Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili kundërshtoi pezullimin e afateve të paraburgimit. Në ankimin e tij, Meta ka argumentuar se ka qenë i pranishëm në të gjitha seancat gjyqësore dhe se nuk mund të mbajë përgjegjësi për shtyrjet e proceseve, të cilat, sipas tij, kanë ardhur për shkaqe që nuk varen prej tij.
Ish-presidenti ka theksuar se shtyrjet e seancave nuk janë shkaktuar nga veprimet apo mungesat e tij, por janë pasojë e bojkotit të Dhomës së Avokatisë. Meta është shprehur gjithashtu se në çdo rast i ka shprehur gjykatës gatishmërinë për të vijuar procesin dhe për të mbrojtur vetë interesat e tij, edhe pa praninë e një avokati.
Pavarësisht argumenteve të paraqitura nga mbrojtja, Apeli i GJKKO-së ka vendosur të mos e pranojë kërkesën e Metës. Ndërkohë, pritet zbardhja e vendimit të arsyetuar të gjykatës, i cili do të bëjë të ditura argumentet mbi të cilat është mbështetur ky vendim.
Dosja “Meta”
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.
j.l./ dita
