën tonë. E fiksuam. Aktori spanjoll quhej Joselito[Ne fshatçe ja kthyem në Hozelito]. Zëri i këngëtarit na çuditi. Më vonë nuk e hiqnim nga goja. Këngën e Hozelitos e këndonim edhe kur ruanim tufat me dhi e me dele. Në shkollë në Fratar se kush hapi lajmin se Hozelitua kishte vdekur. Thuhej se e kishin vrarë, e kishin rrëmbyer e mbahej peng në burg. Qëllimi kishte qenë që Hozelitua të mos këndonte më tutje. Ai po pushtonte botën. Unë shumë vonë e mora vesh se aktori ishte si kokrra e mollës. Kishte luajtur dhe në filma të tjerë.

Miqve nga Prizreni u tregova gjatë drekës se kur ati im bëri një palë shtëpi të reja e shiti të gjithë tufën e dhive. Mbeti vetëm një ftujë. Një ditë kur po luaja me çunat brenda mureve të kalasë së Klosit ra ujku në tufat e shumta me bagëti. Hëngri dhe ftujën time të vetme në meratë e Povlës. Kur u ktheva në shtëpi më rrahën, që nuk e ruaja ftujën e vetme. Por ndodhi çudia. Kunati i hallës së babait që quhej Mahmut Maliqi solli që nga fshati Kutë një tufë me dhi. Ishin 15 dhi pëlleja me gjithë kecër. Dhitë dhe kecërit ishin lara – lara. Me ngjyra të bardha, të zeza dhe të bakërrta. Kur e kam parë tufën e dhive sa nuk fluturova nga gëzimi. Nuk mbaj mend në jetë ditë më të lumtur se ajo. Shumë vite më vonë kur shteti i kohës më ngarkoi një detyrë të rëndësishme i hipa makinës dhe shkova në fshatin Kutë. Në dorë mbaja një tufë me lule. Kërkova nëpër varrezën e Kutës, por nuk e gjeta dot varrin e mikut të atit tim Mahmut Maliqit, që më pati gëzuar aq shumë kur qeshë fëmi e me prindër fukarenj. Tufën me lule e lashë në hyrje të varrezës së Kutës.

***

Pas drekës me hekalasit bëra një bisedë të shkurtër. U rrëfeva historinë e një femre të bukur në Kremenar. Ajo quhej Hasime. Ishim të një zjarri. Thonë se kur Hasimeja pinte ujë lëngu i kristaltë si borë i dukej në fytin e saj të qelibartë. E tregon Nazmi Shaqua që është gjallë. Erdhën asllanët e Ali Pashë Tepelenës për ta marrë. Asllanët thanë se Hasimenë e kërkonte Ali Pashë Tepelena për djalin e tij, Myftarin. Por ati i Hasimesë, Isuf Jaupi, i kundërshtoi asllanët. Vajzën, Hasimenë, e kam të fejuar në Hekal, u tha ai. Kjo ngjarje u mor vesh dhe në Hekal. E thotë dhe kënga: Hasimeja fshinë avllinë/Me një degë trendelinë/Vijnë krushqit nga Hekali/Ali Pashë ta vrasim djalin/. Dhe asllanët e Ali Pashait u kthyen për në Janinë. U kërkova hekalasve se mos e kishin dëgjuar këtë bëmë të hershme. Por ata ngritën supet.

Shkëmbi i Klosit për ne kremenarasit ishte vendi ku rrallë e për mall takoheshim me vendalinjtë. Tregimet tona majë shkëmbit lidheshin me ujqërit. Djemtë e Klosit tregonin për ujkun e malit të Kudhsit. Ujku shikon shumë natën. Por shikon në largësi. Afër qorrohet. Kështu ujku i malit të Kudhësit natën që nga maja e malit kishte parë një dele të zezë mbi Shkëmbin e Klosit. Dhe ujku që nga maja e malit të Kudhsit bëhet erë. Por me të ardhur tek Shkëmbi i Klosit nuk e dallon dot delen e zezë edhe pse e kishte shumë afër. Ujku kthehet përsëri për në malin e Kudhësit. Që nga mali e shikonte. Dhe gjatë gjithë natës vente e vinte nga mali i Kudhësit tek Shkëmbi i Klosit. Delen e zezë nuk e hëngri dot. Nuk shikonte afër.

Në Klos të Mallakastrës nuk mbahet mend që të ketë dalë ndonjë tradhëtar. Klosasit kudo që janë e ruajnë famën që gëzon fshati tyre. Dhe unë sjell në imagjinatën time tek teatri personazhin e tragjedisë “Makbethi”. Personazhi i tragjedisë quhet Setoni. Ky i mbetet besnik Makbethit jo sepse i vjen keq për të, por sepse ka frikë mos njollosë lavdinë e fisit të vet. T’i zgjedhim nuset shtojnë ata që ta meritojnë mbiemrin Klosi. Nuset të jenë nga raca e mirë.

***

Klosasit janë njerëz bujar. Denbaden kanë vrapuar pas të mirës. Në Klos erdhi një fis i tërë me çamë që nga Filati. I kishin përzënë andartët grekë. Klosasit i pritën njerëzisht. Tek vendi që edhe sot quhet Kubeja ata u dhanë çamëve toka dhe i strehuan. Qysh në ditët e para çamët ngritën baxhon e parë të qumështit. Kishin qenë mjeshtër të përpunimit të qumështit në Filat. Një djalë i ri që quhej Zenel dhe ishte nga fisi Çalaj u dashurua dhe u martua me një nga çamet e bukura. Zenel Çalaj i cili u martua me çamen e bukur lindën një tufë me fëmijë. Janë bërë dhe martesa të tjera. Tani që nga Amerika dhe Australia e largët pasardhësit thonë se ne jemi nga Klosi i Mallakastrës.

Tek “Mëhalla e shkëmbit” imagjinatën time e ngacmuan një çift me pëllumba të egër, të cilët dolën nga shpellat e faqeve shkëmbore poshtë Kalasë së Klosit. Qe aq i madh ngacmimi sa lëviza nga vendi. Kur mbuloja shërbimet në Gardën e Republikës kisha në vartësi Presidencën. Krejt rastësisht më informuan oficerët e turnit se çdo mëngjes lulishtja mbushej me pendë pëllumbash. Aty  ishin disa bredha me çatej të pakrasitur. Alarmin e dhanë fshesaret e Presidencës. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Në mëngjes Presidenti i Republikës Rexhep Meidani, që bënte shëtitje i kishin bërë përshtypje pendët e pëllumbave dhe shumë pika gjaku. Mejdani kishte kërkuar sqarime. U bë bujë. Si shef i shërbimeve të nesërmen vajta në Presisdencë më shpejt se fshesaret. U habita. Nën bredha dukej sikur kishte rënë dëborë. I hodha sytë lart nëpër bredha. Dhe e zgjidha çështjen e pendëve të pëllumbave. Ma zgjidhën pëllumbat e shkëmbinjve të Klosit. E informova komandantin e Gardës dhe përgjegjësin e grupit që siguronte Rexhep Mejdanin, Astrit Veliun, se ka shumë mundësi, që natën ndonjë nga kapterët e Gardës të ngjitet nëpër sqetullat e bredhave. Ai i kap pëllumbat e egër, të cilët janë me qindra. Tufat me pëllumba gjithë ditën kullosnin nëpër malin e Dajtit dhe me t’u errur vinin dhe strukeshin në degët e bredhave të Presidencës. Instinktivisht e ndjenin se nëpër bredhat ishin të qetë. Kur erdhi këshilltari i Presidentit e ndala në rrugën “Avdyl Frashëri”. I thashë atij atë që më kishte ndodhur në fëmini tek shkëmbinjtë plot me shpella poshtë Bylisit, në të djathtë të fshatit Klos. Një djalë më i rritur se ne e që ishte nga fshati Greshicë varej me litar dhe futej nëpër guvat e shkëmbinjve pasi fillonte të errej. Kishte një çantë të lëkurtë të cilën e mbushte me pëllumbat, që i mbyste brenda shpellave. Ne i thoshim atij “gjeraqina”. Greshicioti kur zbriste nga shpellat na tregonte se pëllumbat nuk shikojnë natën. Në fund të shkëmbinjve greshicioti ndizte zjarrin dhe pëllumbat pasi i ripte i shkonte në hell. Kam ngrënë dhe unë prej tyre. Me urdhër të komandantit të Gardës u organizua “kurthi” tek bredhat e Presidencës. Një gardist e vendosëm roje poshtë ballkonit të banesës së Pjetër Arbnorit. Prej andej dukej çdo veprim nëpër degët e bredhave, të cilët ishin në një rresht. Dhe trupa e gardistëve që bënte roje u trondit. Njëri nga kapterët që e merrte shërbimin në orën dy të natës u ngjit nëpër degët e bredhave dhe mbushi një çantë me pëllumba. Kapteri i kapte pa vështirësi. Kur Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kapterit i vuri prangat ai u zbërthye. E tha me plot gojën se pëllumbat e egër nuk shikojnë natën. Dhe ata kapen me lehtësi. Këtë kusari kishte kohë që e bënte. Kur linte shërbimin çantën me pëllumba të vrarë e çonte në shtëpi. Kapteri i Gardës më kujtoi “gjeraqinën” e fëminisë, i cili ngjitej në guvat e shkëmbinjve të Klosit dhe i kapte pëllumbat me lehtësi. Pëllumbat e egër nuk shikojnë natën. Dhe kanë shumë frikë. E fusin kokën në sqetullat e njëri – tjetrit.

Në kërkim të rrënjëve të qytetit ilir në shekullin e katërt p. e. r. ku ka banuar fisi i Bylinëve mbi Kodrën e Hekalit njëri nga vizitorët e Prizrenit më pyeti befasisht se cila ishte mëhalla në Hekal, ku kishte lindur legjenda Rrapo Hekali. Vështrova kot nga Hekali dhe nuk u përgjigja. Nuk e dija. Nuk e di pse nuk qeshë interesuar për mëhallën, ku i kishte rënë koka Rrapo Hekalit. Ndërrova bisedë. Nisa të recitojë një këngë e cila këndohet në Mallakastër: – Rrapon e mori veziri/E shpuri nga Manastiri/Kot thonë se e helmoi/Rrapon mbathën me patkonj/. E kisha dëgjuar këtë këngë në burgun e Manastirit. Osmanët Rrapo Hekalit në të dyja këmbët i kishin mbathur patkonj kali. Dhe me patkonj në këmbë kishte vdekur. Prizrenasit e dëgjonin për herë të parë këtë fakt nga jeta e Rrapo Hekalit.

***

Gjatë gjithë udhëtimit për në Byliis u tregoj prizrenasve një ngjarje të mikut tim të rinisë që lidhet me Prizrenin. Nuk lash boshllëk as kur mbrritëm në Bylis. U rrëfej se miku im Novrus Hyseni ishte nga Hekali. U tregoj gjithashtu dhe mëhallën ku ka lindur. Novruz Hysenin e çuan me shërbim në Krumë. Në qytetin e Krumës dashuroi një nga yjet e qytetit. Qysh në ditët e para Novruzin e nisën në majën e malit të Pashtrikut. Pas u ngjit në Pashtrik e dashura e mer në telefon. U bë merak se “frynte veri”. Mali qe përfshirë nga cikloni. E dashura nga Kruma e pyet nëse ngjan Pashtriku me Hekalin? Dhe Novruz Hyseni i jep një përgjigje, e cila është transmetuar nga brezi në brez. Në Hekal nuk bie borë i tha ai të dashurës. Ndonjëherë më të rrallë bie mbi fshat, në Gradishtën e Hekalit. E kam parë borën që bie në Gradishtë. Flokët e borës bien nga lart poshtë. Bora të gëzon. Kurse këtu në majën e Pashtrikut me borën ndodh një gjë që të lë pa mend. Në bjeshkën e Pashtrikut flokët e borës nuk bien nga lart poshtë. Ndodh e kundërta. Dëbora bie nga poshtë lart. Përpara syve e kam ciklonin që i ngre togjet me borë prej shkëmbinjëve dhe i shpie lart në qiell. Këtë detaj të Novruz Hysenit e shoqja e tij e tregon dhe tani që Nokja i saj i dashur nuk është më në jetë. Ai vdiq nga kovidi dy vjet më parë.

Duke lëvizur nëpër gërmadha për të “zbuluar” Bylisin ndala në një nga sheshet e bukur të rrethuar me shkëmbinj të murrëm të qëndisur me myshqe. Kryeqëndra e fisit ilir të Bylinëve ka pasur një sipërfaqe prej 30 hektarësh. Qyteti ka pasur 7 hyrje e 7 kulla. Rashë në mendime. Para shumë vitesh me grupin polifonik “Mallakastër, Zëri i nënës” kishim kënduar e filmuar në shumë pika magjepsëse të qytetit ilir. Të gjithë këngëtarët ishin veshur me kostum kombëtar. Pjestar të grupit ishin Myslim Pasha. Hajri Dule, Vito Dule, Ismet Beqiri, Agron Veizi, Fatbardh Murati, Nasip Ibrahimi, Njazi Ahmeti, Luftar Shehaj, Syrja Ahmeti, Ylli Ahmeti e Nefo Ahmeti. Këngëtarët e veshur bukur ngjanin si sorqeth mali. Majë disa shkëmbinjëve u filmua kënga  për gratë e Greshicës. Këngën e këndonte Ismet Beqiri. Ismeti këndonte dhe vështronte nga Greshica. Kënga bënte fjalë për burrat trima të Greshicës. Kur ata që kishin luftuar me Rrapo Hekalin dhe Zenel Gjolekën panë gratë, të cilat po qanin për të vrarët nën ullinj, trimat me guna të zeza në kokë u mblodhën sup më sup dhe ja morën këngës: – /O ju gratë nga Greshica//Bëfshi djem nga përdita/. Grupi polifonik në një festival që u bë në Gjilan të Kosovës midis pesëdhjetë grupeve fitoi çmim të tretë.

***

Dalim nga lokali e nëpër Bylis të duket sikur ka rënë dëborë. Kanë çelur bajamet, kumbullat, mollët, dardhët, kulumbritë, gorricat, drizat e bezgat. Të zotët e lokalit kanë varur tek porta kryesore tufa me manushaqe. Më datën 14 qe festuar dita e verës. Manushaqet e varura mbi portë sjellin mbarësi. Pas lokalit me prizrenasit vështrojmë nga fshati Drizar. Njëra mëhallë e Drizarit është komshi me Kubenë, ku ende banojnë çamët e ardhur nga Filati i Çamërisë. U flas miqve për Nelo Drizarin, por ata nuk shfaqin asnjë interes. Pastaj i ngacmova për një figurë nga Kosova. Fillova tu flas për Heroin e Popullit Xheladin Beqirin. U rrëfeva për disa minuta. Më dëgjonin me vëmendje. Ata u habitën kur u thashë se Xheladin Beqiri nga Gjilani ka qenë i martuar me një vajzë nga fshati Drizar, që është ballë për ballë Bylisit. Ai ka qenë komandant i batalionit të 5 -të në Brigadën e Pestë Sulmuese. Ra heroikisht në luftë me nazistët gjermanë në Gur të Prerë të Oparit më 6. 6. 1944. Xheladin Beqiri ka qënë i martuar me një vajzë nga fshati Drizar. Këtë fakt ma ka thënë gjyshi im Hazis Dulja, i cili e kishte njohur trimin nga Kosova. Gjyshi sa qe gjallë këndonte këngën “O Xheladini me halle, Xheladin more!”. Prizrenasit më kërkuan që t’ju tregoja emrin e vajzës nga Drizari, e cila u bë bashkëshortja e Xheladin Beqirit. Ata donin të sillninin një çertifikatë mirënjohje që nga Gjilani tek krushqit e Drizarit, ku u bë dhëndër Xheladin Beqiri. Unë heshta. Bëhem memec kur më pyesin për një gjë të bukur dhe nuk e di. Kur kemi filmuar në Poçem këngët e grupit polifonik “Mallakstër, Zëri i nënës” njëri nga këngëtarët që ishte drizarjot dhe që quhej Nasip Ibrahimi ma ka treguar emrin e famijes, ku mori nusen Xheladin Beqiri. Por nuk po më kujtohej. Nuk dihet sesi i vajti fati nuses së Xheladin Beqirit, i cili kur u vra ishte 36 vjeç. Në Tiranë Përparim Lika nga Drizari mbase do të dijë detaje.

Një herë kam ardhur në Bylis me Moikom Zeqon. Ishim me përfaqësues të Shoqatës “Mallakastra” me kryetar Idajet Beqirin. Bëra një shetitje me Moikomin dhe e pyeta nëse Cezari e ka vizituar Bylysin. Nuk ka ndonjë të dhënë tha ai. Ushtria e Cezarit stërvitej kundër Pompejt anës lumit të Vjosës. Thonë se Cezari e vuajti me ushtrinë e tij epideminë e malarjes. Është e pamundur të mos jetë ngjitur në Bylys. Cezari qe i lidhur me Mallakastrën. Është një kodrinë në anë të Vosës që edhe sot quhet Qesar. Thuhet se aty Cezari kishte ngritur shtabin e tij. Asgjë nuk harrohet. Por nuk mundet të flitet pa dokumente. Po atë ditë në Bylys kur e pyeta Moikom Zeqon për Cezarin ai më foli dhe për rrahjen kafshërore, që i kishin bërë atij dhe Idajet Beqirit udbashët në kufirin me Malin e Zi.

Ndalojmë pas një bajame andej nga duket Poçemi. Aty u flas prizrenasve për Besëlidhjen e Mallakastriotëve të udhëhequr nga Mehmet Shehu. E tora gjalmin e bisedës për festën tradicionale që bëhet në Poçem. U fola për karvanet me “krushq” që vinin për festën, e cila zhvillohej më 14 korrik. “Krushqit” vinin një natë më parë. Qindra vetë të veshur si për dasëm zbukuronin udhët kur zbrisnin për tek rrepet ku zhvillohej festa. Ziheshin vendet nën rrepet shekullor qysh një natë më parë. Piqeshin mishrat në hell. Këndoheshin këngë e hidheshin valle. Rakia e  rrushit pihej me opingë. Çdo fshat kishte trapezën për ata që kishin ardhur në festë që nga larg. Kuajt që hingëllinin lidheshin anës Vjosës e tek “dy gurët” e Povlës. Tribuna zbukurohej me kurora me dafina. Estrada profesioniste e qytetit të Fierit jepte shfaqje. Shkëlqente Fuat Boçi, këngëtarja Lefteri Sillo e të tjerë. Kur udhëheqësi kryesor shkonte sipas zakonit në çdo trapezë ai pritej me duartrokitje dhe me këngë, të cilat krijoheshin në moment. Grupet e këngëtarëve vinin që nga Myzeqeja, Vlora, Ballshi e Tepelena. Festa vazhdonte tre – katër ditë. Ishte si një festival. Gjatë festës nuk kishte asnjë ngjarje negative. Nuk vidhej asnjë samar mushke. Në festën e Poçemit nuk dukej policia.

***

Po largohem nga Bylysi me një merak. Në kreshtën më të lart të Bylisit, ku ngrihet një shkëmb në formën e një katedraleje, në faqen e thiktë, një djalë nga Klosi, që ka mbaruar për skulpturë po gdhend një shtatore të aktorit të Hollivudit Leonardo Di Kapri. Aktori me famë botërore ka marë në mbrojtje lumin e egër Vjosa. Dhe për fat lumi Vjosa u shpall Park Kombëtar. Nuk kam kohë. Miqtë nga Prizreni do të shkojnë në Sarandë. Por do të kthehem për ta parë skulpturën e superyllit Leonardo Di Kaprit. Mbi teatrin e dikurshëm është një shesh sa një helodrom për tu ulur Çarteri i aktorit. Ku i dihet? Ndonjë ditë aktori me pasion të epërm për ogurin e kohërave mund të ngjitet vet në Bylys. Në teatrin e qytetit antik 2 500 vjet më parë janë luajtur tragjedi të rralla. Prej shkëmbit ku do të jetë ngritur shtatorja Leonardo Di Kapri do të vështrojë Vjosën e egër, që ai e mori në mbrojtje.

Prizrenasit më flasin e unë nuk tundem nga vendi si të jem një vidh Bylisi. Vështroj Vjosën e mërmërij: -Mbretëresha ime Vjosë! Në një nga festat e Poçemit u hodha për tu larë e ti më rrëmbeve me ato valët e tua si qe një balerinë. Isha i sigurtë se po mbytesha. Pasi më vure përpara nja 100 e ca metra ti diva e madhe më nxore në bregun tjetër të Selenicës. Kam parë dete e lumenj, por nuk ka si bukuroshja që më rriti. Kot thonë se Vjosa është  e egër. Një hall më ka detyruar që t’i bie në këmbë qysh nga Tri Urat rrëzë malit të Pindit e derisa dola në Urën e Mifolit. Për një javë nuk kam lënë pellg e guvë pa kontrolluar[sa shumë “dete” që kishe Vjosa e uruar]. Vallëzonte në brigjet e saj me shije dhe sqimë. Kishte pajë të bukur. Lisat e shkulur që nga malet e Pindit notonin në këmbë si të qenë kalorës. Unë kërkoja një mik që më qe mbytur aksidentalisht. Vjosa si zonjë e madhe mi vuri përpara pasqyrat. Më ndihmuan kaponjtë në të dy brigjet. Kaponjtë[lejlekët] në shekuj kishin qenë korjerët e fatkeqve. Po të grumbulloheshin ata kokë më kokë e të formonin një si qefin të bardhë aty ishte kufoma. Kaponjt e gjetën dhe mikun tim.

Me hekalsit dhe klosasit nën hijen e rrepeve të Poçemit tregonim marrëzira. Tregimi më i bukur ka qenë ai që kam rrëfyer unë. Kur kishim shkuar me prindërit për të shitur dafina në Fier na kishte zënë nata në Qafën e Patosit. Natën mua më pihej ujë. Kisha ngrënë bukë misri me gjizë me shumë kripë. Ishte errësirë. Në një kanal dora më preku një rrëke që gurgullonte. I vura buzët se kisha etje. Nuk e di se sa gllënjka kisha pirë. Ndalova kur më filloj të vjellët. Mu çan hundët nga era e vajgurit. Rrëkeja ishte e trazuar me naftë që vinte nga një pus nafte prej Qafës së Patosit.

Ky reportazh po shkruhet me “dhunë”. Unë nuk kam ardhur në Bylis për të bërë ndonjë ese. Udhën qysh në mëngjes për në fshatin Klos e bëra fillikat në këmbë. Miqtë nga Prizreni më prisnin tek lokali në Bylys. Në Mëhallën e Çalajve u takova me një ish gradist. Vizitën në Bylis e kisha planifikuar që në Prizren para pak ditësh, ku promovova librin tim “Rrust Kabashi i Prizrenit dhe Bilbilenjtë e Labërisë”. Kur kalova Qafën e Qivurit më shkrepi një ide që mbresat t’i hedh në letër. Por udhës për në Bylys u pendova. Unë thashë me vete kohën do ta kaloj nëpër Bylis, i cili është në territorin e Hekalit. Por pa dal në Bylys ndërrova mendje. Me Klosin më lidhnin qindra kujtime. Në fëmini dhe kur u rrita shkova me detyra në Gjirokastër, në Kukës, në Tropojë, në Beograd e në Kosovë. Të gjithë kolegët që ishin me origjinë nga fshatrat mburreshin se kishin nga një “Paris”. Por as unë nuk e lija veten mbrapa. E kisha “Parisin” tim. Dhe ky ishte Bylisi. Deri në merat e Hysen Zeqos vinim ne barinjtë e Kremanarit. Në Bylys na ngjisnin tregimet e prindërve. Atje kishte thesare. Dhe reportazhi nuk u pengua. Një mister sikur më shponte me hosten. Shkruaj kujtimet për Bylysin më thoshte në vesh ai i padukshmi. Ke botuar 23 libra dhe asnjë fjalë nuk ke zgrapsur për “Parisin” tënd. Nëpër qytetin e Bylisin si ngacmuas qe dhe emri i Ceno Klosit. Foton e tij në Tiranë e shikoja ekran më ekran. Tek ish gjimnazi i Bylisit pa u takuar me prizrenasit, të cilët kishin mbrritur tek lokali i thashë vetes: Po sikur Ceno Klosi të më dal përpara në Tiranë çfarë do t’i them? Aty për aty e gjeta përgjigjen. Je i dënuar nga mbiemri Klosi do ta mollois Cenon. Ndërroje mbiemrin. Hap një gjyq. Klosi është vend i shënjtë. Dhe kështu me zor e pastaj me qejf nisa t’i hedh në letër motivet e arta. Po vë në rresht dhe një detaj të vogël në pamje. Pa u ngjitur në Klos bisedova dhe me një çam që jetonte ende tek Kubeja. Çamin e dëgjova mbi një gjysmë ore. Më mbeti në mendje një proverb të cilin ma tha çami me origjinë nga Filati. Proverbi që tha çami ishte: – “Jo aq, po kaq, ore prifti Nikollaq!”. Këtë fjaltë të urtë e kisha dëgjuar në Prevezë. Para pandemisë qëndrova nëpër Çamëri gati një muaj.

Kur u nisa nga Tirana dhe u thashë miqve se do të vizitonim Bylisin nuk e mendova se do të ngarkohesha me një “kal” me motive të visit tim të dashur. Është e pamundur që të mos i hedh në ugarin e letrës. Por djersijë kur në reportazh kam nëpër këmbë një grua dhe një burrë me mbiemrin Klosi. E ç’punë kam unë me ta? Këto janë çështje të drejtësisë. Mirpo pa “jagot” dhe “lolot” nuk thuren dramat dhe as reportazhet. Në Klos nuk ka dilema hamletiane. Rrjedhat janë të qelibarta. Prandaj nuk i shpëtova kësaj mynxyre. Për këta kusar të vegjël në mendja gjëmojnë topat. Nuk besoj se do të dëgjohet pushka ime.

E lexova reportazhin e përfunduar dhe e “duartrokita”. Nuk pengohej nëpër gur, ferra, driza e gjerdhe. I hodha sytë dhe një herë nga Vjosa e preferuar prej Leonardo Di Kaprit. Si pagan që jam thirra: – O zot! Vjosa nuk vjen që nga Gryka e Kalivaçit. Ajo zbret si meteor prej Bylisit e në Poçem merr udhë për në det. E megjithatë diçka më mbeti pa e hedhur në brazdat e shkrimit. Më kanë thënë se në Bylis nuk mund të flesh gjumë. E thonë vendasit. Sa të zë gjumi të trazojnë ëndrrat. Nuk mund t’i mbyllësh sytë. Aktorët në ëndrra flasin shqip. Janë trupmëdhenj. Në ëndra vazhdimisht këndohet. Barinjtë që i ka zënë ndonjëherë gjumi mërziten kur i zgjojnë fantazmat e ëndrrave. Sa të ëmbla qenë ato ëndrra thonë ata. Jetë e lezetshme. Në jetën tonë të ha të gjallë i ligu. Siç merret vesh nëpër hapësirën ku ka lulëzuar Bylysi lëvizin shpirtërat e fisit të bylinëve. Jemi këtu thonë ata. Nuk e lëshojmë Bylisin. Këtë grimcë tregimi nuk po ua tregoj prizrenasve. Më mundon dhe diçka. Po ku janë varrezat? Bylisi nuk është zbuluar plotësisht. Po e lë me kaq. Nuk dua të shkel në sinorët e arkeologëve. S’jam nga ai brumë.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • “Do të ndërpresim Bordin e Transparencës”, Ibrahimaj: Çmimet e bursës janë stabilizuar
  • Horoskopi 19 Qershor 2026, çfarë parashikojnë yjet për të gjitha shenjat
  • Kushte atmosferike të qëndrueshme dhe vranësira të pakta, parashikimi i motit për sot
  • FOTO: I sulmoi dhe fyeu me foto të mbuluara në rrjete sociale, kush janë personat e përfshirë në postimin e Ramës
  • 19 qershor 2026

Komentet e Fundit

  1. prehistoriku on FOTO: I sulmoi dhe fyeu me foto të mbuluara në rrjete sociale, kush janë personat e përfshirë në postimin e Ramës
  2. Ela on FOTO: I sulmoi dhe fyeu me foto të mbuluara në rrjete sociale, kush janë personat e përfshirë në postimin e Ramës
  3. S ka rendsi on FOTO: I sulmoi dhe fyeu me foto të mbuluara në rrjete sociale, kush janë personat e përfshirë në postimin e Ramës
  4. Fatmir on Largimi i Arlinda Pogajt, Jonaid Myzyri emërohet në krye të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara
  5. Anonymous on Kush është zyrtari i lartë afër kryeministrit Rama që ka marrë pjesë në takimin e Arubës?

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?