Nga Sejdo Harka
Të shkruash për trillin poetik të emigrantit Arian S. Muraj, është si të gdhendësh një statujë, që përjetëson, jo vetëm profilin fizik dhe shpirtëror atij brezi të rinjësh shqiptarë, që lindi dhe u rrit mes dy sistemesh diametralisht të kundërta, por dhe dëshirat dhe ëndrrat e tyre për një Shqipëri të lirë dhe më të bukur. Është ai brez, që erdhi në jetë nga fundi i viteve gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve shtatëdhjetë, të cilit iu desh të përplasej mes dy forcash të brendshme diametralisht të kundërta: Nga njëra anë ëndrrat e tyre të bukura për një jetë më të mirë , që vinte si drita e diellit pas ‘’Murit të rrëzuar të Berlinit’’ dhe nga ana tjetër, varfëria e tejskajshme, zhgënjimi dhe pamundësia për ta ndryshuar jetën e mirëqenien. U desh fillimi i viteve nëndëdhjetë që furtuna e demokracisë të përplasej edhe në brigjet tona, e cila na paralajmëronte për të nisur një rrugë të re. Ishte ky brez, i cili, i zhgënjyer thellësisht nga varfëria e tejskajshme dhe ëndrrat e parealizuara të sistemit të saporrënuar, besonte se mrekullitë e të ashtuquajturit sistem demokratik, do t’i gjente përtej kufijëve, tek emigracioni. Trokitja e këtij sistemi plot zhurmë shkatërrimtare e premtime boshe, solli zhgënjime dhe shpresa të reja për brezin e ri, i cili kërkonte më shumë liri, më shumë shkollim e më shumë mirëqenie. Shumë prej tyre menduan se kishte ardhur koha që të viheshin në startin e vërtetë për të shporrur varfërinë, duke marrë rrugën e emigracionit , pa marrë parasysh as rrezikun e jetës. Futja në ambasada, udhëtimet në dete të hapura me gomone, skafe dhe aniet e vdekjes, pa menduar se mund të tjetërsoheshin në ‘’ushqim për peshqit’’, tregonte se ky brez kishte vendour të bënte gjithçka për lirinë e vërtetë dhe ëndrrën për një jetë më të mirë.
Pjesë e këtij brezi të guximshëm, që për lirinë e vërtetë dhe për rritjen e mirqënies ekonomike, nuk kurseu asgjë , është dhe emigranti krijues, Arian Muraj. Ai lindi në Tiranë, në gusht të vitit 1969. Që në vitet e para të shkollimit, ai spikati me pasionin e tij për artin dhe krijimtarinë letrare, për mësimin e disa gjuhëve të huaja dhe për përkthimin. Si shumë djem të tjerë, me ëndrrën për një jetë më të mirë, emigroi drejt Itakës së Greqisë, ku jeton edhe sot e kësaj dite, bashkë me familjen e tij. Bibloteka e pasur, tregimet e tij për për mitologjinë dhe letërsinë antike greke, për Odisenë, që nuk iu tremb as dallgëve të vdekjes për t’u kthyer në Atdheun e tij; njohja me bukuritë e rralla të natyrës së Itakës dhe veçanrisht ato të vendit tonë përmes udhëtimeve mbrsëlënëse, bashkë me familjen e tij, përmes bukurive të rralla të Përmetit, Pogradecit, Valbonës, Thethit. … e kanë inspiruar e frymëzuar atë për të shkruar poezi të bukura. Disa nga hobet e tjera, që e kanë shoqëruar Arianin përherë janë : guidat dhe ekskursionet, sportet e shumëllojshme dhe gazetaria, të cilat ia kanë bërë jetën më të gjallë dhe më të bukur. Komunikimi me njerëzit shumëgjuhësh, pasioni e shpirti i tij poetik i lindur, e kanë ndihmuar atë të krijojë një shumëllojshmëri poezish, të cilat, mbasi i ka publikuar në shtypin e ditës, brenda dhe jashtë vendit, ka nisur t’ia dhurojë lexuesit shqiptar të përmbledhura në vëllime të veçanta poetike. Këto ditë ai shfaqet para lexuesëve me librin poetik, me titullin kuptimplotë’’Pranvera, dashuria, vjeshta’’, të cilin e kemi bërë objektin kryesor të këtij shkrimi.
Problematika e këtij vëllimi është, sa e gjerë, aq dhe e lahrmishme. Në qendër të tyre është liria dhe skllavëria, urrejtja dhe dashuria, emigracioni dhe demokracia, ëndrra dhe realiteti, guximi dhe shpresa. Poezinë e A. Murajt e karakterizon koloriti popullor, i harmonizuar me tiparet moderrne: shqetësimi për të ardhmen e njerëzimit dhe peisazhi i bukurive të natyrës; përgjegjësia qytetare për të fshirë nga realiteti të keqen e varfërinë dhe për të promovuar të mirën, progresin shoqëror dhe atdhetarinë. Një nga poezitë më të mira të këtij vëllimi, me të cilin ai pagëzon tërë librin është ajo me titullin kuptimplkotë’’Pranvera, dashuria, vjeshta’’. Për poetin pranvera, dashuria dhe vjeshta janë sinonim të njeratjetrës, pa të cilat natyra dhe shoqëria njerëzore nuk mund të ripërtërihen. Dashuria është valenca kryesore e jetës. Pa dashuri s’ka, as pranverë, as vjeshtë. Madje, për autorin, pa dashuri, s’ka as jetë, as ripërtëritje të njerëzimit. Poezitë e këtij autori vlojnë nga dashuria për vendlindjen, për jetën dhe për ëndrrat e bardha. Ato të dhurojnë frymëmarrje e liri, gëzim e lumturi.
Për Arian Murajn, njeriu nuk mund të jetojë brenda kafazit të indiferencës. Ditët indiferente janë një ikje pa kuptim, pa jetë e gjallëri. Ato janë ditë të kryqëzuara, që e tjetërsojnë njeriun në një qenie inekzistente. Prandaj poezinë me titullin ‘’24 orë indiferencë’’ e mbyll me vargjet:’’Një ditë të tillë po e refuzoj, / më mirë po rroj 24 orë më pak’’.(15) Një vend të rëndësishëm në trillin e tij krijues e zë dialogu poetik mes dy të dashuruarëve të filmit shqiptar ‘’Rrugë të bardha’’. Në dialogun erotik mes Dedës dhe Zanës , pa mohuar dashurinë, triumfon përgjegjësia ndaj detyrës dhe shoqërisë. Zanën, vërtet e djeg malli dhe dashuria që ndjen për Dedën, por nuk e detyron atë të largohet nga puna dhe përgjegjësia që ka para shoqërisë. Ndaj, jo vetëm s’e pengon të kryejë detyrën, por i jep kurajo, që ta kryejë atë sa më mirë, duke sfiduar edhe furtunën e borën. Ajo i kërkon që ‘’monopatet e mbushura me borë t’i kthejë në shtigje lufte për të mundur vështirësitë dhe acarin’’. Ndërsa Deda, heroi i udhëve të bardha , i cili , nga maja e shtyllës, duke lidhur telat me duar të ngrira nga suferina, në ved që të ankohet për gjendjen e vështirë, i drejtohet të dashurës së tij me fjalët e ngrohta:’’Këtu më mungon vetëm një Zanë e bukur si ti, / që të më shkrijë akullin mbi duar/ dhe të më ndezë në zemër një zjarr’’. Heroi lirik i trillit të tij poetik është i çiltër. Ai di të kërkojë falje kur, pa dashje, hap plagë. Kur kthehet si ushtari i drobitur nga beteja, ‘’qan në gjoksin e të dashurës së tij. Prej vajzës, që dashuron, kërkon: ‘’vetëm ta prek ëmbëlsisht, / dhe pastaj të shohë se si ojo çel’’. Kërkon ‘’të shuhet në ënrrat e saj, / ashtu si qershia e pjekur në maj’’. Në jetë, shkruan autori, bëra atë që desha dhe prej saj mora aq sa munda. Renda si zogjtë e lirë në natyrë dhe mësova disa gjuhë të huaja, qesha dhe qava, ëndërrova dhe dashurova, u zhgënjeva dhe besova, humba dhe fitova, u ringrita dhe u rrëzova për t’u ringritur përsëri. Forcën e ringritjes e gjen tek shpresa e guximi. Ndërsa lumturinë tek ëndrrat, dashuria dhe shpresa, që s’shuhen kurrë. Lumturia është triuf, është vlerë, është çmim që s’e humbet shkëlqimin kurrë për njerëzit, që e duan dhe e dashurojnë atë. Jeta për të është gjëja më e shtrenjtë. Ajo, vërtet është sakrificë, por lum kush lufton ta fitojë atë. Jeta nuk është vetëm qejf, plogështi, egërsi, vetmi, pikëllim e idiferencë. Ajo është një ëndërr e bukur, luftë, qëndresë e vetmohim. Me poezitë e tij të thjeshta, ai i këndon edhe dashurisë për prindërit dhe veçanrisht dashurisë së pakufishme për nënën. Nëna, së cilës i thërret me epitetin ‘’diva ime’’, për të është gjthçka, sepse ajo, jo vetëm i mësoi shumë gjëra, por e ruajti atë si sytë e ballit nga gabimet, çapkëllëqet dhe rreziqet që e kanosnin në moshën e adoleshencës . Prandaj, asaj i këndon me vargjet : ‘’Ndonse jetën të bukur s’ta bëra dot, / por timen e zbukurove, diva ime e shtrenjtë’’.
Një vend të dukshëm në problematikën e poezive të këtij autori zë liria. Shumë njerëz kanë dhënë edhe jetën për lirinë , por fatkeqësisht, njerëzit e thjeshtë nuk e kanë shijuar atë kurrë të plotë. Liria, përherë ka mbetur jetime. Ajo për popullin ka qenë utopi, e paprekshme. Ajo konceptohet metaforikisht si një ‘’zog i lirë, që qëndron mbi supet e tij’’. Poetit i pëlqen shoqëria me zogun, ndaj komunikon me të si të ishin dy miq të ngushtë. I dashuruar me lirinë e tij, shkruan vargjet: ‘’’Ti fluturo, shijoje lirinë tënde, / fluturo vetëtimthi dhe gjeje ku fshihet dielli pas Perëndimit / Lëshou mbi valë dhe luaj i lirë mbi to’’!(84)
Koha është një nocion tjetër filozofik, që zë vend të dukshëm në trillin poetik të A.Murajt. Ka njerëz, që ecin me kohën dhe jetojnë kohën e duhur. Ka të tjerë që kërkojnë ta kthejnë atë mbrapa, në gjurmët e Donkishotit, për të jetuar kohën e gabuar dhe për të shijuar frytet e saj të hidhura. Të tillë janë dhe ata që, ndeshen me lapidarët e të rënëve për lirinë e vendit, për t’i shkulur nga themelet, duke i vrarë përsëdyti ata, që gjakun e falën për atdheun. Në poezinë ‘’Pafajësi’’, autori stigmatizon fytyrën vrastare të kriminelëve me kullaro, të cilët, për të fshehur kokën e tyre monstruoze, e zhytin atë thellë në rërë, si struci. Fatkeqësisht, në ditët e sotshme frymojnë edhe të ligjtë edhe ligësia, edhe drama edhe tragjedia, edhe farsa dhe komedia, që i luajnë varrmihësit, të cilët për të fshehur të vërtetën, në vend të ujkut të tregojnë gjurmët, në ved të horrorit tregojnë përrallën. Ndaj, autori për të thelluar më tej stigmatizimin grotesk të mashtruesëve, përdor vargjet ironikë: ‘’Të lutem, përrallën më thuaj /, se të vërtetën e di…!’’. Autorin e këtij vëllimi poetik e shqetësojnë dukuritë negative të shoqërisë sotshme. E stërmundojnë grindjet dhe divorcet e shumta, kriminalizimi i shoqërisë dhe futja e krimit edhe brenda familjes, gjallërimi i konflikteve të ashpra politike dhe polarizimi i tejskajshëm i politikës dhe ekonomisë. Në mjediset tona shoqërore rendin, nga njera anë, ’’këpucët e grisura’’, nga ana tjetër’’makinat luksoze’’. Është koha kur burrat janë tjetërsuar në adoleshentë të pandreqshëm, ndërsa ‘’fëmijët në burra të ngrysur’’ nga varfëria dhe hallet. Është koha, kur njerëzit e zakonshëm nuk e dallojnë dot lumturinë e vërtetë nga hallet. Kjo i bën njerëzit që të mos ia njohin ‘’dhimbjen e lotit të derdhur’’.
Një nga poezitë më interesante të këtij autori është ajo me titullin ‘’Revolucion’’, e cila është një pamflet sarkastik, jo vetëm kundër vazhdimësisë së padrejtësive dhe pabarazive shoqërore, edhe pas luftrave për liri e ndryshim, por edhe kundër besimit të verbër ndaj revolucioneve të tillë gjysmakë, që pas humbjes sjellin zhgënjim. Ndaj autori shkruan: ‘’Besuam, se një ditë do të ndryshonim botën, / nga gjumi, menduam, njerëzit i shkundëm, / por historisë nuk ia ndërruam rrotën, / lufta kundër idiotit, mbaroi. Humbëm’’! Nëpërmjet këtyre vargjeve A. Muraj kërkon t’u thotë lexuesëve se, ndryshimet e mëdha shoqërore dhe ekonomike nuk bëhen kollaj. Ato duan guxim, vendosmëri, këmbëngulje dhe vazhdimësi e jo besim të verbër, i cili sjell vetëm humbje e zhgënjim. Ndoshta kishte të drejtë nobelisti Albert Kamy, kur shkruante: ’’Unë revoltohem, prandaj ekzistoj…’’. Zhurma metaforike e’’çizmes’’ sundimtare nuk mund të vritet prej ‘’heshtjes së përgjumur të shapkës’’. Fatkeqësisht kjo është arwsyeja që edhe në kohrat të ashtuquajtura moderne ekzistojnë njerëz që ‘’lindin të plakur’’, që ‘’jetojnë kudo e asgjëkund’’, që ‘’mbyten nga një det i pafund mashtrimesh e zhgënjimesh, fati i të cilëve varet në ‘’gozhdën e akullt’’ të shpresës së mekur.

