Një zjarr i madh përfshiu ditën e djeshme Malin e Kujës, ku situata u përshkallëzua pasi flakët hynë në oborret e shtëpive, iu afruan magazinave dhe një pike të shpërndarjes së gazit. Pas kësaj Bashkia e Krujës lëshoi një urdhër urgjent evakuimi për banorët e zonave të Barabit dhe Llubanit, si pasojë e situatës kritike të krijuar nga përhapja e shpejtë e flakëve.

Gjithçka i përkiste kaosit, ku intensiteti i flakëve sa vinte dhe rritej, ndërsa banorët gjendeshin mes frikës dhe ankthit, pasi zjarri rrezikonte banesat e tyre. Megjithatë gjendja më kritike u paraqit në Barabit dhe Lluban, ku flakët e favorizuara nga era avancuan drejt zonave të banuara. Situatë e vështirë u krijua edhe në Spitalin e Krujës, pasi zjarri u afrua deri rreth 50 metra nga godina dhe pacientët u evakuuan gjatë natës.

Një magazinë është shkrumbëruar plotësish, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Në operacion u përfshinë mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në terren dhe nga ajri u angazhuan 21 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë, droni Bayraktar TB2, 2 dronë me kamera termike të AKMC-së dhe autoambulanca.

Zjarri la pas dëme të mëdha në natyrë, me një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore të djegur dhe një magazinë të shkrumbuar. Banorët përjetuan orë të vështira mes frikës dhe pasigurisë, ndonëse nuk pati asnjë të lënduar.
Një banor i Krujës ka rrëfyer Tv momentet e frikës teksa flakët iu afruan banesës së tij dhe brenda pak minutash rrethuan të gjithë zonën. Ai tregon se familjarët dhe banorët u përpoqën të mbanin zjarrin nën kontroll me autobotë uji, ndërsa nxorën me shpejtësi fëmijët nga shtëpia. Sipas tij, situata u kthye në kaos teksa e gjithë lagjja po evakuohej dhe ekzistonte frika se flakët mund të përfshinin edhe një fasoneri.
“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Për 5 minuta rrethoi të gjithë shtëpinë. Ne e kemi mbajt situatën vetë në kontroll me dy autobotë uji. Zjarrfikësit kanë ardhur sa për të shuar vatrat e vogla. Mami thonte nuk dal nga shtëpia, të digjem brenda. Dolëm, nxorëm fëmijët. U mbush oborri me njerëz që e kemi mbajt zjarrin. Ato zjarrfikëset e mbajtën në kontroll deri nga ora 10. Iu afrua më pas shtëpisë, doli zjarri para. Morën magazinat e ujësjellësit. Ka qenë një kaos i paparë. Nuk ka bërë vaki ndonjëherë. E gjithë lagjja po evakuohej, u bllokua rruga e zjarrfikëses. E gjithë lagjja u tmerrua. Kishim frikë mos shpërthente një fasoneri”, tha ai për Report Tv.
Një tjetër banore e Krujës ka rrëfyer momentet e përjetuara gjatë zjarrit, kur flakët rrethuan zonën dhe detyruan familjet të largoheshin nga banesat. Ajo tregon se dy djemtë e saj mbetën mes flakëve, ndërsa vetë nuk mundi të largohej për shkak të zjarrit.
“Mua shyqyr më shpëtuan fëmijët. Se ca ka qenë këtu mbrëmë, vetëm shpirti jonë di. Kemi marrë fëmijët kemi iku tek goca. Dy djemtë i kam pas mes flakësh. Dëme ka pasur, vetëm shtëpitë kanë shpëtuar. Helikopterët deri në darkë kanë qenë këtu. Nuk kam ec dot prej flakësh, më kapën dhe më çuan poshtë. U tmerruan fëmijët, mirë ne të vjetrit”, tha banorja për Report Tv.
j.l./ dita
