Dosja penale në ngarkim të Dritan Zaganin, ish-shef i Seksionit të Narkotikëve në Policinë e Fierit, duhet të rigjykohet nga e para. Kështu ka vendosur Gjykata Kushtetuese, e cila më 21 korrik 2026 ka vendosur të rrëzojë vendimin e Gjykatës së Lartë.
Avokatit të Zaganit, Dorian Matlija, vendimi i është dërguar vetëm sot dhe ai thotë se drejtësia tashmë ka marrë një kthesë të rëndësishme, e cila do të hedhë dritë mbi mënyrën sesi ish-shefi i Antidrogës u dënua me 4 vjet e 6 muaj.
Ai u shpall fajtor për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”, por sipas avokatit, drejtësia shqiptare nuk gjeti asnjë provë që të tregonte se Dritan Zagani kishte përfituar nga detyra apo se kishte favorizuar trafikantë.
“Përkundrazi, episodet e përdorura kundër tij lidhen me operacione të suksesshme që sollën sekuestrimin e 109 kilogramëve kanabis në Shqipëri dhe arrestimin në Itali të një personi me 6 kilogramë kokainë. Megjithatë, gjykatat e dënuan pa identifikuar ndonjë ligj konkret të shkelur, ndonjë dëm të shkaktuar apo ndonjë qëllim kriminal të Zaganit”, shkruan avokati.
Mbrojtësi ligjor Dorian Matlija thotë se çështja nuk mund të ndahet nga konteksti politik sepse Dritan Zagani kishte denoncuar lidhjet e ish-ministrit Saimir Tahiri me grupin Habilaj, trafikimin e drogës dhe dekonspirimin e operacioneve policore.
“Koha tregoi se denoncimet e Zaganit nuk ishin fantazi. Grupi Habilaj u bë objekt procesesh penale dhe ish-ministri Tahiri u dënua penalisht. Ndërsa Zagani, i shpallur fajtor publikisht nga Kryeministri përpara vendimit të gjykatës, u detyrua të largohej nga vendi dhe sot jeton nën mbrojtjen e azilit politik”, thotë avokati.
Reagimi i avokatit Dorian Matilja
Drejtësia për Dritan Zaganin merr kthesë. Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e kthen dosjen për rigjykim
Më 21 korrik 2026 (mbërritur sot) Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin e saj me të cilin ka pranuar ankimin e Dritan Zaganit, duke shfuqizuar vendimin e datës 18 shkurt 2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka kthyer çështjen për rishqyrtim.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese shënon kthesën e parë reale të drejtësisë shqiptare në një nga çështjet më simbolike të persekutimit të një oficeri policie që denoncoi lidhjet e niveleve të larta të pushtetit me krimin e organizuar.
Dritan Zagani, ish-shef i Seksionit të Narkotikëve në Policinë e Fierit, u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim për “shpërdorim detyre” dhe “moskallëzim krimi”. Ai nuk u akuzua kurrë se kishte përfituar nga detyra apo se kishte favorizuar trafikantë. Përkundrazi, episodet e përdorura kundër tij lidhen me operacione të suksesshme që sollën sekuestrimin e 109 kilogramëve kanabis në Shqipëri dhe arrestimin në Itali të një personi me 6 kilogramë kokainë. Megjithatë, gjykatat e dënuan pa identifikuar ndonjë ligj konkret të shkelur, ndonjë dëm të shkaktuar apo ndonjë qëllim kriminal të Zaganit.
Çështja nuk mund të ndahet nga konteksti politik. Zagani kishte denoncuar lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me grupin Habilaj, trafikimin e drogës dhe dekonspirimin e operacioneve policore. Përpara se gjykatat të vendosnin për fajësinë e tij, Kryeministri Edi Rama e shpalli publikisht kriminel dhe bashkëpunëtor të trafikantëve të drogës, si dhe person që dekonspironte operacionet e policisë. Edhe ministri i Brendshëm e sulmoi publikisht dhe i paraqiti denoncimet e tij si shpifje të një personi që kërkonte të fitonte azil politik.
Koha tregoi se denoncimet e Zaganit nuk ishin fantazi. Grupi Habilaj u bë objekt procesesh penale dhe ish-ministri Tahiri u dënua penalisht. Ndërsa Zagani, i shpallur fajtor publikisht nga Kryeministri përpara vendimit të gjykatës, u detyrua të largohej nga vendi dhe sot jeton nën mbrojtjen e azilit politik.
Akuza kryesore lidhej me një operacion në Levan të Fierit. Sipas dëshmive dhe provave të paraqitura në proces, Zagani siguroi informacion të saktë dhe ia raportoi informacionin eprorit të tij të drejtpërdrejtë, Skënder Hita. Operacioni u drejtua nga ky i fundit, me dijeninë e drejtuesve të tjerë të policisë. Sipas prokurorisë, ky operacion solli anomali në një operacion tjetër për arsye se eprorët e Zaganit nuk u koordinuan me qendrën. Për habi të të gjithëve, Dritan Zaganit iu ngarkua një përgjegjësi penale e fabrikuar, ndërsa drejtuesit e operacionit nuk u proceduan kurrë.
Madje, Skënder Hita, ish eprori i Zaganit në atë episod, sot është promovuar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 30 mars 2026. Ky kontrast është tregues i fuqishëm i karakterit selektiv të akuzës. Nëse operacioni në Levan kishte krijuar probleme, përgjegjësia nuk mund të ndalej te oficeri vartës që vetëm solli informacionin e vlefshëm dhe të harroheshin pikërisht eprorët që morët vendimin dhe drejtuan aksionin dhe nuk siguruan koordinimin e duhur me qendrën. Nëse drejtuesit nuk kishin kryer vepër penale, atëherë nuk shpjegohet se si i njëjti veprim u kthye në shpërdorim detyre vetëm për Dritan Zaganin. Kjo forcon bindjen se akuza ishte fabrikuar keq për të diskredituar dhe neutralizuar personin që kishte prekur interesa politike dhe kriminale.
Gjykata e Lartë e mbylli çështjen me një formulë standarde, tipike prej atyre që synojnë të ulin shpejt dhe pa cilësi stokun e dosjeve me qëllim fshehjen e dështimit katastrofik të reformës në drejtësi, pa iu përgjigjur pretendimeve themelore të mbrojtjes në një çështje kaq delikate. Gjykata Kushtetuese konstatoi se kjo e kishte bërë aksesin e Dritan Zaganit në drejtësi vetëm formal dhe kishte cenuar të drejtën e tij për proces të rregullt ligjor.
Tani, pas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, detyra e Gjykatës së Lartë është që të shpjegojë konkretisht:
• cili ishte ligji i shkelur nga Zagani;
• si mund të përgjigjet penalisht për një operacion të drejtuar dhe kryer nga eprorët e tij;
• cila ishte pasoja reale, kur ai vetëm furnizoi me informacion të vlefshëm eprorët për qarkullimin e lëndëve narkotike;
• përse u shpërfillën provat shfajësuese dhe konteksti i presionit publik të ushtruar nga Kryeministri dhe ministri i Brendshëm.
Vendimi kushtetues më në fund rrëzoi murin procedural që e mbante të paprekur dënimin e tij. Pritshmëria e ligjshme tashmë është që Gjykata e Lartë të zhvillojë një shqyrtim real dhe të përballet me pyetjen që drejtësia shqiptare e ka shmangur për më shumë se një dekadë në këtë çështje: A u përdor procesi penal për të ndëshkuar dhe heshtur një oficer policie që denoncoi lidhjet e pushtetit me krimin?
Çështja Zagani ka rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për mbrojtjen e sinjalizuesve. Mbrojtja e tyre duhet të jetë efektive kur denoncimi prek drejtuesit e vetë institucionit ose nivelet politike dhe kur përdorimi i kanaleve të brendshme mund ta ekspozojë sinjalizuesin ndaj hakmarrjes, diskreditimit publik apo ndjekjes penale.
