Nga Xhevdet Shehu
E mora lehtësisht propozimin e mikut tim, Kastriot Hasa, kur më tha “kam shkruar kujtimet e jetës sime dhe dua t’i botoj në një libër. Dua të ma redaktosh ti…”. Aty për aty i thashë: Po. Unë kam redaktuar disa libra të kësaj natyre. Mos ki, merak, do ta kryej unë këtë punë…
Pikërisht këtu filloi për mua një vështirësi që nuk e kisha menduar. Ky libër nuk ishte i zakonshëm, si shumë të tjerë të botuar gjatë këtyre viteve. Autori, Kastrioti, si një njeri i zgjuar dhe i kënduar që është, është treguar njëlloj zanataliu i kësaj fushe: Nuk ka dashur që librin e tij ta lexojnë disa njerëz të familjes apo të rrethit të tij të ngushtë familjar. Nuk ka dashur ta lexojnë vetëm në Gramshin e tij që e do aq shumë dhe ia evidenton vlerat sa herë i jepet rasti, por shumë më gjerë. Duke qenë i përgjegjshëm për punët që ka kryer, ai “padashje” bëri një vepër që ta lexojnë me ëndje ata që e kanë njohur si dhe ata që nuk e kanë njohur. Ai ka dalë nga kuadri personal në rrëfimin e tij. Pra, këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me kujtime të një individi, po me një përgjithësim, me një reflektim të madh për një periudhë decizive për vendin tonë. U ndryshuan sistemet shoqërore të shoqëruar me drama të mëdha sociale. Me finesë, Kastrioti na e ka paraqitur këtë, por duke i dhënë më shumë se sa vetes mundësi për reflektim, ai tërthorazi ia kërkon këtë lexuesit. Prandaj unë them se në këtë libër nuk është një personazh, autori që rrëfen, por jemi të gjithë ne.
Autori, si shumë nga ne, ka jetuar në dy kohë të ndryshme: në vitet e socializmit dhe në shoqërinë pluraliste pas vitit 1990. Ajo që të bën përshtypje është fakti se pavarësisht se kohët ndryshuan, Kastrioti mbeti po ai, me ato tipare njerëzore që e karakterizojnë atë. Prandaj mos prisni që, sidomos kur flitet për ngjarjet pas vitit 1990, të shikoni një Kastriot tjetër, që të ndryshonte qëndrim e t’u futej aventurave, sikurse në të vërtetë bënë shumë të tjerë, madje edhe ish-komunistë “të devotshëm”, servilë dhe hipokritë që pasi molën pa mëshirë lopën e Partisë së Punës, u konvertuan në “të djathtë” e u turrën me një makutëri të pashembullt jo vetëm ta mjelin, por edhe ta rrjepin lopën e demokracisë. Në fund të fundit, kjo lopa demokraci të jepte më shumë shanse për të zhvatur e grabitur pa hesap. Prandaj dhe ata fap, sipas shprehjes “dallandyshe, ktheje ndryshe”, jo vetëm e kthyen fletën, por po bëjnë kërdinë, duke shfaqur pafytyrësinë dhe karakterin e vërtetë e të fëlliqur të tyre. Ata mund t’i quajmë edhe horrat e pushteteve, batakçinj dhe sjellës fatkeqësish të mëdha. Disa nga këta tipa Kastrioti na i rrëfen në librin e tij.
Po ta pyesnim Kastriotin se pse nuk u bëre dhe ti si ata, ai do të buzëqeshte me ironi siç e ka zakon dhe duke na shkelur syrin, mund të na përgjigjej me një rrëfenjë të Saadi Shirazit (poet i madh pers i shekullit të 13-të) nga “Gjylistani dhe Bostani”:
I thanë një herë Lukmanit: “Nga e mësove mirësjelljen?” “Nga ata që janë të pasjellshëm, – u përgjegj ai. – Kur shikoja se çfarëdo vepër që bënin ata ishte e shëmtuar në sytë e mi, hiqja dorë prej saj dhe nuk e bëja”.
Natyrisht që pjesën më të madhe të këtij libri do ta zinte periudha e sistemit të kaluar. Ishte e pashmangshme kjo në rastin e autorit të këtij libri. Në atë sistem Kastrioti ka kryer punë dhe detyra të ndryshme, në institucione shkencore, por sidomos ka qenë një funksionar i rëndësishëm partiak. Ai ka punuar si instruktor në Komitetin e Partisë të Tiranës si dhe në KQ, ka qenë sekretar i Komitetit të Partisë në Gramsh, Mat dhe Lezhë. Në këto punë dhe detyra ai ka lënë gjurmë të cilat pasqyrohen edhe në libër. Ai ka parë shumë, ka njohur shumë dhe ka ruajtur në kujtesë besnikërisht gjithçka ka përjetur.
Por, me zgjuarësi autori ka dalë jashtë këtyre zonave e rretheve ku ka punuar, hartografia shqiptare është thuajse e plotë në rrëfimin e tij. Aty përshkruhen ndryshimet e ndodhura, problemet përpjekjet për të ecur përpara, gabimet që u bënë. Në libër kemi një galeri tipash e karakteresh, njerëz të cilët Kastrioti i ka njohur dhe ka punuar me ta. Janë njerëz që i kemi njohur edhe ne të tjerët dhe aftësia e autorit duket në faktin se ata janë pasqyruar dhe protretizuar me vërtetësi. Mua më vjen mirë që në këtë libër kemi një raport të drejtë midis personaliteteve politike më të larta të kohës dhe njerëzve të thjeshtë me të cilët autori punoi dhe udhëtoi në vite.
Autori ndihet krenar për punën që ka bërë në vitet e socializmit. Ai është sa dëshmitar i dorës së parë, aq dhe protagonist i ndryshimeve pozitive që ndodhën në ato vite. Por po kaq i vjen keq për rrokullimën e madhe që ndodhi në vitet ’80 që çoi dhe në fundin e pashmangshëm të regjimit. Nëpërmjet episodeve që paraqet në libër, Kastrioti jep herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi faktorët ekonomikë, social-psikologjikë dhe politikë që çuan në këtë përfundim. I vjen keq, natyrisht. Por këtë rrokullimë nuk mund ta ndalte as Kastrioti dhe as shokët e tij në nivele të ndryshme të pushtetit. Sepse ajo ishte një rrokullimë në shkallë globale. Por më shumë keq autorit i vjen për atë që erdhi më pas dhe që po e vuajmë edhe sot e kësaj dite… Prandaj dhe them se, përtej humorit real dhe spontan që na shoqëron gjatë leximit të librit, autori është tejet serioz në përshkrimin e situatave që kemi kaluar si shoqëri. Mesazhet që jepen janë shumë domethënëse dhe na vënë shpesh në mendime…
Ky libër është i ndërtuar artistikisht bukur. Ai ka reliev, ka episode që janë tregime artistike më vete, ka seriozitet dhe humor, ka përshkrime dhe karaktere njerëzish në harmoni me kohën dhe ngjarjet. Aq sa mund të thuhet se brenda Kastriotit paska qenë i ndrydhur një shkrimtar i mirë, që, po të mos ishte marrë me punë të tjera mund të shkruante libra të bukur. Ky libër e dëshmon këtë. Me një përvojë të gjatë jetësore dhe angazhimi shoqëror, autori ka ditur të përzgjedhë ato episode dhe fragmente nga jeta e tij që e kapërcejnë kuadrin personal të tij. Ai nuk mburret për jetën dhe punët që ka bërë. Ai tregon thjeshtë dhe lexuesi, me shumë pak vëmendje, gjykon vetë për të vërtetat që ka jetuar dhe që pasqyrohen besnikërisht në këtë libër.
Si i tillë, ky libër pasuron denjësisht memuaristikën shqiptare.