Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Roli i lolos së oborrit
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Lajmi i fundit > Roli i lolos së oborrit
Lajmi i funditopinion

Roli i lolos së oborrit

Published: November 21, 2026
Shpërndaje

Nga Fatos Tarifa

Gjunjëzime, puthje duarsh, përqafime të papritura dhe teatralitet diplomatik. Këto janë disa nga pamjet që kanë shoqëruar daljet publike të Edi Ramës në takimet ndërkombëtare, duke ngritur një çështje që shkon përtej shijeve personale dhe stilit individual: ku mbaron spontaniteti i një politikani dhe ku fillon përgjegjësia e tij si përfaqësues i shtetit?

Diplomacia ka kulturën, protokollin, etikën dhe gjuhën e saj, por mbi të gjitha mbështetet në një parim themelor: një kryeministër, kudo që ndodhet, nuk përfaqëson vetëm veten. Ai përfaqëson shtetin e tij dhe interesat kombëtare.

- Publicitet -

Në disa nga këto takime, Rama ka shfaqur një stil që e vendos shpesh spontanitetin personal përpara seriozitetit të përfaqësimit institucional. Atje ku pritet solemnitet, ai ka zgjedhur të bëjë humor dhe gjeste teatrale, madje komike; atje ku pritet përmbajtje, ai është përpjekur të improvizojë. Ceremonia zyrtare është kthyer kështu, jo rrallë, në një skenë ku vëmendja është zhvendosur nga rëndësia e ngjarjes te protagonizmi personal i kryeministrit.

E kemi parë të bjerë në gjunjë përpara kryeministres italiane Giorgia Meloni, ta përshëndesë me puthje dore dhe të përqafojë liderë europianë me një familjaritet të pazakontë për takimet zyrtare.

E kemi parë të bëjë gjeste dirigjenti ndërsa liderët europianë kanë qëndruar për fotografinë e përbashkët dhe në sfond dëgjohej himni i Europës.

Së fundmi, në Berlin, e pamë t’i afrohej nga pas kryeministrit belg Bart De Wever, ndërsa ky po fliste për Ukrainën, dhe ta përqafonte papritur. Reagimi i kryeministrit belg ishte një batutë ironike që meriton vëmendje: “Ky duhet të jetë ai shqiptari. Ai vjen gjithmonë nga pas”.

Një batutë, sigurisht, por edhe një episod që ilustron se si një gjest i menduar si shaka mund të bëhet vetë objekti i shakasë. Në raste të tilla, kufiri midis atij që kërkon të argëtojë dhe atij që bëhet objekt argëtimi është tepër i ngushtë.

A është ky një stil i ri i të bërit diplomaci në kohën tonë, apo një mënyrë sjelljeje që ngatërron kulturën dhe etikën diplomatike me artin e argëtimit?

Në oborret mbretërore të Europës ekzistonte dikur një personazh i veçantë: loloja i oborrit. Ai kishte privilegjin të bënte atë që të tjerëve nuk u lejohej. Mund të përkulej në mënyrë groteske, të imitonte të fuqishmit, të ndërpriste solemnitetin e ceremonive dhe të shkaktonte të qeshura. Detyra e tij ishte të argëtonte monarkun.

Por kishte një dallim thelbësor midis lolos dhe sovranit: njëri kishte për detyrë të argëtonte; tjetri kishte përgjegjësinë të qeveriste. I pari kërkonte të qeshurën e oborrit; i dyti duhej të ruante autoritetin e kurorës.

Sot, kur një kryeministër zgjedh të përdorë në takimet ndërkombëtare gjeste që të kujtojnë gaztorët e dikurshëm të oborreve mbretërore, çështja nuk shtrohet nëse të pranishmit qeshin apo argëtohen. Çështja shtrohet nëse kjo e qeshur i shërben qëllimit të takimit, autoritetit të funksionit që ai ushtron dhe dinjitetit të shtetit që përfaqëson.

Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë një konkurs origjinaliteti, as një garë se kush do të prodhojë videon më zbavitëse për rrjetet sociale. Ato janë marrëdhënie interesash, përgjegjësish dhe përfaqësimi institucional në emër të shtetit. Në diplomaci, origjinaliteti mund të jetë një cilësi, por nuk mund të zëvendësojë seriozitetin; as popullariteti mediatik nuk mund të merret si masë e autoritetit politik.

Një kryeministër mund të jetë spontan, i ngrohtë, madje edhe me një sens të zhvilluar humori. Diplomacia nuk kërkon fytyra të ngrira dhe as solemnitet prej statuje. Por spontaniteti ka një kufi: respektin për tjetrin, për mjedisin dhe rrethanat në të cilat zhvillohet një takim, si edhe për dinjitetin e funksionit që ushtron.

Përqafimi i papritur i një homologu ndërsa ai po flet publikisht për luftën në Ukrainë mund të duket zbavitës për disa. Për të tjerë, ai është një gjest i pavend, që shpërfill seriozitetin e çështjes për të cilën po flitet dhe vëmendjen që ajo meriton.

Po kështu, gjunjëzimi përpara një kryeministreje mund të merret si një gjest miqësor, por përsëritja e tij ngre pyetjen se çfarë mesazhi kërkon të përcjellë një drejtues qeverie përmes një gjesti që, në traditën politike, lidhet me nderimin, nënshtrimin ose servilizmin ceremonial.

Miqësia midis dy kryeministrave nuk ka nevojë të shprehet përmes një simbolike që mund të marrë kuptime krejt të tjera nga ato që synohen.

Dhe çfarë duhet të mendojë publiku kur një kryeministër, në vend që të qëndrojë me dinjitet në një ceremoni të përbashkët, zgjedh të luajë dirigjentin e një kori imagjinar? A është ky humor që i jep jetë ceremonisë, apo një gjest që e zhvendos vëmendjen nga ceremonia te personi që kërkon të bjerë në sy?

Në politikë dhe në diplomaci, humori mund të jetë shprehje e inteligjencës, një art i hollë komunikimi dhe një instrument i efektshëm për të zbutur tensionet, për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të krijuar ura mirëkuptimi. Ronald Reagan, Bill Clinton dhe Barack Obama, secili me stilin e vet, dinin ta përdornin humorin për të afruar njerëzit, për të çarmatosur kundërshtarët dhe për t’u dhënë mesazheve të tyre politike një forcë bindëse që retorika solemne jo gjithmonë arrin ta ketë.

Por humori inteligjent nuk është kurrë qëllim në vetvete. Ai nuk synon thjesht të shkaktojë të qeshura, por të nxisë edhe mendimin. Ai nuk e zëvendëson argumentin, por ia shton forcën; nuk e zbeh seriozitetin e politikës, por e bën atë më të kuptueshëm dhe më njerëzor. Humori politik ka vlerë kur, përmes së qeshurës, përcjell një mendim, jo kur e zëvendëson mendimin me të qeshurën.

Kur, përkundrazi, humori shndërrohet në një përpjekje të vazhdueshme për të tërhequr vëmendjen dhe për të qenë në qendër të saj, ai humbet finesën dhe vlerën e vet intelektuale. Nga një instrument i inteligjencës politike, ai kthehet në një shfaqje komike, ku protagonizmi zë vendin e përmbajtjes dhe dëshira për të bërë përshtypje zëvendëson aftësinë për të përcjellë një mesazh. Madje, jo rrallë, mund të përcjellë një mesazh të kundërt me atë që synohet: jo afërsi dhe siguri në vetvete, por mungesë mase dhe përmbajtjeje.

Dikush mund të thotë se ky është një stil personal i kryeministrit Rama, një mënyrë origjinale sjelljeje për të thyer akullin, për të krijuar afërsi me homologët dhe për ta bërë një vend të vogël më të dukshëm në skenën ndërkombëtare.

Mund të jetë edhe kështu. Deri diku. Marrëdhëniet njerëzore kanë rëndësinë e tyre edhe në diplomaci. Por marrëdhëniet personale nuk janë matës i respektit institucional, as vëmendja mediatike dëshmi e ndikimit diplomatik. Sepse në diplomaci rëndësi nuk ka sa sy kthehen nga ti, por sa peshë kanë fjalët e tua dhe sa respekt gëzon shteti që përfaqëson.

Shqipëria nuk ka nevojë që kryeministri i saj të jetë njeriu më zbavitës në një samit europian, ppr ka nevojë që zëri dhe interesat e saj të dëgjohen e të respektohen, që përfaqësuesit e saj të përcjellin seriozitetin e një shteti të vetëdijshëm për dinjitetin dhe interesat e tij.

Një shtet i vogël nuk bëhet më i madh kur përfaqësuesi i tij tërheq vëmendjen me gjeste të pazakonta e komike. Ai fiton peshë përmes seriozitetit të qëndrimeve, besueshmërisë së institucioneve, koherencës së politikave dhe aftësisë për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme.

Në fund të fundit, çështja nuk është nëse një kryeministër di të bëjë humor. Problemi lind kur humori është pa vend dhe bëhet aq i shpeshtë, sa fillon të konkurrojë me vetë funksionin e tij, madje të identifikohet me të.

Një kryeministër mund t’i bëjë të tjerët të qeshin. Por detyra e tij nuk është të fitojë duartrokitjet e sallës, por të përfaqësojë vendin e vet me dinjitet dhe t’i japë peshë zërit të tij. Kjo është arsyeja pse, në diplomaci, ka raste kur gjesti më inteligjent, më elegant dhe më domethënës është pikërisht ai që nuk bëhet.

Botuar në DITA

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Roli i lolos së oborrit
  • Kur blerësi bëhet edhe rregullator: Rreziqet e projektligjit për shoqërinë shtetërore të barnave
  • Raporti dhe një BE si nuk ka qenë
  • Lara Colturi shkruan historinë, fiton garën e parë të Kupës së Botës në ski për Shqipërinë
  • Ishte nën hetim vrasjen e gjyqtarit, vret veten ish-kreu i policisë italiane

Komentet e Fundit

  1. IKS on Mesazhi nga qelia i Erion Veliajt, paralajmërimet e Ramës për Bashkinë sot në Asamble
  2. kulaci vlores on Mesazhi nga qelia i Erion Veliajt, paralajmërimet e Ramës për Bashkinë sot në Asamble
  3. Zhaku on Mesazhi nga qelia i Erion Veliajt, paralajmërimet e Ramës për Bashkinë sot në Asamble
  4. TIRONA on Mesazhi nga qelia i Erion Veliajt, paralajmërimet e Ramës për Bashkinë sot në Asamble
  5. TIRONA on Mesazhi nga qelia i Erion Veliajt, paralajmërimet e Ramës për Bashkinë sot në Asamble

Kategori

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?