Në 100-vjetorin e gjimnazit të famshëm
Nikolla Llambro, Athinë*
Gushtit të vitit 1962 po i vinte fundi. Bashkë me të, po u vinte fundi edhe pushimeve verore. Kisha mbaruar 7-vjeçaren në shkollën “Koto Hoxhi” dhe im atë, më regjistroi në gjimnazin “Asim Zeneli”, i vetmi gjimnaz i qytetit.
Bashkë me gushtin ikën dhe lojërat e moshës, rendjet zbathur në qersat e Galanxhive, “vjedhjet”e frutave në kopshtin e mirëruajtur të Xha Mihalit, ndjekjet e mëllenjave në kodrat e Teqesë, zënkat me moshatarët e lagjes dhe sidomos ankesat e prindërve të tyre për çapkënllëqet e mia. Bashkë me tërë këto, mbaroi dhe roli im si “Komandanti legjendar” –Timuri. Ky qe imitimi i një personazhi në filmin sovjetik të kohës, për fëmijë “Timuri dhe shokët e tij”. Kjo skuadër me komandant Timurin ndihmonte moshat e vjetra në punë të ndryshme, fëmijët e mitur, etj. etj., ndërsa skuadra nën “komandën” time, më tepër bënte çapkënllëqe në lagje dhe në kopshtet përreth. Me fillimin e Shtatorit shpëtoi dhe motra ime e vogël, e cila çdo natë ishte e detyruar të më pastronte nga këmbët e zbathura, gjëmbat e drizave. Çdo vit, me mbarimin e shkollës dhe gjithë verën, unë tërë ditën vrapoja zbathur në lagje e kudo.
Ditën e parë të shkollës, nuk e mbaj mend, por mbaj mend që, për herë të pare, vesha pantallona të gjata dhe sandale fringo të reja. Isha rritur tashmë dhe kish filluar të më “djersinte mustaqia”. Shokët e klasës të vitit të parë, nuk i mbaj mend të gjithë, por di që ishim mbi tridhjetë e ca. Klasa jonë e vitit të parë, ishte në katin e tretë në fund të korridorit, në anën veriore. Ditët e para të fillimit më shoqëronte një ndjenjë e çuditshme ankthi e stresi për të panjohurën, një jetë e re kish filluar. Më kujtohet që, klasa jonë kish tre rreshta dhe unë rrija në rreshtin e mesit, afër fundit. Me sa më kujtohet matematikën na i jepte Sotir Vardhami, paksa ironik dhe i rreptë. Lëndën e kimisë, mësues Tajar Kokalari, një djalë i gjatë, me trup atleti. Kish një të folur disi hundor. Qe serioz, por jo i rreptë. Lëndën e fizikës, Luiz Çene. Luizi, ishte trupgjatë e i bëshëm, natyrëheshtur, fliste pak dhe shpesh tërhiqej në botën e tij. Gjeografinë, mëseus Banush Mezini. Banushi, qe një djalë i ri, i bukur dhe gjithmonë i qeshur. Ta bënte të bukur mësimin. Lëndën e rusishtes, Myniver… grua e rreptë, aspak toleruese. Unë dridhesha në orën e saj dhe mezi merrja notën pesë. Mbiemrin nuk e mbaj mend. Letërsinë, Alqi Jani. Alqi, mësuesi zagorit me një trup të hollë e të pakët, më kish qejf se shkruaja hartime me fantazi, por në teori isha tapë. Historinë, Nasho Ksera…etj…etj.
Qenë ditët e para të fillimit të mësimeve. Në klasë hyri mësuesi i historisë, Nasho Ksera. Nashua ishte trupmadh, fliste fort e me pasion për historinë, me një theks paksa minoritar, që tregonte origjinën e tij nga fshati Dervican. Filloi mësimin duke na pyetur për disa data të rëndësishme të historisë. Midis të tjerëve ngriti dhe Rahman Bocin, shokun tone, që vinte në shkollë çdo mëngjes me këmbë nga Lazarati. E pyeti nga vinte dhe si quhej. Rahmani, me atë aksentin lazaratas iu përgjigj me ndrojtje.
Mësuesi i tha: Më thuaj ti, mor djalë i mirë ,kur u formua Partia Komuniste Shqiptare?
Rahmani me gjysëm zëri dhe i skuqur, iu përgjigj, në mos gaboj: “Më 29 Nëntor 1941, mësus!”
Mësus Nasho shtangu. Ne ulëm kokat. Mësuesi vrapoi tek dritarja, e hapi dhe bërtiti fort: “Policiaaaa…policiaaa…të lidhi urgjentisht mësuesit e paaftë të Lazaratit!”
Rahmani u bë paparunë në fytyrë. Ditët kalonin, ne rriteshim. Në vitin e parë, në programin mësimor ishte që, një ditë në javë, shkonim në prodhim. Na u caktua që çdo të premte, ne djemtë, të venim në Fabrikën e Cigareve, për të mësuar zanat. Dhe ne, e “mësuam”mirë zanatin! Mbushnim astarët e xhaketave me cigare “Partizani” dhe tymosnim fshehurazi. Në shkollë, vendi ku tymosej cigare ishin ËC-të e djemve mbrapa shkollës, lart nga ana veriore, në krah të Palestrës. Në pushim të gjatë, aty mblidheshin duhanxhinjtë dhe ajo godinë e vogël përdhese, që të shponte hundët nga amoniaku, nxirrte tym si oxhak. Dukej nga shkolla, por besoj mësuesit bënin sikur nuk dinin gjë. Unë, aty veja rrallë. Me Margo Lolin tymosnim në shtëpinë e tij, kur mungonte mëmë Lola. Bile ne përgatisnim paketa të vogla me nga 5-7 cigare dhe i fshihnim në vrimat e mureve, në rrugët që e dinim se do të kalonim. Kur binte shi, cigaret lageshin, por ne i zëvendësonim. Duhet të ketë qenë viti i tretë, kur një mbasdite, në ato studimet kolektive, që bëheshin të detyruara nëse klasa nuk kish rezultatet e duhura, hyri papritur drejtori i shkollës, Muharrem Bejleri.
Duke shëtitur nëpër klasë i vajtën sytë tek xhepi im, nga ku dukej kapaku i paketës së cigareve “Partizani”.E tërhoqi dhe më zuri nga veshi. U skuqa dhe po dridhesha nga turpi, ndrojtja dhe frika. “Edhe ti, Llambro?” -më tha. Turp! Nesër, thuaj Filipit (tim eti) të vijë të më takojë. Dhe tani mblidh librat dhe mbathja në shtëpi.
Ku të veja? Çfarë të thosha në shtëpi? Hej bela! U bë nami! Drejtor Muharremi, ishte truphollë, i rreptë, disi ironik, por i drejtë. Më parë, drejtor shkolle qe Bashkim Karagjozi, një burrë i vjetër, babaxhan. Oborri i shkollës ishte i madh. Ai ndahej më dysh nga hyrja kryesore. Nga ana veriore mblidheshin djemtë në mëngjes e në pushim të gjatë nën hijen e akacieve të mëdha. Vajzat grumbulloheshin nga ana tjetër. Te muri, nën akaciet, ne zakonisht kopjonim detyrat e matematikës, fizikës dhe kimisë nga shokët që ishin më të zotë, si Pando Karai, (shoku im i mirë, që iku shumë shpejt nga jeta), Kristaq Kikina, minoritari nga Dropulli i Sipërm, shoku im i ngushtë, që mbaroi për matematikë-fizikë shkëlqyeshëm dhe drejtoi Katedrën e Universitetit “E.Çabej”, Gjirokastër deri sa doli në pension. Me Kristaqin, takohemi shpesh kur gjendem në Gjirokastër e molloisemi për ato vite. Kristaqi kishte talent absolut në lëndët ekzakte. Fliste me një aksent shumë të theksuar minoritar. E kish “keq”, në lëndët e gjuhës e të letërsisë. Ne, për shaka e ngacmonim…Mbyllnim grushtin dhe e pyesnim: “Kristaqiii..ç´e kam këtu?” Kristaqi në fillim qeshte dhe nuk përgjigjej. Më vonë bezdisej, nxehej dhe skuqej. Ne: “Kristaqi, ç’e kam ketu?(me aksent minoritar). Kristaqi përgjigjej fort dhe me inat: “P……e neeee..nes !” Plaste gazi!
Ata që mbaruan maturë, në vitin 1966 nga klasa e katërt B në mos gaboj, ishin këta: Vajza: Adriana Zeko, Idajet Skënduli, Afesa Mosho, Violeta Galanxhi, Violeta Qendro (u largua në vitin e tretë). Elsa Mezini (u bashkua me ne vitin e tretë), Burbuqe Haska, Marjanthi…(mbiemri s’më kujtohet), DonikaToro.
Nga djemtë: N.Llambro, Agim Ajazi, Ilia Fidhi, Margo Loli, Jorgo Masho, Kristaq Kikina, Petrit Llano, Vangjel Lloli, Fatos Gjebrea, Spiro Dede, Anastas Kano (Liçua, siç i flisnim), Vasil Cinga, Derviciani. Kishim edhe një shok tjetër nga Derviciani, por nuk më kujtohet emri. Rahman Boci, Ziso Kondi, Pandeli Karaj, Përparim Hila, Agathokli Çajupi, Vladimir Sinojmeri ! Fane…(s’më kujtohet mbiemri), Kristaq Mandi, Margo Kaçi, Ile Kotoni, Maksim Hakani (u largua para se të mbaronte maturën). Maksi kishte ardhur nga Tirana për të vazhduar shkollën në vitin e dytë a të tretë, mbasi prindërit i kishte jashtë shtetit me shërbim në një ambasadë.
Një nga shokët, që dallohej në atë kohë ishte Petrit Llano. Të gjithë pjesëtarët e familjes ishin mjeshtra si kovaçë, kurse Petriti nuk ishte i tillë. Ai këndonte bukur dhe tërë ditën nuk pushonte. Petriti, shkruante vjersha, ishte poet. Bile edhe provimin e maturës në letërsi e bëri në vargje. Nuk vazhdoi shkollën e lartë dhe merrej me kulturën e qytetit. Shkroi shumë tekste këngësh të bukura në bashkëpunim me muzikantët e shquar të qyteti si R.Çene, N.Kacaruho, H.Selfo etj. Iku shpejt nga jeta.
Duhet shumë kohë e bojë të shkruash bëmat e klasës sonë. Fatos Gjebrea me Spiro Deden kishin pothuaj një trup dhe rrinin gjithmonë bashkë, por sa rrinin bashkë aq edhe grindeshin. Në çdo moment që t´i takoje do t´i shikoje të grindeshin dhe rëndë bile.
Nuk mund të mos përmend Agathokli Çajupin, djalin sheperjot. Agathokliu kish një tup të drejtë e të gjatë. Kur fliste, tundej disi. Lexonte shumë dhe lëndët i mësonte përmendësh. Nëse do t´i ikte filli, atëherë kokolepsej. Donte në çdo mësim të përgjigjej i pari dhe hidhej si gjel që mësuesi ta ngrinte. Ne “firaunëve kjo na ngacmonte” dhe shpesh ndërhynim kur fliste, që të humbiste fillin e mendimit fukarai. Agathokliu ngatërrohej e humbiste, korkolepsej e bënte gëpë…gëpëëë…atëhere fillonte gallata. Gjithsesi ai ishte nxënës i shkëlqyer e me të gjitha 10-a dhe “vezën”e tij ne nuk e bënim dot. Agathokliu banonte në konviktin, që ishte në një banesë në Palorto, të cilën nuk e mbaj mend. Çuditërisht, Agathokliu që ishte nxënës i dhjetës, në provimet e maturës ra dhe nuk doli me të tëra dhjeta siç parashikohej. I doli të studionte në Fakultetin e Shkencave, por më duket se nuk e mbaroi mbasi u sëmur. Ndër shokët e tjerë, si Ziso Kondi, një djalë me origjinë vllahe, që ta pije në kupë, vinte çdo mëngjes me këmbë nga Lunxhëria, (nuk e mbaj mend fshatin). Na dhimbsej kur binte shi dhe e shikonim të lagur që dridhej, por që nuk u ankua kurrë. Kristaq Mandi ishte nga Peshkëpia. Banonte edhe ai në qytet, mbase në konvikt, nuk më kujtohet. Një deli djalë i urtë i toneve të ulta, i mrekullueshëm. Mbaroi Fakultetin e Filologjisë për Gjuhë Ruse. Pando Karaj, qe një nxënës serioz , shok i mirë, i urtë dhe i besës, studioz, i zgjuar dhe potencial. Mbaroi për inxhinjeri mekanike, por edhe ai iku shpejt nga jeta nga një sëmundje e rëndë. Përparim Hila, kish një trup të lidhur, i gjatë dhe me një zë të fuqishëm baritoni. Nuk e kish ndryshuar as ecjen, as të folurit e zhulatasit. Hokatar e me humor të hollë labi. Zëri i tij kumbonte, sidomos kur qeshte. Bjondini Ilo Fidhi, me flokët e shtrira e të lëpira anash, shpesh o do t´i shtrinte me dorën e majtë, o do t´i hidhte pas, me një lëvizje koke të shpejtë. Ilua kish fytyrë të bardhë dhe sy të mëdhenj, bojë qielli. Fliste avash, kishte zë të ëmbël që herë herë i mbante fjalët nëpër dhëmbë. Nga vajzat më kujtohet, Idajet Skënduli me trupin e drejtë dhe më shumë seç duhej serioze. Nuk hante shumë shaka. Kish një të folur disi hundorë. Afesaja dhe Buqia (Burbuqia) qenë më të hedhurat. Adriana ishte vajzë e toneve të ulta, e përmbajtur, kurse Marjanthi ezmere me flokë të zeza, ishte e ndrojtur e skuqej shpesh kur fliste. Çapkënia e klasës ishte Elsa Mezini Xhixho. Fliste shpejt, tip sanguini ,që nuk linte dy gurë bashkë. Por ajo që mbaj mend mirë, derisa pa ikur nga klasa jonë në vitin e dytë, ishte Violeta Qendro nga fshati Luagar apo Haskovë, nëse nuk gaboj. Violeta kish një trup të gjatë e të shëndoshë, flokë të drejta, të ndarë në mes, me një fytyrë të gjerë, sy të mëdhenj, disi të kërcyer dhe një hundë paksa të kthyer. Nuk pranonte shaka. Violeta, kur vinte e përgatitur, kjo nuk ndodhte shpesh, “shqyhej” duke ulëritur: “Ta them unë…ta them unë mësues?” Shpesh e arrinte qëllimin. Mua nuk e di pse më vinte inat me atë këmbënguljen e saj, marrëzi rinore!
Lëndën e frëngjishtes deri në tremujorin e parë na i bënte si pedagog i jashtëm Avokat Fejziu, nëse nuk gaboj. Ai ishte një frëngjishtfolës i shkëlqyer, dhe një plak i urtë e zemërmirë. Në atë vit, na kishin vënë në katin përdhes poshtë, sa hyje në shkollë, në krahun e djathtë. Klasa ishte e vogël, me tri rreshta bankash. Unë rrija në rreshtin e mesit. Para meje rrinte Violeta. Sa filloi mësimi i frëngjishtes, Violeta e shkretë filloi avazin… “Ta them unë…ta them unë…!” Mirëpo, që më parë, unë kisha mprehur lapsin me një majë të zbuluar rreth 3-4 cm. Kur u ngrit Violeta të përgjigjej, zgjata dorën me lapsin e mprehur përpjetë në bankën e saj. Mbaroi Violeta dhe u ul me furi. Një: “Ooiiiii…!” e fortë tundi klasën. Violeta u ul dhe filloi të qajë me dënesë nga dhimbja. Maja e lapsit rreth 3 cm ishte thyer në prapanicë. Mësuesi e pyeti se ç’pati. Ajo tha se diçka e fortë më shpoi dhe u thye brenda këtu…tregoi prapanicën me dorë. U bë rrëmujë. Violeta me njërën nga vajzat dolën nga klasa. U desh të vente në spital që t´i hiqnin majën. Veprimi u gjykua si aksident dhe unë shpëtova.
Violetën, shoqen time të klasës unë e ngacmoja shpesh. Meqënëse hundën e kish pak të madhe dhe të kthyer me kurriz, unë gaxgavuli i këndoja: “-Kënerbee…kënerbeeee.. sa i bukur jeee…!!! me një .. .oohh në fund.(Skënderbeee… Skënder beee…sa i bukur jeee…!)Ajo skuqej ulte kokën dhe nuk fliste…
Ehhh…çapkënllëqe të tilla i kalonin kufijtë, por atëherë ne nuk i vinim re dhe ç´është e vërteta nuk rrinim dot pa to. Shumë vite më vonë, u takuam rastësisht. U çmallëm…emocione… i kërkova falje Violetës për bëmat e mia…Ajo qeshte…
Kur dilnim në pushim të gjatë, siç e përmenda më lart, vajzat mblidheshin në të djathtë dhe ne, në të majtë të oborrit të madh para shkollës. Shiheshim nga larg dhe vjedhurazi. Ne bënim veprime të tilla si “gariba” të shisnim mend e të binim në sy. Flirtonim nga larg, se dashuri, ahaaaa… as që bëhej fjalë …Një “ligj” i pashkruar na ndalonte. Po të merrej vesh, tundej dynjaja dhe pastaj tërt -vërt – rrupi – supiii….hahahaa….
Po ishim të rinj moreee… të dy palët, kishim dhe zëmra që gufonin forte. Kishim ndjenja që zienin si vullkan e, pse të mos dashuroheshim, por pëlcisnim duke ëndërruar dhe dëshiruar…Ehhh… ajo qe jo vetëm gabim e faj, por më tej akoma. Nëse ndonjë çift ekspozohej sado pak, fillonin andrallat. Në rast festash në shkollë organizoheshin mbrëmje vallëzimi. Mbrëmjet ishin gëzimi dhe ekzaltimi ynë. Aty kishim rastin të ndjenim disi nga afër, vajzat tona të bukura.
Visheshim me rrobat më të mira, por jo të gjithë kishim të tilla. Gjyshes sime, i kish ardhur aso kohe nga Greqia një triko e leshtë, me ngjyrë të zezë, e hapur, me kopsa nga përpara. Kur kisha mbrëmje, unë ia merrja atë dhe e vishja duke e kopsitur nga mbrapa. E bëja jakën si golf dhe e mbërtheja me karficë mbrapa. Dukej bukur. Se ku kisha gjetur dhe ca pluhur vanilje, e lyeja me të, aq sa më merrte frymën. Duke kërcyer me një nga vajzat ajo më tha: E bukur kjo pulovër dhe të shkon shumë. Ku e ke gjetur se këtu s’ka si këto?
Ma kanë dërguar nga Greqia, u mburra unë dhe u krekosa si gjel. Ajo u habit. Tundi kokën sikur tha: bravooo e më pas, heshti. Në kërcimin e radhës më ftoi vetë të kërcenim.
Poshtë shkollës, tek rruga që shkoje për në Palorto, ishte një pastiçeri-kinkaleri, ku shitës ishte Xha Vangjeli. Një burrë i vjetër babaxhan, tullac, që mbante një kasketë pothuaj të roitur. Në pushim të gjatë aty vraponim të merrnim ingranazhe me sheqer apo me krem. Më të shijshme qenë kuleçët në formë rombi, mbushur me marmalatë molle apo fiku. Unë aty nuk shkoja shpesh.
Rrogat e prindërve ishin të vogla. Ne, të tre fëmijët merrnim vetëm një dhjetëlekësh të kuq një herë në 15 ditë, kur merrnin rrogën prindërit, ose një lekë jeshil mbas ndërrimit të lekut në vitin 1962. Plotësoheshin vetëm nevojat e shkollës.
Në mëngjes para se të nisesha për në shkollë haja një vezë të zier dhe një tjetër e merrja me vete. Vezën e dytë, e haja para klasës në mënyrë demonstrative kur binte zilja për pushimin e gjatë. E fusja të tërë vezën në gojë njëherësh dhe pothuaj pa e përtypur e kaloja poshtë. Shokët brohorisnin sa tundej jo vetëm klasa. Disa nga vajzat qeshnin, të tjerat rrudhnin buzët ironikisht. Pastaj, unë trazoja flokët e mia dhe ndiqja Violeta Galanxhinë bangë më bangë duke bërtitur egërsisht:
Edi Karboneeee… Edi Karboneee! Dezdemonaaa…po të zura do të të mbys!
Ishte një imitim i kotë, absurd pasi kisha parë filmin “Pamje nga ura”.
Klasa qeshte me këtë marrëzi dhe brohoriste: Kapee…mbyteee… mbytee! Violeta e shkretë mundohej të shmangej e tmerruar.
Duket se ato marrëzi ishin shkëndiat e asaj që do të shpërthente më vonë. Në atë vit, se si m´u dha, nuk e di pse mësova përmendësh një poemë të Majakovskit. Iu luta mësues Alqi Janit, që ta recitoja para klasës. Fillova, por e bëra rrëmujë, më merrej goja, dridhesha e u bukosa dhe m´u tha pështyma. Klasa heshti. Mësues Jani tundi kokën. E kisha katranosur. Kaloi shumë kohë dhe çdo ditë e më tepër diçka e çuditshme lindi e rritej brenda meje.
Në vitin e tretë, ne djemve, na caktuan të bëjmë përgatitje paraushtarake. Ishte një organizim për t´u përgatitur ushtarakisht në mbrojtje të Atdheut. Të organizuar shkonim në Grehot, tek garnizoni ushtarak. Si komandant kishim një oficer të ri nga Elbasani. Tup gjatë, simpatik që përpiqej të ishte autoritar dhe i rreptë, por që nuk e arriti asnjëherë. Ne, po si ne, bënim gallatë, zhurmë, ngacmoheshim dhe nuk mbanim qetësi, paçka se, mos gaboj ashtu ashtu e kishte emrin) herë herë dilte nga vetja dhe bërtiste. Atëhere ishte më keq. Vendosi që mësimin ta bënte mbrapa godinës së burgut, për të na “frikësuar”. Ne po më keq. Atëhere, një nga një futi në biruca nja 4-5 veta. Burgu qe i tëri beton. Kur mori dhe “burgosi” Petrit Llanon, ai filloi të këndonte fort:
Kuq është kur lind, kur perëndon
Kuq është në jug e në veri…
Pastaj :
Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
Vraponi burra, se s’ka me prit!
Kjo na ndezi të gjithëve. Filluam të këndojmë në korr edhe ne nga jashtë. Oficer Halimi u tërbua. Petriti ndërkohë po këndonte me zë të lartë “Internacionalen”. E pasuam edhe ne nga jashtë me sa kishim në kokë. Kur arriti te fraza :
Internacionale, do jetë bota e re,
ne brohoritëm një zë: Urraaaa…urraaaa… urraaaa! Duam shokët, duam shokët! Bërtisnim. Halimi na la dhe iku.
Kjo rrëmujë vazhdoi deri sa u bë natë. Shokët akoma brenda. Ikëm edhe ne. I liruan vonë. Ngjarja nuk mori përmasa. Siç duket autoritetet e kaluan heshtur për të mos u bërë skandal. Kur mbaruam vitin e katërt, në verën e vitit 1966, dy klasat maturante, na çuan në aksionin kombëtar për pastrimin e kullotave në Meçopolit – Mesopotam të Sarandës. Qe një kodër lart mbi Manastirin bizantin “Shën Nikolla” të Mesopotamit. Në atë kodër kishin ndërtuar kapanone të gjatë, mbuluar me mushama të zezë plastike. Brenda kishin hedhur thasë me kashtë gruri, e me demek jastëkë, po me kashtë. Aty flinim. Po ku të flije? Ë? Në thasët si dyshek gunga-gunga që na çponin dhe gjembat në trup e kudo? Nën mushamatë e zeza, që digjeshin nga vapa e korrikut e që mbase, shënonte mbi 40 gradë?
Apo nga mushkonjat e mëdha, që na pickonin edhe mbi batanijet e leshta që mbuloheshim, se për çarçaf, as që bëhej fjalë.
***
Qershor 1966. Shkolla mbaroi. Kaluan katër vite si në ëndërr. Kishim filluar provimet e lirimit. Një natë para provimit të matematikës, ne “mesatarët”, që nuk shtroheshim për të mësuar, nja 7-8 veta u takuam poshtë pallatit dykatësh, ku banoj unë në “18 Shtatori” …te “koqe arra”, (aty akoma është pema e arrës), siç i thoshim. Në pjesën e sipërme të pallatit, në cep, ishte një plep i madh. Ndër 12 familjet, përveç nesh, banonte në katin e sipërm, në mes edhe familja e profesor Luiz Çenes e Roland Çenes me nënë Mineverin. Dritaret e pallatit të tëra hapur. Poterja, të qeshurat dhe ngacmimet tona, tundën dynjanë. Unë sugjerova të mos bënim shumë zhurmë, mbasi mbi kokat tona ishin dritaret e Prof.Luizit. Aq desh Përparim Hila. Me një zë bubullime, paksa të çjerrë e të ngjirur, ia mori këngës labe:
Pse je zverdhur je bërë ftua, o Luiz
moreeeee….
Pse s’martohesh të marçë grua,
O Luiz moreeee…
Vuri gishtin e madh në grykë dhe drodhi zërin si nga Zhapokika, isooo…more djema isooo, ehe…heeee!
Një përplasje e fortë e dritares mbi koka tona bëri të stepeshim. U vuvosëm! Profesor Luizi, djema! – ia plasa unë me gjysmë zëri. Aq u desh….U bëmë erëëë…si minjtë dhe u zhdukëm në drejtime të ndryshme. Humbëm njëri tjetërin. Vajta në shtëpinë time që ishte një hyrje më poshtë dhe dola në dritare në katin e parë. Në rrugë kaloi si indiferent Përparimi që ngjitej lart, për nga rruga e ambulancës.
Ç’bëre, o budallaaaa, thirra dhe nuk më mbahej të qeshurit. Parimi me kokën poshtë qeshte hiii hiii… hi hiii… e duke u tundur i tëri, mundohej ta mbante me zor të qeshurën.
Të nesërmen, kur vajta në shkollë, sa u ngjita në katin e tretë(aty do ta jepnim provimin me gojë të matematikës, në klasën e fundit nga veriu), pashë Prof.Luizin që bënte xhiro me hapa të mëdha shumë i shqetësuar. Me sa dukej më priste. M’u afrua. Me sy të kërcyera, pa përqendrim, me flokët përpjetë si lafshë gjeli, tregonte se Profesori im, kish kaluar një natë të vështirë.
Nikolla mor djalë, më tha. Mbrëmë disa nxënës të klasës sonë (se e kishim kujdestar profesorin) kënduan fort dhe prishën qetësinë e lagjes. Unë e di që, ti nuk ishe, se ti nuk bën gjëra të tilla, por mos di gjë, kush ka qenë? Më vinte dhe për të qeshur dhe frikë. Si t’i përgjigjesha?
Unë: Jo, ç’ne profesor Luizi, nuk di e nuk pashë gjë, unë mësoja në shtëpi!
Mirë, mirë, e di, tha duke shprehur mosbesim për sa i thashë, por pyet një herë shokët kush qe dhe më thuaj. Unë i pashë, por dua të di më shumë. Bëri një rrotullim si pa kuptim dhe iku.
Iu thashë shokëve. Nuk më besuan. Unë nuk do tregoja sikur të mbetesha në klasë. Kur hyra në provim, profesor Sotiri më priti me një shprehje të hapur ironie. Kur do përgjigjesha i thotë prof.Tajarit në krahë: Po ky bandilli di të këndojë lapçe? Ahaaa, thashë me vete, e hëngraaa… Ku i dihet, tha profesori, mbase. Dhe uli kokën. Profesor Tajari kish simpati për mua. Do na këndosh një lapçe nga ato që këndoni natën e prishni qetësinë në lagje?, më tha.
Nuk fola, ula kokën, u bëra akull. Ik, ik, më tha Sotiri, e nxirrose!
Dola, isha i dehur. Mbeta thashë.Në fakt, me sa kuptuam profesor Luizi nuk u kish thënë që kënduam për të, vetëm se prishëm qetësinë. Për ata që dyshuan, na ulën nga një ose dy nota në matematikë. Të njëjtën gjë bëri dhe Luizi në fizikë.
Ky qe episodi i fundit i marrëzive tona rinore në shkollë. Nuk e kam harruar. Sot, më duket një marrëzi e moshës, që mbase s’duhej, eh. Pozicioni i shkollës, aty lart ku ndodhet i jep asaj një pamje fisnike krenarie, plot bukuri e nur, mes shtëpive gri të larta hijerënda.
Kur dilja në dritaret e klasave, para meje shtrihej një qenie prehistorike me shtëpitë poshtë të mbuluara me rrasa radhë-radhë njëra mbi tjetrën. Më dukej sikur do fluturoja drejt e në fshatrat e bukura të Lunxhërisë fisnike. Kur shikoja nga e majta, Grykën Tepelenës, më ngjante misterioze, më pushtonte mendimi se aty ishte udhëtimi drejt të panjohurës, drejt jetës që nuk e dija se ç’rrugë do merrte.
***
Ehhh… Shkolla ime e dashur, mësuesit e mi të mrekullueshëm, shoqet dhe shokët e mi të dashur e të paharruar, ju përgjërohem, kudo që jeni! Përulem me respekt e mirënjohje të thellë pa kufi, për sa keni bërë për mua, për sa kemi bërë bashkë në ato katër vjet të bukura rinore!
Shkolla ime e paharruar, që ke mbajtur e nxjerr në jetë për një shekull, me mijëra nxënës të denjë, që sot janë intelektualë të shquar, poetë e shkrimtarë të mëdhenj si Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Agim Shehu, piktorë, skulptorë, mësues, aktorë, mjekë, inxhinierë, politikanë e diplomatë, punëtorë të ndershëm, që kanë mbajtur me nder emrin e shquar “ASIMZENELAS” dhe i kanë shërbyer, i shërbejnë e do t’ i shërbejnë me devotshmëri atdheut me himnin e tyre legjendar:
Asimzenelasit marshojnë
Me këngë në gojë
E zjarr në gji
Si zogj me libra fluturojnë
Për ty, për ty Shqipëri!
Ta gëzosh 100 vjetorin, shkolla ime e ndritur! Shumë 100 vjetorë, shumë shekuj do kalojnëe ti do jesh atje, krenare, e bukur, legjendare! Shkolla ime, shkolla jonë,“Asim Zeneli“!
*Asimzenelas i viteve 1962-1966
