Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Kryeministri, besimi dhe shkenca
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Analiza > Kryeministri, besimi dhe shkenca
AnalizaKryesoreopinion

Kryeministri, besimi dhe shkenca

Published: March 23, 2026
Shpërndaje

Nga Fatos Tarifa

Si një qytetar i lexuar dhe, këtë herë, edhe si një sociolog që u kushton rëndësi fakteve dhe statistikave për to, nuk mund të rri pa bërë një koment mbi fjalët e kryeministrit tonë, thënë disa ditë më parë, teksa promovonte librin e tij Në sofrën e Hënës. E them që në fillim se kjo nuk është një polemikë me kryeministrin e vendit, pasi subjekti për të cilin shkruaj më poshtë nuk është fushë e ekspertizës së tij. Fjalët e kryeministrit thjesht me dhanë një arsye dhe shtysën për të shtjelluar më gjerë një çështje të rëndësishme, të cilën ai, për arsye që unë mendoj se i kuptoj, gjeti rastin ta artikulojë publikisht.

Ballafaqim me filozofinë dhe shkencat mbi shoqërinë

- Publicitet -

Librin në fjalë nuk e kam lexuar, ndaj edhe nuk flas për të. Por, nuk e fsheh se mbeta mjaft i habitur kur pashë (me figurë) dhe dëgjova (me zë) kryeministrin të thoshte sa më poshtë: “Në kushtet kur sa më shumë shtrihet njohja dhe sa më shumë shtrihen krahët e zhvillimit…dhe zhvillimi bëhet çdo ditë e më i shpejtë, [rritet edhe] nevoja për të besuar”.

Kjo ishte surpriza e parë. Nuk mund ta di se si ka mbërritur kryeministri ynë në këtë deduksion logjik, filozofik e sociologjik duke pohuar një korrelacion pozitiv mes shkallës së njohjes, niveli të dijes e të zhvillimit human (sepse pa dije nuk ka zhvillim), nga njëra anë, dhe nevojës së njerëzve për të besuar, nga ana tjetër, formuluar gati-gati si të ishte një ligjësi sociologjike universale.

Për afro gjysmë shekulli studime e punë kërkimore në fushën e filozofisë dhe, sidomos, në fushën e sociologjisë (përfshirë sociologjinë e njohjes, të kulturës, të arsimit, të fesë dhe atë historike krahasuese), nuk kam ndeshur kurrë një pikëpamje të tillë. Askush prej filozofëve (të lashtë dhe modernë) që kam lexuar dhe askush prej sociologëve më të njohur që kam studiuar në Shtetet e Bashkuara e më pas nuk është shprehur se nevoja e njeriut për të besuar rritet me zgjerimin e njohurive të tij dhe me zhvillimin e shoqërisë.

Në lashtësi, Aristoteli vinte në dukjes se vëzhgimi empirik dhe gjykimi racional i hidhnin poshtë shpjegimet mitologjike. Epikuri besonte se njohja e shkaqeve natyrore ishte një antidot kundër supersticionit dhe i ndihmonte njerëzit të largonin frikën nga perënditë dhe nga vdekja. Lukreci, në poemën e tij filozofike të famshme De Rerum Natura, argumentonte se njohuritë mbi natyrën i çlirojnë njerëzit nga besëtytnitë.

Në kohët moderne, Auguste Comte argumentoi se shoqëria është zhvilluar duke kaluar nga besim teologjik në spekulimin metafizik dhe, më pas, në njohuritë shkencore, ndërkohë që nevoja për të besuar dhe vetë shkalla e besimit kanë ardhur duke u zvogëluar. Karl Popper, njëri prej filozofëve më të shquar të shkencës në shekullin e 20-të, argumentoi se njohuritë shkencore verifikohen e zgjerohen përmes skepticizmit metodologjik, duke vënë në dyshim e duke hedhur poshtë besimet, jo përmes tyre. Thomas Kuhn, gjithashtu, theksonte se përparimi në shkenca bëhet i mundur përmes ndryshimit të paradigmave, duke refuzuar pikëpamjet dhe besimet e vjetra e duke i zëvendësuar ato me paradigma të reja, çka e bën nevojën për të besuar gjithnjë e më të paqëndrueshme.

Sociologjikisht, Émile Durkheim e shihte fenë si një konstrukt shoqëror dhe argumentoi se, me racionalizimin e shoqërisë, besimet e humbasin fuqinë shpjeguese. Max Weber, nga ana e tij, fliste për “çmagjepsjen e botës”, me çka ai kuptonte dobësimin e nevojës për t’u mbështetur te besimi si rezultat i racionalizimit të shoqërisë dhe zhvillimit të shkencës. Sociologu i njohur amerikan i fesë, Peter Berger, ka shpjeguar se si moderniteti e pluralizon dhe e relativizon besimin, duke e dobësuar autoritetin e tij. Bryan Wilson, një tjetër sociolog (britanik) i njohur për studimet e tij mbi fenë dhe sekularizimin e shoqërisë, ka argumentuar se njohuritë shkencore e teknologjike e reduktojnë rolin e fesë në shoqëri dhe nevojën për të besuar në të.

Kjo është gjuha me të cilën kanë folur e flasin filozofia dhe sociologjia—kjo e fundit ajo shkencë shoqërore që integron dijen e shumë disiplinave që studiojnë shoqërinë dhe individin. Por kryeministri ynë ka një tjetër mendim, krejt të kundërt me shpjegimet që ofron zhvillimi gjatë i filozofisë dhe i shkencave. Pikëpamja e tij duket se ka për burim kokën e tij, njëlloj si Minerva kokën e Jupiterit.

Si të gënjesh me statistikat

Surpriza e dytë në fjalën e kryeministrit ishte po aq shokuese. Për ta bërë të besueshëm pohimin e tij të mësipërm, ai vijoi si më poshtë: “Kam parë para jo shumë kohësh një anketim të bërë në nivel global lidhur me besimin në Zot dhe ajo që ishte surpriza e organizatorëve të atij anketimi ishte që, sa më shumë është rritur njohja, aq më shumë është rritur nevoja për besimin në Zot dhe, në dekadën e fundit, besimi në Zot, në rang global, ka njohur një rritje anormale në krahasim me trendin e zakonshëm që ka pasur pas një uljeje shumë të fortë në vitet ’60”.

Duke e dëgjuar kryeministrin tek thoshte këto fjalë, të cilat më sipër i riprodhova besnikërisht, nuk e di pse, aty për aty, m’u kujtua titulli i një libri që kam lexuar shumë kohë më parë: How to Lie with Statistics (Si të gënjesh me statistikat). I botuar atë vit që unë kam lindur, ky libër tashmë klasik nga Darrell Huff, shpjegon se si statistikat mund të keqpërdoren, ose të manipulohen—vetë autori përdor termin statistikulohen—sidomos nga politikanët dhe reklamuesit profesionistë për të mashtruar, ose për të çorientuar lexuesit dhe blerësit potencialë. Nuk them se këtë qellim ka pasur edhe kryeministri ynë kur përmend një anketë pa emër, pa autor dhe pa datë.

Sidoqoftë, ajo çfarë thotë se ka lexuar kryeministri është jo përfaqësuese (çka ngre shumë pikëpyetje metodologjike) dhe tejet sempliste dhe reduksioniste. Si sociolog, unë i çmoj të dhënat statistikore, por gjithmonë kërkoj të di burimin e tyre. Sepse statistikat mund të thonë një të vërtetë (gjithnjë të pjesshme e relative), por edhe mund të na mashtrojnë e të krijojnë pikëpamje të gabuara. Para se t’i përdorim e t’i besojmë ato, duhet të interesohemi të mësojmë burimin e tyre.

Çfarë dëshmojnë në të vërtetë sondazhet?

Nuk kam si ta di se çfarë anketimi ka parë kryeministri, sepse nuk i di burimet nga të cilat informohet ai. Por, çdo sondazh i besueshëm që unë kam parë, i organizuar në rang global nga institucionet dhe organizatat më të specializuara, dëshmon një trend krejt tjetër nga ai për të cilin flet kryeministri.

Në korrik të vitit 2025, Gallup International publikoi rezultatet e sondazhit të fundit të kryer nga kjo organizatë nën okelion: “Dy dekada ndryshimi: Feja në shkallë globale në rënie, ndërsa ateizmi në rritje” (Two decades of change: Global religiosity declines while atheism rises). Për këdo që është i interesuar, ky sondazh është kryer në periudhë tetor 2024 – shkurt 2025, në 42 vende të botës, me 43,250 individë, dhe me një marzh gabimi për çdo vend midis ±3-5 %, në nivel besueshmërie 95%.

I kryer nga një organizatë prestigjioze, e njohur për të dhënat e saj të besueshme, ky sondazh dëshmon, ndër të tjera, një trend të njohur se besimi në fe është në raport të zhdrejtë me shkallën e formimit arsimor të njerëzve—sa më i lartë niveli arsimor, aq më e ulët prirja për të besuar Zot.

I njëjti sondazh dëshmon, për të gjitha vendet të marra së bashku, një rënie të ndjeshme të numrit të njerëzve që identifikohen si besimtarë, nga 68% në vitin 2005, në 56% në vitin 2024, ndërkohë që është rritur nga 27% në 38%, numri i njerëzve që deklarohen si jo fetarë dhe si ateistë të bindur, çka pasqyron një trend të qëndrueshëm global drejt sekularizimit.

Të dhënat për vende të veçanta e përforcojnë këtë përfundim. Në vende të njohura për dominimin e fesë (islame), si Pakistani, Kenia apo Iraku, përqindja e njerëzve që besojnë në Zot është shumë e lartë (94%, 93% dhe 92% përkatësisht), dhe po kështu në vende të krishtera, si Georgia (93%) apo Armenia (84%).

Në dallim të thellë prej tyre, i njëjti sondazh dëshmon se vetëm 37% (afërsisht një në tre) e europianëve në vendet më të zhvilluara të kontinentit (Mbretëri e Bashkuar, Gjermani, Hollandë, Suedi, Finlandë, Norvegji, Danimarkë, Estoni) besojnë në Zot. I njëjti realitet dhe trend vihet re edhe në vendet e Azisë Verilindore (Republika e Koresë dhe Japonia), ku vetëm 24% (një në katër) deklarohen si besimtarë, në dallim nga vendet a Azisë Juglindore, ku përqindja e popullsisë besimtare është shumë e lartë (88%).

Sondazhi në fjalë, si edhe sondazhe të tjerë të ngjashëm, evidentojnë dallime të konsiderueshme në shkallën e besimit në Zot sipas gjinisë (gratë besojnë në një përqindje më të lartë se burrat) dhe, sidomos, sipas të ardhurave për frymë (përqindja e popullsisë që beson në Zot është shumë e lartë (78%) në vendet me të ardhura të ulëta, 67% në vendet me të ardhura të mesme dhe vetëm 36% në vendet më të zhvilluara e me të ardhura të larta për frymë. Këto të fundit kanë edhe numrin më të madh të njerëzve që deklarohen si jobesimtarë (42%) dhe ateistë (14%).

Të dhënat e mësipërme dëshmojnë se besimi në Zot është i lidhur me shkallën e zhvillimit ekonomik, shoqëror e kulturor dhe ky zhvillim është bërë e vazhdon të bëhet i mundur në saje të thellimit të vazhdueshëm të njohjes shkencore mbi botën dhe aplikimit të saj në industri, në bujqësi, në teknologji dhe në përmirësimin e kushteve të jetës njerëzore. Sa më shumë zgjerohet horizonti i dijeve tona përmes shkencës, teknologjisë dhe arsimit, aq më e dobët është prirja apo nevoja për t’u mbështetur në besime fetare. Kjo, sidoqoftë, përcaktohet në një masë të madhe nga konteksti kulturor dhe historik i çdo shoqërie.

Si sociolog, jam i prirur t’u besoj rezultateve që vijnë nga World Values Survey (WVS), projekti studimor ndërnacional më i gjerë e më besueshëm deri më sot, i iniciuar në vitin 1981 nga sociologu i njohur amerikan Ronald Inglehart, i cili u nda nga jeta pak vite më parë. Të dhënat e sondazhit të fundit (për vitet 2017-2020), i kryer në 80 vende, në të cilat jeton 90% e popullsisë së globit, dëshmojnë se, ndërsa në shumë vende të Afrikës, të Lindjes së Mesme, të Amerikës Latine dhe të Azisë Juglindore besimi në fe vazhdon të jetë i fortë, i lidhur ngushtë me kontekstin historik dhe traditat kulturore të atyre vendeve, në shoqëritë më të industrializuara e më të zhvilluara të Perëndimit—përfshirë edhe Australinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut—besimi në fe ka pësuar një rënie të theksuar, veçanërisht në radhët e brezave të rinj.

Sondazhi më i fundit (në proces e sipër për vitet 2024-206) i WVS konfirmon të njëjtin trend global. Përfundimi në të cilin vijnë organizatorët e këtij projekti dhe ata të shumë sondazheve të tjerë që kushdo mund t’i shohë (ndryshe nga anketa që ka parë kryeministri), është se, prej disa dekadash këto shoqëri po përjetojnë një proces sekularizimi dhe individualizimi—sa më shumë ato dhe shoqëri të tjera zhvillohen ekonomikisht dhe kulturalisht, aq më shumë njerëzit u japin përparësi lirisë personale, skepticizmit ndaj autoritetit tradicional dhe kanë më pak nevojë të besojnë në fe.

Një tjetër sondazh i kryer kohët e fundit (më 2023) nga Bertelsmann Stiftung, një fondacion i pavarur gjerman që monitoron dhe publikon periodikisht të dhëna mbi diversitetin fetar në Europë, ofron të dhëna të ngjashme. Raporti i fundit i këtij fondacioni, titulluar “Peizazhi fetar i Europës: Besimi dhe diversiteti fetar në një epokë ndryshimesh të shpejta” (Europe’s religious landscape: Faith and religious diversity in an era of rapid change), prezanton të dhënat e një sondazhit të kryer në vende të tilla, si Franca, Gjermania, Hollanda, Polonia, Spanja, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara dhe arrin në përfundimin se, edhe pse feja vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në shoqëri, dukuria kryesore që vihet re në këto vende është kritika ndaj institucioneve fetare, besimi i ulët në to (sidomos në Francë, Gjermani, Hollandë dhe Angli) dhe sekularizimi i mëtejshëm i shoqërive të tyre.

Është e habitshme se si kryeministri ynë beson dhe pohon diçka të kundërt me këtë realitet të gjallë—dhe gjerësisht të njohur e të pranuar—në kohën tonë.

Dhe Amerika?

Dëshiroj të sjell në vëmendjen e lexuesit edhe të dhënat e një sondazhi për Shtetet e Bashkuara, të kryer nga Gallup World Poll për vitet 2025-2026. Edhe pse Shtetet e Bashkuara, për arsye historike e kulturore, të cilat nuk është vendi t’i përmend këtu, dallon shumë në çështje të fesë nga të gjitha vendet e Europës Perëndimore, trendi edhe në atë vend është i ngjashëm.

Sot, përqindja e amerikanëve që e shohin fenë si shumë të rëndësishme në jetën e tyre ka rënë nga 60% në vitin 2002, në 47% në vitin 2025, ndërsa është rritur nga 13 në 28 përqindja e atyre që fenë e konsiderojnë si diçka jo të rëndësishme. A mundet që gjithnjë e më shumë njerëz ta konsiderojnë fenë si të parëndësishme dhe gjithnjë e më shumë të rritet nevoja për të besuar në të?!

Po njëlloj ka rënë (nga 63% në vitin 1997 në 43% në vitin 2020) numri i njerëzve që besojnë se feja mund t’i ndihmojë ata të zgjidhin probleme e tyre jetësore, ndërsa është rritur (për të njëjtën periudhë) nga 20% në 35% numri i atyre që fenë e konsiderojnë një relikte të së shkuarës dhe pa ndonjë rëndësi për jetën dhe mirëqenien e tyre. A mundet që gjithnjë e më shumë njerëz ta konsiderojnë fenë një relikte të së shkuarës dhe gjithnjë e më shumë të rritet nevoja për të besuar në të?!

Një tjetër gjetje e këtij sondazhi është kjo: Nga viti 1990 deri më 2020, numri i njerëzve luten dhe i falen Zotit shpesh si besimtarë jashtë shërbimeve fetare ka rënë nga 28% në 17%, ndërsa është rritur nga 13% në 24% numri i atyre që këtë nuk e bëjnë kurrë. A mundet që, edhe pse gjithnjë e më pak njerëz i falen Zotit dhe gjithnjë e më shumë të rritet nevoja për të besuar në të?!

Zoti kryeministër na tha se anketa që ai kishte parë dëshmonte se, “në dekadën e fundit, besimi në Zot, në rang global, ka njohur një rritje anormale në krahasim me trendin e zakonshëm që ka pasur pas një uljeje shumë të fortë në vitet ’60”. Por si ndodh që, jo vetëm në rang global, por edhe në shoqërinë moderne më të industrializuar e më fetare, siç është Amerika, Gallup na thotë se, krahasuar me vitin 1967, në vitin 2022 numri i amerikanëve që nuk besojnë në Zot u rrit me 16%? A mundet që gjithnjë e më shumë njerëz të mos besojnë në zot dhe gjithnjë e më shumë të rritet nevoja për të besuar në të?!

Trendet për të cilat flasim konfirmohen më së miri edhe nga të dhënat e censusit për popullsinë e rritur në Shtetet e Bashkuara për vitet 2007-2025. Krahasuar me vitin 2007, numri i amerikanëve që deklarohen ateistë është rritur 2.6 herë (nga 7 në 18 milionë); numri i agnostikëve është rritur 2.1 herë (nga 7 në 15 milionë) dhe numri i atyre që deklarohen se nuk kanë lidhje me asnjë fe është rritur po 2.6 herë (nga 35 në 90 milionë).

Një përqindja e lartë (40%) e  amerikanëve që deklarohen ateistë, agnostikë, ose pa asnjë lidhje me ndonjë fe u përket brezave më të rinj, atyre që njihen si Millennials dhe Gen Z, krahasuar me përqindjen më të ulët (10%) të atyre që bëjnë pjesë në këtë kategori nga ai brez që njihët si “Brezi i Heshrut” (Silent Generation), të lindur para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Besimi—një prirje e rrënjosur në biologjinë tonë

Nga një perspektivë evolucioniste, pranohet se truri i njeriut mund të ketë zhvilluar predispozita kognitive që e bëjnë besimin në fuqi mbinjerëzore e të mbinatyrshme një nënprodukt të natyrshëm të nevojës për mbijetesë. Me fjalë të tjera, evolucioni ka favorizuar dhe përzgjedhur një tru që është i aftë të pranojë shpjegime mbinatyrore, edhe kur ato janë logjikisht absurde.

Njerëzit primitivë ishin vazhdimisht të rrezikuar nga kafshë të egra dhe fise rivale në mjedisin ku jetonin dhe, prandaj, edhe veçanërisht të ndjeshëm ndaj kërcënime që u vinin prej tyre. Kjo ndjeshmëri, e zhvilluar si një prirje hiperaktive, u jepte atyre një avantazh më të madh për mbijetesë sesa injorimi i rreziqeve të mundshme e të papritura.

Një predispozitë e tillë, është rrënjosur në biologjinë tonë, siç do të thoshte Darvini, për shkak të avantazheve që ofronte ajo për mbijetesë, pasi besimi në forca të padukshme apo në objekte magjike i jepte njeriut primitiv shpresë dhe një ndjenjë sigurie përballë sëmundjeve, fatkeqësive natyrore dhe pasigurisë së jetës—me fjalë të tjera, shërbente si një mekanizëm mbrojtës e mbijetese, por edhe kohezioni shoqëror.

E trashëguar gjenetikisht, me kalimin e kohës, kjo aftësi e trurit e bëri besimin në Zot ose në shpirtra një prirje psikologjikisht intuitive dhe shumë herë shoqërisht të dobishme, pasi ajo promovonte kohezion brenda grupit, norma sjelljeje moralisht të pranueshme dhe bashkëpunim mes anëtarëve të tij.

Në veprën e tij kryesore Prejardhja e njeriut, Darvini sugjeron se, shumë aspekte të sjellje njerëzore, instinkte morale dhe emocione shoqërore kanë evoluar sepse kanë qenë të dobishme për mbijetesën dhe riprodhimin. Ai nuk analizoi në mënyrë sistematike psikologjinë e besimit fetar dhe as formuloi një teori të vetën mbi mënyrën se si truri i njeriut ka fituar aftësinë të krijojë konceptet e zotit e të shpirtrave dhe besimin në to.

Darvini u përqendrua kryesisht te seleksioni natyror, adaptimi dhe evolucioni i specieve. Sidoqoftë, në veprën e sipërpërmendur, ai vuri në dukje se njeriu ka një prirje të lindur për të imagjinuar forca të padukshme dhe për të krijuar besime rreth tyre, si pjesë e nevojës për kohezion shoqëror dhe për orientim moral. Sipas tij, “besimi në Zot duket se është krijuar nga të njëjtat aftësi mendore që krijojnë edhe ide të tjera”.

Edhe në veprën Shprehja e emocioneve te njeriu dhe kafshët, Darvini argumentoi se frika, nderimi dhe habia janë emocione njerëzore që e bëjnë besimin në Zot ose në shpirtra të duket si diçka e natyrshme dhe tërheqëse për mendjen. Me këtë pikëpamje, Darvini vuri bazat e të kuptuarit të besimit fetar nga një perspektivë evolucioniste, si një nënprodukt i aftësive tona njohëse dhe emocionale që të krijuara gjatë evolucionit si pjesë e strukturës së mendjes njerëzore dhe e nevojës për t’u dhënë kuptim dukurive e për të krijuar lidhje shoqërore.

Duke iu përmbajtur pikëpamjes darvinistë, shumë psikologë evolucionistë—Pascal Boyer, në librin e tij Shpjegimi i fesë: Origjina evolucioniste e mendimit fetar; Scott Atran, në librin Te Zoti besojmë: Pejzazhi evolucionar i fesë; apo Justin Barret, në librin Pse do të besonte dikush në Zot?—kanë argumentuar se besimet fetare për qenie e dukuri të mbinatyrshme janë krijuar në mënyrë të natyrshme për shkak të kapaciteteve mendore dhe proceseve kognitive të zhvilluara gjatë evolucionit.

Lidhur ngushtë me shpjegimin e mësipërm është edhe nevoja dhe aftësia e njeriut për t’u dhënë kuptim dukurive të ndryshme. Truri ynë, i formuar nga miliona vite evolucion, ka zhvilluar aftësinë për të zbuluar modele, për t’u gjetur shkaqe pasojave të dukurive dhe për të parashikuar ngjarje.

Një aftësi e tillë duket se ka qenë jetike për mbijetesën e paraardhësve tanë, pasi i ndihmoi ata në gjueti, në prodhimin e veglave të punës dhe në krijimin marrëdhënieve shoqërore. Kjo prirje e natyrshme nuk kufizohej—dhe nuk kufizohet as sot—vetëm në realitetin imediat empirik material, por shpesh e shtyn mendjen të shohë lidhje dhe shkaqe edhe aty ku këto nuk ekzistojnë, fjala vjen, duke ua atribuuar fatkeqësitë, sëmundjet, vdekjen dhe fatkeqësi të tjera veprimit të forcave të padukshme e të mbinatyrshme.

Vështruar nga një perspektivë e tillë evolucioniste, feja nuk është thjesht një sistem dogmash, por pasqyrim i natyrës së mendjes njerëzore dhe produkt historik i saj, një mënyrë e të kuptuarit dhe të shpjeguarit të jetës e të botës në tërësi, të misterit të ekzistencës sonë dhe, njëherësh, shprehje e nevojës për të krijuar e forcuar lidhje shoqërore që e bëjnë jetën më të sigurt. Evolucioni, duke formësuar mendjen e njeriut, ka mundësuar që besimi në Zot të krijohet e të mbetet pjesë e pandarë e historisë njerëzore.

Besimi—mes biologjisë dhe kulturës

Nga sa vura në dukje më sipër, rezulton se evolucioni ka krijuar te njeriu vetëm predispozitën (gjenetikisht të trashëguar) për të besuar në Zot, por kjo predispozitë as nuk zhvillohet tek çdo njeri (prandaj edhe shumë njerëz, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, janë ateistë dhe nuk besojnë në Zot, ose janë gnostikë dhe dyshojnë në ekzistencën e tij), dhe as përcakton llojin e besimit fetar tek ata njerëz që janë besimtarë.

Prirja për të besuar mbetet një predispozitë biologjike, natyrore, ndërsa vetë besimi krijohet e zhvillohet në varësi të kushteve shoqërore dhe kulturës së një shoqërie të dhënë, pak a shumë si aftësia jonë e lindur për të dëgjuar muzikë, por lloji i muzikës që pëlqejmë dhe këngët që dimë janë ato që mësojmë.

Këtu kthehem në pikën nga nisa. Me zgjerimin dhe thellimin e njohjes nga njeriu të natyrës, të mjedisit rreth e qark tij dhe të vetvetes, së cilës me kohë i kanë ndihmuar zhvillimi i arsimit dhe shkencës, kjo predispozitë biologjike nuk është zhdukur (dhe as mund të zhduket), por ndikimi i saj është dobësuar.

Miliarda njerëz besojnë edhe sot në fuqi të mbinatyrshme, në mrekulli, në ekzistencën e parajsës dhe të ferrit—dhe gjithnjë do të ketë njerëz që besojnë në to—por përherë e më shumë janë shtuar milionat e njerëzve që nuk besojnë. Sepse, ndërsa çdo njeri lind me aftësinë për të besuar, askush nuk lind me idenë e Zotit dhe me një fe të caktuar; këto mësohen e trashëgohen duke u kultivuar nga kultura dhe shoqëria.

Ndërkohë, thellimi i njohjes mbi botën dhe përhapja e njohurive shkencore përmes zhvillimit e masivizimit të arsimit e bëjnë përherë e më pak të nevojshme mbështetjen te shpjegimet mbinatyrore dhe besimin në Zot, ndryshe nga sa shprehet kryeministri ynë, se gjoja sa më shumë zgjerohet njohja dhe zhvillohet shoqëria, aq më shumë rritet edhe nevoja për të besuar! Siç vura në dukje më sipër, thuajse çdo studim serioz dhe çdo sondazh i besueshëm që unë kam konsultuar, dëshmon, ose ka provuar empirikisht, se kundërta e asaj që thotë kryeministri është e vërtetë.

Rritja e nivelit arsimor, çka nënkupton zgjerimin dhe thellimin i njohjes tek individë të veçantë dhe shoqëria në tërësi, lidhet ndjeshëm—thuajse kudo në Europë, në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të zhvilluara—me trendet aktualë të një shkallë gjithnjë e më të ulët frekuentimi të kishave dhe shtimin e njerëzve që nuk besojnë në predikimet e asnjë feje. Raporti është i tillë: sa më i lartë niveli arsimor i një individi dhe i shoqërisë në tërësi, aq më pak gjasa ka që ai individ të shndërrohet në një besimtar fanatik, apo që shoqëria vetë të bëhet burim apo strehë e fundamentalizmit fetar.

Pse jam me Hegelin dhe Volterin

Deri aty nga fundi i shekullit të 19-të ishte gati e pamundur të takoje dikë që nuk besonte në Zot. Antropologët vlerësojnë se njerëzit, historikisht, kanë besuar dhe u janë falur të paktën 18,000 perëndive, hyjnive apo kafshëve “të shenjta”—demit, ariut, ujkut, shqiponjës.

Duke filluar me Iluminizmin në shekujt e 17-të dhe 18-të, periudhë që me të drejtë është quajtur Epoka e Arsyes (Age of Reason), diçka ka ndryshuar qartë në 200 vitet e fundit për të shpjeguar arsyet pse roli dhe ndikimi i fesë në shoqëritë moderne janë dobësuar. Sot është vështirë ta vësh në dyshim se thellimi i njohjes dhe përhapja e gjerë e njohurive shkencore përmes zhvillimit e modernizimit të arsimit i kanë dobësuar rolin e fesë dhe nevojën për të besuar. Prandaj edhe pohimi i kryeministrit të republikës sonë është i habitshëm.

Hegeli e shihte historinë si një proces dialektik, çdo fazë e të cilit përmban kontradiktat e veta të brendshme, të cilat çojnë në tejkalimin e saj dhe në një stad më të lartë zhvillimi. Për Hegelin, kjo lëvizje nuk është rastësore; ajo ka një telos dhe, është ky ligj që e shtyn lëvizjen historike të arsyes gjithnjë përpara drejt realizimit të lirisë.

Shoqëria njerëzore bën përpara; nuk po kthehet pas, siç sugjeron mendimi se me zgjerimin dhe thellimin e njohjes dhe me zhvillimin e shpejtë të saj, nevoja për të besuar rritet. Marshimi historik drejt lirisë nuk arrihet përmes kthimit te besimi.

Në këtë pikë unë jam me Volterin, jo me Rusoin, dhe në gjuhën e Volterit do të thoja, siç ai vetë i shkruante Rusoi duke e kritikuar veprën e tij Diskurs mbi pabarazinë, se “nuk do të doja të ecja me të katër gjymtyrët, pasi e kam humbur prej më shumë se shtatëdhjetë vitesh atë zakon dhe e kam të pamundur ta rifilloj”.

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Rama vijon të relativizojë temën e pronësisë: I ka dalë pronari edhe Teatrit të Butrintit
  • Totalisht e dështuar, por RTSH kërkon rritje të tarifës e buxhet shtesë në Kuvend
  • Asfalia greke, UDB, rusët, Albin Kurti dhe iranianët: A është kjo e vërteta e protestës së Tiranës?
  • Fundi i “vetmisë në majë”: Kur revolta nuk ka fytyrën e Berishës, por plagët e një Shqipërie të vjedhur
  • “Ai na tha që jemi grekë…” Edhe i riu me aftësi ndryshe, në protestë

Komentet e Fundit

  1. demo on Rreth 200 milionë euro për Zvërnecin, nga vëllezërit sirianë, drejt llogarive të Artur Shehut
  2. xhaxhi moderatori on A po e sjell Zvërneci fundin e tranzicionit shqiptar?
  3. 1thundrak on Rama vijon të relativizojë temën e pronësisë: I ka dalë pronari edhe Teatrit të Butrintit
  4. demo on Me dorën te barku, protestuesja: Jam këtu për vajzën që do vij në jetë
  5. Labi on Guacka e Zvërnecit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?