Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: “Murgu” i Manastirit të letërsisë
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > “Murgu” i Manastirit të letërsisë
Kulture

“Murgu” i Manastirit të letërsisë

Published: June 8, 2023
Shpërndaje

Jakov Xoxe sipas Prof. Nasho Jorqaqit, në librin e tij “Koha e Kujtimeve”

 

Duke u afruar në kohë, Jakov Xoxa do të bënte lidhjen mes brezit të vjetër dhe brezit tim letrat. Ai i takonte letrarëve të ardhur nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe të frymëzuar e të brumosur me idealet për një shoqëri të re. Me Jakovin do të më bashkonte jo vetëm Myzeqeja dhe deri diku afria e moshës, përpjekjet për një letërsi me frymë ndryshe nga ajo e traditës, por dhe një miqësi e pastër dhe e sinqertë.

- Publicitet -

 

Nuk e di, por, kur kujtoj Jakov Xoxën, mendja sepse më shkon në rininë time shumë të hershme. Ishte koha, kur sapo kish filluar të më zgjohej interesi për letërsinë, apo më saktë për librat. Atëherë unë jetoja në Fier dhe qenë vitet e para të pas Çlirimit. Qyteti i ynë, aso kohe relativisht i vogël, me 5-6 mijë banorë, megjithëse i sapodalë nga Lufta, plot plagë e vraga të prapambetjes e të padijes, bënte një jetë të gjallë. Edhe pse kish varfëri e halle plot, njerëzve nuk u mungonte entuziazmi. Ata ëndërronin e përpiqeshin për të ndërtuar një shoqëri tjetër. Ndryshimet që po ndodhnin, unë e shokët e mi i shikonim dhe i përjetonim gjithë gëzim. Kështu, u hap e para shkollë qytetëse, u ngrit biblioteka e parë publike, raftet e librarisë u mbushën me libra të rinj, filluan të organizohen herë-herë koncerte dhe shfaqje teatrore. Nga Tirana vinin rregullisht gazeta dhe revista. Gjithë kjo që po ndodhte, nuk kish si të mos na mbushte me shpresa ne adoleshentëve të etur e të dëshiruar për dije e kulturë. Dhe do të qemë ne të parët, që jo vetëm do të shkonim me gëzim në shkollë, por do të frekuentonim edhe bibliotekën e libraritë e vogla të qytetit. Në këto vende ne kishim gjetur shokë të mrekullueshëm, të mençur e të dashur, siç qenë librat. Po më shumë se librat e shkollës, do të ishin librat e tjerë, veprat letrare që na kishin bërë për vete. Mendjes dhe zemrës sonë të re u flisnin aq bukur tani librat me poezi dhe ato në prozë. Dhe pyetja që na mundonte do te qe për ata që i shkruanin këto libra. Ç’ishin këta magjistarë, që me ato që shkruanin na ndiznin fantazinë e na nxisnin kureshtjen, për me tepër, na zgjonin emocione te fuqishme? Për herë të parë asokohe do ta mësoia edhe emrin shkrimtar e me naivitet do te pyesja: ku gjendeshin këta dhe a kish ndonjë të tillë në qytetin tonë?

Dhe unë me një nga shokët e mi të ngushtë, u vumë në kërkim. Rastësisht na kish rënë në dorë një libërth me vjersha dhe skica letrare me titull “Xixëllonja” dhe s’di se kush na kish thënë se autori i tij, Hysen Emiri, ishte nga qyteti ynë. Ç’është e vërteta, libri qe botuar para Çlirimit dhe kjo s’para na pëlqente, sikundër dhe fakti që emrin e këtij autori nuk e kishim ndeshur në shtypin e kohës. Por, më shumë se emri i tij, një emër tjetër nga qyteti ynë shfaqej herë pas here nëpër gazeta dhe ky ishte emri Jakov Xoxa. Ai botonte vjersha, tregime, artikuj në gazetën “Përpjekja e rinisë”, që dilte në Vlorë dhe në gazetën “Rinia” që botohej në Tiranë. Emri i tij ishte tipik myzeqar dhe na tingëllonte familjar. Po nuk ishte vetëm emri dhe fakti që ai vinte nga një fis i njohur i qytetit tonë, por dhe se në shkrimet e tij trajtoheshin tema nga kjo trevë dhe gjuha kishte frymën dhe ngjyrat e saj. Të gjitha këto do të na joshnin mua e shokët e mi dhe kishim dëshirë ta njihnim sa më parë nga afër. Madje, ndjeheshim krenarë që qyteti ynë kish nxjerrë një shkrimtar, por që ne fatkeqësisht as e kishim takuar, as e kishim parë ndonjëherë.

Por, ndërkaq, morëm vesh se ai e kish shtëpinë në lagjen Belik, një shtëpi dykatëshe, me oborr buzë rrugës kryesore të qytetit, nga kalonim gati përditë, se ishte djali i xha Nasit, Nas Xoxës, një burrë i shkurtër, me kapele republike, që e kisha parë tek lëvizte nga lagja jonë me nje biroçe të vogël. Por ajo që më entuziazmoi më tepër do të ishte fakti se ai qe vëllai i Alekos, të cilin unë e njihja, pasi gjatë luftës kishim punuar në pushimet e verës si çirakë tek një farmaci.

Atëherë si ishte e mundur të mos e njihja Jakovin? Kjo gjë, sa do të më mundonte, aq dhe do të më gëzonte. Do të më gëzonte, sepse familjet tona njiheshin, madje ishim në rreth farefisnie. Kjo për mua kish rëndësi të veçantë, nga që do ta kisha më të lehtë për ta njohur e lexoja shumë, por kisha filluar të hidhja në letër gjëra që s’di se si dhe për t’u afruar. Ishte koha kur unë jo vetëm isha dhënë pas librave Ndoshta kisha gjetur njeriun që mund të më ndihmonte dhe tani t’i quaj dhe kisha nevojë që dikush të m’i lexonte e të më këshillonte. vetëm prisja rastin ta shihja një herë dhe pastaj ta takoja. Dhe ai rast erdhi thuajse papritur, kur një mbrëmje kisha shkuar në kinema të shikoja shfaqjen “Mbrëmja e madhe”, një dramë e huaj, që jepte trupa amatore e qytetit. Një shoku im, që ma dinte dëshirën e fshehtë, tek kishim zënë vend në radhët e para dhe prisnim të hapej perdja, më thotë në vesh: “Shiko, rreshti i dytë, djathtas, është ai, pra, Jakovi!” Unë hapa sytë dhe u ktheva në drejtim të tij. Vërtet të ishte ai? Por nuk arrita ta shikoja mirë, sepse në atë çast u fikën dritat e sallës dhe u ngrit sipari. Po fillonte shfaqja, kështu vëmendja ime u nda më dysh, mes skenës dhe njeriut që po e ndiqte nga rreshti i dytë, djathtas. Tani kur i kujtoj, më vjen për të qeshur me naivitetin tim. Pastaj e harrova fare shfaqjen dhe u përqendrova tek shkrimtari, dy radhë më tej, mbi të cilin binte drita e skenës. E dallova mirë. Kish një trup mesatar dhe një fytyrë që m’u duk e kuqërremtë, me flokë të drejta e ballë të gjerë. Ai e ndiqte me vëmendje shfaqjen, në një kohë kur unë e ndiqja përmes reagimeve të tij. Ndërkaq, shoku im e vuri re se ç’po ndodhte me mua dhe më pëshpëriti në vesh: “Shiko, o burrë i dheut dramën, se Jakovin aty e ke!”

Kur mbaroi shfaqja, ne e ndoqëm Jakovin tek lëvizte në drejtim të daljes dhe e pritëm te sheshi para kinemasë. Mezi e mbaja dëshirën për ta takuar, por nuk guxoja e, megjithatë, iu vumë prapa dhe e shoqëruam nga larg deri sa ai arriti në shtëpinë e tij. Shoku im nuk ma prishi qejfin, por ndërkaq do të më qesëndiste me ndonjë romuz. Më vonë dhe unë do të qeshja me veten, por ç’nuk mund të ndodhte me një djalosh provincial të asaj kohe, të magjepsur pas ëndrrës së madhe të letërsisë. Isha ndeshur për herë të parë me një shkrimtar, e kisha vështruar nga afër fizikisht dhe kjo nuk qe pak. Sot çfarë nuk do të jepja ta përjetoja atë gjendje shpirtërore, që nuk u përsërit kurrë më.

Kaluan kohë, ndoshta një muaj, kur një ditë, ndërsa lexoja në bibliotekën e Shtëpisë së Rinisë, që ishte çelur në ish-sarajet e Vrionasve, pashë në një nga tavolinat Jakovin, që kish hapur letrat dhe po shkruante. Çfarë mrekullie të shikoja një shkrimtar duke punuar, dy metra larg nga vendi ku unë isha ulur. Të gjithë në sallë lexonin, dhe i vetmi që shkruante ishte Jakovi. Në çast, harrova librin që po lexoja dhe, duke mbajtur kokën mes dy duarve, shikoja vetëm atë. Ai ishte i tëri i përqendruar duke shkruar, ndërsa herë- herë rrinte e mendohej me vështrim nga dritarja. Gjithë sa vëreja, më ngjante si një shfaqje, bile më shumë se një shfaqje, sepse kureshtja ime ishte në kufijtë e çudisë: për herë të parë po vija re se si krijonte një shkrimtar, si lindtte një vepër, me fjalët e hedhura në fletët e bardha. Ndryshe nga sa kujtoja, ai shkruante ngadalë, kur unë zhgaravisja pa pushim dhe kjo më bëri të kuptoja se duhet të mendohesha mirë para se t’i hidhja fjalët në letër.

Pas asaj dite Jakovi mungoi për afro një javë ne bibliotekë dhe kjo më mërziti. Dëshira ime e fshehtë për ta takuar sikur u rrezikua, por ja që shkrimtari erdhi përsëri dhe unë prita me zemër të dridhur deri sa ai mbaroi punë e mblodhi dorëshkrimet, i futi në xhep dhe u ngrit të dalë. Atë çast unë i kisha zënë pritë te dera dhe ashtu i druajtur u afrova dhe i thashë ca fjalë të shkëputura, gati pa kuptim, që donin të thoshin se i kisha lexuar tregimet e tij dhe se më kishin pëlqyer. Ai më buzëqeshi dhe, duke më vënë dorën mbi sup, më falënderoi dhe më pyeti se djali i kujt isha. Dhe kur unë iu përgjigja, ai gati sa nuk thirri: “O, djali i gjykatësit je ti? Po ti qenke goxha djalë. Të shoh këtu që vjen e lexon. Të lumtë. Libri veç të mira të sjell”. Këto fjalë më gëzuan aq shumë, sa u hutova dhe nuk arrita t’i thosha se dhe unë përpiqesha të shkruaja. Ai, me sa duket, nxitonte. Kur më zgjati dorën, shtoi se do të shiheshim, pasi ishim edhe tanët!

Vërtet kishim një lidhje krushqie dhe prindërit tanë ishin miq, por për fatin tim të keq s’u takuam më. Ishte fundi i verës dhe ai u largua nga vendlindja. Më vonë mora vesh se kish shkuar për studime jashtë shtetit. Por këtë takim nuk do ta harroja dhe ndjehesha i privilegjuar që e kisha njohur. Kisha njohur nga afër një shkrimtar, një model, për t’u bërë dhe unë një ditë si ai!

Kështu, shkuan vite dhe unë, pasi kreva shkollën unike të Atje do të ndeshesha krejt rastësisht më Jakovin. Tek shikoja një Fierit, u largova dhe shkova në Shkodër për të ndjekur gjimnazin. pasdite vitrinën e Librarisë së Madhe, më kapi syri një libër me një kopertinë e titull fare të thjeshtë: Novela dhe sipër Jakov Xoxa. U gëzova si fëmijë, thua se kisha takuar një të afërm timin në qytetin verior, ku akoma s’isha ambientuar mirë. E bleva librin dhe u ktheva në konvikt, ku rashë përmbys deri sa e mbarova në të zbardhur. Nuk i harroj emocionet që më zgjoi libri. Më tepër se një çmallje me autorin, ishte një çmallje me vendlindjen e me njerëzit e saj, që në Shkodër më mungonin. Ai tregonte për Myzeqenë, për jetën dhe mjediset e saj, për psikologjinë myzeqare dhe të gjitha këto i përshkruante aq bukur, me një gjuhë plot kolorit, që mua më prekte dhe më bënte ta ndjeja shumë të afërt autorin. Të afërt emocionalisht, por të afërt dhe në përpjekjet e mia të para për t’u marrë me letërsi. Te Jakovi sikur gjeja shëmbëlltyrën e të shkruarit: vija nga i njëjti mjedis, njihja pak a shumë po ata tipa, flisja po atë gjuhë krahinore, ndjehesha gati pjesë e tij.

Por gëzimi im mori një goditje të papritur, kur pas pak kohësh lexova në shtyp një artikull të rreptë kritik për librin. Kritikohej për cene ideologjike, për doza impresionizmi, madje kishte vërejtje dhe për anën artistike, megjithëse nuk mohohej talenti i autorit. U mërzita e u revoltova, sikur të kishin shkelur me këmbë një vepër me vlerë të letërsisë sonë të pasluftës, që sapo hidhte shtat. Por nuk vonoi, kur, për çudinë dhe kënaqësinë time, u botua një artikull tjetër, që e merrte në mbrojtje autorin e novelave dhe i kundërvihej artikullit skematik. Aq u gëzova sa isha gati t’i shkruaja një letër e solidariteti, por nuk e dija se ku ndodhej asokohe Jakovi. përgëzimi Atëherë nuk e merrja me mend se një ditë do të bëhesha njeri i afërt i tij.

Dhe kjo ndodhi në fillim të viteve 50, kur ai ishte kthyer nga studimet jashtë shtetit dhe unë isha student në degën gjuhë-letërsi të Institutit të Lartë Pedagogjik në Tiranë. Diferenca e moshës dhe e pozitës nuk na pengoi të afroheshim. Jakovi do të tregohej i dashur dhe dashamirës. Mbaj mend se, kur i rrëfeva se si e kisha përjetuar fatin e librit të tij, ai u prek dhe do të ma dhuronte një kopje me autograf, ku kishte shkruar fjalët: “Nashos, peng dashurie”. Prej asaj kohe ne do të mbeteshim miq përgjithmonë.

Pjesa II

Në Tiranën e fundit të viteve ‘50 dhe fillimit të viteve ‘60 zhvillohej një jetë e gjallë letrare. Krijonin njëherësh disa breza shkrimtarësh dhe kjo s’kish si të mos e bënte interesante dhe pak intriguese atmosferën artistike. Pavarësisht se nga brezi i vjetër mungonin disa prej emrave të shquar të letërsisë shqipe, pasi ata ose qenë ndarë nga jeta, ose qenë goditur politikisht apo ishin mënjanuar, prapë ndjeheshin të pranishëm shkrimtarë të njohur të atij brezi, si H. Stërmilli, M.S. Gurra, A. Asllani, N. Bulka, S. Spasse, V. Kokona, etj. Por nuk do të qenë këta që do t’i jepnin tonin jetës letrare. Ishte plejada e shkrimtarëve që i takonte brezit të viteve ‘30 dhe pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si, Dh. Shuteriqi, Sh. Musaraj, A. Varfi, K. Jakova, etj., të cilëve u bashkoheshin emrat e rinj si F. Gjata, Ll. Siliqi, A. Abdihoxha, L. Qafzezi, Q. Buxheli, K. Trebeshina etj. Në mes të këtyre të fundit do të radhitej edhe emri i Jakovit. Unë atëherë vija nga një brez fare i ri, që tentonte të debutonte në letërsi duke u shfaqur në faqet e shtypit me vjersha, skica dhe tregime të ndryshme.

Në mjedisin letrar të asaj kohe unë do ta ndjeja veten të afërt me Jakovin, jo vetëm për shkak të lidhjeve të vjetra, por dhe se ai do të tregonte vëmendje e kujdes ndaj përpjekjeve të mia letrare. Jakovi, me sa më kujtohet, pasi kish kryer studimet për letërsi në Sofje, nuk e gjeti menjëherë vetveten. Do të punonte në fillim në Institutin e Shkencave, por, me sa duket, nuk i pëlqeu ajo natyrë pune. Lëvizi prej andej dhe u sistemua në redaksinë e gazetës “Zëri i rinisë”, ku do të hapte e drejtonte “Tribunën Letrare”. Ky suplement do të luante rol të rëndësishëm në lëvizjen e letrarëve të rinj të atyre viteve dhe merita kryesore do t’i takonte Jakovit. Jakovi, me emrin e nderuar që kish, me formimin dhe taktin që e karakterizonte, i sjellshëm dhe dashamirës siç ish, do të fitonte zemrat e shumë të sidomos me rinjve letrarë. Ai do të bëhej mësues dhe koleg i tyre, raportet që krijonte, raporte gjithnjë serioze, kur ishte fjala për letërsinë. Në këtë fushë ai kish kërkesa, ishte këmbëngulës dhe i rreptë, nuk të falte dhe këtë qëndrim do ta mbante me të gjithë, veçanërisht me ata më të talentuarit. Sepse për të debutimi në letërsi i brezave të rinj i përngjante një krosi pranveror, ku hidhen në garë me qindra dhe arrijnë në finish vetëm disa. Dhe këta disa do të përballeshin me gjykimet e tij të paanshme dhe profesioniste. Edhe unë do të bashkëpunoja me “Tribunën letrare” dhe mbaj mend një herë që kisha çuar një tregim me subjekt dashurie, temë jo fort e rekomandueshme atëherë. Jakovi do ta mirëpriste dhe do ta çmonte për vlerat emocionale, por, nga ana tjetër, do të më kërkonte ta lehtësoja nga notat sentimentale. Kujtoj që më tha me të qeshur. “Ruhu mos të marrin me vete dallgët e ndjenjave, dhe mos i mësho shumë dhembjes”. Sepse tregimi im trajtonte historinë e një dashurie lektisëse, që përfundonte me ndarje. Temën e ndarjes kish pasur edhe teksti i një kënge, që më kish kompozuar E. Dheri. Vite më pas, botova librin tim të parë, novelën “Dashuria e Mimozës”, të cilën Jakovi ma çmoi shumë, por me humorin e tij do të vërente: “Ore, ç’bëhet kështu me ty! Edhe kësaj here i ndave të dashuruarit!”

Sigurisht unë nuk do t’ia merrja për keq, aq më tepër që tani nuk lidhte vetëm letërsia, por ishim bërë dhe miq, madje, herë-herë dhe konfidentë. Duke punuar atëherë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” kisha dëshirë ta ndihmoja, siç më kish ndihmuar ai, por me sa më kujtohet, prita gjatë deri sa solli romanin “Lumi i vdekur”, vepra që e futi triumfalisht në rrugën e letërsisë. Një herë i pata propozuar të përkthente një vëllim me tregime të klasikut bullgar Elin Pelin. Ai e mirëpriti në fillim, por pastaj hoqi dorë. “Jo, – më tha, – më pengon punën kryesore”. Dhe puna kryesore e Jakovit në ato vite ishte proza. Me kohë do ta kuptoja që ai nuk dinte apo nuk donte të bënte punë paralele dhe këtë stil pune e shprehte me fjalët: “S’mundem të mbaj dy gra”.

Kontaktet tona do të bëheshin të shpeshta, kur filluam të japim leksione të dy në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit, ai si pedagog i brendshëm dhe unë si i jashtëm. Tani Jakovi ishte larguar përfundimisht nga shtypi dhe mbante në fakultet një nga lëndët më të vështira, atë të teorisë së letërsisë. Do të na lidhte puna e përbashkët, me ngarkesë të madhe, po të kemi parasysh numrin e madh të studentëve të ditës e të natës, e pa harruar ata të korrespondencës. Pra, do të kishim interesa dhe shqetësime të përbashkëta, gjë që do të më bënte ta njihja më mirë. Gjithnjë serioz e i rregullt, ai dallonte për leksione me nivel dhe për faktin që e bënte për vete auditorin. Ishte sa i afërt, aq dhe kërkues me studentët, bile dhe me ata të natës, që ishin të rritur dhe me detyra shtetërore. Ai nuk pranonte asnjë ndërhyrje a rekomandim, kur vinte koha e provimeve. Nuk më harrohet rasti i një mikut tonë të përbashkët, gazetar, që ndiqte studimet me korrespondencë dhe vajti për të dhënë provim te Jakovi. Pasi mori tezën dhe u përgatit, u ul para tij të përgjigjej. Ishin të dy të emocionuar. “Studenti” kërkoi që ta fillonte përgjigjen nga pyetja e dytë e tezës, që e dinte, siç duket më mirë, por Jakovi i kujtoi rregullin. Shkëmbyen fjalë, aq sa “studenti”, i prekur në sedër, mblodhi fletët e provimit dhe u ngrit të ikte. Jakovi nuk e priti këtë që po ndodhte dhe u përpoq pastaj ta qetësonte duke e ftuar të përgjigjej si të donte, por ai, tani i nxehur, e përshëndeti dhe u largua. Ky do të qe një rast episodik, të cilin në shoqërinë tonë të ngushtë, do t’ia kujtonim Jakovit duke bërë shaka. Më shumë se i ngurtë, ai ishte tepër i ndershëm. Asnjëherë nuk desh të ngatërronte detyrën me shoqërinë.

Pedagogu i teorisë së letërsisë gëzonte respekt, bile kish fituar admirimin e studentëve, që me lëndën e tij të vështirë, përgatitur në një nivel të lartë shkencor dhe të shoqëruar me shembuj të gjallë nga letërsia shqipe dhe ajo botërore, bënte për vete auditorin. Ai tregohej vërtet artist me fjalën e tij të bukur e të saktë, me procedimin e këndshëm që ndiqte dhe mbi të gjitha me argumentet e qarta e të kapshme që sillte. Për brezat e studentëve ishte fat që patën për pedagog të teorisë së letërsisë një shkrimtar me emër si Jakovi, një krijues me përvojë, që e njihte nga afër procesin letrar, që sillte në auditor të dhëna nga laboratori i punës krijuese. Më ka qëlluar t’i dëgjoj disa nga leksionet që jepte, ligjërimin e tij tërheqës që ngrihej mbi një lëndë të pasur dhe i drejtohej studentëve në mënyrë të përshkallëzuar, pa inflacion fjalësh e pa fraza parazitare apo retorikë boshe. Ai ishte artist i fjalës dhe në leksione.

Ne do të takoheshim herë pas here në mbledhjen e katedrës së letërsisë. Jakovi mbaj mend që vlerësohej si një nga pedagogët më të mirë, që e lavdëronin për leksionet, por jo për detyrat jashtë mësimeve, si kujdestaria, zboret, puna fizike, etj. Angazhimi i tij mbetej gjithnjë mësimi, ndërsa detyrat e tjera i dukeshin pengesë për punën krijuese. Prandaj herë-herë do të kritikohej, bile për këtë do të merrte dhe ndonjë vërejtje verbale. Por ai, besnik i natyrës dhe kritereve që kish zgjedhur, nuk desh t’ia dijë dhe vazhdonte punën siç dinte vetë. Edhe temat e punës shkencore, ndryshe nga kolegët, do t’i zgjidhte kryesisht nga fusha e tij dhe do t’u shmangej kërkesave të ditës, që ishin larg interesave të tij studimore.

Ai tregohej veçanërisht aktiv në fushën që mbulonte, jo vetëm me gjykime e mendime të specializuara, por dhe me projekte dhe vepra konkrete. Kështu, ishte ai që hodhi idenë e organizimit të një kursi për kritikën letrare apo mbajti dy leksione të zgjeruara me mësuesit e letërsisë (“Sistemi ynë i vjershërimit” dhe “Marrëdhëniet midis kompozicionit dhe personazheve në një vepër letrare”), organizoi e drejtoi kurse speciale me tema nga problemet e stilistikës dhe metrikës. Fryt i punës së tij të përkushtuar në fushën që mbulonte është edhe punimi “Stilistika shqipe”, që u diskutua në katedër dhe u vlerësua nga kolegët e tij si një kontribut i çmuar shkencor dhe tekst i nevojshëm për studimet e letërsisë. Në fakt, Jakovi si shkrimtar gëzonte të drejtën e gjysmës së normës pedagogjike dhe kjo e lehtësonte nga disa detyra të tjera të fakultetit. Këtë të drejtë e kishin dhe disa kolegë të tjerë, por askush nuk e shfrytëzonte në mënyrë racionale si ai. Jakovi do të ishte i pari që, për të fituar kohë të lirë, do t’i përqendronte leksionet në 2-3 ditë të javës ose të mbledhura në një semestër, për t’u marrë pjesën tjetër të kohës me punë krijuese. Me sa kuptoja, ai e ndjente veten më parë shkrimtar sesa pedagog. Askush nga ne të tjerët nuk e kish atë përkushtim si Jakovi. Gjithnjë do t’i shmangej detyrave dhe ngarkesave jashtëletrare për të bërë pak a shumë jetën e një shkrimtari të lirë. Kjo u duk qartë kur ai zuri të largohej nga Tirana dhe të zbriste në Myzeqe. Ishte vetëm fillimi i asaj që do të ndodhte më vonë. Jakovi e mendonte punën e shkrimtarit si një profesion serioz, që kërkonte përkushtim tërësor. Pra, synonte e përpiqej që një ditë të bëhej shkrimtar profesionist, siç edhe ia arriti në fakt me kohë.

Tani unë e Jakovi ishim miq e kolegë dhe në këto raporte vendin kryesor do ta zinte letërsia. Si më i ri që isha, e ndiqja me interes dhe jo pa përfitim punën e tij krijuese. Ishte ky vazhdim i njohjes sonë të hershme, i rrugës që kish ndjekur Jakovi si shkrimtar. Isha djaloshar atëherë, siç e kam thënë dhe më lartë, kur lexova vjershat e tij të para të botuara në shtypin e viteve ‘40, pa filluar akoma Lëvizja Nacionalçlirimtare. Pas furtunës së luftës, ku Jakovi mori pjesë, ai m’u shfaq në 1944, me shkrimet që do të botonte në gazetën “Përpjekja e rinisë” dhe që drejtohej nga vetë Jakovi. Do të kujtonim me nostalgji atë kohë. Bile, ai do të më tregonte se në ato vite i kish mbledhur vjershat e tij në një vëllim të titulluar “Tërfilat e fatit” por që nuk kish arritur ta botonte. “Ndoshta më mirë që nuk e botova, – më thoshte, – se do të kishte vend për t’u turpëruar”. Dhe kështu, ai nuk bëri emër si poet. Jakovi do ta gjente veten në prozën e shkurtër, si tregimtar. Talenti i tij do të tërhiqte menjëherë vëmendjen e lexuesit e të kritikës dhe do të dallohej midis shkrimtarëve të rinj të brezit të pasluftës. Nuk më harrohen dhe sot tregimet “Kurorat e Masar Beut”, “Shëmbëllimi”, “I urituri”. Ato më bënin për vete jo vetëm me subjektet origjinale, por dhe me mënyrën e rrëfimit, që të kujtonte disi prozën rrëfimtare të Kutelit, por që ruante origjinalitetin e tij, me tematikën dhe atmosferën e veçantë e sidomos me gjuhën karakteristike të Myzeqesë. Një prozë e tillë do të linte mbresa të pashlyeshme tek unë, sepse e ndjeja tepër familjare tematikën dhe gjuhën. U mundova të ndjek edhe unë shembullin e tij, duke shkruar bile dhe disa tregime të tilla, por pa sukses. Nuk e arrija dot konceptimin dhe shtjellimin origjinal të temave të Luftës e atyre të jetës së fshatarësisë myzeqare, as vizatimin e karaktereve e as mënyrën e rrëfimit, e lëre pastaj gjuhën e pasur popullore, që përdorte Jakovi. Shpejt do të hiqja dorë nga kjo rrugë, aq sa, kur u bëmë miq, do t’i thosha me të qeshur: “Nuk u bëra dot nxënësi yt. I mbajte për vete të fshehtat e zanatit”. E ai ma kthente: “Si duket, ty nuk të pëlqenin rrugët e Myzeqesë. Ndoqe rrugë tjetër”. Në këtë mes nuk ishte çështje dëshire, po përcaktuese ishin përvoja, formimi, natyra e talentit.

Për një kohë emrin e Jakovit nuk do ta hasja në shtyp. Në fakt ishte periudha e mbledhjes së forcave, e reflektimit, e gjetjes së vetvetes në lëmenjtë e letërsisë, për t’u hedhur në një start të ri. Vetëm në 1959 ai ribotoi të ripunuar librin “Novela”, të pasuruar me tregime të tjera. Jakovi do të tregohej i përmbajtur, jo aq nga kërkesat e kohës, sesa nga kërkesat që kish ndaj vetes. Gjithnjë i matur dhe ekzigjent, brenda natyrës së tij.

Ndërkaq, unë vazhdoja ta ndiqja me interes krijimtarinë e tij dhe ashtu si opinioni letrar, prisja prej Jakovit vepra nga fusha e prozës. Por, për habi, një ditë më tha se ishte në mbarim të një drame. Kujtova se i qe kthyer një dashurie të vjetër. Më 1945 ai kish shkruar dramën “Pionieri”, me të cilën kish marrë dhe një çmim letrar. Drama ishte vënë në skenë nga trupa amatore e Vlorës dhe mbaja mend se e kisha parë edhe unë. Kështu, pas një kohe të gjatë pune në heshtje dhe i tërhequr, siç e kish zakon, Jakovi doli para lexuesve me një dramë të re, nën titullin “Buçet Osumi”. Ajo u botua në revistën “Nëntori” (1957) dhe, siç më tha, kish punuar për afro dy vjet. Pavarësisht nga gjinia, tema e dramës ishte pak a shumë ajo e tregimeve: stigmatizimi i bejlerëve dhe lidhja e tij shpirtërore me fshatarësinë myzeqare. Nuk di të them se përse asokohe Jakovi iu kthye dramaturgjisë, kur tanimë ishte afirmuar si tregimtar me një vokacion origjinal. Ndoshta nga që repertori i teatrit tonë kish nevojë për vepra kombëtare, por kam përshtypjen se më shumë se ky motiv, ishte prirja e Jakovit për të trajtuar konflikte të mprehta sociale dhe dramaturgjia ia jepte këtë mundësi më shumë se proza e shkurtër. Nga ana tjetër, për dramaturgjinë kombëtare të kohës, që vuante nga mungesa e veprave serioze, aktivizimi i një talenti si ai i Jakovit ishte një ogur i mirë.

Dramën, ç’është e vërteta, e lexova me shumë interes, ndonëse me intervale, sepse u botua në tre numra të revistës dhe, pavarësisht nga disa vërejtje dhe rezerva që kisha, e urova dhe e përgëzova. Ishte në terrenin e tij, aq i parapëlqyer prej meje. Ishte bota myzeqare, me njerëzit dhe hapësirat e saj, i ngritur mbi një konflikt të fuqishëm, me situata e skena intriguese. E kish shkruar në vargje, me nota poetike, vende-vende tepër e fuqishme, me gjuhë të bukur e të pasur, plot elegancë. Fryma poetike, notat e spikatura lirike s’di pse do të më sillnin jehonën e tragjedive të Shekspirit të përkthyera nga Noli. Vërtet në pjesët më të mira kjo frymë të bënte për vete e të rrëmbente, por, e vështruar mirë, ndjehej një erë pasromantike. Madje, për të qenë i saktë, mund të them se atmosfera e kohës që jetonim e bënte dramën pak anakronike, çka kritika mund t’ia merrte për të madhe, por që e shpëtonte fryma antifeudale. Ç’është e vërteta, këto konstatime unë, duke e njohur natyrën e Jakovit, nuk do t’ia thosha njëherë për njëherë. Por ato që nuk ia thashë unë, ia thanë të tjerët. Drama bëri jehonë dhe ngjalli debate në rrethet letrare e teatrore. Për këtë u zhvilluan dhe dy diskutime publike, një në Lidhjen e Shkrimtarëve e tjetra në Institutin e Lartë Pedagogjik, ku morën pjesë shkrimtarë, regjisorë, aktorë, studentë e lexues të ndryshëm. Mbaj mend që drama u diskutua si vepër letrare, por akoma më shumë si vepër skenike. U vunë në dukje vlerat artistike, si thurja dramatike dhe konflikti, atmosfera që krijonin disa skena të goditura dhe, mbi të gjitha, gjuha e bukur dhe e pasur me nota lirike. Por pati vërejtje dhe rezerva për frymën disi anakronike të dramës, për një tingëllim jo aq bashkëkohor. Dhe këto mendime i shfaqën më shumë shkrimtarët, kurse regjisorët dhe artistët u morën kryesisht me dramën si vepër skenike. Ngjalli debat çështja e vënies në skenë, ku mendimet u ndanë mes atyre, që e konsideronin një dramë më tepër letrare sesa skenike, dhe të tjerëve, që e shihnin si një vepër që u përgjigjej kërkesave të skenës. Bile një nga regjisorët, P. Stillu më duket, e merrte përsipër për ta inskenuar. Për të gjitha problemet që nxirrte drama. u shfaqën mendime dashamirëse e të sinqerta, por kish dhe diskutime tendencioze e ndonjëherë nihiliste. Në këtë atmosferë të ndezur unë prapë nuk fola, sepse mund ta rëndoja në situatën e krijuar. Por ia thashë më vonë veças, kur kaloi jehona e debateve, dhe ai u mërzit. Në përgjithësi Jakovi nuk tregoi mirëkuptim dhe qetësi ndaj vërejtjeve që iu bënë. Thoshte se drama nuk është kuptuar, ose keqinterpretohet pa të drejtë, se disa tregojnë dashakeqësi dhe zili. Ai ngulte këmbë në vlerat e saj, të cilat unë i çmoja dhe nuk i vija kurrsesi në dyshim, por i përmbahesha mendimit se, pavarësisht këtyre, në tërësi ajo qëndronte larg frymës dhe shprehjes së kohës. Dhe këtë mendim nuk e kisha vetëm unë. Fakti që drama s’u botua libër dhe nuk u vu asnjëherë në skenë, e tregon këtë gjë. Megjithatë, Jakovi nuk do ta braktiste dramaturgjinë. Ai e ndjente si një nevojë të brendshme për t’u shprehur në këtë gjini të vështirë. Nuk më tha gjë, por ndërkaq mora vesh nga Dhurata, e shoqja, se po shkruante një dramë tjetër. Dhe, vërtet, një vit më vonë (1958), ai botoi dramën “Zemra”, përsëri në revistën “Nëntori”, e cila nuk pati jehonën e dramës së parë. Unë vetëm sa e urova dhe nuk guxova të shfaqja ndonjë mendim. Pas asaj që kish ndodhur, Jakovi, ndryshe nga rastet e tjera, me sa kuptoja, nuk para kish qejf të bisedoje për dramën. Ai ishte i bindur për vlerat e dramave të veta, sidomos për “Buçet Osumi”, aq sa edhe kur kapi majat e suksesit me romanin “Lumi i vdekur”, i mbronte ato duke iu kundërvënë kritikave të hershme për dramën e parë me arsyetimin se “ata e kanë gjykuar veprën time jo nga kokrrat, por nga gjethet”. Ngulte këmbë se “nuk është kuptuar ajo që kam dashur të them unë” dhe, siç do të deklaronte në një takim me lexuesit, se “nuk kam prashitur në ujë” dhe se “nuk e braktis time bijë, pavarësisht nga vërejtjet që më bëhen”.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  • E rëndë në Gjirokastër, mbytet në pishinë një 15-vjeçar, shoqërohen disa persona
  • Si po e ndryshon protesta ekonominë e mbrëmjes në Tiranë, të rinjtë heqin dorë edhe nga koncertet
  • “Protestat masive në Tiranë, përtej çështjes së mjedisit”, Radio France: Mobilizimi i parë i madh dhe i pavarur kundër qeverisë
  • Dezinformimi si mjet politik: Si u fabrikua ‘zhvendosja e investimit në Mykonos’

Komentet e Fundit

  1. MH on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  2. demo on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  3. Ethem Lalaj on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  4. nastradini on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit
  5. nastradini on “Mbro tokën”, në kulmin e protestave, BE mesazh “mbështetës” për protestuesit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?