Mazhoranca rrëzon kërkesën e PD për mocion me debat për Vlora Hysenin.
Vendimi u mor në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila u mbajt ditën e sotme.
PD kërkoi që Kuvendi të shqyrtonte përgjegjësitë institucionale për emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e Hysenit nga drejtimi i SHISH, si dhe masat e marra për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
Demokratët kërkuan gjithashtu shqyrtimin e procedurave dhe kritereve të ndjekura për përzgjedhjen dhe emërimin e Hysenit, përgjegjësitë e institucioneve të përfshira dhe mekanizmat e kontrollit e llogaridhënies gjatë ushtrimit të detyrës.
Mazhoranca argumentoi se çështja duhet t’u lihet institucioneve të drejtësisë, SPAK-ut dhe gjykatës, për të vijuar procedurat sipas kompetencave të tyre.
PS theksoi se organet e drejtësisë duhet të lejohen të kryejnë punën në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje apo mbivendosje nga institucionet e tjera.
Bardhi deklaroi se disa ditë më parë i ka kërkuar kryeministrit të shpjegojë cili partner ndërkombëtar ka dhënë referencat e shkëlqyera për Vlora Hysenin. Bardhi thotë se Rama duhet të shpjegojë nëse emërimi i Vlora Hysenit u bë mbi bazën e referencave të shërbimit sekret rus apo serb. Në fund, kreu i grupit parlamentar pretendon se komunikimet e Ergys Agasit nuk kanë qenë vetëm me kreun e SHISH por dhe me vetë kryeministrin.
Gazmen Bardhi: Me urdhër direkt të Edi Ramës maxhoranca bllokoi zhvillimin e një debati mbi një nga skandalet më të rënda në 100 vite shtet, ai i kapjes së SHISH nga krimi i organizuar. Ne si opozitë e kemi ngritur prej mëse 2 vitesh shqetësimin se shefja e SHISH ishte emërim personal i kontrolluar tërësisht, për shkak të pushtetit që Edi Rama i kishte dhënë nga një individ privat, koordinatorit të krimit të kryeministrit Ergys Agasi.
Akuzat e opozitës edhe pse me fakte e prova u përqeshën për 2 vite nga Edi Rama dhe e njëjta maxhorancë që sot ndalon debatin në kuvendin e Shqipërisë për këtë cështje. Për grupin parlamentar të PD-së, kapja e SHISH nga krimi i organizuar dhe marrëdhënia e shefes së SHISH me kreun e një grupi të strukturuar kriminal cënon sigurinë kombëtare.
Dua të dënoj bllokimin që i bëri maxhoranca kësaj kërkese për të zhvilluar mocion me debat në kuvend. Është e paimagjinueshme për një republikë parlamentare që Kuvendi të jetë I vetmi institucion që shmanget nga përgjegjësia në raport me sigurinë kombëtare të republikës së Shqipërisë. Një nga aktet më të paprecedenta për një vend demokratik.
Ka kaluar ditë që nga kjo sallë i kam kërkuar kryeministrit të dalë të na shpjegojë cili partner ndërkombëtar ka dhënë referencat e shkëlqyera për Vlora Hysenin. Sepse informacioni që disponon grupi PD nuk përputhet me këtë deklaratë të kryeministrit, përkundrazi referencat kanë qenë për papërshtatshmëri të saj për këtë detyrë të lartë shtetërore, sikundër shërbime partnere kanë patur gjatë gjithë kësaj periudhe shqetësime sa i takon Shërbimit Informativ Shtetërorë, pra pa dalë skandali dhe cështja e hapur nga SPAK.
Kryeministri ka detyrë të dalë të na shpjegojë se nëse referencat e shkëlqyera për Vlora Hysenin i ka dhënë shërbimi sekret serb kjo dyfishon cënimin e sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Nëse referencat e shkëlqyera për Vlora Hysenin i ka dhënë shërbimi sekret rus padiskutim cënon sigurimë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Prandaj transparenca mbi këtë cështje është mekanizmi i duhur që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Edhe pse unë jam i bindur që kryeministri Rama dhe presidenti Bajram Begaj do të përzgjedhin drejtorin e ri të SHISH që do e vënë në shërbim të krimit të organizuar, sepse nuk ishte akt individual i Vlora Hysenit për tu vënë në shërbim të Ergys Agasit. Opinioni publik është skandalizuar nga komunikimet e drejtorit të SHISH me kreun e grupit të strukturuar criminal, por të shohësh komunikimet e Edi Ramës me kreun e grupit të strukturuar kriminal, me të njëjtin individ shastisja kalon në një tjetër nivel.
j.l./ dita
