Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Në 6 mars, bëhen 25 vite nga dita e tretë e luftimeve dhe rënia e luftëtarëve të pashoq nga fisi i JASHARËVE në Prekaz. Lufta filloi në mbrëmjen e 4 marsit. Tri ditë luftë, i parafundit u vra Adem Jashari, i fundit, i biri, 12 vjeçar, në oborrin e shtëpisë. Dhe befas, në natën e tretë, 6 mars, kishte heshtje. Së bashku me heshtjen filloi edhe… NGJIZJA E LEGJENDËS
Të shkruash për Familjen Jashari është ndër gjërat më të vështira. Për disa arsye, më e rëndësishmja nga të cilat është në përmasat e jashtëzakonshme të jetës së saj, në dimensionet që ka marrë ajo.
Vetë jeta e tyre, e secilit dhe e të gjithëve së bashku, është më shumë se një vlerë, është bashkësi virtytesh, të cilat janë tashmë pjesë e e jetës së përditshme të shqiptarëve, kudo që jetojnë.
Prej shumë vitesh unë kam shkruar për Jetën e tyre. Duke filluar që nga shkrimi i parë “A vdiq Adem Jashari”, në mesin e marsit 1998, pak ditë pas ngjarjes heroike, i cili, për hir të së vërtetës ishte shkrimi i parë publicistik për to, por kurrë nuk kam mundur të them si duhet atë që kam ndjerë në veten time.
E kam pasur të vështirë, ndoshta do e kem gjithnjë, edhe në të ardhmen, sepse pak kush mund t’ i rrokë, në të gjithë horizontet kah shtrihen, vlerat e përjetshme të saj.
Edhe kjo që po paraqes sot në DITA, si pjesë e Triptikut “E gjitha në shqip”, është vetëm një sprovë tjetër e afrisë ndaj një dëshire të hershme, e cila, besoj, nuk është vetëm tek unë. Dhe besoj se, si një sprovë, edhe do të vlerësohet. Sepse nuk është më shumë se kaq. Për të shkruar Librin e Jetës së Jasharëve duhet shumë më tepër.
Kurrë nuk më ka munguar dëshira, i jam afruar kësaj teme në të gjitha mundësitë që kam pasur, duke besuar se do të ketë një të ardhme tjetër.
Tashmë, disa nga Jasharët janë kthyer në të përjetshëm. Erërat fryjnë butësisht në fillimin e Kodrës ku janë vendosur, në secilën pranverë fryn jugu që vjen nga dheu amë, dhe pemët gjallërohen përsëri nga gjethet e blerta, lulëzojnë mollët dhe çelin lulet e qershive; atëherë të rënët patjetër kanë për ta rindjerë ringjalljen e pranverës.
Të rënët tanë janë tashmë pjesë e truallit të Kosovës: Ky është edhe shkaku pse toka e Kosovës kurrsesi nuk mund të vdesë.
Ashtu si toka që nuk e di se çfarë është të vdesësh, ashtu edhe ata që mësuan se çfarë do të thotë të jesh i lirë pas një robërimi, do të dinë të kapen fort pas rrënjëve që jepen në emër të jetës. Përgjatë luftës njerëzit i mësuan mirë këto gjëra dhe do të kenë kurdoherë një arsye të fuqishme për t’i kujtuar. Të rënët janë prore pjesë e jetës sonë, ata do të jetojnë po aq gjatë sa do të jetojë edhe toka e Kosovës. Kjo do të thotë përjetësisht.
Të rënët që ndershmërisht çlodhen në dheun e butë të Kosovës, dhe nuk ka të rënë për liri që të çlodhet më ndershmërisht se nën truallin e saj, ata pa dyshim i përkasin sojit të të pavdekshmëve. Kjo sprovë është një nderim për to.
*****
Tri kulla të vendosura pranë njëra tjetrës, rrethuar me një mur të ulët, të shfaqen sapo merr kthesën e parë drejt Prekazit të Poshtëm. Përmes një porte të madhe, e cila qëndron thuajse gjithnjë e hapur, hyn në oborrin e brendshëm të shtëpive, shtruar me gurë të bardhë.
Mysafirët futen fillimisht në këtë rrethinë, shikojnë me vëmendje gjithçka është rreth e rrotull, si të duan të gjejnë gjurmët e gjithë asaj që ka ndodhur, kërkojnë përmes gjurmëve që kanë lënë gurët shenjat e gjakut që është derdhur, pastaj fillimet e vijëzimeve të reja të kalimit të njerëzve nga njëri cep në tjetrin, dhe ngjiten ngadalë nëpër shkallët që të çojnë në katin e dytë.
Është e pamundur të ngjitesh nëpër këto shkallë qetësisht, si nëpër shkallë të zakonshme, ashtu si është e pamundur që të mos mendosh për gjithë atë që ka ngjarë, jo vetëm në ngastrat e tri kullave, por në të gjithë lagjet që përbëjnë Prekazin e Poshtëm. Dashje pa dashje të ndjek e gjitha ajo që ka mësuar deri më tani për Jasharët, të duket sikur ndjen ende gjëmimet që kanë ndodhur, e megjithatë je i qetë, ndjehesh mirë.
Qetësinë dhe mirësinë, edhe pas kaq viteve, ta japin ata që ndodhen përballë kullave, në kodrën bri fshatit, të përjetshëm dhe njëkohësisht hijerëndë. Në fund të fundit e di se ndodhesh në një vatër ku të dhurojnë qetësi, ku me gjithë rrëmetet e përgjakshme, asgjë nuk e ka tronditur jetën e përditshme, të zakonshme.
Ka edhe një hyrje tjetër, më të vogël, bri portës së madhe. Një derë e drunjtë të fton të ngjitesh sipër, pa shkuar përmes oborrit të gurtë, drejt për së drejti në dhomën e miqve.
Por ngado që t’i biesh, qoftë nga porta e madhe, apo nga dera e drunjtë, do të ndjehesh njëlloj i qetë, i mirëpritur dhe mrekullisht edhe më i mirë. Sepse këto kulla kanë edhe çudinë e fisnikërimit të njerëzve.
Nuk ka qenë gjithnjë kështu. Në mesin e qershorit të vitit 1999, kur isha për herë të parë në Prekazin e Poshtëm, mik tek Jasharët, kullat ishin të shembura dhe të djegura, trenat e kulmeve kishin rënë përmbys mbi vatrën ku ngrohej shpirti, vende – vende të dukej sikur ende tymrat mbulonin çdo gjë që ishte përreth, nëpër oborr kishte ende gëzhoja fishekësh dhe mbetje të plasjeve të bombardimeve, ujët rridhte nëpër ngastrat e vogla dhe çdo gjë ishte e pazakontë.
Atëherë ishte e zakonshme të shkelte këmba mbi copërat e luftës, ashtu si ishte ende e zakonshme që nëpër gjumë të të shfaqeshin lemeritë që sapo kishin shkuar.
Mirëpo, këto ishin gërmadha jo të çdo lloji, por me një fat të çuditshëm. Po të gërmoje poshtë tyre do të gjeje gjëra të pazakonta, fillimisht nën muranën e gurëve dhe të trarëve do të gjendej automatiku i Ademit, pastaj, pas luftës, një ditë fund qershori 1999, në gërmadhat e shtëpive të bombarduara do të gjendej automatiku i Hamzës, diku më tej armë të tjera, ende me tytat e nxira nga lufta.
Edhe kjo nuk kishte qenë pamja e tyre, këtë e kishin bërë vrasësit serbë, me gjithë makinerinë e tyre të furishme, të përgjakshme dhe të llahtarshme. Gjurmët e luftës që ishin krejtësisht të pambuluara, të shfaqeshin befasisht në çdo cep, disa prej të cilave i sheh edhe sot në kullën e parë muze, por nuk ishte vetëm kjo. Kur po i afrohesha kullave të gurta, rrafshuar deri në themelin e tyre, përmbushur nga bloza dhe tmerri i luftës, përmes rrënojave dhe gurëzimit të gjithë kahshëm, kishin filluar të mbinin fijet e barit. Si të kish rilindur jeta.
Në ditët e para, fund qershori 1999, Jasharët kishin zënë vend në një banesë të vogël në fundin e oborrit, ku në një dhomë të madhe, shtruar përkohësisht me qilima, prisnin njerëzit që vinin për të ju uruar rikthimin.
Me djemtë, Muratin, Lulzimin dhe Bekimin, kishim udhëtuar së bashku nga Gjermania deri në portin e Barit, në Itali. Pastaj, së bashku me Rifat Jasharin, kaluam të parët detin, me një traget të shpejtë, ndërsa djemtë do të vinin të nesërmen. Arritëm disi vonë në Durrës, udhëtuam nëpër muzgun e asaj dite qershori dhe bujtëm tek Shaban Sinani. Shabani kishte asaj kohe, nuk e di tani, një banesë të vogël, dy dhomëshe, aty gjetëm edhe Beqir Beqën, mikun tim gazetar, të zotët e shtëpisë, tepër bujarisht, si edhe hera të tjera, na bënë konak, por më përpara lëvizën të gjitha mundësitë për të përgatitur pritjen e Jasharëve në portën e Durrësit.
Ishte vonë, megjithatë përmes drejtorit të përgjithshëm të RTSH, Eduard Mazi, ndër më të merituarit në mbështetjen e UÇK-së, u bë gjithçka gati për ditën e nesërme. Aty iu ndava me Rifat Jasharin, unë udhëtova për në Kosovë që në pikun e mëngjesit, së bashku me Beqirin, pasi më duhej të isha në Mbledhjen e Përgjithshme të LPK-së, që zhvillohej saj dite në Prizren.
Të pasnesërmen, së bashku me Hashim Thaçin, në zyrën e vogël asaj kohe të Sami Lushtakut, pritëm ardhjen e Jasharëve, pastaj , kur nuk po mund të rrinim më në pritje, morëm rrugën drejt Prizrenit, për t’u rikthyer përsëri në Skenderaj, në një apartament të zakonshëm, ku për një ditë a dy, kishin zënë vend Jasharët.
Aty unë takova për herë të parë Besartën. E shikoja i habitur dhe nuk më besohej se ajo vajzë ishte vetëm 12 vjeçare, që kishte kaluar përmes ferrit të luftës dhe për gjakimit të tmerrshëm, dhe ishte përsëri aty, tepër e brishtë, njerëzore. Varur paksa në krahun e vëllait të saj, Bekimit, me shikimin e çiltër, përmes të cilit mund të shikoje se si kishin trashëguar brezat mirësinë dhe qëndresën.
Kur mirësia dhe qëndresa vëreheshin tek ajo vajzë, mund të them ende fëmijë, çfarë do të kishte qenë me prindërit dhe të afërmit e saj…
Përpiqesha ta merrja me mend, por nuk mundja. Megjithëse mendoja se i kisha njohur mirë Jasharët, ajo vajzë e vogël, që rrinte e heshtur në dhomën e miqve, krejtësisht e qetë, dhe që herë pas here fliste diçka me zërin e saj që i gurgullonte, më thoshte se nuk kisha njohur veçse shumë pak.
Edhe sot, pas kaq shumë viteve, ende më tingëllojnë zërat e të mbijetuarve në Kosovë, të cilët, stoikë deri në skaj, të qetë deri në mbijetesë, kishin kaluar përmes provës së zjarrit dhe shpirti nuk u ishte djegur.
Gjithçka ishte e frikshme rreth saj, por vajza e vogël nuk kishte frikë…
Kishte tri ditë dhe dy net që shtëpitë e Familjes, dhe të gjithë lagjes përreth, bombardoheshin pa pushim. Rrënojat e kullave ishin shpërndarë aty këtu dhe përmes tyre ngriheshin flakët e zjarrit.
Njëra prej tyre ishte çarë në dysh, në tjetrën ishte hapur një vrimë e madhe, më shumë se dy metra, ndërsa nga ajo që ishte krejt në skaj, kishte filluar të shembej çatia e gjithë. Tjegullat e kuqe ishin stërpikur nga gjaku dhe gurët e themeleve ishin shndërruar në të bronztë. Kishte pasur vetëm një heshtje të vogël në mbarimin e ditës së parë dhe fillimin e natës, pastaj asgjë nuk kishte heshtur më.
Vajza e vogël, e brishtë në trup dhe që nuk kishte ende të 11 vitet, ishte strukur nën magjen e shtëpisë, nuk kishte asnjë lloj frike në sytë e saj, priste deri në fund të dëgjonte ndonjërin nga njerëzit e shtëpisë, në se po vazhdonte të këndonte, ose atë këngën e Çerçiz Topullit, ose të Zhujë Selmanit apo “Në Dardani bjen një tupan” dhe kur, pas heshtjes disi të gjatë, nuk dëgjoi asgjë, diçka i lëvizi në kraharorin e saj.
Në tri ditë e dy netë ajo kishte parë më shumë se sa shohin burrat shekullarë në një jetë të tërë, dhe tani dëgjonte trarët e shtëpisë kah rrëzoheshin gjysmë të djegur ose zhurmën e mureve kah binin njëri pas tjetrit.
Mbylli sytë dhe deshi të kujtonte të gjithë atë që kishte ngjarë, por nuk mundi, e kishte të vështirë, ndoshta nuk ishte as çasti i duhur, megjithatë bëri edhe një përpjekje të fundit dhe iu duk se gjithçka, në një moment të vetëm, kaloi përbri saj, vizion që nuk mund të kapej, diçka fluide, e dhimbshme deri në skajin ku është e vështirë të mbajë edhe një njeri prej guri. Megjithatë, ajo po mbahej, kishte në të gjithë qenien e saj një shtjellim të vrullshëm ndjenjash, të cilat, ashtu si ishte, nën magjen e shtëpisë, ku po priste, ose të fillonin këngët ose të rifillonte lufta, “vetëm të jetë njëra prej tyre” mendoi, nuk dinte me se t’i bënte bashkë.
Të fundmin nga njerëzit e saj kishte parë Kushtrimin, ai ishte vetëm 2 vite më i madh se ajo, djali i mixhës së saj, e kishte parë tek vraponte përmes oborrit të shtëpisë me një automatik në dorë, dhe i ishte dukur, se pikërisht në mesin e dy shtëpive, ishte vrarë edhe ai.
Heshtja që po vinte po i rëndonte përherë e më tepër. Në më shumë se 60 orët e fundit çastet e heshtjes kishin qenë të pakta, krejt të pakta, kishte pasur momente kur edhe i kishin dëshiruar ato çaste, sepse kishte qenë e pamundur të përballoje gjithë zhurmën rrokopujëse të tankeve, bombave, granatave, mitralozave, pastaj ushtimat që vinin nga qielli, tymin e flakët, krismat, të gjithë kundshme, të paprashme.
Kishte qenë tepër e vështirë të përballoje tërë furinë e asaj zhurme që mund të çmendte këdo, veç atyre që ishin brenda tri shtëpive të Familjes dhe njerëzve të lagjes së tyre.
Tashmë, kur po fillonte të binte heshtja, në fundin e paradites së ditës së tretë, ajo nuk e donte më këtë. Priste të ndodhte diçka, të rifillonin krismat, kjo do të ishte një shenjë jete, ose të rifillonte kënga, edhe kjo do të ishte shenjë jete, sepse burrat , aq kohë sa kishin luftuar, po aq kohë edhe kishin kënduar; e nëse ndodhte kështu, kjo do të thoshte se nuk kishte mbetur krejt e vetme, nën atë muranë të jashtëzakonshme.
Mirëpo asgjë nuk po ndodhte. Megjithëse ishin vetëm disa minuta, asaj iu dukën sikur kishte një jetë, dhe nuk e donte këtë.
Pastaj doli nga vendi ku kishte qenë e mbrojtur, doli ngadalë, e brishtë nën atë vorbull shkatërrimi dhe përgjakje, mbi flokët e saj kishte rënë pluhuri i luftës, sytë i kishte ende të skuqur nga tymrat dhe gazi lotsjellës, shikoi rreth vetes dhe dalloi trupat pranë saj. Një këtu, një aty. Iu kujtua çasti tragjik, kur një bombë e madhe i kishte rënë bodrumit dhe e kishte ndarë atë përgjysmë, duke e shkatërruar krejtësisht. Aty ishin vrarë disa nga pjesëtarët e familjes së saj.
Kishte qenë një shpërthim i jashtëzakonshëm, fuqia e tij e kishte hedhur gjyshen e saj të mirë nga vendi ku ishin, në një dhomë tjetër, sepse ishin shkatërruar edhe muret që ndanin vendin ku ishin strehuar me dhomat e tjera përdhese. Iu kujtua se sa ishte lufta, e kishte dëgjuar zërin e babait të saj, por atë nuk e shihte, pastaj iu duk sikur përsëri nëpër shkallët e shtëpive dëgjoheshin hapat e gjyshit të saj fisnik dhe të mixhës.
Bëri me kujdes përpara. Ndjehej era e barotit dhe e pushkëve përzier me erën e zjarrit. Vajza e vogël iu afrua trupit të parë, që kishte më pranë vetes, e preku lehtë me dorë, pastaj i preku flokët, faqet, e tundi pak shpatullash, i mori kokën në duart e saj të vogla, i foli në emër dhe priti se mos do të kishte përgjigje. I thërriste përsëri në emër, por përgjigje nuk kishte. Atëherë ia ulte kokën ngadalë, përpiqej të gjente një vend të sheshtë për pushimin e tyre, afrohej tek tjetri dhe përsëri e prekte lehtas me dorë, i fliste përsëri në emër, priste një përgjigje të shkurtër, një shenjë jete, por përgjigje nuk kishte.
Pastaj iu afrua nënës së saj, mendoi se aty do të kishte një përgjigje, cilado qoftë ajo, por edhe aty , mjerisht, nuk kishte asnjë.
Përmes pluhurit dalloi dy vajzat që ishin pranë njëra tjetrës, Hidajeten, vajza e mixhës së saj të madh, dhe bri saj, Fatimen, motrën e saj më të vogël. Deshi t’u fliste, ishin gjaku i saj, por pastaj iu kujtua se nga granatimet ato ishin plagosur rëndë. Të dyja ishin mbështetur pas trupit të saj dhe ajo, dëgjonte eshtrat e tyre kah kërcisnin, sepse ishin thyer nga granatat dhe copërat e tavanit e të murit që kishin rënë mbi trupat e tyre.
Kishin kërkuar ujë, dhe ajo ishte nisur, ashtu përmes të rënëve, për të gjetur qoftë edhe një pikë ujë, por kur ishte kthyer, ato, të dyja, nuk jetonin më. Ishin mbështetur tek njëra tjetra dhe kishin heshtur. Sidoqoftë ajo u foli edhe një herë, priti me ankth një përgjigje, por përgjigje nuk kishte.
U foli të gjithëve me emër, njëri pas tjetrit, njëzet herë me radhë, njëzet herë priti prej të gjithëve një përgjigje, por heshtje, pastaj kur nuk po e dinte se çfarë mund të bënte më tej, u fut nën magjen e shtëpisë, duke menduar se kështu mund të strehohej disi.
Ishte fundi i paradites së shtatë marsit 1998. Kishte tri ditë e dy net që luftohej dhe vajza ishte e lodhur. Megjithatë nuk i mbylleshin sytë dhe as që e kishte bërë në mendje të dremiste.
Gjithçka përreth ishte përskuqur ose djegur e zhuritur. Erërat e atij fillim marsi ishin tej e për tej të mbushura me erën e veçantë të barotit, dhe duke lëvizur drejt fillimit të bjeshkëve, dukej sikur merrnin me vete pjesët e luftës.
Vajza e vogël nuk dallonte thuajse asgjë më, kur befas, krejt befas, ajo dëgjoi zhurmën e krismave të plumbave që përplaseshin nëpër gurët e shtëpisë, rafalë të një pas njëshme, një tym i dendur pastaj mbuloi gjithçka dhe ajo e diti mirëfilli se nuk ishin njerëzit e saj që po qëllonin. Sepse ata nuk mund të qëllonin kurrë mbi themelet e tyre. Askush nga Fisi i tyre nuk e kishte bërë këtë dhe vajza e vogël kishte kohë, shumë kohë që e kishte mësuar këtë. Ajo priti se çfarë mund të ndodhte. Nuk ndjente asnjë lloj frike, nuk kishte të dridhura dhe as që kishte kohë të mendohej se çfarë mund të ndodhte. Sido që të ishte, asgjë nuk do të mund të ishte më e rëndë se sa ajo që kishte ndodhur.
Pastaj dëgjoi hapa dhe zëra të çartur në një gjuhë të huaj që nuk e kishte mësuar kurrë. U dëgjuan edhe zhurmat e plasjeve të bombave të dorës dhe ajo e njohu mirë zhurmën e tyre. Kishte shumë kohë që ishte mësuar të dallonte tingëllimën e armëve të ndryshme.
Ndoshta ishte rritur përmes tyre. Kur i kishte dëgjuar për herë të parë të përplaseshin mbi gurët e kullave të tyre, përsëri nga këto njerëz që po ecnin si të çartur përmes gërmadhave, nuk kishte qenë më shumë se 4 vjeçe, pra kishte kaluar fëmijërinë përmes tyre.
Të çarturit futeshin brenda nëpër rrënojat e dhomave dhe qëllonin, pastaj dikujt prej tyre i shkuan sytë nën koritën e betonit, aty ku ishte strehuar vajza e vogël, në sytë e së cilës nuk dukej kurrë farë frike. Ishte mbuluar nga pluhuri, tymrat dhe u përpoq të mos lëvizte, por të çarturit i diktuan frymëmarrjen dhe e kuptuan se ishte gjallë.
Ishte e vetmja që kishte mbijetuar dhe kur doli në oborrin mes shtëpive, aty ku ende preheshin trupat e luftëtarëve, ajo ndjeu edhe një herë dëshirën të fliste me to.
Të çarturit e nxorën në oborr dhe e ndaluan pranë shkallëve, ku ishte shtrirë mixha i saj i vogël. Dukej sikur kishte rënë të pushonte, do të kujtonte ajo më vonë, por asaj dite, njëri nga të çarturit e pyeti, në se ai që ishte aty, pranë shkallëve, ishte mixha i saj. Ajo e dinte se mixha ishte vrarë, e kishte parë çastin kur kishte ndodhur gjithçka, por të të çarturit nuk ishin të sigurte.
Mixha i saj, pak ditë më parë, e kishte shkurtuar mjekrën dhe të çarturit ishin të pa sigurte në njohjen e tij. E pyetën edhe një herë, dhe vajza e vogël, krejt qetësisht, sikur deri atëherë të mos kishte ndodhur asgjë, iu përgjigj se “Ky nuk është mixha im, është një dajë prej Llaushës“. Nuk donte të pranonte vdekjen apo kishte diçka krejt tjetër? Që ishte vrarë, ajo e dinte, që një njeri si mixha i saj nuk mund të vdiste, edhe këtë e dinte.
Pastaj një nga të çarturit e pyeti për emrin, por ajo përsëri nuk foli. Vetëm ndjeu dëshirën t’u thoshte me të gjithë fuqinë e shpirtit të saj, t’u thoshte se ajo quhej Besarta Jashari, se ishte e bija e Hamzë Jasharit, se ishte mbesa e Shaban Jasharit, se për mixhë kishte balin Adem Jashari.
Policët serbë, krejtësisht të çartur, ndërsa shpejtonin të hiqnin të vrarët e tyre, vajzën e vogël e sollën rreth e rrotull shtëpive. E dërguan tek një veturë e bardhë dhe deshën t’i jepnin një injeksion apo diçka tjetër. Vetëm atëherë ato dëgjuan britmën e saj, nuk donte kurrfarë gjëje prej tyre , donte vetëm të ishte larg, sa më larg.
Shtëpitë dhe kullat vazhdonin të digjeshin. Trarët vazhdonin të përthyheshin njëri pas tjetrit. Gurët po bëheshin gjithnjë e më tej të bronztë. Gjithçka ishte bërë tashmë e lemerishme rreth saj, por Besarta vazhdonte të shikonte kullat që digjeshin, që po ktheheshin dalëngadalë në një muranë të zjarrtë.
15 muaj më vonë, kur e kam takuar për herë të parë Besartën, krejt natyrshëm, e kam pyetur në se kishte pasur frikë, e kam pyetur sepse e përfytyroja llahtarinë përmes së cilës mund të kishte kaluar, kur pranë saj ishin të pajetë njerëzit më të dashur, babai e nëna, motra e vëllezërit, gjyshi e gjyshja, bali Adem e nuset e shtëpisë, kushërinjtë e parë dhe të tjerët nga fisi i tyre.
Besarta më pat thënë atëherë se ,“sa këndonte bali Adem, kurrë farë frike nuk kam pasur“. E pyeta se cilën këngë kishte kënduar. Më tha se atë këngën e Çerçiz Topullit, Milazim, largo taborrë. Kur njerëzit heshtnin, bali thërriste “iso, bre burra, iso”.
Më tha ashtu dhe unë e besova menjëherë.
Ishte 7 marsi i vitit 1998. Është momenti kur fillon e ngjizet legjenda, miti dhe e vërteta e tyre. Dëbornat kishin filluar të shkriheshin, ditët tashmë nuk do të kishin kuptimin e tyre të zakonshëm.
Mbi Prekazin e Poshtëm nuk do të kishte heshtje më, ajo që kishte ndodhur do të ishte tepër e përkohshme, aq e përkohshme, sa që askush nuk do e kishte marrë me mend. E gjitha kjo kishte pasur një fillesë, një fillesë të hershme, dhe një tjetër tepër ngjat. Për të ditur gjithçka që kishte ngjarë, do të ishte mirë të ktheheshim pak më pas…
Le të nisim me atë që është tepër ngjat.
Tre ditë më parë…
Pesha e forcës së një burri është në qëndresën që ai mposht.
Në orët e vona të 4 Marsit të vitit 1998, kur nata ishte gjithkund mbi luginat dhe vargëzimet e bjeshkëve përreth, një grup i vogël njerëzish, pasi ishte shkëputur nga fshati Ticë, kishte marrë rrugën drejt Prekazit të Poshtëm. Ecnin të heshtur, të dukej sikur vetëm era rrëshqiste së bashku me to, dhe, krejt normale, dukeshin shumë më të gjatë, se sa do të ishin në të vërtetë.
Kishin një për zgjatje të çuditshme, por vetëm herë pas here, kur dilnin nën ndriçimin e hënës së ftohtë, dukeshin se kishin armë me vete. Ishte një fillim pranvere që dukej se do të vinte tepër shpejt dhe brymëzat e ngrira të ngjanin me fillimin e gjurmëve të shkrirjes së dëbornave.
Njerëzit lëviznin ngadalë, të heshtur, vetëm nganjëherë, njëri prej tyre, ai që ishte në mes, i thoshte me zë të ulët njeriut që kishte para tij, të bënte kujdes, se toka ishte ende e rrëshqitshme. Ishte për to çdo gjë e njohur në atë rrethinë rreth e qark, sa që edhe po të kishin pasur sytë e mbyllur, përsëri do e kishin pasur fare të lehtë të gjenin udhën nga shkonin.
Më shumë se një ecje e detyrueshme, të dukej sikur po ndodhte një rikthim në shtëpinë e tyre. Ashtu do të ishte vërtet, ishte një çast kur gjithçka të duket se është e zakonshme dhe me plot mall, të duket sikur, pas çdo kthese në mal apo pas bardhësisë së bjeshkëve, do të rishfaqen kullat e fisit, vendet ku ke lindur dhe ku e di se do të jesh vazhdimisht.
Asnjëri prej tyre nuk e dinte se ky do të ishte udhëtimi i tyre i fundit nëpër rrugëtimet e Kosovës, nuk mund ta dinte se pas kësaj nate do të vinin tri ditë të jashtëzakonshme, të cilat do të tronditnin gjithçka. Nuk kishin se si ta dinin, megjithëse përherë e kishin menduar se pas çdo çasti të zakonshëm , mund të vinte edhe çasti i tyre i mbramë, ndaj edhe kishin jetuar në secilën ditë, sikur të ishte dita e tyre e fundit.
Më saktë, kishin luftuar çdo ditë, si të ishte dita e tyre e fundit e luftës. Ishin në njerëzit që e kishin matur kohën disi ndryshe nga të tjerët. Jo me ditë të zakonshme, me ditë net apo me natë ditë, ata e kishin matur me ditë lufte dhe , pasi e kishin matur një herë kështu, në një natë fund dhjetori të vitit 1991, e kishin ditur se e kishin mirë dhe kishin vazhduar.
Qetësisht, pa asnjë lloj zhurme e dëliri, si për çdo gjë të zakonshme që kishin bërë deri asaj dite. Njëlloj si të lëronin tokat që i kishin në blerinat afër shtëpisë, si të pritnin dru në mal, si të dilnin me miqtë e me shokët për një bisedë të zakonshme, si te kositnin livadhet ku rritej bari erëmirë i Kosovës, si të prisnin miq e dashamirë, si të ngrinin kulla dhe të bënin dasma.
Ata ecnin ngadalë. Kishte qenë një vendim i papritur ky rrugëtim. Ndoshta një çast malli, ndoshta dëshira për një prehje të shkurtër, ku ta dish, malli për prindërit, fëmijët, e pastaj do të vinte krejt normalisht një ditë e nesërme, mrekullisht e bukur, sepse edhe ajo do të ishte ditë lufte, e njëkohësisht krejtësisht e zakonshme, sepse lufta u ishte bërë shprehi.
– Dajë, a shkojmë sonte nga shtëpia. Edhe shohim robtë e shtëpisë , edhe çmallesh me motrën. Si thua, – kishte pyetur njëri nga nipërit dhe Osman Geci, daja i shtëpisë, kishte tundur kokën lehtë , si të thoshte se ‘shkojmë, pse jo”.
Thuhet se nipi qet pushkë për dajën, e daja qet top për nipin. Këtë fjalë të hershme e kisha dëgjuar për herë të parë në bjeshkët e Dukagjinit, shumë e shumë vite më parë. Më është kujtuar shpesh herë, sidomos pas kësaj nate, e cila ishte njëkohësisht edhe nata e fillesës së një ndriçimi të jashtëzakonshëm.
Nata e 4 marsit tashmë ishte thyer plotësisht. Hapat e tyre rrëshqisnin nëpër natë dhe të dukej sikur vetëm era përcillte hapëzimin e tyre.
Nga larg kishin parë tri kullat e shtëpisë së tyre dhe kishin shpejtuar hapat. Po ktheheshin nga një fillesë lufte, sapo ishin ndarë me disa nga shokët e miqtë e tyre, kishin parë plagët e të plagosurve në luftimet e para pak ditëve, dhe, ndoshta e kishin menduar se plagë të tilla do të vinte koha që do të ishin krejt të zakonshme, ndoshta në të gjithë truallin e Kosovës.
Jeta që kishin bërë deri atëherë në fakt do të ishte e gjitha. Më pas do të nisnin tri ditënet, që aq sa kishin lidhje me tërë ditët e tyre, aq do të ishin edhe jashtë të zakonshmes, do të ishin tri ditë lidhëse mes asaj që kishte ndodhur deri ato çaste dhe asaj që do të vinte më pas.
Kishin mbetur jo më shume se dyqind metra larg hyrjes kryesore të kullave të tyre dhe bënë më tej me ndjenjën e ngrohtë që të krijon afrimi i shtëpisë. Po bëheshin shtatë vite që në këto kulla ishin të përkohshëm, ishin gjysmë miq dhe gjysmë bujtës, ishin , si të thuash, dalzotësit e kullave, por njëkohësisht edhe të përkohshmit e tyre.
Askush nuk e dinte, aq më pak nuk e dinin tre njerëzit që po ecnin drejt Prekazit të Poshtëm, se njëkohësisht me to, por tashmë nga disa drejtime të ndryshme, po lëviznin dhjetëra makineri lufte, nuk mund ta dinin se vetëm pak çaste më vonë, vetëm pak çaste pasi ata të futeshin në vatrën e tyre, do të lëviznin 200 mjete të blinduara dhe 15 topa do të kishin një objektiv të vetëm, tri kullat e Fisit të tyre.
Nuk mund ta dinin se një ecje e tyre nëpër natë do të vinte në lëvizje një përbindësh të tërë hekuri, municioni dhe armësh, të cilët si në krijimet e përbindshme, kishin qenë prej ditësh në këtë pritje të ankthshme. Një shtab i tërë do të vihej në lëvizje për atë që ishte përgatitur prej javësh e ndoshta muajsh, ushtarakë të lartë, paramilitarë të përçarte, banda çetnike, grupe që kishin përgjakur krahina të tëra në Bosnje e në Kroaci, kriminelë të gjithë llojeve, gjeneralë dhe Arkani i çartallosur , të gjithë ata që mund të vinte në lëvizje një pushtim i dhunshëm, kishin filluar tani të kishin një drejtim të vetëm, Prekazin.
Ata nuk mund ta dinin se në fillimin e mëngjesit që do të vinte, pak pas mesnatës, drejt tyre , nga drejtimi i Mitrovicës për në Skënderaj do të arrinte kolona e parë e forcave të policisë serbe, nuk mund ta dinin se në fabrikën e Municionit, as treqind metra përballë banesave të tyre kishin zënë vend forca të tjera të përqendruara serbe, nuk mund ta dinin se pak çaste më vonë , nga Prishtina drejt tyre do të nisej kolona elitë e forcave serbe në Kosovë.
Ishte vënë në lëvizje një makineri e përgatitur shumë kohë më parë. E dhunshme, e përgjakshme, e egërsuar. Kishin hesape të hershme me njerëzit e këtyre e kullave dhe, si dukej, kishin menduar se në një natë ose në një çast natë ditë do të merrte fund gjithçka, e bashkë me to, do të merrte fund edhe ideja e tyre. Do të kishte dy humbje të njëkohshme, kishin menduar në Beograd, të atyre njerëzve që ishin brenda kullave dhe prej nga ishin kthyer të mundur dy herë, por edhe të idesë së tyre.
Nuk do të kishte më asgjë, pas rrethimit të kësaj nate dhe asaj që pritej në fillimin e ditës së nesërme, do të kishte vetëm heshtje, një qetësi mortore, e paskajshme, e aftë për të vendosur heshtjen për dhjetë vitet e ardhshme në këtë vend rebel. Dhe nëse shuhej kryeqendra e rebelëve dhe rebelët bëheshin të pa kund gjetur, do të ishte e natyrshme që nuk do të kishte më asgjë pas kësaj. Kështu kishin menduar në Beograd. Do të ishin dy herë të gabuar. Nuk do të ishte thjeshtë një larje hesapesh, e befasishme dhe asgjë tjetër, e po ashtu nuk do të kishte pasur heshtje të mëtutjeshme.
Të tre udhëtarët e natës së 4 marsit ndërkohë ishin çmallur me njerëzit e shtëpisë, kishin marrë pranë vetes nënën e tyre, e cila, e strukur në gjoksin e madh të bijve të saj, dukej sikur kishte humbur mes tyre. Ishin ulur pranë vatrës, pikërisht aty ku kishin qëndruar me dhjetëra e qindra herë, kishin dëgjuar natën që po fillonte të thyhej dhe ishin ndjerë mirë, si çdo njeri në vatrën e tij.
Nuk e kishin ditur, dhe nuk do e dinin deri në mëngjesin e afërt, se ishin vënë njëkohësisht në lëvizje, disa njerëz të zakonshëm që shkonin drejt vatrës së tyre dhe qindra e qindra mjete për të shuar jetën e tyre.
Do të duhej të kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme që një armatë e tërë serbe, si kurrë ndonjëherë më parë, me përmasat e saj oktopodhiane si metastaza të zeza ,ishte vënë ashtu në lëvizje, ose njerëzit që ishin brenda kullave do të duhej të ishin vërtet të jashtëzakonshëm. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.
Në fakt të dyja ishin të vërteta, për armatën serbe kishte ndodhur diç e jashtëzakonshme, kishte filluar thyerja e saj. Deri atë natë thyerja kishte qenë e ngadalshme, por që do të bëhej e rrokopujshme, dhe thyerja kishte nisur pikërisht në këto vise, në pikëtakimin e këtyre kullave me vazhdimin e bjeshkëve, nga këto njerëz, që në 30 dhjetorin e vitit 1991.
Kishte filluar dhe po vazhdonte, gjithnjë e më shumë, nëse deri atëherë ajo kishte qenë e pak dukshme, tashmë krisja e thyerjes po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha, po shtrihej në hapësira përherë e më të gjëra.
Kishin provuar të ndalonin hemorragjinë e krisjes, e kishin provuar sërish në janarin e këtij viti dhe përsëri ishin thyer, përsëri në të njëjtin vend, nga të njëjtët njerëz; pastaj kishin ndodhur thyerje të tjera, një herë në Likoshan, pastaj në Llaushë, pritej thyerja në Dukagjin, në zonën e Llapit ku tani po dëgjohej kudo një këngë e re për Ali Ajetin, nuk dihej se cila do të ishte thyerja tjetër. Për to, kjo thyerje duhej ndaluar, e për të ndaluar këtë, në radhë të parë duheshin thyer këto njerëz, të cilët, krejt normalisht dhe pa e kërkuar, po bëheshin në simbol, po niste të ndërtohej fillesa e legjendës së tyre dhe kjo legjendë duhej shkelur përgjakshëm që në agun e saj.
Duhej ndërprerë jeta e tribunëve për të pasur një pushtim të gjatë, shumë të gjatë, mundësisht sa më të qetë dhe me lojën e pluralizmit, sa herë që të donin. Askush nuk i prishte punë më shumë se ky trekëndësh kullash, në këtë fshat që po bëhej ngadalë kryeqendra e Kosovës. Nëse nuk do e thyenin këtë, atëherë ishte krejt e mundur që kjo të bëhej zanafilla e një kryeqendre gjithë shqiptare, rreth së cilës njerëzit të përuleshin me përkushtimin e duhur, dhe me ndjenjën se e kishin gjetur tashmë vendin që kishin kërkuar për të ngulur shtizën e mëvetësisë së kombit të tyre.
Duheshin zhdukur flamurtarët, duhej zhbërë miti i tyre, ende pa u bërë i plotë, duhej treguar se askush, edhe më i besuari prej tyre,“shiftarve“, nuk mund të i bënte ballë furisë ndëshkuese të tyre.
Kjo do të ishte thelbi i lëvizjes nëpër natë të një armate të tërë serbe ndaj një vendbanimi shqiptar.
A do të ndodhte zhbërja dhe harresa? Ata ishin të bindur se po. Nuk do të ishte hera që do të gabonin, por me siguri që do të ishte hera e fundit. Nuk do të kishin kohë për gabime të tjera, sepse kishte filluar rrokullima e pandalshme dhe theqafja e tyre. Njerëzit e rrethuar në mëngjesin e bardhë të 5 marsit të vitit 1998, tashme kishin bërë edhe ata rrethimin e tyre. Askush më mirë e më shumë se ata, nuk e kishin ngritur shpirtin e madh të revoltës.
Megjithatë, ajo që kishte ndodhur deri me 4 mars do të ishte vetëm një pjesë e jetës së tyre të furishme, do të ishte e pazakontë, por gjithsesi jo e plotë. Do të kishin tri ditë netët e luftës dhe pastaj do të vinte koha e tyre…
Rreth orës 5 të mëngjesit rrethimi ishte bërë i plotë. Ishin zënë thuajse të gjitha shtigjet, mbi 200 mjete të blinduara kishin rrethuar vendlindjen e tyre, Prekazin, 15 gryka topash ishin të gatshëm për të granatuar, njëkohësisht ishte rrethuar krejtësisht lagjja tjetër përbri, ajo e Lushtakëve, Llausha dhe Açareva ishin nën rrethim, Vojniku ishte tashmë nën presionin e izolimit, të gjitha rrugët drejt Prekazit ishin përmbyllur nën një rreth të zjarrtë plumbi , predhash e baroti.
Do të duhej një hartë e tërë për të shtrirë dhëmbët e kuçedrës. Gjithçka dëshmonte se përgatitja për këtë natë ditë kishte qenë e gjatë, e jashtëzakonshme e njëkohësisht e përbindshme. Telefonat dhe mesazhet serbe nuk pushuan gjithë natën.
Do të kthehemi përsëri në këtë fillim dite të pesë marsit dhe në çastet para saj. Do të kthehemi sepse nuk mund të bëjmë pa to asnjë histori, jo vetëm historinë e njerëzve të rrethuar, por as pjesë të historisë së vetvetes, të kombit.
Sidoqoftë kishte qenë një natë me brymë të bardhe dhe nëpër fillesën e bjeshkëve përreth brymëzat dukeshin tani si yje të bardhë që kishin rënë aty këtu. Më pas do të ndodhte një fenomen i çuditshëm, i pa ndodhur më parë, brymëzat ose do të shkriheshin nga nxehtësia e armëve, ose do të përskuqeshin nga gjaku i derdhur.
Mes dy rrethimeve nuk kishte mbetur asnjë zgjidhje tjetër.
Rrethimi i zi serb kishte në vete mijëra forca të çfarëdollojshme, dhe idenë e çrrënjosjes nga vatrat. Rrethimi i bardhësisë kishte pasur në vete gjithnjë idenë e lirisë dhe sado mund të dukej i brishtë, ai ishte në agun e tij ,dhe si çdo gjë në ag, do të kishte të ardhmen. Nëse deri atëherë ideja do të ishte e mbrojtur me vitalitetin e një kombi, tashmë vitaliteti dhe ideja do të kishin edhe simbolet e tyre.
Ishte përmbyllur rrethimi i 4 marsit dhe po hapej dita e pesë marsit. Cilët ishin të rrethuarit? Shumë shpejt, gjithçka do të bëhej e njohur për të gjithë.
Historia ishte në të mbrujturin e saj, magjja e legjendës po përgatiste mitin e së nesërmes…
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
HEJ KOSOVE VETE E KE FAJIN
GJARPERIN NE GJI GJITHMONE KE RRIT
PA E SHKUL. ME RRANJE TRADHETINE
KA ME TE MBET LIRIA NE FYT
VRAJE TRADHETINE
TE GEZOSH LIRINE⁹
Nderim e lavdi Komandantit te UÇK dhe familjes se tij.
Kosova ka qene dhe mbetet shembull i patriotizmit te shqiptareve dhe luftes se tyre per liri e pavaresi.
Shume mire qe shkruan per Jasharet dhe qendresen e tyre sepse ata e meritojne, por do te ishte mire qe nganjehere te shkruash edhe per qendresen e Shaban Polluzhes. Shabani me Mehmet Gradicen qendruan nga 25 janari e deri ne vrasjen e tyre nga partizanet e Titos, me 21 shkurt 1945.
Nderim për deshmoret!
Po mire z . Bedri, po te dhimbset populli shqiptar, por pse i ben lajka nje antishqiptari si Magjari i Surrelit?!
Lavdi Herronjve ⚘
Te ishte gjalle sot Heroi, do ta kishin derguar ne burg , ne Hage , keta “trimat” e sotem …..por sic thone, me te miret ikin….
Lavdi Deshmoreve dhe Vdekje Tradhtareve te Kombit Shqiptar!Sakrifica sublime e familjes Jashari eshte frymezim per qendresen shqiptare ndaj barbareve serbe te ardhur nga shpellat e Siberise.
Shkrirja e brymes nga armet dhe perskuqja nga gjaku nuk eshte fenomen o Bedri, as i cuditshem bile.
E ke vene veten ne altarin e poetit, historianit, artistit, letrarit, prozaikut..
Pak Moikom, pak Homer, pak Ramut..
JAM SHKODRIAN PREJ PUKET
CDO GJA MUND TA BAJ
PO PSE ME E SHA RAMEN
KUR THOTE NUK KAM FAJ
GJERSA SE PRANON
FAJIN NALTMADHNIA
ATEHERE NUK KA PUNE
ME TE DREJTESIAĻ
Radika trapin na e rruajte
Me keto palo vjersha
Te duket vetja Poet
Vargjet te dhjefsha
Shume mos e zgjat
Kuptohe vetë
Je bere si grate
Çan kokën çdo netë
Lexoni kete artikull ne internet me kete link:
ikvi.at/?p=348457
Artikulli:
Në kohën e luftës së UÇK-së shqiptarët e Kosovës ishin 3,4 milionë kurse serbët e Serbisë ishin vetëm 2,7 milionë
Kosova ka 3.250.000 shqiptarë edhe me emigrantët ka gjithsej 4.800.000 shqiptarë
Numri i shqiptarëve në Kosovë u deklarua në regjistrimin e popullsisë në 2011 qellimisht vetëm 1,6 milionë dhe duket qartë që është një mashtrim i qellimshëm sepse ky numër është i njëjtë me numrin që deklaroi Serbia me Millosheviçin në regjistrimin e 1991 në Kosovë. Në fakt në 1991 në Kosovë banonin afërsisht 2.200.000 shqiptarë dhe afërsisht 350.000 shqiptarë ishin emigrantë. Kjo domethënë që shqiptarët e Kosovës në 1991 ishin gjithsej afërsisht 2.550.000. Në të vërtetë në 2011 ishin rreth 2.750.000 shqiptarë banorë rezidentë në Kosovë.
Edhe qeveritë e Kosovës tani pas 2011 ashtu po vazhdojnë të deklarojnë vetëm 1,6 milionë shqiptarë sa deklaroi edhe Millosheviçi në 1991. Kjo është shumë qesharake. Ky mashtrim u bë që numri i shqiptarëve në Kosovë të duket sa më i ulët dhe Kosova të duket sa më multietnike. Me këtë mashtrim kërkohet të arrihet që shqiptarët të mos dinë se sa shumë që janë edhe t’i konsiderojnë shqiptarët e Kosovës numerikisht të pakët në krahasim me serbët e Serbisë e të Vojvodinës. Kjo është mënyra që influencon që shqiptarët e Kosovës të mos kënë iniciativë për veprime politike kombëtare shqiptare.
Numri i lindjeve të shqiptarëve në Kosovë është afërsisht 60.000 në vit. Lindshmëria është 2% e popullsisë dhe shtimi natyral i popullsisë është 1,6%. Në 2002 në Kosovë banonin 2,4 milionë shqiptarë. Dihet që në kohën e pushtimit serb në të gjitha regjistrimet e popullsisë në 1921, 1931, 1948, 1953, 1961, 1971, 1981 e 1991 numri i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi është deklaruar shumë më i ulët se sa ka qënë në të vërtetë.
Aktualisht në Kosovë banojnë 3.250.000 shqiptarë. Në Kosovë qeveritë gjithmonë kanë gënjyer për numrin e lindjeve dhe numrin e nxënësve. Në të gjitha shkollat 9-vjeçare në Kosovë janë 510.000 nxënës shqiptarë edhe numri i nxënësve vërteton që në Kosovë banojnë 3.250.000 shqiptarë. Numri i emigrantëve shqiptarë nga Kosova është rreth 1.550.000 në vendet e Europës, SHBA, Kanada dhe Australi. Kosova ka me emigrantët shqiptarë gjithsej afërsisht 4.800.000 shqiptarë.
Shqiptarët e Kosovës e kanë pasur numrin mesatar të lindjeve për grua pra fertilitetin 5,6 fëmijë në 1981, 4,4 fëmijë në 1991, 3,8 fëmijë në 2001 edhe 2,6 fëmijë në 2011. Nga 2011 deri në 2021 numri mesatar i lindjeve për grua ka qënë i qendrueshëm me 2,6 fëmijë. Lindshmëria ishte 3,8 % e popullsisë në 1981, 3,2 % në 1991, 2,8 % në 2001 edhe 2,0 % në 2011. Nga 2011 deri në 2021 lindshmëria ka qënë e qendrueshme me 2,0 % në vit.
Në Kosovë janë vetëm 50 mijë serbë edhe jo 100 mijë serbë si gënjehet me deklaratat zyrtare. Kurse para 1999 në Kosovë ishin vetëm 100 mijë serbë edhe jo 200 mijë serbë si deklarohej nga Serbia. Gjithëmonë Serbia e ka deklaruar 2-fish më të madh numrin e serbëve në Kosovë. Shqiptarët para 1999 ishin shumica e popullsisë në Veriun e Kosovës.
Shqiptarët përbëjnë me 3,25 milionë gjithsej 97 % të të gjithë popullsisë së Kosovës. Kurse minoritetet janë gjithsej vetëm 100 mijë. Minoritetet përbëhen nga 50 mijë serbë, 25 mijë boshnjakë edhe 25 mijë romë. Vetëm 1,5 % e të gjithë popullsisë së Kosovës janë serbët edhe jo 6 % si gënjehet me deklaratat zyrtare.
Shqiptarët në Kosovë janë 3.25 milionë edhe në Luginën e Preshevës janë 180 mijë. Shqiptarët e Kosovës edhe të Preshevës janë më shumë se sa serbët e Serbisë edhe të Vojvodinës bashkë. Kurse me emigrantët janë akoma më shumë se Kosova ka 1,55 milionë emigrantë pra gjithsej Kosova ka 4,8 milionë shqiptarë edhe Lugina e Preshevës ka 250 mijë shqiptarë me emigrantët. Pra gjithsej Kosova e Lugina kanë 5.050.000 shqiptarë kurse Serbia me Vojvodinën kanë vetëm 2.700.000 serbë me emigrantët. Pa emigrantët Serbia e Vojvodina kanë vetëm 2.300.000 serbë sepse kanë 400 mijë emigrantë serbë.
Në kohën e luftës së UÇK-së në 1998 e 1999 ishin 2,2 milionë shqiptarë në Kosovë edhe 1 milionë shqiptarë nga Kosova ishin emigrantë. Kurse Lugina e Preshevës ka pasur 120 mijë shqiparë edhe 50 mijë emigrantë shqiptarë pra gjithsej Lugina e Preshevës ka pasur 170 mijë shqiparë. Prandaj Kosova e Lugina kishin atëherë 3,4 milionë shqiptarë me emigrantët. Kurse serbët e Serbisë e të Vojvodinës 2,7 milionë ishin atëherë me emigrantët sepse serbët kanë që në vitet 1980-ta që nuk shtohen më se e kanë numrin e lindjeve për grua mesatarisht 1,6 edhe kjo është e pamjaftueshme për shtim të popullsisë.
Kjo domethënë që shqiptarët e Kosovës e Luginës ishin numerikisht 700 mijë më shumë se sa serbët e Serbisë e të Vojvodinës. Pra shqiptarët ishin 3,4 milionë kurse serbët ishin 2,7 milionë. Nëse shqiptarët do e kishin ditur këtë të vërtetë të madhe do i ishin bashkuar më shumë shqiptarë UÇK-së edhe jo vetëm 20 mijë por më shumë se 150 mijë. Do kishte qënë e lehtë që UÇK të kishte madje edhe më shumë ushtarë se sa ushtria serbe dhe paramilitarët serbë. Me aq shumë ushtarë UÇK do e kishte çliruar shumë shpejt vet Kosovën edhe madje pa ndihmën e NATOs. Ashtu do ishte arritur që shqiptarët të vazhdonin të qendronin në Veri të Kosovës edhe komunat e Veriut do drejtoheshin nga shqiptarët sepse shqiptarët do vazhdonin të ishin shumica e popullsisë në komunat e Veriut.
Shqiptarët janë popull më i madh se sa spanjollët
Shqiptarët janë sa 2-fishi i grekëve edhe sa 4-fishi i serbëve edhe kjo është e rëndësishme për ta ditur.
Shqiptarët janë popull numerikisht më i madh se sa spanjollët edhe 32 popuj të tjerë të Europës. Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës edhe Malit të Zi janë gjithsej 12,8 milionë bashkë me emigrantët shqiptarë në BE, Britani, Zvicër, SHBA, Kanada e Australi.
Kurse serbët janë gjithsej vetëm 3,7 milionë. Pra shqiptarë janë afërsisht sa 4-fishi i serbëve.
Shqiptarët janë numerikisht më shumë se sa të gjithë popujt e tjerë të rajonit:
grekët: 6,5 milionë
(por grekët janë popull artificial i përbërë nga shqiptarë, arumunë edhe sllavë)
serbët: 3,7 milionë
boshnjakët: 4,1 milionë
sllavo-maqedonasit: 0,85 milionë
malazezët: 0,25 milionë
kroatët: 2,3 milionë
sllovenët: 0,9 milionë
bullgarët: 7 milionë
Duket shumë qartë që popujt e tjerë të rajonit janë numerikisht shumë të vegjel para shqiptarëve.
Madje mund të thuhet që popujt fqinj të rajonit duken si popuj-xhuxhash në krahasim me shqiptarët.
Vlen shumë të theksohet që shqiptarët janë sa 2-fishi i grekëve pra të gjithë banorëve me shtetësi greke të Greqisë.
Shqiptarët janë sa 2-fishi i grekëve edhe sa 4-fishi i serbëve. Kjo është e rëndësishme për ta ditur.
Popujt e tjerë në Europë që janë numerikisht më pak se sa shqiptarët:
spanjollët: 12 milionë
hungarezët: 11 milionë
katalanët në Spanjë: 5,5 milionë
galicët në Spanjë: 1,5 milionë
baskët në Spanjë: 1 milionë
portugezët: 5 milionë
suedezët: 8,5 milionë
norvegjezët: 4,5 milionë
finlandezët: 5 milionë
danezët: 4,5 milionë
islandezët: 0,3 milionë
estonezët: 1 milion
letonezët: 1,4 milionë
lituanezët: 3 milionë
bjellorusët: 8 milionë
çekët: 10 milionë
sllovakët: 5 milionë
austriakët: 3,5 milionë
zviceranët: 3 milionë
hollandezët: 3,4 milionë
belgët: 3,5 milionë
luksemburgasit: 0,25 milionë
irlandezët: 2,5 milionë
skocezët në Britani: 5 milionë
valisët në Britani (Wales): 3 milionë
Këta janë 8 popuj në rajonin e Gadishullit Ilirik edhe 25 popuj të tjerë në Europë.
Shqiptarët janë numerikisht më shumë se sa të gjithë këta popuj. Shqiptarët janë madje numerikisht më shumë edhe se sa spanjollët se në Spanjë kanë ngelur vetëm 12 milionë spanjollë. 40 milionë spanjollë kanë ikur në vendet e Amerikës Latine.
Në gati të gjitha vendet e Europës Perëndimore numrat e popullsisë manipulohen duke i deklaruar 2-fish se sa janë në të vërtetë. Vetëm Italia edhe Franca nuk e bëjnë këtë mashtrim me numrin e popullsisë. Vendi me më shumë banorë në BE është Franca me 68 milionë banorë edhe pastaj vjen Italia me 60 milionë banorë.
Spanja ka vetëm 20 milionë banorë pa emigrantët e huaj edhe jo 40 milionë si mashtron me këtë manipulim Spanja. Këtë manipulim të numrit të popullsisë së Spanjës e vërtetojnë të gjitha qytetet e Spanjës si Madridi, Valencia, Barcelona, Sevilla etj. Edhe nga banorët e Spanjës janë 12 milionë spanjollë, 5,5 milionë katalanë, 1,5 milionë galicë edhe 1 milionë baskë.
Prandaj 12,8 milionë shqiptarët janë më shumë se sa 12 milionë spanjollët.
Shqiptarët duhet ta dinë që janë një popull kaq i madh.
Po ca heroi eshte ky palloshi adem jashar qe vrau gjithe familjen edhe veten. Po trimeri eshte me rujt robt e tu jo me i qit fare sic thone koqevaret. Thone qe kto koqevaret e shkrete shihnin filma me partizane dhe ashtu mundoheshin te bejne luften, po ce do se eshte krejt ndryshe. Asnje vlere ska ky palloshi, vetem nje i degraduar nga mendja qe sakrifikoi gjithe ato jete pa sens. Atdheu fillon nga familja, po s’ke mbrojt ate atdheun e kujt mbron?!
Adem kallashi tu knu qerqizin! Na gajase o bedro, kto jasharet vec budalla se asnje vlere. Si mundet me luftu me gra e fmije neper kembe, hajde hajvana hajde