Bëhet zyrtare skema e rritjes së pagesave për përfituesit e ndihmës ekonomike. Duke nisur nga data 1 tetor, pagesat e ndihmës ekonomike do të rriten me 10 për qind për të gjitha familjet dhe kategoritë e tjera që janë pjesë e kësaj skeme. Përjashtim do të bëhet vetëm për disa kategori, siç janë gratë kryefamiljare me dy fëmijë, si dhe të moshuarit që nuk marrin as një lloj pensioni, për të cilët rritja e masës së ndihmës ekonomike do të jetë më e lartë. Për këto dy kategori është vendosur që duke nisur nga data 1 tetor pagesat e ndihmës ekonomike do të jenë dyfish më të larta se sa pagesat aktuale. Krahas rritjes së masës së ndihmës ekonomike për të gjitha kategoritë përfituese, është konfirmuar edhe rritja e masës së kompensimit të energjisë elektrike për personat me aftësi të kufizuar. Ndryshimi i pagesave që do të shpërndahen duke nisur nga muaji tetor është miratuar gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e radhës të zhvilluar nga Këshilli i Ministrave.
Skema e rritjes për ndihmën ekonomike
Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave ka qenë vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli, e cila ka bërë me dije se si do të jetë rritja e pagesave për të gjitha familjet që aktualisht trajtohen me ndihmë ekonomike. “Nga data 1 tetor do të rritet me 10 për qind masa e pagesës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet, të cilat janë përfituese nga programi i asistencës sociale. Gjithashtu, dyfishojmë masën e pagesës për ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare që kanë dy fëmijë. Nga ana tjetër kemi vendosur të dyfishojmë gjithashtu pagesën e ndihmës ekonomike edhe për të moshuarit mbi 65 vjeç, të cilët janë pa pension pleqërie, apo pa pension social. Janë mbi 64 mijë familje që do të përfitojnë nga rritja e ndihmës ekonomike”, deklaroi ditën e djeshme ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirli. Ndërkohë që prej muajit janar është bërë i mundur edhe dyfishimi i masës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet që kanë më shumë se sa tre fëmijë. Sipas ministres Manastirliu, rritja e pagesave të ndihmës ekonomike është një mbështetje e qëndrueshme, që nuk do të jepet vetëm për një muaj, apo pak muaj, por do të jetë në vijueshmëri.
Aktualisht pjesë e skemës së ndihmës ekonomike janë të gjitha familjet pa të ardhura dhe me të ardhura të pamjaftueshme. Sipas kushteve të përcaktuara të gjitha këto familje dhe kategoritë e tjera mund të aplikojnë për përfitimin e ndihmës ekonomike pranë njësisë vendore ku kanë vendbanimin. Për të përfituar ndihmë ekonomike kryefamiljari, së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të çdo muaji paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki/njësitë për të aplikuar për ndihmë ekonomike si familje në nevojë me kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti (për fëmijët certifikata) dhe dokumente të tjera të përcaktuara në aktet nënligjore. Prej disa muaj aplikimi për ndihmën ekonomike ka nisur të bëhet edhe online nëpërmjet portalit qeveritar “e-albania”.
Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit merret vendimi për këto familje. Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike merret brenda muajit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror nëpërmjet formulës së pikëzuar që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situatës ekonomike të familjeve, të tilla, si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale.
Për të gjitha familjet përfituese është e detyrueshme paraqitja çdo 3 muaj tek zyra e administratorit shoqëror i cili plotëson deklaratën social-ekonomike dhe e hedh në sistem si dhe verifikon gjendjen shoqërore dhe ekonomike të familjeve në nevojë, kur futen për herë të parë në skemë, si dhe dy herë në vit të gjitha familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike. Mosparaqitja një herë në 3 muaj dhe moslejimi i verifikimit social-ekonomik në familje largon familjen nga skema e ndihmës ekonomike.
Kompensimi i ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike
Paketa e Rezistencës Sociale mbështet gjithashtu edhe rreth 90 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre për të cilët është bërë i mundur edhe indeksimi me 7.5 për qind të pagesës mujore të aftësisë së kufizuar. Ndërkohë që në ndihmë të kësaj kategorie, një tjetër vendim i rëndësishëm është marrë nga qeveria edhe në lidhje me mbështetjen për energjinë elektrike, për kompensimin e masës së ndihmës për energjinë elektrike për personat të cilët kanë status të aftësisë së kufizuar paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër, të cilëve u rritet masa e mbështetjes për mbulimin e ndryshimit të çmimit të energjisë.
“Kjo masë mbështetjeje për personat me aftësi të kufizuar para dhe tetraplegjikë që e kanë këtë masë mbështetjeje nga statusi dhe gjithashtu për personat e verbër të kategorisë së parë kjo masë mbështetjeje shkon nga 2,000 lekë të reja që është aktualisht, në 3,000 lekë të reja. Ndërsa përsa i përket personave të cilët kanë status të verbër të kategorisë së dytë nga 1,400 lekë të reja që është sot, shkon në 2,400 lekë të reja. Nga kjo mbështetje përfitojnë më shumë se 12 mijë persona, të cilët përfitojnë nga statusi”, bëri me dije ministrja Manastirliu.
Rritja e pagesave për ndihmën ekonomike
- Duke nisur nga 1 tetori, çdo familje pjesë e skemës së ndihmës ekonomike do të ketë 10 për qind rritje të pagesës mujore.
- Duke nisur nga 1 tetori, pagesa e ndihmës ekonomike do të dyfishohet për rreth 5700 gra kryefamiljare me dy fëmijë, si dhe 5300 të moshuar që nuk marrin asnjë lloj pensioni.
Kategoritë që trajtohen me ndihmë ekonomike:
- Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;
- Jetimët të cilët nuk janë në institucione;
- Prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
- Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;
- Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
- Fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë
Përfitues të pagesës për aftësinë e kufizuar janë:
- Personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilët deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha.
- Personat me aftësi të kufizuar, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, si dhe personat e paaftë për punë, sipas Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, të cilët nuk plotësojnë kushtet ligjore për përfitim të pensionit të invaliditetit të punës sipas ligjit të sigurimeve shoqërore në Republikën e Shqipërisë.
- Personat me aftësi të kufizuar, të deklaruar të tillë me vendim të Komisionit Shumëdisiplinor të Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar.
- Personat, të cilët janë deklaruar invalidë pune me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, që përfitojnë pension invaliditeti dhe shtesë mujore mbi të, sipas Statusit të Invalidit të Punës.
- Invalidët e punës, të cilët kanë qenë të punësuar në ndërmarrjet, në institucionet shtetërore, ish-kooperativat bujqësore, repartet ushtarake, si dhe ushtarët e shërbimit të detyrueshëm, që vuajnë nga sëmundje profesionale a janë aksidentuar në punë apo kanë sëmundje të ndryshme, e që marrin pension invaliditeti, në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ose të ligjit nr.4976, datë 29.6.1972 “Për pensionin e ish-anëtarëve të kooperativave bujqësore”, të ndryshuar, përfitojnë një shtesë mujore mbi pensionin e invaliditetit, si përfitim paaftësie, nga fondi i pagesës së personave me aftësi të kufizuar.
- Invalidët, të cilët përfitojnë sipas shkronjave “a”, “b” e “c” të pikës 2 të vendimit nr.381, datë 20.5.1996, të Këshillit të Ministrave “Për zbatimin e ligjit nr.7889, datë 14.12.1994 “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, përfitojnë një shtesë mujore të barabartë me diferencën ndërmjet masës së përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi si përfitim paaftësie dhe të përfitimit të përcaktuar në vendimin nr.381, datë 20.5.1996 të Këshillit të Ministrave.
- Kjo shtesë u jepet invalidëve të punës pavarësisht nga të ardhurat e tjera që përfitojnë nga programet e mbrojtjes sociale dhe nuk llogaritet në të ardhurat e familjes. Ajo përfitohet edhe pas mbushjes së moshës për pension pleqërie.
