Shaban Murati
Letërsia qytetare është traditë themelore e letërsisë shqipe dhe botërore dhe ka në gjirin e saj shkrimtarë dhe arritje të mëdha letrare. Ka gjithmonë një diskutim teorik estetik midis tradicionales artistike dhe novacionit të kërkimit artistik, se cili duhet të marrë rolin drejtues të rrymave letrare sot. Në shekullin 20 dhe 21 kërkimi artistik dominoi mbi përmbajtje letrare dhe u bë madje qëllim në vetvete deri në masën, që letërsi e mirë u quajt mbretëria e kultit të formës. Në shoqëritë e vendeve në zhvillim e sipër ekonomik dhe kulturor si vendet ish-komuniste, pas shembjes së komunizmit pati një vërshim alogjik drejt përfaqësimit të letërsisë vetëm nga kulti i formës. U kultivua një letërsi, që jo vetëm u largua shumë nga shqetësimi i shoqërisë dhe nga roli shoqëror i letërsisë, por edhe vendosi si parim estetik kundërvënien me përmbajtjen letrare.
Në të kundërtën e kësaj tendence vazhdoi rrugën solide letërsia qytetare e traditës, ku dominon roli dhe modeli i përmbajtjes dhe i idesë në letërsi dhe ku lexuesi i zakonshëm gjen veten dhe problematikën e jetës së vet të lodhëshme, të përditëshme. Përditëshmëria si kategori estetike përfaqëson dominimin e përmbajtjes, të asaj çfarë ndjen dhe jeton njeriu i thjeshtëdhe masiv, dhe jo se në ç’forme të përçudnuar e paraqet modernizmi.
Shkrimtarja Hiqmete Daja me romanin e saj të ri është përfaqësuese tipike e letërsisë qytetare, e letërsisë që del nga shpirti përgjithësues i njeriut dhe për njeriun, që jeton midis nesh. Një roman dhe një letërsi, që lulëzon nga shoqëria e sotme për shoqërinë dhe që e ka të qartë rolin e vete të pazëvendësueshëm shoqëror, kulturues dhe edukues për masën e gjërë të lexuesve.
Romani i saj i ri “Sykaltra e arratisur” është vazhdimi dhe thellimi i një tradite të bukur letrare, shqiptare dhe të huaj, që merr jetën, ngjarjet, personazhet, subjektet, kolizionin, frymën dhe perspektivën njerëzore dhe shoqërore nga realiteti, që preket me dorë dhe ndjehet në zemer. Nuk është e lehtë të zhbirosh kulturën qytetare dhe familjare dhe të bukurën shpirtërore dhe morale në shoqërinë e sotme shqiptare, të përmbytur nga vulgariteti dhe vaniteti. Vetëm një shkrimtare e talentuar dhe me përvojë letrare si Hiqmete Daja, arrin të qëmtojë me artin e saj xhevairin e jetës dhe të shpirtit të bashkëqytetarëve të saj përtej moçalit të moralit të sotëm pervers letrar ose televiziv. Romani ”Sykaltra e arratisur” është një mishërim artistik i kulturës qytetare, i mënyrës së jetesës qytetare, i virtutit dhe i moralit të pastër qytetar. I mbështetur në një virtut të jashtëzakonshëm si parim moral civil i një familjeje autoktone durrsake, e cila merr në gjirin e saj një jetime të vogël komshijen, që mbeti pa prindër nga një hakmarrje e verbër primitive, dhe kjo familje e rrit jetimen, pa lidhje gjaku me të, brenda deshurisë dhe kujdesit të femijve e saj, me frymën familjare dhe me të drejtën e pronës si pjesë e jetës së tyre, Romani i Hiqmete Dajës është tronditës në aftësinë artistike dhe psikologjike të zbulimit të vlerave njerëzore dhe shpirtërore në ditët e sotme.
Romani i saj i ri e merr subjektin nga jeta e zakonëshme familjare në qytetin më të vjetër të Shqipërisë, në Durrës, dhe shkrimtarja si njohëse e thellë e kulturës, të jetës dhe të shpirtit të qytetit të saj të lindjes, ka hyrë në pamjen më tipike të jetës së përditëshme, të personazheve, të relatave njerëzore, të mendimeve, të ëndrrave, të aspiratave dhe të proceseve zhvilluese të një qyteti të lashtë me aq shumë tradita. Narrativa e saj letrare, si formë e bukur të rrëfyeri artistik e një shkrimtareje me përvojë krijuese, e cila ka tashmë në fondin e saj disa romane e novela të suksesshme, përfaqëson një narrativë të bukur kulturore e qytetare, sa të thjeshtë aq edhe interesante. Arti i saj i rrëfimit zgjedh jo vetëm subjektin tërheqës me ngjarje mbreselënëse familjare dhe të historive të dashurisë me fat ose pafat, por edhe një galeri personazhesh të skalitur bukur, që bëhen të dashur menjëherë për lexuesin. Shkrimtarja ka aftësinë që përmbajtjes së bukur të romanit t’i japë formën artistike realiste më të përshtatëshme për të ushqyer lexuesin me një kënaqësi të madhe estetike. Shkrimtarja e mban pezull kureshtjen e lexuesit jo me eksperimente apo artifise artistike apo figurative dhe as me çudira të sajuara legjendash të vjetra ose të reja, rurale ose urbane. Ajo e mban pas vetes lexuesin me thelbin e shpirtit njerëzor dhe të moralit qytetar, që është më i bukuri për të joshur lexuesin pas romanit, por edhe më i vështiri për ta kthyer në art. Hiqmete Daja ia ka arritur me sukses këtij misioni letrar me romanin e saj.
Personazhet e romanit të saj janë personazhe të dall nga jeta e zakonëshme, që të duket sikur i takon çdo dtë në lagje, në kinema apo në sport, në shkollë apo në punë, në det apo në kodrat e qytetit. Mua, që jam lindur dhe rritur në Durrës në një familje autoktone qytetare, me dashurinë e punës dhe me erën e detit, me dashurinë vëllazërore për çunat dhe gocat e lagjes, me duket sikur shkrimtarja po shkruan për lagjen time, për familjet tona në kohën ku nënat tona i mbanin të hapura portat e shtëpiave për kafet të njera-tjetra. Romani i vendos ngjarjet në një nga lagjet më të vjetra të qytetit, në lagjen Kala, që ka bashkëjetuar për qindra e mijra vjet me një nga veprat më të mëdha të kulturës dhe të artit skenik të gadishullit të Ballkanit, siç është amfiteatri i famshëm i Durrësit. Galeria e personazheve është aq e pasur me individualitete si çifti i rrallë qytetar i prindërve, që i dha personazhit kryesor jetën e dytë të vërtetë familjare, e deri te Diana e Dario dy personazhet kyç me trazimet e tyre të dashurisë dhe të jetës.
Është një arritje artistike e shrimtares, e cila paraqet pasurinë e pamatë shpirtërore dhe morale të familjave të lagjes dhe të Kalasë së qytetit, me hapësirat e zemrave dhe të mendjeve të tyre të mrekullueshme. Personifikimi moral i personazheve me karakteret e tyre të gdhendura artistikisht është i tillë, që plotëson një ansambël harmonik portretesh njerëzore, që jo vetëm harmonizojnë njeri-tjetrin, por që paraqesin secili një anë të re të veçantë të së bukurës. Këtë mund ta realizojë vetëm një letërsi e pjekur dhe e suksesëshme artistikisht, siç është romani i Hiqmete Dajës.
Romani sjell me art një botë të veçantë shpirtërore, e cila përqendrohet dhe zhvillohet nga shkrimtarja si motorr lëvizës i shoqërisë shqiptare dhe njerëzore, Kjo botë e veçantë shpirtërore dhe qytetare duket sa e thjeshtë dhe aq e paarritëshme, sepse shkrimtarja ka guximin artistik që të kapërxejë mbi meskinitetet dhe vanitetet e shoqërisë së konsumit, dhe lëviz në një trajektore të sigurt shpirtërore, të cilen shkrimtarja na e vizaton me art.
Letërsia realiste qytetare apo letërsia e virtutit qytetar, siç do ta quaja unë, ka misionin e madh të modelit udhërrëfyes të shpirtit dhe të shoqërisë shqiptare në kohën e sotme aq të trazuar dhe shpesh të deformuar nga kulti i parasë dhe vulgariteti i interesave materiale dhe i konsumizmit me çdo çmim. Në kohën kur sistemi i vlerave tradicionale shpirtëroe dhe morale të populllt tonë dhe të qytetarisë shqiptare po pëson procese errozive dhe kur antivlerat dhe antimorali po serviren si prirje moderne zhvillimi qytetar, romani i Hiqmete Dajës vjen si një model i bukur letrare dhe artistiki i një jetë me botë të pasur shpirtërore, që mështetet në sistemin e vlerave mijravjeçare të qytetarisë dhe të shpirtit krijues të popullit tone. Kjë është një meritë e madhe për shkrimaren, si artistike, ashtu dhe estetike morale dhe filozofike.
Romani “Sykaltra e arratisur” sjell një kontribut të shquar në letërsinë realiste dhe qytetare shqiptare dhe Hiqmete Daja mbetet një nga përfaqësueset më të denja të kësaj letërsie, që nuk vdes kurrë dhe për të cilën shoqëria shqiptare ka nevojë.