Nga Moikom Zeqo (1949-2020)
Botuar në DITA
Të rrallë, të pabesueshëm dhe të patjetërsueshëm janë njerëzit në histori si Stefan Zanoviçi. Historia e jetës dhe e bëmave të tij është e jashtëzakonshme. Ai ka bërë shumë për Shqipërinë nëpërmjet veprimeve të tij paradoksale, përherë i përshndritur nga talenti i tij prej aventurieri dhe letrari. Ai meriton të njihet nga shqiptarët, madje në njëfarë mënyre edhe të nderohet.
Po kush është Stefan Zanoviçi? Ai lindi në 18 shkurt 1751 në Budva të Malit të Zi. Këtu kaloi vitet e fëmijërisë. Në 1760 shkoi në Venedik ku nisi studimet për t’i mbaruar në qytetin e Padovës. Në Venedik ai u dha furishëm mbas lojërave të fatit. Ai zbuloi magjinë e probabilitetit, të fitimit të rastësishëm dhe të humbjeve të frikshme.
Në 1766 Stefanin e përzënë nga Venediku për shkak të mashtrimeve të tij në kumar. Ai nisi të merrej me tregti. Në 1769, Stefani u grind me një tregtar shqiptar nga Shkodra të quajtur Zenel Krajni. Zeneli e plagosi rëndë. Të dhënaT që parashtroj më poshtë janë sipas një shkrimi të Dr. Ymer Jakës ku flet për aventurat e Stefan Zanoviçit.
Tjetërsimi i identitetit dhe shpallja e vdekjes së vetvetes
Në 1773 Stefani kthehet në Budva dhe paraqitet me identitetin e rremë si gjoja princi malazes Stefani i Vogël. Ai i nxiti malazezazit të ngrihen në kryengritje kundër turqve, por ky plan i tij dështon. Atëherë ai ndërmerr një ide akoma më të çuditshme dhe më fantastike. Paraqitet me një identitet të ri, gjithashtu të rremë, si gjoja stërnip i Gjergj Kastriot Skënderbeut të Shqipërisë.
Si i lindi kjo ide Stefan Zanoviçit? Në vitin 1770 ai njohu në Napoli të Italisë një murg të Urdhrit të Dominikut, i cili gjoja rridhte nga familja e famshme e Topiajve dhe që qe i pushtuar nga admirimi për Skënderbeun, portretin e të cilit e mbante në studion e tij midis ikonës së shën Mërisë dhe ikonës së Jezu Krishtit. Që aty e tutje Zanoviçi do ta besonte edhe vetë gënjeshtrën e tij, se gjoja që brezi i njëmbëdhjetë, i linjës mëmësore të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ai vetë e thuri historinë dhe mbeti përjetësisht brenda rrjetës së këtij mashtrimi.
Zanoviçi shkoi në Vjenë dhe në Varshavë. Ai u takua me princin polak Mishel Kazimir Oxhinski, që qe pretendent i fronit të Polonisë dhe i premtoi trupa ushtarake që ai nuk i kishte, duke marrë prej tij shuma të mëdha të hollash. Për t’i shpëtuar borxhdhënësit, më pas përhapi lajmin për vdekjen e tij, lajm që e botoi në një gazetë të një qyteti Vigenca të Italisë. E shkroi vetë dhe nekrologjinë, madje dhe listën e veprave postume.
Por në 1776 “i vdekuri” ringjallet. Ai shkon në Berlin, në oborrin e mbretit Frederiku II. Shkëlqimtar në mashtrim, profesionist i gënjeshtrës, ai bëhet mik i princit trashëgimtar Vilhelmit II, të cilit i kushton shumë poezi apologjike.
Pastaj zhduket nga Berlini për të arritur në një zgrip tjetër surrealist të mashtrimit: Në vitin 1777 ai paraqitet si një mysliman i bërë haxhi me emrin Varta dhe shkon në Romë ku njihet me Elisabet Çadlej, dukesha e Kingstonit. Dukesha ishte 57 vjeç, vejushë, sapo i kishte vdekur i shoqi, duka i Kingstonit. Zanoviçi qe 30 vjet më i ri, por arriti të aktivizonte epshet e saj, gati u martua me të, një dashuri marramendëse dhe e çmendur.
Rastësisht identiteti i tij i vërtetë zbulohet dhe martesa prishet. I dëbuar nga Italia ai shkon në Gjermani, Hollandë dhe Belgjikë, jeton ca kohë si murg në Bavari, shkon në Vjenë, ku arrin të takohet edhe me perandorin austriak Jozefi II.
Njohja me Kluts dhe vdekja
Në 1785 ai njihet me Anarkasis Kluts, dishepull i Volterit dhe i Rusoit, një pasanik i madh me origjinë prusiane, të cilit iu pre koka në gijotinë gjatë Revolucionit Francez në vitin 1789. Klutz në kujtimet e tij shkruan për Zanoviçin, si person që i mori shuma të mëdha dhe më pas u zhduk.
Në 1786 Zanoviçi shfaqet sërish në Amsterdam ku më në fund arrestohet. Ai vrau veten në burg duke i prerë venat me xham. Sipas një versioni tjetër u vetëhelmua në 25 maj 1786.
Variantet e një libri
Një bibliografi të veprave, kryesisht libra, të Zanoviçit e ka bërë i ndjeri albanologu Vinçens Malaj. Përsa i përket shkrimeve në shtypin europian që ka botuar Zanoviçi në disa gjuhë është e pamundur të bëhet një bibliografi e saktë.
Përsa i përket librit të Zanoviçit për Gjergj Kastriotin duhet thënë se ky libër ka pasur dy projekte. Varianti përfundimtar i librit “Kastrioti i Madh i Shqipërisë” u botua në 1779. Libri i shkruar frëngjisht por në mënyrë paradoksale disa kopje kanë si vend botimi Parisin dhe disa të tjera kanë vend botimi Frankfurtin. Sipas një teze tjetër libri është botuar në Hollandë, në Hagë ose në Amsterdam. Kjo do të thotë që trilli i Zanoviçit për të gënjyer funksionon e funksionon pa pushim.
Botimi kinse në qytetin Albanopolis
Një libër tjetër të tij Zanoviçi kinse e boton në Albanopolis të Shqipërisë, kurse një tjetër në Konstandinopojë. Është i pashtershëm në trillim. Por ka një kulturë enciklopedike. Kështu ai është informuar që Albanopoli përmendet në hartën e Ptolemeut të shekullit II. Por le t’i rikthehemi librit të tij për Skënderbeun. Teksti i librit është i njëjtë, madje e njëjta faqosje, por hyrjet dhe ballinat e librave ndryshojnë.
Dr. Ymer Jaka ka zbuluar se kopjet e librit që kanë si vend botimi Parisin nuk kanë emrin e botuesit, kurse ato që kanë vend botimi Frankfurtin shënojnë si botues J.J.Kessler. Në disa kopje kushtimi i drejtohet kontit polak Oxhinski.
Përmbajtja e këtij libri mbështetet në kryeveprën barletiane. Por duket që Zanoviçi ka konsultuar edhe libra të tjerë. Mundet që ai e ka lexuar Barletin në latinisht. Për Zanoviçin kanë shumë rëndësi pikat kryesore të referencës së ideve kryesore, por ai nuk nguron të trillojë të dhëna të tjera të çuditshme.
Ai shkruan se në letërkëmbimin apokrif barletian të Skënderbeut me sulltan Mehmetin II në 1460, gjoja letra e Skënderbeut qenkësh përpiluar “në gjuhën arnaute, pra në shqip” dhe se gjoja “kjo letër në shqip gjendet në arkivin e familjes Cërnojeviç – Kastrioti, në Mal të Zi, në kishën katedrale të Shell Venerandës në Çetine”.
Madje, thotë se “në Arkivin e Bibliotekës së Konstandinopojës gjendet një dokument mbi gjenealogjinë e Kastriotëve.”
Fantazia e Zanoviçit nuk përfundon as këtu. Ai shkruan se gjoja në Konstandinopojë paska njohur një turk, i cili ruante si relike një copë eshtre të Skënderbeut të mbështjellë me ar, mbas hapjes spektakolare të varrit të Skënderbeut në Lezhë. Akoma në mënyrë më paradoksale të skajshme, Zanoviçi flet se gjoja Skënderbeu lexonte veprën e Jul Çezarit “Komentet”, kurse librat e tjerë i përbuzte dhe më shumë nga të gjithë urrente romanet.
Ky është portreti i fantazuar i Skënderbeut nga Zanoviçi. Vlera historike e librit të Zanoviçit pothuaj nuk ekziston. Por atëherë pse duhet përmendur ky libër? Libri i Zanoviçit është me të vërtetë një pamflet politik i klasit të parë plot ide të iluminizmit, pamflet që luajti rol në atmosferën e ndezur të Revolucionit të Madh Francez.
Këtë e vë në dukje në mënyrë të spikatur Dr. Ymer Jaka. Libri i Zanoviçit në këtë pikëpamje nuk është një plagjiat i Barletit, siç e quan V. Malaj, nuk është as vepër e një historiani të mirëfilltë por është një pamflet i mirëfilltë politik. Ky libër u përkthye edhe në gjermanisht, madje edhe në rusisht dhe në suedisht.
E rëndësishme në këtë libër është fjalimi i Skënderbeut, një lloj testamenti në shtratin e vdekjes për djalin Gjon. Në vitin 1968, në 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, akademiku shqiptar Androkli Kostallari botoi një studim të rëndësishëm “Figura e Skënderbeut në letërsinë botërore”. Ky studim të habit për erudicionin që ka edhe sot kur e lexon.
Kostallari i kushton një vend të veçantë veprës së Zanoviçit për Skënderbeun duke theksuar karakterin iluminist dhe substancën polemike. Sipas Kostallarit, Zanoviçi shtron në pamfletin e tij çështje shumë të mprehta të filozofisë iluministe mbi rendin shtetëror dhe të drejtën, mbi sunduesin dhe popullin, mbi klerin, fenë dhe shtetin, mbi marrëdhëniet midis shteteve. Skënderbeu mbiquhet “si zbukurimi më i madh i shekullit të vet”, paraqitet si përfaqësues arketipal “i absolutizmit të ndritur”, pra si një mbret filozof i utopisë shtetërore të Platonit. Paraqitet si një princ mendimtar, më tepër një kryemësues i popullit.
Zanoviçi e përmbys rrënjësisht versionin provenedikas që jep Barleti në librin e tij për Skënderbeun, kritikon karakterin ambikuid të Venedikut, por dhe të vetë Papatit të Romës
Kemi të bëjmë pra, me një lloj traktati politik dhe filozofik për ndërtimin e shoqërisë dhe të shtetit ideal. Skënderbeu e porosit të birin që të mos u besojë gënjeshtrave të qeveritarëve dhe lajkave të oborrtarëve, por të vijë vetë në gjirin e popullit dhe të dëgjojë me zemër të hapur zërin e tij:
“Kur të flasin keq për dikë dëgjoje me njerin vesh, por ruaje veshin tjetër për të dëgjuar të akuzuarin. Ti duhet të mbrosh zejtarët si njerëzit më të dobishëm të shtetit, dhe të mos lejosh në asnjë mënyrë që ata të shtypen nga të pasurit… Mos përbuz askënd, edhe ai më i vogli dhe më i varfri mund të të sjellë dobi të madhe me këshillat dhe me guximin e tij. Mbro njerëzit e dobët dhe të mirë, dëno shpirtrat e vrazhdë dhe kryelartët”.
Zanoviçi i vë Skënderbeut në gojë parullat dhe idetë e Revolucionit Francez “liria e njeriut dhe prona e paprekshme, janë gjërat më të shenjta në botë”. Interesante janë edhe këshillat për ushtrinë, se ushtarët “nuk duhen trajtuar si skllevër por si shokë”.
Skënderbeu i Zanoviçit shprehet me nota antiklerikale. Ai demaskon në mënyrë patetike legjendën e marrëdhënieve idilike midis Skënderbeut dhe papëve. Anti-klerikalizmi i Zanoviçit është i një substance me atë të Volterit, të Dideroit, të Rusoit, të Dalamberit. Libri i Zanoviçit nuk është një tekst dokumentesh të Skënderbeut në marrëdhëniet me Papatin e Romës, pra s’mund të merret shkencërisht në konsideratë.
Del kështu se emri i Skënderbeut në mënyrë sui generis ka shkëlqyer dhe ka kontribuar në atmosferën letrare dhe ideore, politike të Revolucionit Francez. Ky pamflet politik ka vendin e vet në historinë e politikës, duke mos pasur asnjë vlerë të spikatur në rrafshin e historiografisë.
Aventurieri gjenial
Zanoviçi qe një aventurier gjenial, mashtrues i paskrupullt, kumarxhi dhe seksoman i madh, përvetësues pasurish dhe shfrytëzues miqësish. Nga kjo pikëpamje ai bën pjesë në galerinë e aventurierëve më të famshëm të të gjitha kohëve. Por në bazë të ligjit të paradoksit, ndonëse mashtrues i pafytyrë, ai bëri për popullarizimin dhe lartësimin e figurës së Skënderbeut, si gjeni i lirisë më shumë nga të gjithë shqiptarët e kohës së vet.
Subjektivisht ai synonte të përfitonte nga mashtrimi i tij, por objektivisht Zanoviçi krijoi një vepër të paharruar dhe gati të pavdekshme.
——-
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është nxjerrë nga arkiva e Moikomit në DITA dhe është material ekskluziv i kësaj gazete, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016