Nga Fatos Tarifa
Në kujtim të Kastriot Gjinit dhe për shokët e brezit tim
PJESA I – Për një kohë të gjatë kam vënë re se shijet dhe pëlqimet muzikore që krijojmë në moshë të re mbeten me ne gjatë tërë jetës. Ne u kthehemi e u rikthehemi këngëve të rinisë sonë, vazhdojmë të pëlqejmë të njëjtin stil muzikor si atëherë dhe, pavarësisht se mësohemi e pëlqejmë edhe stile të reja, muzika dhe këngët tona më të pëlqyera mbeten ato të periudhës së rinisë.
Kjo nuk është një dukuri specifike shqiptare, por një dukuri e përbotshme. Elvis, Beatles, Rolling Stones e të tjerë këngëtarë apo grupe të mëdhenj të viteve 1960 dhe 1970 vazhdojnë të pëlqehen shumë edhe në ditët e sotme, jo vetëm sepse ata ishin vërtet të mëdhenj dhe muzika e tyre— një risi për atë kohë—vërtet shumë e bukur, por edhe sepse brezat e rinj të atyre dekadave dhe ata që në atë kohë ishin adoleshentë vazhdojnë të jenë gjallë e ta dëgjojnë atë muzikë edhe sot.
Muzika me të cilën rritemi dhe personi që bëhemi
Çdo brez i ri ka një stil dominues në muzikën e kohës së vet dhe disa këngë të veçanta hit që e dallojnë atë nga brezi paraardhës, ose nga brezat që vijnë pas. Ky stil dominues (ose stile të ndryshëm po aq popullorë) dhe këngët më të suksesshme të çdo periudhe lidhen në shumë mënyra me brezin e ri të asaj kohe.
Gjatë shekullit të 20-të, si edhe sot, muzika, më shumë, se çdo formë tjetër arti apo veprimtarie kulturore, më shumë edhe se letërsia, ka pasur e vazhdon të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në radhët e moshave të reja, në mënyrën e jetesës së të rinjve dhe, deri diku, në formimin e personalitetit të tyre.
Studime në neuroshkencë kanë arritur në përfundimin se dëgjimi i muzikës angazhon pjesë të veçanta të trurit të njeriut duke provokuar një reagim emocional (pozitiv ose negativ) ndaj saj, duke ndikuar në sjelljen emocionale, në ritmin e rrahjeve të zemrës (duke krijuar, sipas rastit, ankth, trishtim, ose kënaqësi), deri edhe në mënyrën e të menduarit.
Ndikimi i muzikës në mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes ka, pra, një bazë fiziologjike. Kjo do të thotë se një lloj i caktuar muzike mund të ndikojë në mënyrën e të menduarit dhe në sjelljen jo thjesht të një individi të vetëm, por edhe të një mase të gjerë njerëzish. Por kjo do të thotë, gjithashtu, se ky ndikim ndihet jo vetëm në momentin e përjetimit imediat shqisor të muzikës, por edhe ruhet në “memorien” e dëgjuesit e mund të vazhdojë të ruhet në të për një kohë të gjatë.
Kur shumë nga njerëzit e brezit tim në Tiranë, që janë rritur me muzikën Rock të viteve 1960-1970, dëgjojnë sot këngë të tilla si, “Hit the Road Jack” (Ray Charles), “Yellow Submarine” apo “Lady Madonna” (The Beatles), “(I Can’t Get No) Satisfaction” apo “Gimme Shelter” (Rolling Stones), “Black Dog” (Led Zeppelin), “Superstition” (Stevie Wonder), “Rock Steady” (Aretha Frnaklin), “Nutbush City Limits” (Tina Turner), “Hot Stuff” (Donna Summer) ose “Stayin’ Alive” (Bee Gees), unë besoj se ata përjetojnë, siç përjetoj edhe unë, emocione po aq të forta sa në kohën kur i kanë dëgjuar për herë të parë—dhe vazhdimisht më pas—këto këngë.
Nostalgjia si një tipar i gjendjes sonë humane
Nostalgjia për atë kohë (dhe për rininë që s’kthehet më) na rrëmben mendërisht dhe emocionalisht në vitet e adoleshencës e të rinisë, edhe pse, në Shqipërinë e varfër komuniste të asaj kohe, kushtet e jetesës, liria dhe mundësitë e informimit mbi botën e të komunikimit me të ishin tejet të kufizuara.
Unë jam i sigurt se këngë të tilla, si dhe shumë të tjera të kënduara në atë kohë nga këngëtarë dhe grupe të njohur të muzikës Rock, Rhythm and blues dhe Pop, edhe nëse pëlqehen nga të rinjtë e sotëm, nuk pëlqehen e nuk përjetohen emocionalisht prej tyre njëlloj siç pëlqehen e përjetohen nga unë dhe nga moshatarët e mi që u rritëm me ato këngë.
Ato ishin muzika dhe këngët e brezit tonë. Ne i donim dhe i duam ato besnikërisht, madje i mbrojmë me xhelozi nga kushdo që sot i konsideron ato këngë dhe atë muzikë si démodé.
“Të mirë janë”, më tha disa ditë më parë një miku im gazetar, ndërsa shihte videoklipin e versionit të këngës “Twist and Shout”, kënduar nga Beatles në vitin 1963, “por për mua janë pak të vjetër”.
Fjalët e tij më konfirmuan pikërisht atë çfarë unë po përpiqem të argumentoj. Dikujt që ka lindur në vitin 1969, siç është rasti i mësipërm, pra pikërisht atë vit që Bitëllsat u ndanë dhe që, për këtë arsye, u rrit pa ata, është e natyrshme që këngët e tyre t’i duken “pak të vjetra”, ndërkohë që mua dhe brezit tim ato këngë na pëlqejnë njëlloj si në kohën e tyre.
Të rinjtë e sotëm kanë muzikën dhe këngët e brezit të tyre. Dallimi në këtë çështje është kaq evident, sa shumë herë këta dy breza, që i ndan thuajse një gjysmë shekulli, e shohin njëri-tjetrin jo thjesht si të ardhur nga një kohë tjetër, por edhe nga ndonjë planet tjetër.
Muzika si gjendje kulturore e shoqërisë
Muzika e krijuar në një periudhë të dhënë të zhvillimit shoqëror integron në vetvete gjendjen kulturore të shoqërisë si dhe përjetimet emocionale të njerëzve në jetën e tyre të përditshme, sidomos ato të brezit të ri. Muzika ka ndikuar e ndikon shumë veçanërisht në mënyrën se si të rinjtë mendojnë, sillen e vishen në një periudhë kohe të caktuar. Ky ishte një tipar dallues i rëndësishëm sidomos i rinisë së viteve 1960 dhe 1970 në Angli, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada dhe në vendet e Europës Perëndimore.
Më qartë se kudo kjo u shpreh në mënyrën e jetesës, në stilin e muzikës dhe në mënyrën e veshjes së miliona adoleshentëve dhe të rinjve amerikanë në vitet 1960, që u bënë pjesë e një kundërkulture (counterculture), e cila iu kundërvu vlerave dhe normave politike, morale, kulturore e artistike tradicionale të shoqërisë amerikane të asaj kohe. Në fakt, kundërkultura e viteve 1960 ishte ekuivalenti kulturor i opozitës politike të asaj shoqërie.
Kastriot Gjini si frymë e lirisë
Unë vetë, termin “kundërkulturë” e kam dëgjuar për herë të parë më 1970, kur isha nxënës në vitin e dytë të shkollës së mesme. Dhe kam dëgjuar së pari të flitet për të nga Kastriot Gjini—Oti, siç e njihnin dhe e thërrisnin atë familja, të afërmit dhe shokët e tij më të ngushtë—fenomeni më interesant i muzikës së lehtë shqiptare në atë kohë.
Kastrioti ishte vëllai i madh i Spartakut, shokut tim më të ngushtë, me të cilin ishim në një klasë dhe banonim në të njëjtin pallat, në kryqëzimin e dy prej rrugëve kryesore të Tiranës së Re, që në atë kohë mbanin emrat “Miqësia” dhe “Dëshmorët e 4 shkurtit”.
Kastrioti ishte diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi angleze dhe sapo kishte filluar punë në sektorin e jashtëm të Radio Tiranës. Këto dy rrethana—gjuha angleze dhe vendi i punës—ishin një avantazh i madh për një djalë të ri dhe shumë të talentuar si ai, sepse, në atë kohë, Oti ishte ndër të paktët që kishte kontakte të vazhdueshme me letërsinë dhe me shtypin e botuar në një gjuhë të huaj, të cilën shumë pak njerëz e njihnin.
Oti ishte ndër njerëzit më të lexuar e më të informuar të brezit të vet. Anglishtja, në ato vite një ornament intelektual i rrallë në radhët e rinisë së arsimuar të Tiranës, ishte për të një mjet pune, por edhe një mjet krijimtarie. Për këtë arsye, Oti 21 vjeçar ishte ndër të paktët që dinte se ç’po ndodhte në Perëndim, këtej dhe andej Atlantikut, edhe pse ai vetë asnjëherë nuk i kishte kaluar kufijtë e vendit të vet. Në një mënyrë tragjike—dhe ironike bashkë—të vetmen herë që ai doli nga Shqipëria, nuk mundi të kthehej dot më, sepse jeta e tij u shua në një spital në Romë, pa mbushur ende 30 vjeç. Sot ai do kishte moshën e vëllait tim të madh, Melsit.
Oti dhe Taku ndanin të njëjtën dhomë gjumi në apartamentin e tyre. Në atë dhomë, edhe pse jo shumë shpesh, kam kaluar mbrëmje të paharruara duke dëgjuar këngët që kompozonte dhe luante Oti në fizarmonikë. Ai na fliste për Bitëllsat, për muzikën dhe për ndarjen e atij grupi pak kohë më parë, por na fliste edhe për (Rolling) Stonsat edhe Bob Dylan-in.
“Dylan”, na tha Oti në një rast, “shkruan muzikë të një lloji të veçantë; muzika e tij është antimuzikë dhe kultura që ai përfaqëson është antikulturë”. Ai e shihte muzikën e Bob Dylan-it si një shprehje të protestës së rinisë amerikane kundër padrejtësive shoqërore dhe kundër Luftës në Vietnam.
Në veshët tanë, si 16 vjeçarë, fjalët e Otit gjëmonin si këmbanë. Nuk mund të them se ato fjalë çelën në ato vite një perspektivë të re, përmes së cilës ne të mund të gjykonim e të vlerësonim realitetet e asaj kohe, por jam i sigurt se kanë ndikuar sado pak për të hapur mendjet tona.
Shkëlqimi i kulturës pop në Amerikën e viteve 1950-1960 dhe simbolet e saj
Qysh në mesin e viteve 1950, Elvis Presley, i pari megarstar i muzikës Rock, kishte ndryshuar çdo gjë: Muzikën. Gjuhën. Veshjen. Me Elvisin, të gjitha këto u bënë, si të thuash, afrodisiake dhe seksibicioniste. Ndikimi që pati Elvis në muzikën, në kulturën dhe në stilin e jetesës së rinisë amerikane të viteve 1950 dhe 1960 ka qenë i jashtëzakonshëm. Leonard Bernstein, kompozitori dhe dirigjenti legjendar amerikan, i cili konsiderohet si një ndër gjigandët e shekullit të 20-të, e ka cilësuar Elvis Presley-n si “forcën kulturore më të madhe të shekullit të 20-të”. Elvis shënoi fillimet e një revolucioni të ri kulturor e shoqëror, në atë masë sa Bernstein, me të drejtë ka vënë në dukje se “the Sixties erdhën prej tij”.
Qysh në fillimet e karrierës së tij—në vitin 1954, pikërisht atë vit që unë linda—Elvis pati një ndikim kulturor shumë të madh, sidomos në radhët e rinisë amerikane. Deri atëherë, shumica e muzikantëve amerikanë kishin krijuar kryesisht këngë për të rriturit; Elvis u dha adoleshentëve dhe rinisë amerikane një muzikë dhe këngë të një lloji tjetër, me të cilat ata u rritën.
Në mesin e viteve 1950, Elvis qe bërë një fenomen kombëtar në kulturën amerikane dhe koncertet e tij filluan të mblidhnin turma të mëdha adoleshentësh e të rinjsh që nuk ishin parë ndonjëherë. Në fakt, Elvis e shndërroi Rock-un në gjuhën universale të muzikës pop dhe vetë ai u bë një ikonë kulturore e përbotshme, që vazhdon edhe sot të tërheqë miliona njerëz anë e mbanë globit.
Elvis nuk ishte i vetmi “Rock Star” në vitet 1950. Shumë muzikantë dhe këngëtarë të tjerë i dhanë fizionominë e vet asaj periudhe. Thuajse në të njëjtën kohë me Elvis-in, Jerry Lee Lewis dhe Buddy Holly zhvilluan një stil Rock-u të tyre. Këta, si dhe një radhë muzikantësh virtuozë afro-amerikanë—Chuck Burry, Fats Domino, Bo Diddley, Ray Charles, apo Little Richard me hitet e tij të paharrueshëm “Tutti Fruti” apo “Long Tall Sally”, ose Roy Orbison me të famshmen “Ooby Dooby”—kishin sjellë një erë të re në muzikën dhe në kulturën pop të Amerikës, çka do të kishte një ndikim shumë të madh në zhvillimet e një dekade më pas.
Në fundin e viteve 1950, Elvis Presley, i cili, së bashku me Marilyn Monroe, mbeten edhe sot e kësaj dite simbolet më emblematike të kulturës pop në Amerikë, kishte paralajmëruar në mënyrën e vet të paimitueshme revolucionin seksual që do të vinte një dekadë më vonë.
Po në vitet 1950, një numër filmash, në të cilët luanin aktore superstar dhe ikona të seksit—Marilyn Monroe, Elizabeth Taylor, Jayne Mansfield, Natalie Wood dhe, më vonë, Raquel Welch (në Amerikë), Brigitte Bardot, Sofia Loren, Anita Ekberg apo Gina Lollobrigida (në Europë)—i ndihmuan më tej thyerjes së tabuve neoviktoriane mbi imazhin dhe moralin e gruas.
Nga ana tjetër, Marlon Brando, me filmin e tij “The Wild One” (1954), në të cilin ai luan rolin e kreut të një bande motoçiklistësh që lëvizin dhunshëm në një qytet të vogël të Kalifornisë, si dhe James Dean (me Natalie Wood), me filmin “Rebel Without a Cause” (1955), në rolin e një adoleshenti të shqetësuar në një rrethinë afluente të Kalifornisë, duke portretizuar rebelizmin e një rinie të tjetërsuar dhe sfidante ndaj vlerave të shoqërisë së tyre, ishin bërë ndërkohë jo thjesht yje të kinemasë, por heronjtë e brezit të ri amerikan.
Po në atë kohë, një kulturë e re, e njohur si kultura “Beat”, letërsia dhe një mënyrë e re jetese kishin arritur të ndikonin në shtresat e gjera të rinisë së arsimuar amerikane, duke i shtyrë ato të bëheshin pjesë e asaj antikulture që lindi në North Beach të San Franciskos dhe në Greenwich Village në Manhattan, por që do të përhapej kudo në Amerikë, veçanërisht në vitet 1960.
Rendja e të rinjve pas muzikës Rock u bë një mënyrë e preferuar e tyre për të sfiduar autoritetin e prindërve dhe të të rriturve. Në një farë mënyre, “Rock ‘n’ Roll” u mundësoi të rinjve të çliroheshin nga ajo botë pritshmërish që të tjerët kishin për ta, i lidhi ata me ndjenjat dhe emocionet e tyre dhe i afroi me njëri-tjetrin, ngado që ishin.
Pa kaluar shumë kohë, Rock-u e lidhi rininë amerikane edhe me rininë e vendeve të tjera të globit, duke u bërë shprehëse e ideve, e vlerave dhe e emocioneve të brezit të ri të asaj kohe, duke i dhënë atij brezi një sens identiteti, si një grup shoqëror më vete.
Rock ‘n’ Roll u bë më shumë sesa thjesht një formë argëtimi masiv për të rinjtë; për ta, kjo muzikë ishte çlirim, vitalitet, seksualitet dhe pavarësi. Si e tillë, ajo e thelloi edhe më tej hendekun mes brezit të ri dhe brezit të prindëve. Ndikimi i muzikës Rock në rininë amerikane të asaj kohe ka qenë kaq i madh, sa qarqet konservatore ekstremiste do ta quanin Rock-un një “shpikje të komunistëve për të shkatërruar Amerikën”.
The Beatles. Idioma e muzikës së tyre
Pikërisht në këtë kohë, në Amerikë mbërritën Ata. The Beatles. Ky grup, historia e të cilit mbetet edhe sot legjenda më e famshme e muzikës Rock, u krijua në vitin 1960 dhe shumë shpejt u bë i famshëm kudo në botë. Në shkurt të vitit 1964, John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr mbrritën në New York për t’u ngjitur në skenën muzikore e kulturore të Amerikës duke e ndryshuar radikalisht atë.
Mbërritja e tyre në Shtetet e Bashkuara shënon atë që shpesh quhet “invazioni britanik” i Amerikës, pasi këta katër djem të rinj nga Liverpuli u pasuan nga një numër i madh grupesh të muzikës Rock nga Britania e Madhe, si Rolling Stones, Led Zeppelin, Deep Purple, Pink Floyd, The Who, The Animals, The Moddy Blues e shumë të tjerë, të cilët, gjithashtu, u bënë pjesë e skenës muzikore e kulturore amerikane.
Në fakt, ishte muzika Bitëllsave, idioma e së cilës ishte “Liri, Dashuri dhe Kënaqësi”, ajo që ndryshoi shumëçka. Bitëllsat, sigurisht, nuk ishin e s’mund të ishin një fenomen i izoluar. Një fenomen i jashtëzakonshëm po, por jo i izoluar. Bitëllsat patën një model të madh, nga i cili mësuan. Ky ishte Elvis Presley. “Kur ishim fëmijë dhe rriteshim në Liverpool”, ka pohuar më vonë Paul McCartney, “e vetmja gjë që donim ishte të bëheshim si Elvis Presley”.
Po cili ishte mesazhi që sollën Bitëllsat në kontekstin e asaj kohe? Mesazhi kryesor i tyre ishte “Jeto tani, momentin”. Ata u bënë një forcë kulturore, figura ikonë të kundërkulturës dhe përfaqësuesit më simbolikë të asaj dekade. “Nëse doni të mësoni se ç’ishin vitet 1960”, ka thënë kompozitori i famshëm amerikan Aaron Copland, “luani muzikën e Bitëllsave”.
Me rebelizmin e tyre, The Beatles jo vetëm e ndryshuan peizazhin kulturor të Amerikës, por edhe e trullosën rininë amerikane më shumë sesa kushdo nga idhujt e mëparshëm të saj. Anarkisti rebel Abbie Hoffman, në librin e tij Revolution for the Hell of It, botuar më 1968, për të cilin, në atë kohë, u dënua me pesë vite burg, shkruante: “Lërini Bitëllsat t’ju mbyllin gojën dhe t’ju hapin mendjen!”.
Janë bërë proverbiale fjalët “Ne jemi më të famshëm se Krishti”, me të cilat John Lennon e sfidoi në atë kohë të Djathtën e krishterë në Amerikë, duke provokuar një reagim shumë të ashpër në radhët e qarqeve fetare dhe atyre më konservatore të asaj që njihet si “Brezi i Biblës” (Bible Belt) dhe ndalimin e koncerteve të tyre në stadiume dhe në mjedise të hapur kudo në Shtetet e Bashkuara.
Bitëllsat sollën një ndryshim të tillë në histori, që ndikoi në mënyrën se si ne i shohim gjërat sot. Me daljen e tyre në skenë në një prej periudhave më të trazuara në historinë e Amerikës, muzika e tyre jo vetëm reflektoi atë epokë, por edhe e tejkaloi atë, aq sa, edhe sot, ata mbeten të freskët për çdo brez pasardhës që e zbulon muzikën e tyre.
Ndërkohë, Bob Dylan, Mick dhe Rolling Stones, Jim Morrison, Jimi Hendrix, Paul Simon, Janis Joplin etj., sollën në muzikën dhe në kulturën amerikane ankthin dhe shqetësimet e brezit të ri të Amerikës, që përkundrejt padrejtësive të kohës kërkonte një të ardhme më të mirë.
Nga ana tjetër, ndërsa amerikanët dërguan të parët njerëz në Hënë, në korrikun e vitit 1969, mijëra të rinj amerikanë vriteshin çdo ditë në një luftë të padrejtë dhe shumë të kritikuar në Vietnam, ndërsa të tjerë protestonin me parrullën “Cuba Si, Yankee No” dhe kishin Che Guevara-n heroin e tyre.
Kundërkultura e viteve 1960
Vitet 1960 nuk mund të kuptohen pa lëvizjen e hipive (hippies), e cila, pasi lindi në rrugët “Haight” dhe “Ashbury” të San Franciskos, u zgjerua dhe u përhap si një kundërkulturë në mbarë Amerikën, në Kanada dhe në shumë vende të botës. Ethosi i asaj lëvizjeje u bënë të jetuarit në komunitet dhe në harmoni me natyrën, dashuria e lirë, eksperimentimi artistik, veçanërisht në muzikë, dhe përdorimi gjerësisht i substancave narkotike.
Pantallonat “bell-bottoms”, që vinin duke u zgjerua nga gjuri e poshtë dhe që ne, në atë kohë, në Tiranë i quanim “pantallona kauboj”, (ndoshta për shkak të origjinës së tyre të hershme dhe nga që i kishim parë ato në filmat “Western” me cowboys të asaj kohe), këmishat e ngushta shumëngjyrëshe e me jaka të gjata dhe bluzat T-shirt të rrudhura (tie-dye shirts), pantallonat blue jeans të dala boje dhe sandalet—këto u bënë veshjet e legjioneve të hipive dhe të rinisë amerikane në vitet 1960.
Të veshur në këtë mënyrë para mijëra e dhjetëra mijëra të rinjve, këngëtarë të famshëm të muzikës Psychedelic rock, si Jimi Hendrix apo Jim Morrison, ose të muzikës Blues Rock, si Janis Joplin e të tjerë, e popullarizuan këtë mënyrë veshjeje duke e bërë atë simbolin më jetëgjatë të antikulturës së viteve 1960. Si e tillë, kjo mënyrë veshjeje u përhap gjerësisht edhe në Europën Perëndimore dhe, deri diku, edhe në vendet socialiste të Europës Lindore, përfshirë—në një masë shumë më modeste dhe për një periudhë shumë të shkurtër—edhe Shqipërinë.
The Sixties konsiderohen zakonisht si një periudhë në të cilën jeta e rinisë amerikane konsistonte kryesisht në tri gjëra: Sex, Drugs dhe Rock ‘n’ Roll. Këto kultivuan në mendjet e të rinjve utopinë e një jete ku do të zgjidheshin të gjitha problemet e tyre. Thirrjet për një hedonizëm narcisist dhe për kënaqësi seksuale të çdo lloji, si rruga drejt çlirimit dhe, rrjedhimisht, si një detyrë politike ndaj vetes dhe ndaj shoqërisë, ishin një narrativë joshëse e fuqishme për brezin e ri, të lindur pas Luftës së Dytë Botërore (i ashtuquajturi “generation of baby boomers”), i cili, në vitet 1960 po rritej i mësuar me kulturën konsumeriste.
Në atmosferën që u krijua në fundin e viteve 1960, shprehja “If it feels good, do it”, u bë një slogan gjerësisht i përhapur në radhët e rinisë. Marijuana, që deri në atë kohë ishte përdorur fshehurazi, kryesisht nga muzikantët e Jazz-it dhe huliganët, tashmë filloi të përdorej kudo dhe gjerësisht nga të rinjtë. Përdorimi i saj u bë “sinonim i mendjes së hapur dhe i tolerancës” për kulturën e brezit të ri të asaj dekade.
VIJON NESËR ME:
Rinia e Tiranës në fillim të viteve 1970