Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Muza lirike e poetit Hamit Aliaj
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Muza lirike e poetit Hamit Aliaj
Kulture

Muza lirike e poetit Hamit Aliaj

Published: March 30, 2023
Shpërndaje

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

 

Hamit Aliaj është njëri nga poetes e plejadës së të viteve ‘70 në poezinë shqipe, i cili vinte nga treva veriore e vendit, nga Tropoja si një poet i talentuar dhe me një vizion jashtëzakonisht të hapur në komunikimin poetik të kohës dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Përveçse erdhi si një zë krijues në poezinë shqipe, ai përbën një qasje të veçantë, madje specifike për vendin që krijimtaria e tij zë në poezinë shqipe, por edhe se si ka ardhur në poezinë shqipe.

- Publicitet -

Duke qenë një poet i lindur në një trevë etno – kulturore dhe etno-sociale të Veriut të Shqipërisë, Tropoja, e njohur për specifikat shpirtërore  dhe kulturore, ardhja e Aliajt në poezinë shqipe, solli një pamje, një element e një detaj të veçantë në mozaikun e poezisë shqipe. Të mos harrojmë, siç dhe është shkruar në jetëshkrimin e poetit, Hamit Aliaj është lindur dhe rritur në një mjedis, ku ishin të forta marrëdhëniet e brezave përmes kumteve të së kaluarës në kohën e tij, një mjedis social– kulturor ku prania e një lloj epike ishte e fortë, e që do të vazhdonte dhe më vonë të ishte e pranishme, jo vetëm në jetën kulturore dhe mjediset tradicionale familjare, por edhe në poezinë e Aliajt dhe poetëve të tjerë nga kjo trevë.

Hamit Aliaj e ka shfaqur ndjesinë prej poeti dhe një njeriu të ndjeshëm qysh në fëmijërinë e tij të njomë. Për të thuhet se ishte i ndjeshëm, meditues, i prirë pas gjërave estetike (bisedat e mbrëmjes, kënga epike në dhomën e malësisë dhe të familjes, prirja për të zbuluar të bukurën, fillimet e vargëzimeve që herët e tjerë), ku natyrisht një rol të madh ka nëna e poetit, e cila përveçse ka prekur nga afër shpirtin e tij të brishtë dhe të ndjeshëm prej krijuesi, e ka stimuluar dhe i ka qëndruar afër atij.

 

***

Poeti Hamit Aliaj ka lindur në Kasaj të Tropojës, një fshat u mrekullueshëm, me një pamje të gjerë të horizontit, ku poeti ka arritur të shohë me sy Kosovën, e cila ka qenë dhe mbetet shumë e lidhur me të ashtuquajturën Malësia e Gjakovës, ku ka mjaft ngjashmëri, kode dhe histori, folklor të përbashkët dhe histori të përbashkëta në rrjedhën e shekujve, po ashtu edhe të konstitucionit shpirtëror. Kasaj gjendet në një mjedis natyror të mrekullueshëm, një peizazh që ofron ndjesi të shumta, ashtu siç në traditë, ku në rininë e poetit dhe më vonë bashkëjetonin zakone, tradita, gojëdhëna, kumte dhe tregime legjendare të moçme personifikuese, të cilat i shkonin sfondit blegtoral dhe traditës së barinjve që e mbushnin hapësirën me tingujt e fyellit.

Si në të gjithë Tropojën, Nikaj- Merturin dhe Malësinë e Gjakovës dhe në Kasaj kënga legjendare këndohej me një epizëm të qartë tradicional. Kjo lidhje e fortë e banorëve të këtyre anëve, si dhe të poetit Hamit Aliaj ka vazhduar deri vonë, madje edhe në ditët e sotme, ku një pjesë e familjeve të fshatrave të Malësisë së Gjakovës, gati stinën e verës e kalojnë në bjeshkë, deri në Shkëlzen, çka ka bërë që bjeshka të jetë një mit i përtërirë me të gjithë rrëfimet dhe gojëdhënat që ekzistojnë për të. Kjo ka qenë një tablo dhe një pjesë e rëndësishme jetësore që ka mbetur në temat, frymëzimin dhe motivet që përcjell poezia e Hamit Aliajt, pra një lloj kredoje e lexueshme.

Poeti Hamit Aliaj ka një vijimësi krijuese gjatë gjithë kohës, që kur botoi librin e tij të parë në vitin 1974. Një poet që ka gjetur motive, ka zbuluar ndjesi të thella emocionale, ka bërë që poezia e tij të prekë çdo kohë të tij, edhe kur ai ishte mësues dhe nuk ishte mësues, edhe kur ishte drejtues, dhe kur banonte në Kasaj apo B. Curri, edhe kur banon në Tiranë. Që nga viti 1974 ai i ka ofruar lexuesit libra me poezi, studime, skenarë filmash, tekste këngësh të mrekullueshme, monografi të ndryshme, të cilat përmbushin dhe veprimtarinë shkrimore dhe librat poetik të botuara.

Kështu, në librat e botuar të Hamit Aliajt mund të përmendim librat me poezi dhe të tjetrës si:  “Bjeshkët janë mbiemri im”, Tiranë 1974, “Epike” (me bashkautor) 1979, Prishtinë, “E ruaj një fjalë për ty” 1986, Tiranë, “Lotin nuk ta fal” 1990, Tiranë, “Mungon viti Një” 1997, Tiranë, “Njëqind vjet e Martë”, 2006, Tiranë,  dhe tri libra të tjerë, jo të llojit “poezi”, siç janë: “Ali Iber Nezaj monografi”, 2012, Tiranë, “E hëna e përtej botës”, 2017, “N’ Dardani bjen një tupan”, /2021. Po ashtu, në jetëshkrimin e Hamit Aliajt rezultojnë dhe dy studime të rëndësishme, që titullohen “Epika legjendare shqiptare” (Arkivi i Fakultetit të Filologjisë) 1979 dhe “Tri shenjtëri të mëdha” (hyrje në librin “Dervish Luzha një yll drite”) 2009.

Gjithashtu poeti Hamit Alia ka shënuar firmën e tij në promovimin e dhjetëra poetëve të rinj nga treva e Tropojës, dhe mbi 30 librave artistik e studimor për kulturën e historinë. Rreth gjashtë skenarë filmash dokumentarë, mbi 200 shkrime të natyrës së esesë, portretit letrar dhe reportazheve, pa harruar rreth 20 tekste këngësh të kënduara nga Ansambli Dardania në ngjarjet kulturore lokale, kombëtare dhe Festivalin e Gjirokastrës (1988) dhe atë të Beratit (1995). Mjaft çmime, mirënjohje, tituj, deri tek ai “Mjeshtër i Madh” (2014) përbëjnë një pjesë të vlerësimit që poeti Hamit Aliaj ka marrë deri sot, pa harruar vlerësimin që mendimi kritik i poezisë shqipe ka për të gjatë gjithë kohës.

Siç edhe mund të shihet, në të gjithë rrugëtimin poetik të Hamit Aliajt ka një raport të ruajtur mjaft mirë me poezinë; ai mbetet një poet i figurës më së shumti, i cili nuk ka një prirje për të sofistikuar formën përmes figurës dhe pse figura poetike në poezinë e tij perceptohet më së shumti përmes simbolit të drejtpërdrejtë. Materia poetike e Aliajt është e thjeshtë, ai i beson  peshës së fjalës, e cila kalon përmes kodeve të komunikimit, e përftuar në mjedisin ku është rritur, mjedisin e komunikimit social, ku në nënshtresa  të thjeshta të tij është marrëdhënia e fortë e njerëzve me trashëgiminë dhe psikologjinë e personifikimit, si një mega – jetësim.

Në poezinë e Hamit Aliajt lëviz  një shpirtëzim gjithsorizues, një shpirtëzim, ku shpeshherë natyra  dhe njeriu krijojnë një alkimi me zgjatime tradicionale të kultit të krijimit, me burim jetik që nga kënga kreshnike, poezia popullore, të krijuara në kodin e odës së burrave, kultin e lahutës, kultin e epikës dhe psikologjinë e dukshme të dinjitetit.

Në këtë komunikim që sjell poezia e Hamit Aliajt ajo reflekton mjedisin ku ai lindi dhe u rrit, ku shfaqen etyde, lirika, marrëdhënie të mjedisit epik- tradicional, njeriu, natyra, kumtet e Shkëlzenit dhe të Bjeshkëve të Namuna dhe shumë marrëdhënie të tjera, por duke qenë herë metaforik, herë simbolik, herë alegorik dhe herë vizatues i mjediseve të caktuara.

Poezia e titulluar “Harqet e ditës sime”, duket se sjell një prerje të rëndësishme për të kuptuar kumtin që dritëson poezia e Aliajt, për shkakun e një dialektike të çuditshme që e përshkon atë. Është një poezi që të kujton unazën si një simbol që i bashkon apo i mban mbledhur gjërat, një unazë që i lidh gjërat. Si simbol përdoret “harku”, një formë e interpretuar nga disa fusha të dijes që nga gjeometria, fizika, astronomia etj, që në figurat letrare të kujton parabolën, një mundësi për të lidhur gjërat, të kaluarën me të sotmen, të tashmen me të ardhmen, atë përtej lumit me atë këndej lumit, njerëzit nga njëra kohë në kohën tjetër, por që poeti e përdorë mjeshtërisht në dialektikën e gjërave.

Pra në frymëzimin e tij shpërfaqet një jetësim gati universal, duke na kujtuar “harkun e triumfit” në luftëra, “harkun e trupit” që përkulet mbi djepin e fëmijë si nyjë e lidhjes së kohërave, “harkun e ylberit”, “harkun e dorës mbi trupin e të dashurës”, “harkun e lahutës”, urat mbi lumenj, këmba në ecje, dega me frutën, harkun e syve që pikasin të bukurën, pra një pafundësi harqesh, pasi jeta rrugëton nëpër ligjet dialektike që të kujtojnë harkun. Gjithë kjo mori harqesh, që në të vërtetë janë një parabolë tipike, poeti mëton të shohë ditën e tij, ai nën këtë mori harqesh ndjehet i sendërtuar në të gjitha aspektet që përcjell jo një poet, por një krijesë njerëzore detyrimisht, pasi këtë ligj e përshkon dialektika. Këto raporte hasen shpesh në poezinë e Aliajt, për shkakun e një sintakse poetike të gjymtyrizuar në njërën pjesë tek simbolika apo personifikimi, ndërsa pjesa tjetër tek një llojë përditësie, që në të vërtetë përbën dhe praninë e tij.

Në një hulumtim të hollë, vërehet se në poezinë e Hamit Aliajt shpërfaqet “formimi” fëminor, ndjeshmëria artistike në të cilat siç e tregojnë njohësit e mirë të fëmijërisë së tij dhe krijimtarisë artistike, ka një pleksje sintetike të jetës me shqisën poetike. Atë duhet ditur ta lexosh. Detajet poetike në poezinë e tij, të cilat janë jetike në mënyrën e komunikimit të tij, janë më së shumti forma të hapura, qoftë për konceptin e tij të komunikimit poetik (“…dhe harku mbi djep i një nëne”, “dhe harku i lahutave që nga guri lindin burrin” etj), janë tipikisht struktura të hapura të komunikimit (një poet ka dëshirë të madhe që ai të lexohet, të kuptohet dhe të emocionojë me gjetjet e tij lexuesin), por dhe për një arsye tjetër, pasi në profilin poetik, ai ka një raport të qartë, mëvetësisht nuk kërkon t’i ikë burimit të përditshëm të frymëzimit, që atij i vjen nga mjedisi, njerëzit, psikologjia jetësore e përditshmërisë, pasi botëpërjetimet perceptojnë një përditësim ndjesish dhe shqetësimesh në pasqyrën njerëzore ku sheh fytyrën e vet poeti.

Pra, duke qenë njëherësh dhe ndërmjetësi artistik i kohës, mjedisit njerëzor dhe njerëzve, ai nuk kërkon të ikë prej tyre, pasi ushqehet prej këtij mjedisi (kënga legjendare nuk këndohet tjetër kundi si në vendlindjen apo trevën e tij, tregimet popullore, deri në besim askund tjetër nuk reflektojnë si në ndërgjegjen e njerëzve me të cilët ai ka përditësimin e vet, as Shkëlzen, e Bjeshkë të Nemuna nuk gjen tjetër kund, as psikologji njerëzore që besojnë në mitet dhe zanat, në kultin e natyrës dhe të stinës nuk ka tjetër kund), e për këtë mjafton të perceptosh drejt sintaksën poetike të poetit, deri në poezinë më të fundit të botuar prej tij. Kjo lidhet mjaft mirë në alkiminë që poezia e poetit Hamit Aliaj ka me motivet që i vijnë atij nga mjedisi malësor, nga psikologjia jetësore sociale, që përthyhet në përjetime të epërme siç është poezia.

Në këtë bashkëjetesë jetësore dhe artistike, lexuesi duhet të dijë  të lexojë dhe raportet  e poetit përmes të cilave vjen dhe shfaqet familja, lirizmi, uni poetik, njerëzit që e rrethojnë, një lloj etno – mendim i shndërruar në poezi, në sythe sintetike emocionesh dhe përjetimesh. Poezitë “Tetë minuta” dhe “Dita e tetë e botës” duket se kalojnë përmes një numërimi simbolik, që nuk është numër biblik, por një numër që tregon të paplotën, që gjen madje një plotësim të konceptit dialektik të poetit edhe në poezinë tjetër titulluar “Diçka mangët mbetet gjithmonë”. Poezia “Dita e tetë e botës” ngjan të jetë një bisedë e koduar me një pjesëtar të familjes, që mbart një filozofi inteligjence dhe kodi jetik të mjedisi, poeti shkruan: “Drenis Aliaj, ti e din,/ Fisit tonë me drita të murosura/ i ka munguar viti Një, i Nisjes.”, pastaj “Kanë thënë:/Shiheni hartën tuaj të prerë;/ I ngjan lëkurës së dhisë, simbol i Mallkimit” dhe “Po, nëse bota u bë në shtatë ditë,/ Përtej Mallkimit, ne jemi Dita e Tetë…”, pra është një poezi ku plekset bashkë një simbolikë prej mitit deri përtej rendit biblik, por hyjnor, kapërcimi i mitit është fuqi hyjnore. Është një poezi që pleks magjishëm një histori konvertuese dhe mbijetuese, me një kapërcim kohësh, që e afron me kumtin bazik të saj, një parabolë kontekstuale e qartë dhe mjaft komunikuese.

Janë të rrallë, madje specifik në poezinë shqipe poetët që krijojnë një burim të tillë krijimtarie, të cilën e ditarizojnë, e çojnë në një zonë të epërme përditshmërinë njerëzore, atë që poeti e merr çdo ditë nga mjedisi dhe njerëzit pa asnjë lloj kushti. Në fund të fundit poezia është e bukur, tërheqëse, komunikuese dhe depërtuese brenda gjendjeve njerëzore për shkakun e përdorimit të kaq shumë supozimeve dhe lidhjeve të brendshme, pasi nuk ka mundësi tjetër më të mirë se poezia, ku lidhjet e kohërave të jenë kaq plotësuese për njëra- tjetërn, që në fund të fundit mbështetet mbi një visae të provuar filozofik, se gjërat në këtë ekuilibër forcash apo gjendjesh vijnë nga zgjatimet e të kaluarës dhe udhëtojnë në zgjatimet e tyne në të ardhmen.

Poezia “Syri i Shives” është njëra nga poezitë që krijon një ide, një sprovë të nevojshme për të kuptuar më mirë nga poeti trashëgiminë dhe mitet në poezitë që kërkojnë të komunikojnë në shekuj më vonë të “farkëtimit” të tyre me shekuj më parë. Është një poezi që “sharton” mitet me aktualitetin, metaforën e  të cilës poeti e ndërton me shëmbëllimin e njeriut të hershëm, shumë të hershëm të shtresave antropologjike primitive me të sotmen. Ai shkruan:”Thonë se njerëzimi ka qenë me tre sy/ Syrin e Shives pas koke e kishte/ për të parë mbrapa”, e më pas rrugëtimi alegorik i poetit vjen tek njeriu i sotëm, ku shfaqet kryengritja vertikale e hapur, por e qartë e poetit: “Të shuhet Syri i Tretë Zotat urdhëruan/ Me tre sy mund të jemi vetëm ne,/ Dhe shpina njerëzore mbeti përjetë në natë,…”, një alegori brilante përmes të cilës shtresimet dhe kritika e poetit është kaq bashkëkohore.

 

***

Në poezi ka një pleksje të hollë, gati vibrante po të vëresh elementët me të cilët poeti e ndërton metaforën. Një mekanizëm të tillë poeti Hamit Aliaj ndërton dhe disa poezi të tjera, rëndom poezi ku kontrastet janë të dukshme dhe qëndrimet janë të qarta. Në këtë formë është ndërtuar dhe njëra nga poezitë, e cila përpiqet që të mbartë kohën mbi shpinë. Poezia e titulluar “Viti 1990” është ndërtuar përmes kontrasteve të thella, në një sintaksë funksionale, ku gjymtyrët që mbartin kuptimet dhe kumtet përplasen në njëra tjetrën herë në antiteza dhe herë në oksimorone jashtëzakonisht funksionale.

Poeti shkruan: “Mund t’i zbresësh të gjitha vitet deri te viti një/ Dhe gjen përvjetorin e çdo ngjarje të botës/ Në vitin 1990”, një strofë analitike, që përmes matëseve kohorë, që në vetvete janë epoka, ngjarje, dogma, ideologji, lindje dhe vdekje, progres e regres etj. ngjan me një kryefjalë, për t’u plotësuar me dhjetëra pjesë të nënrenditura të natyrës komentuare. Një hepim i vazhdueshëm përmbush një “dyshim” filozofik të poetit për konceptin e lirisë, pasi: “Të gjithë vitet janë më të vogël se ky vit”, “ qengin e parë që ma falën e lashë në pyll/ T’i ndillte ujqërit. E kish marr malli pyllin tim për ujqër” apo “Në gjysmën time binte borë, në tjetrën dita gjarpri plaste vape…”, ku shfaqen dilemat njëherësh me atë që kishte ndodhur dhe ajo që ndodhte. Poezia lidhet fort me ngjarjet e vitit 1990, një vit i cili krijoi shumë raporte brenda shqiptarëve, për shkakun e të kaluarës dhe të ardhmes.

Hamit Aliaj risjell përmes poezisë së tij perceptime të ndjera lirike, poezi të cilat krijojnë një ndjesi njerëzore, një profilitet të veçantë, që mbart një lidhje të fortë me atë që ai e ka kultivuar që herët dhe që lidhet fort me ndjesinë popullore apo të mjedisit ku ka jetuar, pasi ato janë të ngarkuara me një kumt të dukshëm njerëzorë, ku e bukura është kaq afër, gati e prek dhimbjen dhe është gati të prishë ekuilibrat, që gjithsesi nuk prishen kurrë. Poezia “Ti je harrimi” është ndër poezitë lirike, një poezi dashurie me anë të cilët poeti arrin të krijojë një përfytyrim të qartë mbi marrëdhëniet dhe raportet që ai ka me femrën si burim jetësor nga njëra anë, por dhe si një ndjesi e flladitje bukurie dhe ëmbëlsie. Ai shkruan ndër të tjera :”Ti je harrimi/ Se kur të shoh ty, unë harroj të plakem,/ Gjithë bukurive të tjera emrin ua harroj,/ E i thërras me emrin e paemër…”. Lehtësisht poeti krijon një raport të epërm, të besueshëm dhe të duket sikur të kujton një këngë të dëgjuar dhe më herët. Këtë ndjesi e shpalosin dhe poezi të tjera si: “Kjo ditë që ikën, nesër vjen”, një poezi lirike me një gjerësi gati universale (Ajo lule që ti mban në dorë/ Kushedi nga çfarë e çuditshme vjen/ E krijuar nga shirat a nga hiri/ Të një hapësirë të mistershme si gruaja,/ A nga avujt e Vaterlosë së përgjakshme,/ Ndoshta është gjaku i Zhuljetës a Lorkës,/ A një lot i një dashurie të humbur…). Poezie e dashurisë tek Hamit Aliaj ndërtohet mbi detajet të cilat i lejojnë poetit të vizatojë  një ndjesi hyjnore dhe të perimetrojë një metaforë universale.

Natyrisht në poezinë e Aliajt ka një numër të konsiderueshëm dhe të vazhdueshme të poezive që lidhen me Kosovën. Janë poezi të një konteksti të gjerë, një përjetim i vazhdueshëm që nga fëmijëria e tij, pasi atë që e dëgjonte në mbrëmje me familjen, të nesërmen përpiqej ta mishëronte në pamjen e tokës së Kosovës, e cila gjithë ditën i qëndronte para syve. Poezia “Varret e shkjeve” është e hershme, por në simbolikën e vet, ajo mbart një histori armiqësie, atë të luftës me serbët, një histori e trishtueshme e hershme ballkanike. “Një mijë vjet as gjallë, as vdekë,/ një mijë vjet as njerëz, as dhe”, më pas “Mbille lule- gjak kullon,/ mbille ahun- nuk dushkon” dhe “Vure veshin:/ kënga jonë tash një mijë vjet,/ s’po i lë të vdesin.” Është një histori mbijetese, një histori luftërash, një mijë vjet as gjallë e sa vdekur. Në të vërtetë është metafora e luftërave të vazhdueshme të shqiptarëve me serbët, që Aliaj e sjell mjeshtërisht përmes këtij vargu gati epik. Një tablo të gjërë për Kosovën poeti sjell përmes poemës “Dhe mbi trekëmbësh ecte shekulli”: Krejt gjak ishte Kosova,…/Gjak krajlësh e sulltanësh u mbush,/ Në tokën e qiellin e  saj betohen/ dhe toka e qielli i saj/ gjëmojnë e qesin prush…” dhe poezi të tjera që duket se e lidhin atë dhe përfytyrimet e tij me legjendat kryesisht si thirrje dhe kujtesë për mbijetesën.

Një qasje interesante në poezinë e Hamit Aliajt janë edhe frymëzimet që mbartin në vetvete kultin e bjeshkës. Është një cikël i rëndësishëm, gati jetik, i domosdoshëm dhe përhershëm. Poezia është një hymn për kultin e bjeshkës, ajo që titullohet “E ruaj një fjalë për ty”, e cila kthehet gati në një baladë për shkak të përjetimit të thellë që ai ka sa herë flet për bjeshkën: “Se janë do fjalë që mund t’i thuhen vetëm nënës,/ Vetëm nënës a dashurisë,/ se janë do fjalë që e bëjnë/ fëmijën burrë e burrin fëmijë…”, se bjeshka atje është kult, është një vend ku mund të ulen zotat në mbrëmje për të ikur në mëngjes, se atje janë zanat e bukura, drerët dhe lartësitë e botës. Kulti i bjeshkës është shtrirë në shumë përjetime të tjera të poeti në poezinë e çdo vëllimi.

Hamit Aliaj ka një poezi në të cilën preket gjithçka që e rrethon poetin, gjërat që frymojnë dhe krijojnë ndjesinë e pranësisë (të pasurit apo të qenët pranë), pra të duket se i ke pranë. Jetësimet dhe personifikimet e shumta, gati gjithë poezia e tij është një lloj personifikimi, ku ai i trajton gjërat si të shpirtëzuara dhe komunikuese, ndaj e bëjnë atë të jetë i pranishëm. Poezia që u shkruajt para viteve ‘90 prek në jo pak raste dhe veset që kishte shoqëria e kohës, ashtu siç janë refleksionet për natyrën, një arsenal i vendeve dhe maleve, krojeve dhe majave, fushave dhe qafave, Valbonës dhe fshatrave, stinëve dhe moteve, borës dhe shiut, festave dhe njerëzve, duke e bërë poezinë e Hamit Aliaj kaq jetësore dhe të afërt me kohët dhe kohën.

Një lexim brilant të krijojnë poezitë mbi personazhet legjendarë dhe historikë, siç është poezia: “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Zeka i zi”, “Shkëmbi i Gjo’ Balës”, “Si krijohen legjendat”, “Isa Boletini në Londër”, “Sulejman Vokshi”, “Ali Ibra”, “Mic Sokoli”, “Col Delia” etj. Një mundësi përjetimesh të mëdha të poetit me kohën, historinë dhe mjedisin janë poemat që poeti Hamit Aliaj i ka lëvruar me një fuqi artistike të jashtëzakonshme, pasi në përditësinë e tij ka pasur gjithmonë një lidhje të fortë të njeriut me të kaluarën, me legjendën dhe historinë e njerëzve.

Poeti Hamit Aliaj është një poet me një profil të njohur, një profil që ai e ka krijuar përmes zëshmimit artistik dhe estetik të mjedisit ku ka lindur dhe është rritur.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • FOTO: I sulmoi dhe fyeu me foto të mbuluara në rrjete sociale, kush janë personat e përfshirë në postimin e Ramës
  • 19 qershor 2026
  • Çfarë pritet t’i ndodhë ekonomisë shqiptare nëse lufta kundër drogës dhe pastrimit të parave do shkojë më tej
  • Takimet në ishullin e famshëm kanë hedhur dritë mbi një nga dyshimet më të forta të hetimit
  • Nga Sazani në Australi: Perandoria miliardere e familjes Trump ndesh në revoltë qytetare

Komentet e Fundit

  1. K R on Leksione morali me Aruba në sfond
  2. K R on Kush është zyrtari i lartë afër kryeministrit Rama që ka marrë pjesë në takimin e Arubës?
  3. Ana on Kush është zyrtari i lartë afër kryeministrit Rama që ka marrë pjesë në takimin e Arubës?
  4. K R on Taksixhiu dhe Agjentët Grekë
  5. Një vlonjat pa parti në Londër on Taksixhiu dhe Agjentët Grekë

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?