Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Mbi dokumentarin për Shaban Muratin
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > opinion > Mbi dokumentarin për Shaban Muratin
opinion

Mbi dokumentarin për Shaban Muratin

Published: January 8, 2026
Shpërndaje

Nga Dr. Jorgji Kote

Ka gati një vit që dy vajzave dhe djalit, të afërmve, miqve, kolegëve dhe  shokëve të “bukës së vjetër” na mungon pena, mendja dhe shoqëria e fisshme e Ambasadorit  Shaban Murati. Mungesa e tij ndihet edhe në median tonë, sidomos në faqet e prestigjiozes DITA, ku ai kontriboi për vite me analizat e tij brilante.

Dhe si për ta kompensuar sado pak këtë mall dhe mungesë, më 11 Dhjetor 2025, u shfaq në Tiranë dokumentari « Shaban Murati – diplomati anti-tabu ». Nismë e Fondacionit Çamëria « Hoxha Tahsin» në shenjë nderimi për mikun dhe bashkëpunëtorin e tij të  ngushtë, Ambasadorin  e ndjerë Shaban Murati.

- Publicitet -

Natyrshëm, itinerari retrospektiv i dokumentarit fillon në Durrës, ku Shabani lindi, u rrit dhe mori edukatën e parë, i ushqyer me dashurinë për letërsinë dhe poezinë; ai zell dhe pasion e shoqëruan atë gjatë studimeve në Fakultetin e Gjuhë – Letërsisë në Tiranë, ku ishte shok klase me figura të njohura dhe personalitete të poezisë sonë. Mirëpo, për shkak të rrethanave të kohës dhe kufizimeve të njohura, ai e la në mes ëndrën e tij letrare dhe poetike, ama vetëm si zanat, por jo si pasion.

Më tej, Shabani tregon me natyrshmërinë e tij se për dëshirën dhe kurreshtjen për politikën e jashtme i ishte mirënjohës të jatit, mbasi ai e merrte sipër në katin e dytë të shtëpisë dhe aty dëgjonin të rejat nga bota. Ndërkohë, edhe fati e desh që ai t’i përkushtohej me shpirt dhe zemër për mbi 5 dekada gazetarisë, diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Në fakt, ekipi realizues i këtij dokumentari  nuk e ka patur dhe aq të vështirë për të përshkruar dhe paraqitur realisht veprimtarinë e tij në këtë fushë. Kjo edhe falë karrierës së gjatë dhe të spikatur të Shaban Muratit, të cilën e filloi si gazetar te Sektori i Jashtëm i Radio Tirana dhe më vonë si Shef i Redaksisë së Jashtme te Gazeta « Zëri i Popullit » Megjithë karakterin e tyre politizues dhe propagandistik, Shaban Murati  pohon  se atje ai përfitoi shumë nga  literatura dhe shtypi i huaj që u binte në dorë, mbasi u zgjeronte horizontin politik në këtë fushë me shumë kufizime të njohura ideologjike.

Me këtë bagazh dhe avantazh të pasur si gazetar i fushës, në fillimin të vitit 1991 Shabani filloi karrierën e tij të suksesshme diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Këtu ai spikati me  mandatin e parë si  Ambasadori i parë  i vendit tonë në Shkup në vitin 1992. Falë rëndësisë së çështjes shqiptare në Maqedoni në atë periudhë historike, siç e pohon edhe vetë në dokumentar, Ambasadori i Shqipërisë ishte më i rëndësishmi pas amerikanit.

Pas kthimit nga Shkupi vijon në MPJ, si drejtor i Drejtorisë së sapoçelur të Prognozës dhe Analizes Diplomatike.

Në fillimin e viteve 2000 u emërua Ambasador rezident në Stokholm dhe jo rezident në Norvegji, Finlandë dhe në Islandë. Pas kthimit nga Stokholmi, e caktuan Drejtor të Akademisë Diplomatike në Ministrinë tonë të Jashtme.  Ndërsa në muajin Janar 2014,  ai u emërua Këshilltar Special i Ministrit të Jashtëm për Çështjet Rajonale.

Gjatë dokumentarit del qartë se kjo përvojë e pasur, kultura dhe etika e lartë diplomatike që përfitoi dhe që siç e pohojnë disa kolegë të huaj ai i përdorte me finesë dhe me mjeshtëri në komunikimet me ta i krijoi atij mundësi të shumta  për të pasuruar më tej edhe publicistikën e tij me shkrime dhe botime të shumta. Me një katalog të gjerë të tematikave më të nxehta gjeopolitike kombëtare, Euro-Atlantike dhe sidomos ato ballkanike që ishin në krye të axhendës nordike. Ca më tepër se në Stokhom ishte kryeministri dhe kryediplomati Car Bildt, i vlerësuar ndërkombëtarisht si një ndër ballkanistët më të shquar, Ministrja e Jashtme e ndjerë Ana Lindt dhe personalitete të tjerë me të cilët ai kishte kontakte pune.

Në dokumentar, kjo periudhë e gjatë plot sfida dhe arritje tregohet  nga shumë bashkëkohas, dëshmitarë, gazetarë, diplomatë dhe politologë vendas dhe të huaj.

Ajo që bie në sy është se të ftuarit dhe folësit ndalen me aq sa e lejon vendi në aspekte të veçanta, konkrete dhe të spikatura të Shabanit. Duke filluar nga bashkëpunëtorja e tij e kahhershme, gazetarja e njohur Diana Toska e BCC-së në Shkup, kur ajo tregon për rolin e madh të Ambasadorit në forcimin e kohezionit politik dhe social të shqiptarëve, dëgjimin më të mirë të zërit të tyre, etj. Ndërsa në Stokholm, ish Drejtori i Protokollit në MPJ-në suedeze dhe i Ngarkuari me Punë i Suedisë në Tiranë në vitet 2005 – 2007 tregojnë me fakte domethënëse mbresat e tyre të pashlyeshme për ndihmesën e spikatur të Ambasadorit të ndjerë. Me po këto tone pozitive dhe respekt flasin edhe Ambasadori ynë më i ri në Bratislavë Arten Hanku dhe  diplomatë të tjerë shqiptarë. Kësisoj, me idetë, shembujt dhe personazhet e përzgjedhura me kujdes edhe jashtë vendit, ky dokumentar merr format ndërkombëtar; ai bëhet më bindës, duke shmangur  monotoninë që haset në dokumentarë të tjerë të këtij lloji.

Në këto intervista, si edhe në rastin e fakteve dhe shënimeve të tij të shumta të mbajtura me dorë që i tregon i biri, gazetari i njohur Erl Murati, shfaqen vlerat dhe cilësitë e Shabanit si diplomat/ambasador,  që bën diferencën me të tjerët.

Aty spikatin patriotizmi, pasioni dhe vendosmëria e tij për të mbrojtur me çdo kusht çështjen tonë kombëtare, sidomos atë të Kosovës, denoncimin e tezave për ndryshimin e kufijve, nismën ” Ballkan i Hapur” që siç shprehej ” ka lindur e vdekur”  Çështjen e Detit qysh në vitin 2009 dhe deri tani vonë, kur ai ishte në rradhët e para të  frontit të bashkuar publik dhe intelektual kundër Marrëveshjes së shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, Shaban Murati është shquar  për qëndrimet e forta dhe të drejta ndaj çështjes Çame, rëndësinë e saj kombëtare që do mbajtur përherë në axhendën tonë diplomatike, pavarësisht koniunkturave të ndryshme gjeopolitike.

Nuk besoj se ka autor dhe analist tjetër diplomat që të ketë trajtuar në karrierën diplomatike dhe në botimet e tij prestigjioze të gjitha tematikat e nxehta të Ballkanit Perendimor dhe për secilin vend të rajonit si Shaban Murati. Dhe duke iu rikthyer atyre temave, të ndërlidhura pazgjidhshmërisht me aspektet madhore të integrimit Euro-Atlantik, ama nën këndvështrimin Realpolitik dhe jo thjesht ” dëshirë e mirë”!

Në vijim, dokumentari tregon me shumë dëshmi dhe pamje konsensusin  e gjerë diplomatik dhe publik se Shaban Murati ka shkëlqyer në fushën e analizave të gjithanshme për marrëdhëniet ndërkombëtare; jo vetëm për prodhimtarinë, me qindra shkrime dhe mbi 20 libra cilësorë, por mbi të gjitha për aktualitetin përvëlues  dhe cilësinë e analizave, kurajën dhe kulturën e të shkruarit: vlerë e shtuar e këtyre analizave janë edhe  rekomandimet e shumta praktike për procesin vendimmarrës. Siç e ka thënë një publicist i njohur “gjithë korpusi i tij është manual, ku Shaban Murati i tregon qeverisë të çarat, ku mund të depërtojë për interesin kombëtar…”.

Mirëpo, Analiza është jetike për një diplomaci të suksesshme; ajo përbën “shtratin”, “pararojën”, “konsulenten dhe oponenten” e çdo veprimi të saj. Megjithatë, jo çdo diplomat mund të jetë edhe një analist i mirë. Madje ka diplomatë të mirë, të zotë, por që nuk shkëlqejnë apo ca më keq, “nuk ia thonë” në fushën e analizës së mirëfilltë. Përvoja tregon se që të jesh analist i mirë  diplomatik, kjo kërkon edhe interes dhe kureshtje intelektuale për të ndjekur e skeduar sistematikisht ngjarjet e ndryshme, për të reflektuar, për t’i ballafaquar e për të nxjerrë konkluzione prej tyre, në përgjithësi e në veçanti për vendin tënd.

Gjithashtu analistët kanë aftësi të veçanta për të reflektuar, për të folur e sidomos për të shkruar e shprehur publikisht. Kjo e fundit kërkon dhunti, por dhe përgatitje të veçantë në shumë fusha dhe disiplina. Pikërisht këto cilësi të përkryera si rrallëkush tjetër i kishte kryeanalisti, ose « Fenomeni Shaban Murati » siç e quaj te « Diplomacia për të gjithë ( 2014)

Siç del qartë edhe në mesazhet e dokumentarit, ajo çka dallon shkrimet dhe botimet  e  Shaban Muratit janë vijimësia,  përgjegjësia e lartë me vlera institucionale; katalogu i larmishëm dhe gjeografia planetare e tematikës që ai trajton; shtjellimi i problemeve në tërësinë e tyre; referimi në të kaluarën, ballafaqimi me të sotmen dhe mbi këtë bazë parashikimi i saktë i të ardhmes; analiza e aktorëve dhe faktorëve politikë, me ato ekonomikë, kulturorë e publikë; moderacioni (maturia) dhe shqetësimi qytetar, por kur e kërkon puna edhe “jo”-ja e hapur dhe apeli për të riparuar apo ndryshuar taktikat dhe strategjitë përkatëse në politikat e jashtme; së fundi, gjuha e thjeshtë, por e pasur dhe stili plot larmi që i bën tërheqëse sidomos për publikun e gjerë.  Por, mbi të gjitha pa asnjë paragjykim dhe tabu; madje, «  antitabuve » ai i kushtoi tre libra vitet  fundit. Ndaj dhe titulli i dokumentarit tingëllon i vërtetë dhe i natyrshëm për Shaban Muratin.

Gjithashtu, ashtu siç e them edhe në prononcimin e shkurtër në këtë dokumentar,  Shaban Murati nuk bënte diplomaci  për konvejencë, as për konvergjence me të tjerët, ca më pak « për t’u bërë fresk » me vend dhe pa vend qeveritarëve; jo, ai ishte diplomat i koherencës dhe konseguencës, me « vija të kuqe, » jashtë të cilave ai nuk bënte kompromis, madje ishte i pamëshirshëm me ” artilerinë e tij të rëndë » siç ishin prononcimet dhe analizat e tij. Këto të fundit shkaktonin panik dhe tronditnin edhe kancelari në ndonjë vend fqinj, sepse ato analiza  i ”shkelnin në kallo”. Pavarësisht nga çmimi që iu desh të paguante për këto qëndrime parimore, patriotike ai kurrë nuk pranoi të bëhej puthador me askënd.

Nisur nga sa më sipër, në Korrik 2012 Presidenti Bamir Topi, i cili u prononcua me vlerësimet më të larta edhe në dokumentar e shpalli Shabanin  “Mjeshtër i Madh”, ndërsa Shoqata e Gazetarëve i dha çmimin “Gazetari analist më i mirë i vitit”.

Ja pse, diplomatë dhe ambasadorë të këtij rangu, të cilët bota i mban «  në pëllëmbë të dorës » e meritojnë një dedikim dhe homazh të tillë si ky film  dokumentar.  Vetëm jo si ” qokë” as thjesht për mall dhe nostalgji, por si një dedikim i ndjerë, edukativ, plot informacion të vlefshëm, që përjetëson këtë figurë të shquar të diplomacisë sonë të 40 viteve të fundit, pikë madhore reference për politologët, diplomatët dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos më të rinjtë.

Me mesazhet e  tij, ky dokumentar përbën dhe një kujtesë dhe apel për një kujdes dhe vëmendje  më të madhe nga Ministria jonë e Jashtme. Është momenti që ajo të vlerësojë më shumë faktin se në 35 vitet e fundit  te ne është krijuar një shkollë, përvojë dhe trupë e kualifikuar diplomatike, madje e formatit ndërkombëtar, me diplomatë dhe ambasadorë dy dhe shumëpalësh, me disa mandate jashtë vendit, që kanë patur poste të larta drejtuese në Ministri, Këshilltarë presidencialë dhe në organizatat ndërkombëtare ku ne bëjmë pjesë.

Ndaj, mbledhja, vlerësimi, përhapja dhe shfrytëzimi i kësaj përvoje, ku Shaban Murati « ha bukë veç » duhet të jetë pjesë përbërse e punës së  diplomacisë sonë. Duke filluar nga prania, përgjithësisht e munguar, e drejtuesve të MEPJ-së në promovimet e botimeve dinjitoze të ish ambasadorëve dhe diplomatëve tanë të njohur; madje, fillimisht këto promovime duhet të fillojnë pikërisht në selinë e MEPJ-së. Këtu, pa shkuar larg, ajo mund të mësojë nga homologët e saj në Prishtinë, në Shkup, në Podgoricë, në Zagreb  dhe gjetkë ku janë promovuar me jehonë edhe botimet e Shaban Muratit. Gjithashtu, kërkohet njohja dhe vlerësimi i i duhur për kontributin e tyre në radhë të parë sa janë gjallë, por edhe pas shuarjes së tyre.

Këtë mungesë të dhimbëshme Shabani e ka treguar publikisht me një ndodhi në Gran Canaria, ku ai festonte 65 Vjetorin e lindjes; si dhuratë nga e bija e tij, Arba, Zonjë e nderuar, eksperte e proceseve demokratike dhe zgjedhore në Bruksel e gjetkë. Ai u habit kur të nesërmen e mbërritjes i sollën në dhomë një shampanjë, tortë me kartolinën e urimit; befasim i këndshëm kur i thanë se dhuratat ishin nga Drejtorja e Hotelit, e cila ia kishte parë ditëlindjen në pasaportë. I mrekulluar, autori pohon se këtë kënaqësi si klient nuk e kishte patur në Tiranë, ndonëse kishte qenë Drejtor dhe Ambasador!

Në përfundim, Fondacioni Çamëria « Hoxha Tahsin» dhe veçanërisht Presidenti i tij, Alket Veliu meritojnë vlerësimet më të mira për nismën dhe mbështetjen praktike  për realizimin e këtij dokumentari elitar me parametra tejet cilësorë, dhe në përgjithësi për kujdesin e veçantë që ky Fondacion ka treguar vazhdimisht për promovimin e botimeve të Ambasadorit të ndjerë Shaban Murati.

Natyrisht që fjalë të mira  dhe përgëzime meriton grupi  realizues i dokumentarit, duke filluar  nga drejtorja e filmit, Lorina Pepo deri te montazhieri Gjergji Pano.

Mbi bazën e një informacioni të gjerë dhe të larmishëm, skenaristi, gazetari ynë i mirënjohur, Ben Andoni ka qëmtuar pjesët më domethënëse të jetës së protagonistit tonë  në të gjitha kohët dhe dimensionet; ai i ka paraqitur ato me shumë ndjenjë, etikë dhe vërtetësi, në një kombinim tejet të natyrshëm të gjitha aspekteve jetike. I ndihmuar nga Redaktorja e apasionuar, Valentina Hysi, gazetare me përvojë edhe në  redaktime dhe skenarë të tillë prestigjiozë. Veterani i RTSH-së,  Xhemal Reçi, me kameran e tij perfekte dhe me pasionin që e ka karakterizuar gjatë karrierës së tij të gjatë në televizionin tonë na ka dhuruar pamje të kapura pastër, nga perspektiva të ndryshme dhe tërheqëse, të cilat na mbërthejnë me ndjenja dhe emocione të veçanta; kamera e Reçit na shoqëron mes emocionesh të mëdha nga shtëpia e Shabanit në Durrës, pastaj në Tiranë, në udhëtimet dhe shërbimet e  punës, deri në shuarjen e tij më 14 Shkurt 2025 dhe përcjellja në banesën e fundit, për t’u bashkuar me Dashurinë, shoqen dhe dashurinë e tij të jetës. Të gjitha këto me rrëfimin profesionist të Genc Ymeraj.

Padyshim që meritën kryesore e ka  Rregjizori, Ylli Pepo, ikonë e Radio Televizionit dhe filmit Shqiptar ndër dekada, Artist i Merituar, i shquar për begatinë e dokumentarëve televizive tejet edukativë në 5 dekadat e fundit. Pepo nuk do t’ia dijë për moshën dhe vazhdon të ndjekë jetën me zhvilimet e saj me po ato energji të kohës së rinisë; edhe tani edhe me pjekurinë, qetësinë, modestinë dhe përvojën e admirueshme në këtë zhanër; me nderim për ndihmesën e vyer të bashkëkohasve të vet, por jo vetëm.

Ajo që të bën përshtypje nga sa e pashë  në Tiranë në takimin me ta  është se   realizuesit e dokumentarit përbëjnë një ekip solid, ku veç përgjegjësisë dhe rolit të secilit në fushën e vet, të gjithë e njihnin edhe nga afër, e nderonin dhe respektonin Shabanin, si familjar, si shok, si mik, si diplomat, si koleg, si qytetar brilant dhe njeri fisnik.

Këtë e shprehu me pak fjalë por me shumë admirim  Ylli Pepo kur gjatë promovimit të dokumentarit u shpreh se «  Shaban Murati ka thënë gjithçka për popullin dhe vendin, duke skalitur testamentin e tij të përjetshëm të kombit » Nuk besoj se ka mbyllje më të bukur dhe domethënëse se kjo për Ambasadorin tonë të ndjerë, Shaban Murati.

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Valë ekstreme i nxehti në Europë, alarm në 53 zona të Francës, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40°C
  • Pavarësisht epërsisë numerike, Turqia humbi ndaj Paraguajit dhe u eliminua nga Botërori
  • Brazili gjen fitoren falë Cunhas dhe Vinicius, Haiti skuadra e parë e eliminuar nga Botërori
  • Shërbimet sekrete amerikane: Izraeli po përpiqet të sabotojë marrëveshjen SHBA-Iran
  • “Nuk e dua as si fanse”, përplasje mes Trump dhe Melonit, kryeministrja italiane i përgjigjet ashpër

Komentet e Fundit

  1. Kafshën time ma Përgojoni on Leksione morali me Aruba në sfond
  2. Anonymous on Ditë-Nata e Edit dhe këshilla e Arta Dades për gjermanishten
  3. Deda on Ditë-Nata e Edit dhe këshilla e Arta Dades për gjermanishten
  4. Leka on “Nuk e dua as si fanse”, përplasje mes Trump dhe Melonit, kryeministrja italiane i përgjigjet ashpër
  5. FAZLLIQ-qires i familjes Berisha on Ditë-Nata e Edit dhe këshilla e Arta Dades për gjermanishten

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?