Nga SEFER PASHA
Pas 19 vjetësh të vrasjes së Gani Malushit të udhëtosh nëpër Tropojë që nga Qafa e Prushit e deri në ish piramidën 18, nga ku duken në Vuthaj kullat e Rexhep Qosjes, mbetesh i befasuar. Është tjetër jetë e ka të tjera pamje. Nuk dëgjon si dikur krisma topi e kallashnikovi. Askush nuk vrapon për të blerë në qytet qumësht e bukë. Në spital nuk ka të vrarë e të plagosur. Edhe të sëmurët janë me kokrra. Nuk ulen e ngrihen më helikopterët për të transportuar të plagosurit për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Nuk ka gjithashtu vjedhje të bankës. Rrogat nuk vijnë më me eskorta të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. RENEA nuk duket më rrugëve të Bajram Currit. Bandat e hajdutëve nuk vjedhin në fshatrat e Malësisë së Gjakovës. Edhe udhët kanë ndryshuar. Është asfaltuar rruga në Grykën e Valbonës. Një rrugë e re është hapur për në Plavë e Guci. Nuk ka ndryshuar vetëm vendi ku pushonte Dervishi i Luzhës. Tek ish piramida 28 kur kthehej nga Vuthajt pushonte Dervishi i Luzhës. Udhëtarët aty hedhin lekë. Edhe kur shërbente Gani Malushi. Ato lekë që janë letër i merr era dhe bëhen humus, kurse monedhat aty janë. Edhe hajdutët më të mëdhenj lekët e vendit ku pushonte Dervishi i Luzhës nuk i zënë me dorë. I ruhen mallkimit të Dervishit.
Pa ardhur Gani Malushi në Tropojë udhëtohej me makina të blinduara. Lëvizjet bëheshin vetëm ditën. Natën mund të bije në pritat e të tjerëve, që kishin hesape për të larë. Tregtoheshin me fitime të majme jelekët antiplumb, kallashnikovët dhe pistoletat “Zastava”. Çdo të diel në Dragobi bëhej dhe një panair për shitjen e armëve. Tregtarët e armëve ishin nga Mali i Zi, nga Tirana e Kosova. Kam shkuar tek ky panair pa ardhur Gani Malushi. Në livadhin përpara fshatit Dragobi trafikantët e armëve, buzë lumit të Valbonës, kishin ngritur tezgat e bëra me hashra ahu. Jam habitur me gjuhën e trafikantëve të armëve. Në fjalorin e tyre nuk përdoreshin fjalët: – Sende nga Shpella e Dragobisë, varëse floriri, kaseta me këngë, lahuta, apo xhubleta. Jo. Nëpër tezga dëgjoheshin të thirrurat: – Mitroloz, Pistoleta të markave të ndryshme, Antitank, 12.7., thika, hanxhar, helmeta, Kundërajror, Mina e fishek për të gjithë llojet e armëve. Mbi Dragobi ishte dhe një livadh që shërbente si poligon për të provuar saktësinë e armëve që shiteshin. Provoheshin dhe predhat e topave 75 milimetra pa zbrapsje. Bëhej luftë. E habitshme, i thashë vetes. Vetëm njëherë në karrierën time kisha bërë qitje me top. Ku të linte shteti të harxhoje predha kot së koti!. Përfundoje në burg. Tani në Dragobi ka më shumë predha topi sesa zall në brigjet e lumit të Valbonës. Ky nuk ishte panair për të fuqizuar ekonominë, por një treg ku shitej e blihej “mall” për t’u mbrojtur dhe për të vrarë njerëz.
Që nga 7 gushti i vitit 2003 kur u vra Gani Malushi rendi ka ndryshuar për mirë. Jo, se nuk ka probleme. Shpesh dëgjojmë në lajme për vrasje makabre nëpër Shqipëri. Por në Tropojë gjej një qetësi, që pas kaq vitesh më ngjall emocion. Këto ditë i kam parë me sytë e mi grupe turistësh që ngjiten drejt Majës së Hekurave, në Valbonë, Ujezë, në Lumin e Gashit e në Çerem. Udhëtojnë natën e i ngrenë çadrat nëpër bjeshkë.
Përpara shtatores së Bajram Currit rri dhe mendohem nën vapën përvëluese. Shfletoj bllokun e kujtesës nga lufta që bëri Gani Malushi për vendosjen e rendit të dërrmuar qysh pas vitit 1977 si dhe gjatë luftës për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Për lexuesit e gazetës po përcjell motivet e tregimeve dramatike të asaj periudhe kur komisar Gani Malushi la gjurmë të arta në kujtesën e popullit të Tropojës.
***
Komisar Gani Malushi me kallashnikov në dorë fillon luftën për vendosjen e rendit në Tropojën e pushtuar nga bandat e krimit.
Qyteti i Bajram Currit është në ankth. Herë pas here dëgjohen krisma. Tropojanët lëvizin si nëpër një ciklon. Me vrap për të blerë bukën, qumështin dhe ushqimet nëpër dyqane. Fërshëllimat e plumbave i terrorizojnë. Më keq e kanë ata qytetarë që çojnë të sëmurët në spital. Shëtitorja kryesore dhe rrugët janë të boshatisura. Askush nuk shkon në punë. Ligjin e bëjnë kriminelët që lëvizin me shpejtësi me makina të blinduara e me xhama të zinj. Ata nga “frëngjitë” e makinave qëllojnë kot më kot e ngjallin panik. Tropoja si në qytet dhe në fshat është në gjëmë. Dal nga komisariati dhe qyteti më ngjan si një varrezë me pallate. Kafenetë janë bosh. Të gjitha perdet e grilat janë të mbyllura. E vetmja tregti që sjell fitim është ajo e bërjes së dyerve të hekurta. Të gjithë qytetarët janë të armatosur. Edhe lëvizjet nëpër qytet bëhen me kallashnikov. Poshtë monumentit të Bajram Currit më pret Fatmir Haklaj, Jaho Salihu dhe Feriz Kërnaja. Ata edhe pse janë pjesë e efektivit të komisariatit të Tropojës nuk paraqiten në detyrë. Fatmir Haklaj më pyet nëse e njihja Gani Malushin. Ai kishte dëgjuar në stacionin e “Zërit të Amerikës” se komisar Gani Malushi vinte shef i komisariatit të Tropojës. Unë iu përgjigja se nuk kisha asnjë lloj njohje me Gani Malushin dhe se asgjë nuk kisha dëgjuar për të.
Poezia që më tregoi Fatmir Haklaj për poetin nga Padeshi që u ngjit në majën e Shkelzenit
Pritet të vijë Komisar Gani Malushi. Aktualisht shef është Muharrem Gjyryqi. Por në të gjithë Tropojën, ose më saktë në Malësinë e Gjakovës, ligjin e bën Fatmir Haklaj. Paçka se Fatmiri nuk vjen në komisariat për shkak të vrasjes, të cilën e kreu përpara zyrës së tij të punës, zëri dhe hija e tij ndihet kudo. Major Selim Zeneli më porositi se nëse doja që të vazhdoja detyrën sipas urdhrit të ministrit, do bëja mirë që të takoja Fatmir Haklajn. Le të shërbejë si pretekst dhurimi i librit “Drenicë, vaj dhe kënga ime” më porositi ai. Librin ti e ke shpërndarë në të gjithë Tropojën. Fatmiri e di që ti shkruan libra. Ashtu bëra. Fola në radio me Fatmirin. Më priti në kafenenë e turizmit. Ishte vetëm. Më dha dorën dhe nuk më tha asnjë gjysmë fjale. Nisa ta vështroja i hutuar. Çfarë personazhi, thashë me vete. Famën e ka të ngatërruar. Por paska pamje artisti. Nuk po më duket i frikshëm. Jo. Vazhdoja ta vështroja në heshtje. Sytë i lëvizte si ato vetimat e majës së Shkëlzenit në pasqyrat para qytetit të Tropojës. E kuptoja shqetësimin e tij. Ishte rrethuar kudo nga armiq. Më bënë përshtypje flokët në ngjyrën e mjaltit të gështenjës. Frynte pak erë dhe flokët kaçurrela i përziheshin si gjethet e bredhit. Ma mori librin nga dora dhe më tha:
– Kam dëgjuar se ti je komunist!.
– Po, iu përgjigja. E ke të saktë informacionin.
– Mos u tut shtoi me zë të ulët. Nuk do të përzëmë nga Tropoja. Ti ke punë vetëm me policinë kufitare. Si në qytet dhe në fshat flasin mirë për ty.
E mblodha veten. Po më dukej sikur bisedoja me një jashtëtokësor. Në fakt ai ishte një mit. Askush nuk guxonte që t’ia zinte emrin në gojë. Në Malësinë e Gjakovës nëse kishe një problem atë ta zgjidhte vetëm Fatmir Haklaj. E donin dhe në Gjakovë. Pas pak, pasi e lexoj autografin më tha se Muharrem Gjyryqin e kanë transferuar në Elbasan. Ka për të gjetur kokrrën e belasë me Edmond Kosenin. Sonte vjen Gani Malushi. Sa zbriti nga trageti. Ma thanë në radio. Kur të takohesh me të i thuaj që t’i zbatoj me përpikmëri urdhrat që do t’i jap unë. Nuk i ktheva përgjigje. Fatmir Haklaj vetëm rrogën merrte në komisariat. S’kishte të drejtë firme. Aq i frikshëm ishte sa ministri në Tiranë nuk guxonte që ta nxirrte në lirim.
Pas një heshtjeje të shkurtër Fatmir Halklaj e mori përsëri fjalën. Me këtë autograf më paske ngjitur në kreshtat e malit të Shkëlzenit, mërmëriti. Puna jote. Edhe unë lexoj, tha ai. Si familje e duam artin. Njëra motër, Ajshja, është poeteshë. Pastaj më tregoi historinë e një poeti nga Padeshi. Më dha një libër në dorëshkrim, tha Fatmiri. Kishte shumë broçkulla. Nga të gjitha poezitë që ia lexova më bëri përshtypje një poezi. Ishte e çuditshme. Ja se çfarë shkruante djaloshi i ri, që pasi ishte ngjitur në majën më të lartë të Shkëlzenit, atje kishte shkruar këto vargje që më bënë të qesh: –Shkëlzen, o Shkëlzen!/I madh dhe i lart je/ Puthesh me retë/Përqafohesh me erën/ Kthen nga udha ujqërit/Por më i madh nga ti o Shkëlzen/ / Jam unë që të kam shaluar/ Ti Shkëlzen je kali im!
Unë qesha. Qeshi dhe ai.
Tek Shkëmbi i Gjon Palit dhe në Lumin e Gashit mes luleve dhe minave
Pas 15 ditësh nëpër Luginën e Sylbicajve, të Lumit të Gashit e të Burimit të Çek Hasanit takohem me Gani Malushin në postën e policisë së Çeremit në kreshtën, ku është piramida 19 – të. Gani Malushi e ka vendosur rendin në Tropojë. Shqetësimi i kohëve të fundit janë për kolonelin dëmet që po shkaktojnë minat e vendosura nga serbët gjatë gjithë vijës së kufirit. Ka viktima në njerëz dhe në gjënë e gjallë. Dëme po bëhen sidomos mbi tufat me derra të egër. Era e kufomave ndihet që larg. Kjo është arsyeja që Gani Malushi ka ardhur në fshatin Çerem. Unë, pasi i raportova për gjendjen në kufi, që nga Padeshi e deri në Çerem, u ulëm afër piramidës 19.
-Ka dëme në njerëz? – tha Gani Malushi.
-T’i kam dërguar informacionet me shkrim, – iu përgjigja.
-I kam lexuar, – u shkoqit ai. Desha të di për ndonjë ngjarje të freskët?
-Ka tre plagosje me mina në Sylbicaj, – e sqarova. Ata kanë marrë ndihmën mjekësore në Bajram Curri dhe janë kthyer sërish në stane.
-Po në bagëti?
-Tek kreshta e Lumit të Gashit një bariu i kishte rënë e gjithë tufa në mina, – i thashë. Prej tyre i kishin ngordhur 30 krerë dele. E gjithë kreshta ishte e mbushur me korba.
-Punoni me banorët! – tha Gani Malushi. Millosheviçi ka thënë se kufirin me Shqipërinë e kam siguruar për 500 vjet. E kishte fjalën për minimin e madh.
-E kemi shumë të zorshme me banorët, – i thashë. Janë nëpër stane e larg njëri – tjetrit.
-Atje ku të jenë, – foli ai me qortim.
-Çfarë keni dëshirë që të shikoni? – i thashë.
-Plavën e Gucinë, – mërmëriti ai. Por i pashë pa ardhur ti. Dylbitë i kam marrë me vete. Nuk i kisha parë kurrë. Pa mbërritur tek piramida 19 vështrova dhe fshatin Vuthaj, ku ka lindur Rexhep Qosja. Tani do të më shpjesh tek Burimi i Çek Hasanit dhe tek Shkëmbi i Gjon Palit.
-Jo! – e kundërshtova. Biem në mina. Unë mezi kam ardhur i hipur mbi një kalë. Jo shumë larg prej këtej vura re një arushë, që kishte rënë në mina. Ishte pa këmbë. Më shikonte mua dhe ulërinte si grua.
-Dua që ta shikoj, – tha prerë.
Pas dhjetë minutash mbërritëm pikërisht aty ku arusha ulërinte si mos më keq. Gani Malushi kur e pa i erdhi keq. Ka kohë që nuk kam parë arusha, belbëzoi ai. Por nuk paska më keq të shikosh një arushë pa këmbë.
-Po na kërkon ndihmë, – tha Gani Malushi. Si të jetë njeri. Qysh mundet ta ndihmojmë?
-Ikim! – i thashë. Asgjë nuk i bëjmë dot. Minat surprizë janë me mijëra.
-Më mirë ta vrasim se sa ta lëmë në atë gjendje të llahtarshme, – foli ai me ngulm.
-Unë nuk kam zemër, – i thashë.
-As unë, – belbëzoi ai.
Kur u nisëm për të lëvizur në udhën që të çon për nga Lumi i Gashit, Gani Malushi, pasi bëri disa hapa u kthye sërish mbrapa. Ai thirri një nga malësorët e Çeremit, i tha kush ishte, dhe si të thuash e urdhëroi prerazi, që me kallashnikovin që e kishte në krah ta vriste arushën e bërë copa – copa nga minat. Do të ishte më mirë edhe për arushën fatkeqe, por edhe për ne. Më mirë t’i dal shpirti një sekondë e më parë. Nuk kemi pse ta lëmë që të torturohet. Dhe malësori nuk e bëri fjalën dysh. Ai me një breshëri kallashnikovi e vrau arushën. Gani Malushi nuk e ktheu kokën andej. Bëmë dy orë udhë gjersa mbërritëm tek Lumi i Gashit, por ai nuk më tha asnjë gjysmë fjale. Vrasja e arushës e brengosi.
Atentati me shkëmbinj e bomba ndaj Fatmir Haklës në Cërnicë
Jam kthyer nga Zherga me urgjencë në komisariat. Fatmir Haklës i kanë bërë atentat në Cërnicë. Ai po kthehej nga Qafa e Morinës dhe tek kthesa e egër e Cërnicës i kishin zënë pritë, që nga bregu i Valbonës në krahun e Tropojës. Me mina të telekomanduara u rrëzuan shkëmbinj të mëdhenj si ata të malit të Shkëlzenit. Makina e Fatmir Haklës ishte e blinduar. Fatmiri që nisi të mbrohej me kallashnikov nuk mund të kthehej mbrapa. Nuk kaloi asnjë gjysmë minute dhe në dalje të kthesës së Cërnicës një tjetër minë gremisi gjysmën e mezhdës mbi rrugë. Makina e Fatmir Haklës s’mund të bënte as mbrapa dhe as para. Fatmiri dhe ata që e shoqëronin qëllonin me breshëri e granata dore. Por atentatorët ishin në pjesën e përtejme të lumit të Valbonës. Përplasja me armë e mina nuk zgjati shumë. Në të dy anët e udhës mbërritën udhëtarët me makina. Të gjithë ishin të armatosur dhe nisën të qëllojnë kot më kot. Atentatorët u larguan. Fatmir Haklaj i shpëtoi atentatit se nuk zbriti nga makina e blinduar, e cila u bë petë nga shkëmbinjtë që ranë mbi të.
Ngjitur me zyrën time, me pamje nga Maja e Hekurave, kishin parkuar makinën e blinduar të Fatmir Haklës. Kolegët më thanë se pamjet e atentatit të Cërnicës me shkëmbinj e mina atentatorët i kanë filmuar. Po kush e ka kasetën?
Gani Malushi dhe ambasadori amerikan Limpreht tek Fusha e Gjasë në Valbonë
Në Fushën e Gjesë në Valbonë Gani Malushi sot në orën 12 priti ambasadorin amerikan Limpreht. Masat e sigurimit qenë të jashtëzakonshme. Për nder të ambasadorit Limpreht dhe të miqve të tjerë paria e Valbonës shkoi një dash në hell.
Në drekë me sa vura re ambasadori nuk e preku mishin e dashit. Mori pak lakra të egra të pjekura në saç. Ambasadori Limpreht e kishte në krah Gani Malushin. Unë isha pas tyre. Doja të isha më afër për të bërë ndonjë fotografi, por kjo ishte e pamundur. Biseda e Gani Malushit me ambasadorin vazhdoi gjatë. Përkthyesja ndonjë fjali e përsëriste dy herë. Gani Malushi nuk dinte anglisht. Në një fraksion të minutës kur i çova radion komisar Malushit (kishte një ngjarje në Bajram Curri) ambasadori amerikan Limpreht tha: “Komisar Malushi! Të përgëzoj për vendosjen e rendit në Tropojë. Jeta e banorëve është kthyer në normalitet”. Vetëm kaq mundi të rrok veshi im. Në bisedë ndërhyri dhe ministri Spartak Poçi, që shoqëronte ambasadorin amerikan. Më bëri përshtypje që Gani Malushi, i cili si karakter impulsiv kërkon t’i reklamojë sukseset, për herë të parë po e shikoja, që ai të heshtte çuditërisht. Vetëm nga fundi i drekës i rrëfeu ambasadorit Limpreht për luftëtarin e Valbonës Mushak Haxhia në luftë me malazezët. I tregoi gjithashtu dhe këngën: – Në Valbonë gurëve të zallit/ E hanë korbat ushtrinë e kralit/ Vishoviçi, kryetuli/ Tek Gurra e Kikës/ Topat seç i nguli.
Misteri i fjalës “Enver” në shpatin e malit të Shkëlzenit
Është mëngjes dhe me Gani Malushin jemi ulur tek stolat e drunjtë përpara komisariatit. Komisari është me humor. Problemet e rendit janë në udhë të mbarë. Më mba vesh, më tha Gani Malushi. Nesër do të marrësh një skuadër me policë dhe do të ngjitesh në Shkëlzen. Do ta prishësh fjalën Enver nga faqja e malit. Më thanë se ka 70 vjet që është shkruar. Unë e zbatoj urdhrin, iu përgjigja. Por siç më kanë thënë kërnajasit në fillim të viteve nëntëdhjetë një grup i madh me të rinj u ngjitën në majën e malit të Shkëlzenit me kazma e lopata në krah. Sa filluan të prishin gërmën e parë E të emrit Enver filloi të fryjë një ciklon i paparë. Cikloni i flaku të rinjtë poshtë gërmave sikur ata të ishin shpendë. Kazmat dhe lopatat fluturuan dhe disa ranë në Kërnajë e të tjerat në Përruan e Zapllatës. Qysh atëherë nuk ka guxuar njeri që të ngjitet dhe të prishë fjalën Enver me gërmat e gjata njëqind e ca metra. Tropojan komunist çdo pranverë gërmat i lyejnë me gëlqere. Dhe fjala “Enver” duket që nga Qafa e Malit. Komisar Gani Malushi pa i hequr sytë nga Shkëlzeni ra në mendime. U çudit nga ajo që i thashë. Dhe këtë temë nuk ma zuri më në gojë. Besonte tek misteret.
Misteri i zhdukjes së helikopterit të forcave të ushtrisë serbe
Ishim në Qafën e Prushit. Jo vetëm unë, por dhe disa shefa sektorësh. Nxora bllokun e nisa të mbaj shënime. Gani Malushi fliste me zë të lartë. Ishte shumë i revoltuar. Ai na tha se ka të dhëna, se edhe nëpër zonat e minuara të kufirit, vepronin trafikantët e drogës, të tregtimit të paligjshëm të karburanteve, që vidhet qysh në Ballsh, të matrapazve të lëndës drusore e të grabitjes së tufave me dema e bagëti në rrethinat e Gjakovës, pa u marr me banditët, të cilët marrin çikat e bukura të Kosovës dhe i trafikojnë nëpër botë. Në fund ai komunikoi dhe dy masa disiplinore. Na tha se po vinte nga Tirana dhe disa kuadro të kompromentuar nga dora e krimit do t’i nxirrte në lirim.
Asnjë nga shefat e sektorëve nuk e kundërshtoi. Kur mbetëm vetëm dhe dolëm tek sheshi i bukur i Qafës së Prushit, nga ku dukej në pëllëmbë të dorës Gjakova, unë u përpoqa që ta qetësoja Gani Malushin. Isha më i madh në moshë nga ai dhe në ndonjë rast çoç më dëgjonte. I thashë me butësi se situata është më ndryshe nga ajo që paraqiti me shefat e sektorëve. Gjithashtu i thashë se isha në Gjakovë dhe banorët afër kufirit me Tropojën janë të kënaqur kohët e fundit. Janë pakësuar vjedhjet e gjësë së gjallë dhe të banesave. Edhe forcat italiane të KFOR -it thonë fjalë të mira për Gani Malushin. Me ardhjen e tij në Tropojë ata kanë me pak problem me trafikantët. Kur i thashë kështu mua mu duk sikur atij i erdhi mirë.
-Si është ajo puna e helikopterit të serbëve për të cilin thuhet se e rrëmbeu një djal nga Tropoja? – tha Gani Malushi. Të jemi me këmbë në tokë. Është një fakt real, apo baladë tropojanësh?
-Ju keni ardhur më vonë zoti kolonel, – i thashë. Unë kam qenë në komisariat kur u përfol kjo ngjarje. U stërtha se në një tunel afër Qafës së Prushit të forcave serbe kishte mbetur një helikopter ushtarak. Këtë e kishin zbuluar disa tropojanë, njëri ish oficer i xhenjos. Ata çminonin udhët dhe merrnin sende me vlerë në transhetë e serbëve dhe në postën serbe të Qafës së Prushit, të Zogajve dhe të Stobertës. Të gjitha i kishin minuar serbët, por xhenjerët e Enver Hoxhës ua dinin hiletë. Dhe po merrnin sende me vlerë si frigorifer, lavatriçe, soba elektrike e lloj – lloj materialesh të kostueshme. Kur i morën ç’u duhej u mbeti dhe helikopteri. Një djalë nga Tropoja, që kishte mbaruar për pilot, pasi xhenierët e çminuan tunelin, ku ishte helikopteri, një ditë vetëm fare e furnizon helikopterin dhe e nxjerr nga tuneli. Deri këtu ka një farë saktësie. Pastaj problemi ndërlikohet e zmadhohet. Thuhet se djaloshi nga Tropoja e mori helikopterin dhe e solli mbi shtëpinë e të dashurës, që banonte në qytetin e Bajram Currit. Në fakt banorët nën zë kanë thënë se është parë mbi qytet një helikopter misterioz. Pasi ka bërë një fluturim mbi qytet ai e ka vazhduar fluturimin për në drejtim të Grykës së Dragobisë. Asgjë tjetër nuk dihet. Disa ditë më vonë u hap fjala në fshatin e Ragamit se në mal ishte dëgjuar një gjëmim i fuqishëm. Fshatarët kishin shkuar për të parë, por nuk kishin gjetur asnjë gjurmë. Kaq di unë. Askush nuk është marrë me këtë bëmë. Të tilla qarkullojnë shumë në Tropojë.
-Po piloti a njihet në qytetin e Bajram Currit? – pyeti Gani Malushi.
-Askush nuk tregon, – u përgjigja. Tropoja doli nga lufta dhe siç të thashë ka qindra ngjarje. Kush merret me helikopterin e serbëve?
Gani Malushi nuk më bëri pyetje të tjera. Por e dija që ai sa të kthehej në Bajram Curri do të kërkonte, që nëse nuk kishte dosje, të hapej dosja e zhdukjes së helikopterit të serbëve, po qe se kishte ndonjë të vërtetë. Me broçkulla ai nuk merrej. Zanati i tij mirfilli ishte ai i agjenturistit.