Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një pritjeje të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në nder të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, tha se Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar.
“Më 28 Nëntor 1912 Kuvendi i përfaqësuesve të kombit shqiptar i mbledhur në Vlorë shpalli një aspiratë që ka mbetur e tillë edhe në ditët tona. Ajo është që Shqipëria “të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Për më se një shekull nga ajo ditë, shqiptarët nuk kanë qenë më vete, të lirë e të mosvarur. Ata janë pushtuar nga shtetet fqinje, më pas nga ushtritë ndërluftuese gjatë Luftërave Botërore e më pas nën regjime që nuk i kanë lënë të jenë më vete, të lirë e të mosvarur”, tha Kurti.
Ai tha se gjenocidi më i fundit ndaj kombit tonë shqiptar u ndërmor në vitet 1998-1999 në Kosovë.
“Republika jonë është shteti i pjesës së kombit shqiptar që jeton në Kosovë dhe i pakicave kombëtare dhe etnike që përbëjnë qytetarinë e saj. Republika përpiqet që të realizojë aspiratën e 28 Nëntorit për të gjithë qytetarët e saj. Republika e Kosovës është më vete, por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar”, tha ai.
Duke folur për raportet mes Shqipërisë e Kosovës ai tha se ato përfshijnë shumë fusha.
“Janë nënshkruar, zbatuar apo po zbatohen, 190 marrëveshje gjithsej ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ato përfshijnë fusha të rëndësishme për jetën e qytetarëve tanë: arsimin, ekonominë, energjinë, infrastrukturën, bujqësinë, shëndetësinë, sigurinë, kulturën, diasporën dhe shumë fusha të tjera”, tha Kurti.
n.s. / dita
