Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Një jetë intesive në interes të Atdheut
Ndraja nga jeta e Dalan Buxhelit, sekretarit të Përgjithshëm të Organizantë së Dëshmorëve të Atdheut, e veteranit të LANÇ-it dhe veprimtarit shoqëror ka prekur ndjenjat dhe zemrat e mjaft luftëtarëve dhe miqve e shokëve të tij të një lufte guximtare dhe të merituar për sakrificat e bëra në gati një shekull.
Dalan Buxheli ka lindur në Kuç të Kurveleshit më 2 maj 1929. Gjithë pjesëtarët e familjes, prindërit Rrapo e Zilo Buxheli, si dhe 4 djemtë e tyre kanë luftuar me armë në dorë kundër pushtuesve nazi fashistë. Vëllai, gjyshi e vjehrri janë dëshmorë të LANÇ-it. Dalani në moshë të re, kontribuoi si veprimtar i organizatës së rinisë komuniste në zonën e gjerë të Kuçit të Kurveleshit.
Pas çlirimit, me mbarimin e shkollës së mesme për ekonomist, fillon punë si shef sektori në tregtinë e jashtme. Në vitet 1956-1965 punoi në Ambasadën e Shqipërisë në Kinë me detyrë Sekretar i Parë për problemet ekonomike. Ndërsa në vitet 1965-1970 punoi në Ambasadën e Shqipërisë në Egjypt. Ai ka marrë pjesë në delegacione qeveritare në Egjypt, Etiopi, Ganë, Mali, Guine, Tunizi, Sudan, Algjeri, Siri, Liban, Turqi, ku hapeshin ekspozita të eksportit me mallra nga Shqipëria dhe zhvilloheshin bisedime me autoritetet e këtyre vendeve.
Dalani është Veteran i LANÇ-it dhe mban 5 medalje dhe urdhëra të luftës, dekoratë të Këshillit të Ministrave “60 Vjetori i çlirimit të Atdheut”, Certifikatë “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës”, titullin “Nder i Organizatës për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut”, titullin “Nder i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”, titullin “Veprimtar i Shquar që i Shërben Lavdisë së Atdheut” nga Shoqata Kombëtare e Invalidëve të LANÇ, titullin “Besnik ndaj vlerave që shpreh dhe mbron Shoqata patriotike-kulturore “Myslim Peza”, si dhe titullin “Nder i Organizatës së dëshmorëve të Qarkut të Gjirokastrës”.
Dalani nga vitet ’70 të shek. XX deri sa doli në pension ka punuar Drejtor i Ndërrmarjes Kombëtare të Fruta-Perime në Tiranë. Është ndër pjesëmarrësit e krijimit të Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it. Është zgjedhur nga viti 2000 Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës. Është anëtar i Komitetit Kombëtar i Veteranëve të LANÇ. Ka botuar shumë shkrime e artikuj në mbrojtje të vlerave të Dëshmorëve të Atdheut dhe të madhështinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
U bë pjesë e pandërë e Shoqatës së Dëshmorëve
Në vitet 1990-1995 që kanë hynë në historinë e vendit si periudhë tranziconi, si vite të kalimit nga njeri sistem në tjetrin, e që u shfrytëzuan me keqdashje nga forca të caktuara politike, ai me përkushtimin e tij, u bë një nga themeluesit e Shoqatës të Familjeve të Dëshmorëve të LANÇ-it, së bashku me bashkëluftëtarë të devotshëm si Nikollaq Sallabanda, Namik Kacidhja, Liri Gjoliku, Meme Çarçani, Hasan Selenica, Mahmut Agolli, Sllavica Martini, Reshit Shtëpani, Ylli Duraj, etj.
Ai ka qenë pjesë e sektorit që mbulonte dëshmorët në Komitetin Kombëtar të Veteranëve. Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve përfshinte në gjirin e vet në atë kohë mbi 60 mijë anëtarë, që përfaqësojnë familjet e dëshmorëve të LANÇ-it, të pasçlirimit, si dhe të Rilindjes Kombëtare. Dalani punoi së bashku me shokët që në të gjithë vendin të krijoheshin degët e Shoqatës në disa bashki kryesore të vendit. Bashkë me shokët ai bëri të mundur përcaktimin e misionit kryesor të saj për qëndrim të vendosur në mbrojtjen dhe respektimin, ndaj atyre që dhanë jetën në lulen e rinisë dhe familjet e tyre, hartimin e projekt-ligjit për Statusin e Dëshmorit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e familjeve të tyre. Projekti, pa humbur kohë, u përgatit dhe iu përcoll Ministrisë së Mbrojtjes, e cila, sipas procedurave me marrjen e pëlqimit dhe të dikastereve të tjera, duhej t‘ia përcillte qeverisë për miratim dhe nëpërmjet qeverisë, të kalohej në Kuvend për ligjërimin e dekretimin e tij. Por Dalani me shokë u ndesh në propagandën e forcave të ndryshme politike, të përkrahura dhe nga qeveria, të cilët u fokusua kundër të vërtetave historike të LANÇ, duke denigruar ngjarjet, datat e figurat e kësaj lufte, me keqdashje për të mohuar e mbuluar bashkëpunimin e ballistëve, zogistëve e krerëve të bajraktarëve me pushtuesit nazifashistë, madje për t’i ngritur në piedestal mbi luftëtarët dhe heronjtë e vërtetë të LANÇ-it.
Detyra kryesore e shoqatës që Dalani me shokë kishin marrë mbi shpatulla ishte për përjetësimin e figurës, të cilësive të larta patriotike e humane të dëshmorëve, sakrificën sublime, veprën e tyre finale të mishëruar në themelet e Atdheut tonë të lirë. Nëpërmjet këtij misioni shoqata nxiste studiuesit, historianët, shkrimtarët dhe artistët që të vinin në dukje me vërtetësi dhe art këto cilësi për të t’ua transmetuar sa më të gjallë brezave të sotëm e të ardhshëm, që t’ua kushtojnë punën, talentin e jetën e tyre mbrojtjes së lirisë dhe prosperitetit të Atdheut. Shoqata në përpjekjet e saj po ngrinte me forcë zërin kundër vandalizmave revanshiste ndaj varreve, busteve, lapidarëve e memorialeve të dëshmorëve, një prej dukurive më makabre, antikombëtare e antihumane në këto vite të tranzicionit, duke kërkuar me ngulm nga organet e pushtetit që t’u pritet rruga këtyre akteve mizore, si dhe të sigurojnë mbrojtjen, mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre. Bashkë me shokët e tij ish partizanë antifashistë dhe pasardhës të dëshmorëve, Dalan Buxheli iu kundërvu pa ngurim revanshistëve ballisto-zogistë dhe përkrahësve të tyre që kishin marrë përsipër të ngrenë në piedestale si “pishtarë të demokracisë” kriminelët e luftës, të vdekur e të gjallë, ata që i vranë dhe duan t’i rivrasin dëshmorët. Kështu kjo shoqatë me punën dhe veprimtarinë e saj u shndërrua në inteprete e ndjenjave dhe në mbrojtje të interesave dhe të drejtave të ligjshme në çdo aspekt, politik, ekonomik e shoqëror.
Në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Dëshmorëve
Në Kuvendin II Kombëtar të shoqatës të mbajtur më 5 prill 2000, u njoftua se Këshilli i Ministrave kishte miratuar Statusin e Familjeve të Dëshmorëve dhe nga shoqatë kalohej në organizatë, ku Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Dalan Buxheli.
Nga kjo kohë Dalan Buxheli ka qendruar korrekt në zbatimin e statutit dhe të detyrave që shpreheshin për Organizatën e Dëshmorëve. Zëri i tij është dëgjuar në të gjithë Shqipërinë për mbrojtjen e idealeve të dëshmorëve dhe për lartësimin e figurës së tyre.
Dalan Buxheli ishte nga të parët anëtarë që e mirëpriti daljen e revistës “Pavdekësia” organ i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e Atdheut, duke u bërë një nga zërat më të fuqishëm të kësaj reviste. Bashkë me kryesinë ai përcaktoi dhe misionin e revistës që të përjetësonte veprën dhe emrin e dëshmorëve të kombit të të gjitha kohërave, si dhe respektimi e nderimi i familjeve të tyre brez pa brezi. Njëkohësisht, duke qenë organi i një subjekti të tillë shoqëror të Organizatës, ajo pasqyronte dhe veprimtaritë e saj në të gjithë vendin, si dhe ka mbajtur qëndrime të vendosura politike ndaj forcave të caktuara, që mohonin gjakun e dëshmorëve të LANÇ, apo të periudhave të tjera, dëshmorë të shpallur me ligj, sipas Statusit të Dëshmorit të Atdheut.
Përpjekje të vazhdueshme për miratimin e statusit të dëshmorit
Në vijimësi, por edhe në Kuvendin VI dhe VII Kombëtar të organizatës, sekretari i Përgjithshëm Dalan Buxheli, ka shtruar problemin kryesor për përmirësimin e statusit të dëshmorit. Ai ka këmbëngulur në ruajtjen dhe mbrojtjen e idealeve të dëshmorëve të Atdheut dhe e vlerave të LANÇ-it, si një sfidë e palëkundur, por dhe mision i shenjtë i Organizatës. Rezultatet e zgjedhjeve sollën në drejtim elemente të rinj aktivë e të përkushtuar, të aftë të përballen me segmente armiqësore brenda dhe jashtë kufijve, për të përçarë shqiptarët, për të hedhur baltë mbi historinë e lavdishme të Kombit tonë.
Problem kryesor ka qenë përmirësimi i ligjit nr. 8607 i Statusit të Dëshmorit të Atdheut. Në prill të vitit 2014 u diskutua projekt-ligji i ri në të gjitha degët nëpërmjet revistës “Pavdekësia” dhe u dërgua në Ministrinë e Mbrojtjes. Në korrik të vitit 2016, MM dërgoi në Organizatë projekt-ligj “Për Statusin e Dëshmorit”, ku u bënë vërejtjet dhe u depozituan në MM të cilat gjetën miratim në ligjin 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”.
Kudo mendimi dhe fjala e tij kanë qenë të pranishme në jetën e Orgaizatës së Dëshmorëve në të gjithë Shqipërinë për mjaft probleme si të rregullimit dhe të sistemimit të varrezave të dëshmorëve, hartimi i albumit të dëshmorëve, botimin e librave për dëshmorët, etj. Ai ka punar dhe për domosdoshmërinë e ngritjes së një Instituti të posaçëm, që të ketë për objekt historinë e LANÇ-it dhe evidentimin e plotë të dëshmorëve si dhe botimin e Enciklopedisë për Dëshmorët e Atdheut, e cila ishte dhe mbetet kërkesë e kohës. Dihet, se pas viteve ’90 të shek. XX forcat e djathta, që erdhën në pushtet, ndërmorën një veprimtari të gjerë shkatërruese ndaj varrezave të dëshmorëve e simboleve, duke vepruar me një egërsi kundër vlerave të LANÇ-it e idealeve të dëshmorëve.
Ai kërkonte bashkëpunim të ngushtë me administratën vendore për të dhënë rezultate të mira në ngritjen dhe restaurimin e lapidarëve, të busteve dhe të monumenteve për dëshmorët dhe heronjtë e LANÇ-it. Po kështu ka luftuar për formën e propagandës për figurat e pavdekshme të heronjve e dëshmorëve, si dhe krijimit të këndeve me portrete të dëshmorëve të zonës në shkollat 9 vjeçare dhe të mesme, me qëllim që brezi i ri të familjarizohej me emrat, familjet dhe heroizmin e dëshmorëve të lagjes apo të fshatit.
Përkujtimi dhe kremtimi i datave të ndryshme, si për ngjarje historike, vend-beteja të veçanta të partizanëve me fashistët dhe nazistët, data të rënies së dëshmorëve, etj., ishin disa nga detyrat që në vijimësi i kërkonte për të mbajtur gjallë kujtimin për luftën heroike të partizanëve e të popullit kundër pushtuesit të huaj e tradhtarëve të vendit.
Ai ka qenë një nga bashkëpunëtorët me të ngushtë të Revistës “Pavdekësia” dhe ka këmbëngulur për ta bërë tribunë, zëri dhe pasqyra e organizatës. Në saj të kujdesit të vijueshëm të tij, revista “Pavdekësia” ka pasur një rritje të dukshme cilësore e sasiore. Kështu revista ka krijuar mundësinë e botimit të artikujve problemor për çështje parimore, lidhur me luftën, mbi kolaboracionistët dhe tradhtinë e tyre, shkrime me dokumente e fakte historike etj. Shkrimet për dëshmorët, për betejat legjendare të partizanëve zënë një vend nderi në faqet e revistës, por dhe kujtimi i Dalan Buxhelit do të ngelet gjatë në memorien e Organizatës së Dëshmorëve, si dhe në faqet e shtypit për figurën e dëshmorëve dhe të heronjve të Shqipërisë.
Lamtumirë i nderuar Dalan Buxheli, sekretar i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut!

