Dr.Adem Harxhi
Për këtë javë, do t’u përgjigjem këtyre dy pyetjeve, dërguar nga lexuesve vajza, e para 20 dhe e dyta 21 vjeçe.
1-Në çfarë moshe duhet të nisë përdorimi i antikonceptivëve dhe a është i dëmshëm përdorimi i tyre për një kohë të gjatë?
2-Është 100% e sigurt që, gjatë kohës kur merr antikonceptivët oralë, nuk rrezikon të kesh shtatzëni të padëshiruar?
Këto janë dy pyetje shumë të rëndësishme lidhur me përdorimin e kontraceptivëve oralë, por duke qenë se problemet që lidhen me këto lëndë janë të shumtë, mendova ta trajtoj problemin pak më gjerë. Në këtë trajtim do të gjeni dhe përgjigjen e qartë për dy pyetjet e mësipërme.
Pilulat kontraceptive janë forma më e përdorur dhe më efektive e kontracepsionit. Veprimi i tyre është i rikthyeshëm, që do të thotë se me ndërprerjen e marrjes së pilulave, aftësia fertilizuese e gruas bëhet siç ka qenë edhe më parë. Në shumicën e vendeve të përparuara të botës, pilulat për kontrollin e lindjes, janë forma më popullore e kontracepsionit për gratë e moshës 15 deri 45 vjeç.
Pilulat për kontrollin e lindjes, përmbajnë doza të vogla të hormoneve femërore sintetike. Ato, zakonisht, përbëhen nga kombinimi i estrogjenit me progestinën, ose progesteronin sintetik.
Përdorimi i tyre u aprovua për herë të parë në vitin 1960. Dalja e tyre ishte një ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme. Me daljen e tyre, filloi një nga revolucionet më të shquara në histori- Revolucioni Seksual. Ky revolucion, filloi me qëllimin e mirë që t’i jepte fund dopio standardit seksual dhe, nga kjo pikëpamje, ai ishte i domosdoshëm. Por, mënyra se si u mundua ta zgjidhte problemin ky revolucion, rezultoi të ishte me shumë gabime. Në vend që t’u thoshte burrave të ngjiten lart në nivelin e grave të ndershme, të virtytshme dhe të përkushtuara, ai u tha grave të shkojnë poshtë dhe të bëjnë ashtu siç bënin burrat. Të ishin të pavirtytshme e të përfshiheshin në marrëdhënie të shumta seksuale. Ai zëvendësoi një dopio standard me një tjetër, po ashtu, diskriminues për gratë.
Tema e revolucionit seksual të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, është një temë e gjerë, që nuk mund të trajtohet në këto shënime. Le ta lemë për një herë tjetër.
Tani le të kthehemi tek pilulat kontraceptive orale.
Pilulat e parandalojnë shtatzëninë e padëshiruar nëpërmjet këtyre tre veprimeve:
1-Duke penguar ovulacionin (lëshimin mujor të vezës nga ovari).
2-Duke penguar prodhimin e hormoneve që ndihmojnë uterusin të përgatitet për të pritur vezën e fertilizuar dhe të fillojë shtatzënia.
3- Duke shkaktuar trashjen e mukusit cervikal. Kjo ua vështirëson spermatozoideve kalimin për në traktin e sipërm gjenital, ku ndodhet veza, që mund të jetë lëshuar nga ovari dhe që pret spermatozoidin të ngjizet. Pra, e bëjnë mukusin e qafës së mitrës një ambient jo miqësor për spermatozoidin.
Duke vepruar në këtë mënyrë, pilulat e “gënjejnë “ organizmin e gruas. Organizmi sillet sikur gruaja, tashmë, është shtatzënë dhe e paaftë të fertilizohet.
Që pilulat antikonceptive të funksionojnë me efektivitet, gruaja duhet të kujtohet që t’i marrë pilulat çdo ditë në të njëjtën orë. Kur pilulat përdoren në mënyrë korrekte, ato janë 99% efektive. Kur përdoren jo siç duhet, përqindja e efektivitetit bije. Efektiviteti i pilulave bie edhe më shumë, kur gruaja merr edhe barna të tjera, siç janë disa antibiotikë.
Pas ndërprerjes së pilulave, gruaja, mund të ngelet shtatzënë brenda pak muajve. Për disa gra, duhen vetëm dy javë pas ndërprerjes së pilulave, që gruaja të fillojë të lëshojë vezët përsëri. Kthimi i gruas në fertile, mund të marrë edhe më shumë kohë, por shumica e grave, ngelen shtatzëna brenda një deri tre muajve pas ndërprerjes së pilulave. Kjo periudhë kohore, ndryshon në varësi të disa faktorëve, siç janë mosha dhe shëndeti gjinekologjik i gruas.
Ka tipa të ndryshme pilulash për kontrollin e lindjes. Ato përshkruhen nga mjeku dhe kanë udhëzime të sakta të shkruara në paketë. Pilulat mund t’i përdorë çdo vajzë dhe grua fizikisht e shëndoshë, që kryen marrëdhënie seksuale dhe dëshiron të parandalojë një shtatzëni të padëshiruar.
Nuk ka moshë të caktuar se kur vajza duhet të fillojë të marrë pilula dhe, siç do ta shikojmë edhe më poshtë, ato mund të merren për aq vite sa gruaja nuk dëshiron të mbetet shtatzënë.
Kontraceptivët oralë, janë barnat që janë studiuar më mirë nga të gjitha barnat e tjera, në të gjithë historinë e prodhimeve farmaceutike. Studimet kanë konkluduar se piluat antikonceptive janë të sigurta për shumicën e grave. Siguria e kontraceptivëve oralë varet nga vlerësimi dhe seleksionimi i kujdesshëm që doktorët u bëjnë grave, që do t’i përdorin këto barna.
Fiksojeni në kujtesën tuaj këtë konkluzion shkencor:
Për shumicën e grave të shëndetshme dhe që nuk tymosin duhan, përdorimi për kohë të gjatë i kontraceptivëve oralë, nuk ka efekte negative. Përdorimi i tyre është një mënyrë efektive e kontrollit të lindjes dhe ato janë të sigurta të përdoren gjatë gjithë periudhës riprodhuese të jetës së gruas. Por disa gra, siç janë ato që tymosin duhan, mund të jenë në rrezik dhe nuk janë kandidate të mira për të përdorur kontraceptivët oralë.
Cilat gra duhet të shqetësohen për përdorimin e pilulave të kontrollit të lindjes?
Gratë duhet të diskutojnë përdorimin e pilulave kontraceptive me mjekun. Ai duhet të vendosë nëse përdorimi i tyre është i sigurt për to. Gratë që vuajnë nga sëmundjet e mëposhtme, nuk duhet të përdorin pilulat kontraceptive :
Sëmundjet e thyroides;
Kanceri i gjirit, i qafës së mitrës dhe mëlçisë (në historinë mjekësore personale ose familjare të gruas);
Trombozat e thella venoze ose çdo çrregullim tjetër me koagulimin e gjakut;
Histori me goditje në tru;
Depresioni;
Migrena dhe dhimbjet e kokës;
Disa gjendje të zemrës (sëmundja koronare e zemrës dhe insuficienca kardiake);
Insuficienca renale;
Hepatiti;
Hemorragjitë terine;
Endometrioza;
Fibroza uterine;
Përdorimi i pilulave për kontrollin e lindjes është gjithashtu një shqetësim për gratë me këto gjendje:
Histori familjare për sëmundje të zemrës;
Tensioni i gjakut;
Niveli i lartë i kolesterolit;
Diabeti;
Sëmundje jo kanceroze e gjirit (gjinjtë fibrocistikë) ;
Sëmundje të tëmthit dhe gurët në tëmth;
Sëmundje të mëlçisë;
Epilepsia;
Lupusi;
Anemia;
Chorea gravidarum (një gjendje që shkakton lëvizje kaotike gjatë shtatzënisë).
Gratë duhet të flasin me doktorin, përpara se të marrin pilulat për kontrollin e lindjes, kur kanë fëmijë në gji dhe kur tymosin duhan.
Nuk ka nevojë për të “bërë pushim” gjatë marrjes së kontraceptivëve oralë. Me fjalë të tjera, nuk është e domosdoshme nga ana mjekësore, ndërprerja e tyre. Madje, në qoftë se ndalimi i kontraceptivëve oralë, e rrezikon gruan për shtatzëni të padëshiruar, kjo ndërprerje nuk këshillohet.
Duhet të dihet, gjithashtu, se kontraceptivët oralë nuk kanë efekte të dëmshme për fertilitetin e ardhëm të gruas. Ato nuk i hapin rrugën dhe as e shpejtojnë menopauzën. Shumica e grave ovulojnë disa javë pasi ndërpresin kontraceptivët oralë. Vetëm tek 3% e grave që kanë përdorur kontraceptivë, fertiliteti kthehet më me vonesë.
Gratë që përdorin kontraceptivë oralë e pakësojnë në 40% rrezikun për kancerin e endometriumit dhe kancerin e ovarit. Gratë që kanë përdorur kontraceptivë oralë për 10 vjet, ose më shumë, e kanë ulur këtë rrezik, deri në 80%. Ky efekt mbrojtës i kontraceptivëve oralë, zgjat deri 20 vjet pas ndërprerjes së kontraceptivëve.
Gratë që përdorin kontraceptivët oralë, kanë rrezik të lartë të sëmuren me kancerin e qafës së mitrës, po qe se ekspozohen ndaj virusit që e shkakton këtë kancer (human papilloma virus). Ja pse vajzat e reja, para se të fillojnë jetën seksuale (që në moshën 12 vjeçe), duhet të vaksinohen me gardasil (vaksina kundër HPV) dhe të përdorin kondomet sa herë që bëjnë seks.
Analizat retrospektive të mbi 50 studimeve shkencore, kanë treguar se përdorimi i kontraceptivëve oralë nuk e rrit rrezikun e kancerit të gjirit. Madje, edhe atëherë kur kontraceptivët oralë i kanë përdorur gra me histori familjare për kancer gjiri, rreziku i zhvillimit të kancerit të gjirit nuk është rritur nga përdorimi i kontraceptivit.
Është e vërtetë që, ato gra që janë duke përdorur kontraceptivë oralë, janë pakëz më të prirura të diagnostikohen me kancer gjiri, kur krahasohen me ato që nuk i përdorin. Kjo ndodh ngaqë gratë që përdorin kontraceptivët oralë shkojnë më shpesh për vizitë tek mjeku, ku bëjnë edhe ekzaminimin e gjinjve. Kontraceptivët oralë mund ta stimulojnë zhvillimin e tumorit që ka qenë në gjirin e gruas që para marrjes së pilulave. Shumë specialistë kanë arritur në përfundimin se kontraceptivët oralë kanë pak, ose aspak ndikim, në rrezikun për kancer të gjirit.
Kontraceptivët oralë e rritin rrezikun për goditje në zëmër dhe në tru në gratë e shëndetshme, madje, edhe tek ato që nuk tymosin duhan. Ka një rrezik në rritje për tromboembolitë venoze, midis përdoruesve të kontraceptivëve oralë. Kjo, zakonisht, ndodh për arsye gjenetike. Faktorë të tjerë që rritin rrezikun e gruas për trombe të gjakut, janë obeziteti, imobiliteti fizik i zgjatur dhe problemet e mëparshme venoze. Rreziku i trombeve të gjakut është më i lartë gjatë dy viteve të para të përdorimit të kontraceptivëve oralë dhe ulet duke u rritur koha e përdorimit të tyre.
Si veprojnë pilulat?
Pilulat hyjnë në qarkullimin e gjakut, kalojnë nëpër trup dhe veprojnë në indet dhe organet e trupit, njësoj si estrogjeni dhe progesteroni natyral. Por, hormonet në pilula janë sintetike dhe ato mund të kenë efekte anësore të shumta tek disa gra. Ndër efektet anësore më të shpeshta janë dy: hemorragjia dhe humbja e apetitit. Hemorragjia ndodh, zakonisht, gjatë ciklit të parë dhe të dytë me pilula dhe pas kësaj kalon. Kjo ndodh derisa uterusi të mësohet me nivelin e ri të hormoneve në trup. Në qoftë se hemorragjia nuk ndalon pas disa muajve, gruaja duhet të shkojë tek doktori dhe ai do të thotë nëse duhet ta ndërrojë pilulën në lloj tjetër, ose duhet të ekzaminohet për ndonjë problem tjetër. Hemorragjia nuk do të thotë se pilula nuk vepron si kontraceptiv.
Të përzierat janë një efekt anësor i hershëm i pilulave. Kjo ndodh sepse estrogjeni i pilulës ngacmon mukozën e stomakut. Të përzierat kalojnë brenda tre muajve. Në këtë rast, ndihmon ta marrësh pilulën me ushqim dhe të përdorësh barna antacide për stomakun. Në qoftë se këto shqetësime vazhdojnë, duhet vizitë tek doktori, ose të merret një pilulë tjetër me 20 mikrogram estrogjen.
Dhimbjet e kokës, depresioni, ndryshimet në dëshirën dhe në përgjigjen seksuale, vaginiti dhe sekrecionet vaginale, infeksionet e traktit urinar, ndryshimi i rrjedhjes menstruale, ndryshimet në gjinjtë, problemet me lëkurën, inflamacioni i gingivave të dhëmbëve, agravimi i astmës dhe të sëmuresh shpesh me sëmundje virale, janë të gjitha efekte anësore të pilulave, që nuk duhet ta alarmojnë gruan, por që duhet t’i diskutojë me doktorin.
Çdo problem që zgjat më shumë se dy ose tre cikle, duhet të raportohet menjëherë tek doktori. Simptoma të problemeve serioze janë: dhimbje të forta dhe ënjtje e këmbëve, dhimbje e fortë e kokës, marrje mendsh, dobësi, mpirje, turbullim i pamjes, probleme me të folurën, dhimbje gjoksi, marrje fryme, dhimbje barku. Këto duhet t’i tregohen menjëherë doktorit dhe gruaja të ndalojë, menjëherë, marrjen e pilulave.
Komplikacionet më serioze, që lidhen me marrjen e pilulave për kontrollin e lindjes, janë komplikacionet kardiovaskulare dhe sëmundjet e qarkullimit të gjakut, përfshi dhe trombet e gjakut. Trombet janë, veçanërisht, të rrezikshme, sepse ato kalojnë në largësi dhe vendosen në vende me rëndësi. Në gratë e shëndetshme, estrogjeni dhe progrestina nuk influencojnë shumë në formimin e trombeve.
Sëmundjet kardiovaskulare, përfshi dhe trombet e gjakut, shfaqen më shpesh tek gratë:
Që tymosin duhan;
Që bëjnë jetë sedentare;
Që janë mbi peshë;
Që janë mbi 50 vjeç;
Që janë me tension të lartë;
Që janë diabetike;
Që kanë histori të sëmundjeve të zemrës ose vaskulare;
Që e kanë të lartë nivelin e kolesterolit në gjak.
Sot, ka në shitje pilula të reja që kanë doza më të vogla dhe kanë efekte më të vogla në formimin e trombeve. Ato kanë më pak rreziqe, krahasuar me pilulat e mëparshme, për gratë që nuk kanë asnjë nga faktorët riskantë për sëmundjet kardiovaskulare që rreshtuam më sipër. Po qe se gruaja ka ndonjë nga faktorët që predispozojnë për sëmundje kardiovaskulare, pilulat e kombinuara mund të mos jenë për të. Po qe se nuk ka, rreziku nga këto pilula është shumë i vogël.
Ka disa teste, që e ndihmojnë doktorin të parashikojë se cila grua nuk do të bëjë trombe kur përdor kontracepsionin hormonal, por nuk ekziston asnjë test që të parathotë se kush do të bëjë trombe kur merr pilulat. Si me shumë vendime lidhur me shëndetin, biseda e ndershme me doktorin, lidhur me historinë shëndetësore të gruas, është mënyra më e mirë për të marrë vendime të drejta për përdorimin e pilulave.
Shpresoj t’ju kem ndihmuar dhe paçi fat!
Doktori