Në procesin e vlerësimit të provimeve të Maturës Shtetërore 2023 do të përfshihen mësuesit më të kualifikuar të profilit lëndor të secilit provim. Përparësi në përzgjedhjen e mësuesve që do të vlerësojnë provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje të maturës së këtij viti, do të kenë të gjithë kandidatët që plotësojnë shtatë kriteret e miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, të cilat janë evidentuar edhe në Rregulloren e Provimeve.
Kështu, për të qenë pjesë e skemës së korrigjimit të testeve, mësuesit duhet detyrimisht të plotësojnë këto kritere: të kenë arsimin e lartë përkatës, të kenë jo më pak se 5 vjet përvojë pune në mësimdhënie në një institucion të arsimit të mesëm të lartë në lëndën përkatëse (ku preferohen mësuesit me mbi 10 vjet përvojë pune), të jenë i vlerësuar për rezultate të larta në mësimdhënie, të jenë i vlerësuar me të paktën “Mirë” dhe “Shumë mirë” në kualifikimin e fundit të mësuesve. Gjithashtu mësuesi duhet të jetë i certifikuar edhe si vlerësues, të mos ketë konflikt interesi, si dhe të jetë treguar i saktë dhe i përpiktë në vlerësimet e provimeve të maturës të zhvilluara në vitet e shkuara.
“Qendra e Shërbimit të Arsimit (QSHA), brenda muajit maj do të përfundojë edhe përzgjedhjen e mësuesve që do të jenë pjesë e procesit të korrigjimit për provimet e këtij viti. Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve, grupi i hartimit të testeve i QSHA-së orienton vlerësuesit e testeve në përputhje me kërkesat e testit dhe sipas skemës përkatëse të vlerësimit. Procesi i korrigjimit do të realizohet në qendra vlerësimi me mjedise të përshtatshme dhe të sigurta, të përzgjedhura nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit”, përcaktohet në rregulloren e provimeve të mirtuara nga Ministria e Arsimit.
Vlerësimi i përgjigjeve të maturantit do të bëhet me pikë, të cilat konvertohen në notë të shkallëzuar. Procesi i vlerësimit të testeve mbikëqyret nga grupe pune, të ngritura me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. Për të qenë kalues në këto provime maturanti dhe kandidatët e viteve të shkuara do të duhet që të marrin detyrimisht 25 për qind të 60 pikëve totale me të cilat vlerësohet testi. Rezultatet e provimeve paraprake të Maturës shpallen jo më vonë se data 30 qershor
Në rregullore gjithashtu përcaktohet se MAS do të ngrejë edhe komisione të posaçme (Kopoted) që do të shqyrtojnë të gjitha testet që raportohen nga vlerësuesit e testeve si të dyshimta për kopjim dhe testet me parregullsi. Vlerësuesit e testeve i dorëzojnë përgjegjësit përkatës të vlerësimit, testet me parregullsi apo që dyshohen për kopje. Përgjegjësi i vlerësimit, nga ana e tij, ia përcjell ato Kopotedit, duke i shoqëruar me një përshkrim të detajuar mbi parregullsitë dhe pyetjet, përgjigjet e të cilave dyshohen për kopje. Ky komision për parregullsitë që konstaton informon me shkrim Komitetin e Maturës Shtetërore.
Detyrat dhe të drejtat e maturantëve
Sipas rregullave të përcaktuara, në ditën e testimit, maturantët dhe kandidatët e tjerë do të duhet të paraqitent në qendrën e provimit 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit dhe duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit, si dhe mjetet e nevojshme: stilolaps, vizore, kompas, makinë llogaritëse të thjeshtë. Maturanti pasi merr testin nga administratori i provimit, kontrollon gjendjen fizike të testit (është i palexueshëm, mungon ndonjë faqe, etj), si dhe nëse është lloji i testit që ka kërkuar në formularin A1/A1Z. Nëse vërehen parregullsi kërkon test tjetër, duke plotësuar një deklaratë për marrjen e testit.
Maturanti duhet të plotësojë testin me stilolaps me një ngjyrë (të zezë ose blu). Në pyetjet me alternativa, maturanti rrethon vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse kandidati rrethon më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë alternativë, vlerësohet me 0 pikë. Autoritetet e arsimit sqarojnë se maturantët e seksioneve dygjuhëshe shkollore vendosen nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit në një mjedis, për shkak të monitorimit nga përfaqësitë përkatëse dhe në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe. Ndërsa maturantëve dhe kandidatëve me aftësi të kufizuar, vërtetuar me dokumentin përkatës me kërkesën e prindit ose të përfaqësuesit ligjor, u krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e provimit. Për ata që nuk mund të lexojnë apo të shkruajnë, autorizohen personatë caktuar për plotësimin e testit sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga maturanti. Maturantëve të paraburgosur u sigurohen kushtet për zhvillimin normal të provimeve, në mjedise të posaçme nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të autorizuar të policisë, pa uniformë dhe pa armë.
Kur e dorëzojnë testin maturantët duhet të nënshkruajnë për dorëzimin e tij në listën që disponon administratori i provimit. Për ata që që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, bëhet e ditur se nuk do të mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë. Nëse maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ai ka të drejtë të informojë administratroin e provimit. Po sipas rregullores, kandidati, i cili paraqitet në qendrën e provimit, ose konstatohet gjatë provimit me celular përjashtohet nga ai provim, por ka të drejtë ta japë atë në sesionin pasardhës.
Në korrigjimin e provimeve të Maturës 2023 do të përfshihen mësuesit që:
- Kanë arsimin e lartë përkatës.
- Kanë jo më pak se 5 vjet përvojë pune në mësimdhënie në një institucion të arsimit të mesëm të lartë në lëndën përkatëse (preferohen mësuesit me mbi 10 vjet përvojë pune).
- Janë vlerësuar për rezultate të larta në mësimdhënie.
- Janë vlerësuar me të paktën “Mirë” dhe “Shumë mirë” në kualifikimin e fundit të mësuesve;
- Janë certifikuar si vlerësues.
- Nuk kanë konflikt interesi.
- Janë treguar të saktë dhe të përpiktë në vlerësimet e mëparshme të provimeve të Maturës.
Forma e provimeve dhe kriteri i kalueshmërisë
- Provimet e Maturës zhvillohen me shkrim. Maturanti apo kandidati që ka mbaruar shkollën e mesme në vitet e shkuara do të konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25 për qind të pikëve të testit.
Përgatitja e testeve të Maturës
- Qendra e Shërbimeve të Arsimit ngre grupet lëndore për hartimin e fondit të pyetjeve sipas kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi dhe rregullores së brendshme të institucionit. Anëtarët e grupeve lëndore në kontratën që nënshkruajnë me këtë qendër marrin përsipër të ruajnë sekretin e hartimit të fondit të pyetjeve dhe të mos jenë në konflikt interesi, sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi. Fondi i pyetjeve është jo më i vogël se dhjetëfishi i pyetjeve që do të përmbajë testi përkatës.
- Fondi i pyetjeve për provimin e teorisë profesionale të integruar, për Maturën Shtetërore Profesionale të përgatitet me 4 teste alternative për drejtimet/profilet dhe të përzgjidhet vetëm një test për provim.
- QSHA-ja ngre grupet e punës, për hartimin e testeve të Maturës Shtetërore dhe Maturës Shtetërore Profesionale, sipas kualifikimeve profesionale të cilat miratohen me udhëzim të posaçëm.
- Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve përfundimtare të provimeve të Maturës, të bëhet përmes teknologjisë digjitale, nga përzgjedhësi i testit përfundimtar të caktuar me urdhër të QSHA-së. Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve të bëhet në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit brenda ambienteve të izoluara në ambientet e kësaj qendre. Të drejtën e përzgjedhjes dhe hartimit të testit përfundimtar të provimeve të Maturës (sesioni i parë dhe i dytë) e kanë vetëm specialistët e autorizuar për këtë proces. Specialistët e QSHA-së në periudhën e hartimit të testeve nuk kanë të drejtë të përzgjedhin, sugjerojnë, ndryshojnë testet e provimeve të maturës të hartuar nga përzgjedhësi i testit përfundimtar. Pas hartimit të testeve përfundimtare kryhet shumëfishimi dhe paketimi i testeve të maturës nga punonjësit e caktuar me urdhër të QSHA-së.
E drejta për dhënien e provimeve të Maturës
- Provimet e Maturës i jep maturanti/kandidati që ka përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme dhe shkollës së mesme profesionale dhe ka plotësuar formularin A1/A1Z.
- Kandidatët, të cilët kanë marrë dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për ndjekjen e studimeve në institucionet e arsimit të lartë, t’u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje ose provimet e njëvlershme me to, të njehsuara nga zyra vendore e arsimit parauniversitar. Këta kandidatë, në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin një provim me zgjedhje kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.
- Çdo maturant që rezulton kalues në provimet e detyruara dhe provimiet me zgjedhje, pajiset me diplomë.
- Çdo maturant i arsimit të mesëm të lartë profesional, që rezulton kalues në provimet e detyruara, pajiset me diplomë të Maturës Shtetërore Profesionale. Diploma e Maturës Shtetërore dhe Maturës Shtetërore Profesionale lëshohet vetëm një herë.
- Kandidatët, që në Maturat Shtetërore 2012– 2019, rezultojnë kalues në një prej provimeve me zgjedhje, dhe nuk janë pajisur me diplomën e maturës/certifikatën, duhet të pajisen me to.
- Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por nuk janë pajisur me dëftesë pjekurie/diplomë, nuk e japin gjuhën e huaj si provim të detyruar. Pasi rezultojnë kalues në provimet e Maturës, marrin diplomën dhe certifikatën e Maturës Shtetërore.
- Maturanti/kandidati, nëse nuk rezulton kalues në sesionin e parë të Maturës, në sesionet e ardhshme jep vetëm provimin/et e detyruara dhe me zgjedhje, në të cilat ka mbetur.
E drejta për dhënien e provimeve për maturantët e viteve të shkuara:
- Kandidatët nuk lejohen të rijapin provimet e Maturës, të detyruara dhe me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme, rezultatet janë jo më të ulëta se 4.50.
- Në maturat para vitit kur po aplikohet Matura Shtetërore, në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë/lëndët në provimet me zgjedhje, i njihet vetëm rezultati i vitit të fundit.