Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë rreth 7.5 milionë euro në pronësi të shtetasit me inicialet G.V., i dyshuar për përvetësimin e paligjshëm të objektit dhe truallit të “Fabrikës së Miellit nr. 1” në Vlorë, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale.
Sekuestrimi është kryer me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, në kuadër të procedimit penal nr. 1748, të regjistruar më 28 nëntor 2025, pas kallëzimit të shtetasve A.C., V.Q. dhe G.Z.
Nga hetimet dyshohet se G.V. ka përvetësuar, nëpërmjet shpërdorimit të besimit, objektin dhe truallin e pasurisë së paluajtshme “Fabrika e Miellit nr. 1”, duke e regjistruar atë në emrin e tij dhe jo si aset të shoqërisë “P…..” sh.p.k.
Sipas Prokurorisë, ky veprim ka cenuar interesat pasurore të ortakëve të tjerë të shoqërisë, shtetasve A.C., G.Z. dhe V.Q.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se personi nën hetim ka vijuar me tjetërsimin e një pjese të pasurisë te shtetasit K.B. dhe Xh. Ç., duke ngritur dyshime edhe për kryerjen e veprës penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Për këto arsye, Prokuroria ka kërkuar dhe ka bërë të mundur sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme në qytetin e Vlorës, konkretisht:
Njoftimi i plotë:
Dyshime për përvetësimin nëpërmjet mashtrimit të Fabrikës së Miellit, Prokuroria e Vlorës sekuestron 7.5. milionë euro pasuri të shtetasit G.V.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u sekuestruan prona me vlerë 7.5 milionë euro të shtetasit G.V., i akuzuar për veprat penale ‘Mashtrimi me pasoja të rënda’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ parashikuar nga nenet 143 dhe 287 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1748, datë 28.11.2025, të regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasve A.C., V.Q., G.Z., rezultoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim G.V. ka përvetësuar përmes shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e pasurisë së paluajtshme “Fabrika e Miellit nr.1” në Vlorë, duke e regjistruar atë si të vetën dhe jo si aset të shoqërisë “P…..” sh.p.k. Kësisoj, nga ky përvetësim i paligjshëm, personi nën hetim G.V. ka cenuar interesat pasurore te ortakëve të tjerë të shoqërisë “P…..” sh.p.k. shtetasve A.C, G.Z dhe V.Q.
Në vijim, rezultoi e provuar se personi nën hetim G.V. ka vijuar me tjetërsimin e një pjese të pasurisë së paluajtshme tek shtetasit K.B. dhe Xh. Ç., duke u dyshuar se ka konsumuar edhe elementët e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e parashikuar nga neni 287, pika 1, germa a) të Kodit Penal.
Për rrjedhojë, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, kërkoi caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për pasuritë e mëposhtme:
a) Pasurinë e llojit “Ndërtesë” me sip. 950 m² ndodhur Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V;
b) Pasurinë e llojit “Njësi” me sip. 923 m², ndodhur në Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;
c) Pasurinë e llojit “Truall” me sip. 2.832 m² ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;
d) Pasurinë e llojit “Truall” me sip. 10.500 m² ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit G.V.;
e) Pasurinë e llojit “Truall” me sipërfaqe prej 2.172 m² (pjesë e objektit Fabrika e Miellit), Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit K.B.;
f) Pasurinë me nr.4/156 (depo nr. 1, depo nr. 2), me sip.1.263 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit K.B.;
g) Pasurinë nr. 4/154+1- 2/1 (një pjesë të katit të dytë të depos së grurit) me sip.127 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit Xh. Ç.; dhe h) Pasurinë me nr. 4/158 (një pjesë trualli) me sip.25 m², Vlorë, regjistruar në emër të shtetasit Xh. Ç.
