Prof. Dr. Vezir Muharremaj
Piktori i shquar peizazhist anglez Eduard Lir (Edward Lear), në udhëtimin e tij nëpër Shqipërinë e Jugut, duke ardhur nga Vlora ka qëndruar tek Hani në Shkozë, vend pushimi për karvanët që vinin nga Vlora dhe vazhdonin nëpër shtegun në Shkëmbin e Ylynecit, në Lopës, në Tepelenë, e tutje në Antigone dhe Epir. Duke qëndruar tek Hani, me sa duket, Lirit i ka bërë përshtypje të madhe pamja që i është shfaqur para syve dhe, duke qëndruar në atë pikë, ai pikturoi peizazhin e parë “Kudhes” (në fakt, në qendër të pikturës është Vjosa dhe fshati i Kalivaçit të Tepelenës); duke vazhduar më tej rrugën në ditën e nesërme, ai pikturoi edhe dy peizazhe të tjerë: njëri – “Nedar Cudhes” (Afër Kudhësit, Gryka e Ylynecit apo e Kalivaçit)” dhe tjetra “Midis Kudhësit dhe Tepelenës”.
Ja si e përshkruan Liri udhëtimin nga Vlora për në Tepelenë përgjatë lumit Vjosa në tetor
1848: “Udhëtimi i kësaj dite në fillim nuk dukej shumë interesant, megjithëse dielli që ndriçonte dhe ajri i freskët e bënin të pëlqyeshme: ishte një luginë e gjatë, gjarpëruese, e ngushtë dhe një përrua për t’u kapërcyer, pastaj një kodër që nuk mbaronte, nga maja e së cilës shihet Vjosa e gjerë që nxiton për në det, midis kodrave të kultivuara dhe në brigjet e së cilës shndritin fshatra të shpeshtë – Gradishta, Karbunara etj., [përfshirë Kalivaçin], teksa duke u lartësuar mbi të gjithë ngrihet madhështor Tomorri. Aty nga ora katër [e datës 31 tetor 1848], ne kaluam qafën e kodrës dhe duke zbritur që andej drejt veri-lindjes, pamja ishte e habitshme, madhështore. Vjosa rrjedh përmes një kanioni të ngushtë midis shkëmbinjve në rrëzë të malit të Kudhësit [Gryka e Ylynecit], dhe mbi këtë ngushticë të errët ngrihen malet e veçuar e të mprehtë të Trebeshinës dhe Hormovës. Menjëherë pas saj, spektatori është tepër i impresionuar nga rrjedha zallishtore e lumit, përgjatë të cilit Vjosa, e pa shtërnguar tashmë midis brigjeve të ngushtuara – ujërat e saj të errëta që xixëllojnë e shkumëzojnë sikur të ishin gjithë ato fije të thurura në një sfond verbues të bardhë – nxiton në liri të plotë dhe e shumëdegëzuar drejt detit. Një numër fshatrash të përhapur qarkojnë përreth Kudhësit dhe të gjithë mbajnë emrin e malit. Pasi unë kisha bërë një vizatim, zbritëm në një nga këto fshatra, në brigjet e Vjosës, ku ishte një han i vogël [qartësisht Hani i Shkozës], në të cilin shpresonim të kalonim natën. Pasi mbërritëm atje para perëndimit të diellit, për fatin tonë të madh gjetëm dy dhoma bosh dhe të pastra. Dita u mbyll me ngrënien e darkës dhe shënimet e udhëtimit në dritën e një llampe të vogël shqiptare të varur në një gozhdë në mur. Në stallën poshtë dyshemesë, zaptija dhe dy shokët e tij kënduan me zë të ulët ‘Nata e gjatë’.
31 tetor [1848]. Duhet edhe gjysëm ore para se të lindë dielli. Pasi përfundoi mëngjesi, u paketuan të gjitha plaçkat dhe u bëmë gati për nisje. Qielli i kthjellët e pa rè është në ngjyrë qelibari të çelur përmbi malet lindore, konturet e të cilëve janë zbehur nga një vello e hollë avujsh; dhe gjithçka është e heshtur, përveç Vjosës së madhërishme që murmurin në shtratin e saj zhavorror të bardhë. Ishte tepër ftohtë për të kalëruar, prandaj eca në këmbë, për më tepër që rruga e kafshëve ishte e vështirë dhe kalonte pranë humnerave.
Rruga ngjitet përpjetë Vjosës drejt kanionit të errët [Gryka e Ylynecit]- që është aq i ngushtë saqë lejon vetëm kalimin e lumit – dhe kur ai fryhet, e mbyll plotësisht këtë komunikim; dhe megjithëse madhështor e i zymtë, unë nuk mund të imagjinoja një peizazh kaq të përsosur në krahasim me të tjerë të këtij lloji që kam parë, për shembull, qafa Sagittaria në Anversa të Abrucios Ulteriore; megjithëse, në nja dy vende, ku shkëmbinjtë ngrihen vertikalisht në një lartësi të madhe përmbi rrjedhën e lumit, apo ku shtegu ngjitet si një tapë përpjetë mbi shkëmbinj, dhe ku syri sheh poshtë në humnerën nën vete, efekti është shumë imponues. I gjithë mëngjesi kaloi duke gjarpëruar përmes luginës dredha-dredha të Vjosës, përmes peizazheve të egra madhështore. Mali i Hormovës, duke u zmadhuar në pamje, të jep përshtypjen sunduese duke ecur në këmbë, të lezetshme e jashtëzakonisht i bukur prej periudhës së vjeshtës.
Afër Tepelenës ne takuam shumë fshatarë, që të gjithë mbanin qeleshe dhe fustanella të bardha, por me një pamje të mjeruar dhe të pashpresë që kisha parë ndonjëherë; e gjithë kjo anë e Shqipërisë është padyshim e rrënuar dhe banorët e saj të dërrmuar e të brengosur. Rebelimi i tyre nën Zuliki duket se ishte lufta e tyre e vrullshme e fundit e këtyre njerëzve të shpërndarë dhe të paarmatosur; ky territor i Ali Pashës dikur krenar, tani është i zhytur në një melankoli të thellë dhe thellësisht i privuar nga identiteti i tij. Ishte ora afër tre pasdite, kur dredhat e lodhshme të fundit të luginës zbuluan malin madhështor të Trebeshinës dhe fqinjin e tij të Hormovës, të dukshëm tashmë nga rrëza në majë – të dy qetësisht madhështorë në ngjyrë të purpurt të shndritshme për nën majat me borë vezulluese”.
Ky piktor-peizazhist i famshëm, na ka lënë tre piktura-peizazhe për territorin e Kalivaçit, të parat dhe të vetmet piktura që paraqesin mjediset përreth këtij fshati. Në internet gjenden emërtimet dhe adresat e pikturave të bëra nga ky peizazhist i mrekullueshëm, ndër të tjera dhe tre peizazhet e përmendura më lart, të cilat përshkruhen në vijim. Në fillim jepet numri i pikturës në katalog, pastaj titulli i pikturës dhe data e pikturimit (në katalog jepen edhe të dhëna të tjera profesionale për pikturën). Të habit kapja e peizazheve më të bukura nga piktori dhe realizimi me saktësi e mjeshtëri e tyre.

- KUDHES 31 October [tetor]1848.
Këtë peizazh Lir e ka bërë duke qëndruar në kodrën e Hanit në Goricë të Shkozës. Përballë ka patur atë pamje të shkëlqyer të peizazhit të cilën e hodhi në pikturë. Në plan të parë, peizazhi paraqet grupin e shoqëruesve të piktorit, 5 vetë, me kafshët e ngarkesës pranë dhe një grup tjetër më poshtë po prej 5 vetësh.
Vërehet qartë se shoqëruesit kanë veshur fustanellën karakteristike toske shqiptare dhe përsipër gunë të bardhë. Në brez duken armët e ngjeshura ndërsa në duar mbajnë shkopinj të gjatë, karakteristikë e shoqëruesve të udhëtarëve. Në kokë mbajnë qylafë të bardhë, karakteristike iliro-shqiptare (vetëm njëri mban qylaf të kuq), jelekë të bardhë me sharqet e tyre të zes në supe apo të lënë për tokë, si dhe me guna të bardha. Qylafët i mbajnë përmbi sy, që tregon krenarinë e atyre banorëve. Përballë tyre është lumi i Vjosës që gjarpëron dhe zona përtej lumit, ku, duke shikuar nga e majta në të djathtë dallohen: kodra e Goricës së Çorrushit, maja e Dokes, Hija e Kalivaçit, shtëpitë e lagjeve të Kalivaçit, kodra e Qytetit (Hasanbegaj),
Gryka e Ylynecit (Kalivaçit) dhe fshati i Shkozës.
Në sfondin përreth paraqiten kodrat e anës së djathtë (në drejtim të rrjedhjes) të Vjosës, mali i Trebeshinës, Golikut (Lir e quan mali i Hormovës), Mali i Lopësit dhe ai i Kudhësit. Peizazhi “Afër Kudhësit” paraqet Grykën e Ylynecit apo të Kalivaçit në pjesën më të ngushtë dhe me të dy brigjet thikë mbi lumë.

- NEAR KUDHES.
1 November 1848 (Afër Kudhësit. 1 nëntor 1848) Edhe këtu, në plan të parë janë dy burra me veshjet karakteristike gunën dhe fustanellën e bardhē, me madhësinë e të cilëve mund të krahasosh madhështinë e shkëmbinjve Në krye të shkëmbit nga krahu i djathtë i lumit gjendet qyteti antik i Kalivaçit. Në sfond duket lumi i Vjosës blu, malet më tej dhe retë e bardha që plotësojnë kuadrin e mahnitshëm. Diçitura e pikturës e përshkruar nga vetë E. Lir: “Një kanion në lumin Vjosa (e ekzagjeruar për efekt), ndoshta afër Kalivaçit në rrëzë të Malit të Kudhësit (mali Coudessi), midis Vlorës dhe Tepelenës në jug të Shqipërisë, 30 tetor 1848”. Data e shënuar në pikturë ‘1 nëntor 1848’ është e gabuar.
Në orën 4, ne kaluam një pjesë rruge të drejtë në majë të kodrës dhe duke zbritur pastaj në drejtim të verilindjes, pamja ishte jashtëzakonisht e mrekullueshme. Viósa kalon nëpër një grykë të ngushtë në shkëmbinjtë rrëzë malit të Kúdhësit, dhe përmbi këtë grykë të errët ngrihen malet e veçuar dhe të bukur-formuar të Trebeshinës dhe Hórmovës. Menjëherë për nën spektatorin shihet shtrirja e gjerë e rrjedhës së lumit me gurë, përgjatë së cilës Vjósa, jo më e shtrënguar midis kufijve të saj të ngushtë – ujërat e errëta të së cilës duke xixëlluar si të ishin shumë gërsheta gjarpërues në një sfond të bardhë verbues – vërsulen në liri të plotë dhe mjaft e degëzuar për në det.”

- BETWEEN KUDHES AND TEPELENE.
Peizazhi “Midis Kudhësit dhe Tepelenës” është bërë pasi piktori ka zbritur nga Dorëza drejt lumit. Në plan të parë është një qivur varri, lumi i Vjosës që gjarpëron dhe sistemi i kodrave dhe maleve më tej. E gjithë kjo hapësirë e zallishtes që Liri e përshkruan me aq pasion e ngjyra të gjalla, tashmë parashikohet të mbulohet nga uji i hidrocentralit të Kalivaçit. Pukëvili, Ambasadori francez pranē Ali Pashē Tepelenēs, shprehet se kjo zonë ka nxjerrë shumë trima të zot, por ka qenë relativisht e varfër gjatë kohëve për shkak të prodhimtarisë së pakët bujqësore të terrenit.
Një rëndësi të madhe studimore historiko-gjeografike merr shkëmbi gjigand i Ylynecit si fenomen gjeologjik, si vendbanim i lashtë ilir apo parailir. Ekzistenca e tij ka shumë mundësi të ketë lidhje me vendbanimet dhe banorët e qytezës së Hasanbegajve në Kalivaç, me Amantian dhe Matohasanaj. Peizazhi natyror që të del përpara syve kur ngjitesh rrugës nga Krahësi për në Kalivaç ose nga Çorrushi apo Shkoza drejt Kalivaçit, është nga më mahnitësit që natyra i ka falur këtij vendi. Pamjet që të shfaqen duke u rrotulluar në të katër anët e horizontit vetëm nga një pikë aty tek Maja e Tendës, rrallë takon t’i shohësh gjetkë: drejt veriut kodrat e Hekalit (Bylisit antik), të Çorrushit, të Zhulajt dhe të Mallakastrës së Sipërme apo të Egër; drejt lindjes sheh kodrat e Krahësit, Toçit, thellë syri të rrok majën e Rabies (me kalànë antike), horizontin e paanë të luginës së gjerë të Vjosës dhe malin e Trebeshinës e të Golikut tej Tepelenës; drejt jugut syri përqendrohet në fshatrat e krahinës së Lopësit, në fshatin e Dorëzës dhe malin e Gribës; nga perëndimi hapet një horizont i pamat me fshatrat e Kudhës-Grehotit, Shkozës, Sevasterit, më tej me Plloçën (qytetin e lashtë të Amantias), maleve të lumit të Vlorës e deri tutje në Golimbas e Gorrisht dhe vështron shtratin e gjerë të lumit të Vjosës që gjarpëron nëpër fushën e Kalivaçit, Shkozës, Çorrushit dhe Kutës, duke mbyllur kështu një peizazh të mrekullueshëm nga një pikë e vetme me një rrotullim të plotë prej 3600.
