Nga Shaqir Vukaj
Botuar në DITA
Krahina e Nikaj Merkurit shtrihet në pjesën perëndimore të Tropojës, në kufi me Dukagjinin. Historikisht ka qenë një zonë e dalluar në luftërat për liri kundër pushtuesve. Po ti referohemi dokumenteve, kjo krahinë me jo më shumë se katër mijë banorë i ka dhënë vendit qindra të vrarë në luftërat për liri e pavarësi. Në përpjekjet e luftërat kundër turqve janë vrarë shumë nikajmërturas, dhe gjithë mungesën e dokumenteve, studimeve, e kryesorja interesimit për të shpallur Dëshmorë të Atdheut shumë të vrarë në luftërat e kryengritjet për pavarësi, nga kjo zonë janë shpallë 12 Dëshmorë të Atdheut. I madh ka qenë kontributi i bijve të kësaj krahine në Luftën e Partë Botërore, në luftimet e zhvilluara kundër pushtuesve serbo-malazezë dhe austro-hungarezë. Sipas dokumenteve, tregimeve të pjesëmarrësve, këngëve popullore, në këto luftëra janë vrarë disa dhjetëra burra të kësaj zone, por vetëm 22 prej të cilëve janë shpallur Dëshmorë të Atdheut…
Pa hyrë në analiza e komente dua të vë në dukje se për kontributin e kësaj krahine, në lëvizjet për pavarësi, luftërat e vazhdueshme kundër armiqve të Shqipërisë, përfshijë edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, nuk është folur e shkruar ashtu si e meriton, një borxh i historiografisë tonë për shumë zona të Veriut të Shqipërisë….
Për vetë pozicionin strategjik, përmes së cilës kalohet në Shkodër, kjo krahinë historikisht ka tërhequr vëmendjen e pushtuesve, siç ndodhi edhe gjatë Luftës Dytë Botërore, ne prag të pushtimit të Jugosllavisë nga Italia fashiste, kur forcat jugosllave sulmuan territoret shqiptare, dhe nëpërmjet Nikaj Mërturit synonin Shkodrën ……
Megjithëse zonë e thellë malore, pushtuesit italianë, u futën shumë shpejt në krahinën e Tropojës, dhe në ndryshim me shumë zona të thella malore u futën në Nikaj Mërtur që më 5 maj 1939…dhe krijuan administratën e tyre. Është fakt se megjithëse krahinë me tradita të forta luftarake pushtuesit italianë, ashtu si nw shumë krahina tw Shqipërisë, nuk hasën rezistencë të armatosur në Nikaj Mërtur. Dhe kuptohet se këtu ndikuan shumë faktorë, në radhë të parë tradhtia e një pjese të parisë, që deri dje i kishin shërbyer mbretit Zog, e që menjëherë u vunë në shërbim të Italisë fashiste. Politika e ndjekur nga Ahmet Zogu ndaj kësaj krahine, politikë dhune e shtypjeje, veçanërisht mbas asaj që njihet si Kryengritja e Dukagjinit, ku popullsia e kësaj krahine kishte marrë pjesë aktive me pushkë në dorë, do të kishte ndikimin e vet edhe në qëndrimin ndaj pushtuesit italian, që sipas propagandës fashiste ai e kishte “shpëtuar” nga regjimi i Zogut…Si zonë me popullsi krejtësisht katolike, një rol të veçantë ka luajtur kleri katolik, që bënte thirrje të hapur të shqiptarëve e në mënyrë të veçantë katolikëve për mos t’ju kundërvënë Italisë Fashiste. Është tepër kuptimplotë telegrami i Patër Çiprian Nikës, i cili në emër të Provincialatit Françeskan, i bënte ministrit Françeskan në Romë, At Leonardo Zellos, ku ndërmjet tjerave i shkruante:
“Shumë i nderuemi atë. Me datën e 7 Prillit trupat italiane zbarkuen në katër portet e Shqipnisë. Për fat nuk pati gjakderdhje me përjashtim në Durrës, ku disa vullnetarë kishin vendosë të luftonin. Popullsia, në mënyrë të veçantë ajo katolike ishte lajmërua të mos bënte asnjë rezistencë”.
Ndërsa në telegramin e nënshkruar nga 6 ipeshkvijtë e Shqipërisë, dërguar Viktor Emanuelit ata “shprehnin kënaqësinë e tyre për bashkimin personal të dy mbretërive”
Dihet se disa krahina me popullsi kryesisht katolike nuk u përfshin në luftën kundër pushtuesit italian, në ato përmasa që e kërkonin interesat e Atdheut e që luftën kundër pushtuesve e kishin traditë….E për këtë një përgjegjësi e madhe rëndon mbi drejtuesit e Klerit Katolik, që jo vetëm bënin thirrje për të mos luftuar kundër pushtuesve, por në jo pak raste bashkëpunuan haptazi me të…. Ekzistojnë dokumente pa fund për qëndrimin e veprimtarinë e tyre në favor të pushtuesve italianë. Por do të ishte gabim i madh të përsëritej gabimi e faji i historiografisë komuniste që përfshinte gjithë klerin katolik si bashkëpunëtor i pushtuesve, madje, në disa raste duke e shtrirë thellë në histori rolin “negativ” të katolicizmit…. Duke mos qenë objekt i këtij shkrimi, duhet thënë se roli i Klerit Katolik në historinë e Shqipërisë, ka qenë tepër pozitiv. I jashtëzakonshëm ka qenë roli i tij për letërsinë shqipe, sepse fillesat e saj i përkasin klerikëve katolikë, ashtu siç mund të thuhet për muzikën, pikturën, arkeologjinë, teatrin, fotografinë etj. Tepër i rëndësishëm ka qene roli i klerit katolik dhe patriotëve katolikë në ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, në kryengritjet e luftërat për çlirim e liri, shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar, mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në konferenca e mbledhje ndërkombëtare etj. Kujtojmë se N/kryetari i Qeverisë së Isamil Qemalit ka qenë prift katolik, apo vargu i jashtëzakonshëm “Feja e shqiptarit asht shqiptaria” është shkruar nga një katolik Shkodre…..
Dokumente e atyre viteve flasin e vërtetojnë rolin pozitiv e aktivizimin në luftë kundër pushtuesve nazifashistë të disa priftërinjve katolikë. Kështu është i veçantë roli dhe aktivizimi i priftit të Reçit (Malësi e Madhe) Dom Luigj Picit, i cili, për aktivitetin dhe rolin e tij që gjatë Luftës Nacional Çlirimtare ishte zgjedhur N/Kryetar i Këshillit Antifashist për Qarkun e Shkodrës, e menjëherë mbas çlirimit të Shqipërisë Kryetar i Fronti Demokratik për Qarkun e Shkodrës. Po kështu mund të përmendim Dom Ndoc Sahatçinë, priftin e Gziqit në Mirditë, që ka ndihmuar me ç’ka patur Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, Dom Ndoc Ndojen, apo Dom Nikoll Lulin etj.
Por të kthehemi në Nikaj Mërtur. Menjëherë mbas pushtimit, fashistët italianë krijuan degën e Partisë Fashiste në Tropojë, dhe megjithëse zonë tepër e thellë malore, ata krijuan degën e kësaj partie edhe në Nikaj Mërtur, rast i radhë për zonat e thella malore, për të mos thënë rasti i vetëm….
Në këto kushte, kuptohet se fillimisht, ishte tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të dilje hapur dhe të përballeshe me pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Por pavarësisht nga vështirësitë, si në shumë zona e krahina të Shqipërisë edhe në Nikaj Mërtur, pakënaqësia dhe urrejtja për pushtuesit filloi të shfaqej në forma të ndryshme, fillimisht duke mos paguar detyrimet e taksat e madje duke përzënë tagrambledhësit, apo duke dezertuar, siç bënë 25 milicë që ishin regjistruar më parë, apo dezertimi në masë i nikajmërturasve që ishin rekrutuar për të luftuar në Jug, në luftën italo-greke etj. Një pjesë e atyre që dezertuan u kthyen në vendlindje por nga frika e arrestimit dolën maleve me armë në dorë. “Numri i konsiderueshëm i ushtarëve dezertorë që jetojnë maleve, krijon një gjendje shumë të vështirë dhe përben rrezik për qetësinë e vendit” thuhet në një dokument të zyrtarëve fashistë të kohës.
Për vet pozicionin gjeografik që kishte kjo krahinë, në prag të pushtimit të Jugosllavisë nga Italia Fashiste, forcat jugosllave, në luftë me italianët, synonin të sulmonin Shkodrën nëpërmjet Nikaj Mërturit, Geg-Hysenit dhe Dukagjinit dhe u takoi banorëve të kësaj krahine të luftonin për të mbrojtur trojet e tyre. Pushtimi përkohësisht i detyre zonave nga ushtria jugosllave e dhuna e ushtruar prej tyre ndaj popullsisë vendase, e acaroi situatën aq sa u arrit në përleshje me armë, vrasjen dhe çarmatosjen e disa njësive të ushtrisë jugosllave. Interesant është fakti se disa luftuan për llogari të italianëve, e disa të tjerë, me në krye Col Qerimin, luftuan si atdhetarë, duke i konsideruar si pushtues të dy palët, si italianët ashtu dhe jugosllavët…
Siç do të themi me poshtë, Nikaj Mërturi u kthye në një territor ku ishin instaluar e vepronin që nga pushtuesit italianë e më vonë ata gjermanë, misione angleze, zogistë me në krye Nik Sokolin e kuptohet edhe përfaqësues të Nacional Çlirimtare….e madje edhe përfaqësues të klerit katolik që kërkonin armë e municione për të luftuar kundër partizanëve të Nacional Çlirimtares…(Patër Dionis Mataj i fshatit Palç i shkruante Arqipeshkvisë së Shkodrës: “Pa kaluar mbi kufomat tona nuk kalojnë komunistat nga Nikaj-Mërturi e Dukagjini. Kërkojmë nga ju vetëm municion…”
Col Qerimi ishte një fshatar i thjeshtë, nga një familje tepër e varfër i cili që në moshë të re, për një ngjarje që i kishte ndodhur në Xhandarmeri ku shërbente, ishte arratisur për disa kohë në Kosovë…ngjarje që i kishte dhënë emër të mirë në krahinë. Ai njihej si burrë trim e i besës, cilësi që e kishin lidhur e miqësuar me burra të mirë e me emër, ndërmjet të cilëve me Bajraktarin e Krasniqes, Sali Manin, shtëpia e të cilit u kthye ndër bazat kryesore të Luftës Nacional Çlirimtare në rrethin e Tropojës (Djali i tij, Jaho Salihi është Dëshmor i Atdheut). Ai që në fillim u lidh me ata atdhetarë që po i dilnin zot atdheut. Kështu në një letër që Prefektura e Kosovës i dërgonte Ministrisë Punëve të Brendshme shkruante: “Nikaj Mërturi mund të jetë një depo municionesh e Mulosmanajve. Duhet të bëhet në ketë krahinë gradimi i disa personave me influencë në popull, nën drejtimin e autoriteteve”.
Pavarësisht se deri atëherë Col Qerimi me disa shokë të tij i ishin kundërvënë pushtuesve në forma të ndryshme, tashmë ishin pjekur kushtet për tu organizuar në njësi luftarake dhe më 11 shtator 1943, në Nikaj Mërtur u krijua çeta partizane. Në letrën që Shtabi Operativ i Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Malësisë së Gjakovës i bënte Shtabit të Përgjithshëm, shkruante për shtabin e kësaj zone, se një ndër anëtarët e këtij shtabi ishte dhe “Col Qerimi, katundar nga Nikaj Merturi, komandant i çetës vullnetare vendase (katolik nga Nikaj Mërturi) antifashist”. Më poshtë, në letër , kur shkruhet për çetat e zonës thuhet s “Çeta e Nikajve numëron 30 vetë, dhe komandohet prej Col Qerimit”, duke qenë kështu, bashkë me çetën e Krasniqes, nder çetat më të mëdha të zonës.
Në fund të dhjetorit 1943 – fillim të janarit 1944, në shtëpinë e bajraktarit të Krasniqes, Sali Mani u mbajt u mbajt Konferenca Bujanit, që shqetësoi dhe ashpërsoi qëndrimin e nazistëve dhe bashkëpunëtorëve te tyre kundër Nacionalçlirimtares. Duhet theksuar se partizanët kishin organizuar disa sulme e aksione kundër pushtuesve, ku kishte marrë pjesë dhe çeta e Nikaj Merturit. Ndihma dhe përkrahja e popullsisë së këtyre fshatrave ishte aq e madhe sa një dokument zyrtar të pushtuesit thuhej se “70 për qind e popullsisë se këtyre territoreve përkrahin partizanët”. Dokumentet e komandës gjermane dhe bashkëpunëtorëve të tyre të asaj periudhe flasin për shqetësim e frikë, por njëkohësisht për përgatitjet dhe masat që duheshin marrë kundër kësaj lëvizje që po përhapej dhe kishte përfshirë gjithë Malësinë e Gjakovës. Kështu Xhafer Deva, ministër i Brendshëm, në një mbledhje të qeverisë të dt.7.2.1944 raportonte: “Situata në Malësinë e Gjakovës është keqësuar ditët e fundit nga veprimi i bandave komuniste…Ka perspektiv që kjo situatë të keqësohet ditë për ditë në qofte se nuk merren masa radikale”.
Në kuadrin e Operacionit të Dimrit nazistët organizuan një operacion të befasishëm për të shuar një herë e mirë, sipas tyre, Lëvizjen Nacional Çlirimtare edhe në Malësinë e Gjakovës….Kështu më 12 shkurt forca të mëdha gjermane dhe bashkëpunëtorë të tyre (sipas disa dokumenteve rreth 5 mijë vetë, nga të cilët rreth 2 mijë shqiptarë) sulmuan në fshehtësi të plotë në shumë drejtime…Të zënë në befasi të plotë forcat partizane pësuan humbje të mëdha, u vranë disa partizanë dhe shumica arriti ti shpëtonte rrethimit duke shpërndarë në grupe të vogla u strehuan në shtëpitë e malësorëve….
Disa prej tyre gjetën strehë në Nikaj Mërtur, ndërmjet të cilëve anëtarët e Shtabit Epror të Kosovës, me në krye Fadil Hoxhën, grupi i antifashistëve të Malësisë së Gjakovës, si Sali Mani me shokë etj. Me dt.26.2.1944, Prefektura e Kosovës njoftonte Ministrinë e Brendshme Tiranë se “e shumta e partizanëve si Mehmet Hoxha etj. të primë nga Sali Mani, Bajraktari i Krasniqes kanë hy në Nikaj Mertur” Siç kanë shkruar në kujtimet e tyre, Idriz Mulosmani, Elez Qerimaj etj. me gjithë situatën e krijuar e ndjekjet nga armiku, në Nikaj Mërtur ata u priten mirë, duke u strehuar në vende të sigurta. Anëtarët e çetës së Col Qerimit qëndruan gjithë kohën në gatishmëri, duke organizuar prita në vend kalimtare për të qenë të gatshëm në rast të ndonjë sulmi.
Duket e pabesueshme situata e krijuar në Nikaj Mërtur, sepse aty ndodheshin forcat armike që ishin futur në zonë, por, nuk u angazhuan direkt në veprime luftarake, Në këtë periudhë siç njoftonte Prefektura e Shkodrës Ministrinë e Brendshme, “se me datën 20.1.1944 në katundin Bdoshë të Komunës Nikaj ka ardhe një oficer anglez me 7 persona, të cikët kanë grishë popullin të luftojë kundër gjermanëve, tue ju premtue armë, municione e veshmbathje”. Ndërsa Komandanti i Xhandarmërisë Llesh Marashi njoftonte Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë: “Rrethi i Dukagjinit njofton se, nder këto ditë, në katundin Rajë, ka ardhë e xanë vend nji fuqi gjermane”. Po ashtu Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë njoftonte më 14 mars Ministrinë e Punëve të Brendshme se “Në katundin Bdoshë kishte ardhur një oficer anglez me do italianë, tu u shoqnue me persona të partisë nacional çlirimtare. Gjithnjë sipas dokumenteve, n/Prefekti i rrethit të Dukagjinit i raportonte Tiranës se “Bashkë me n/Kryetarin e komunës të Nikaj –Mërturit, më dt.19.2 1944 kemi bashkue parinë e djelmninë e atij rajoni dhe kemi perfundue e vendosë tue dhanë besën se hjekin dorë nga çdo parti dhe se njerëz të huej nuk kanë me u lanë në rajonin tonë”. Siç njoftonte Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë Ministrinë e Punëve të Brendshme “Më 4.2.1944 Kol Bib Mirakaj i ka shpërnda popullit të Nikaj Mërturit mbi 40 copë armë e mbi 30 arka municion për vullnetarët e vet”
I përmenda të gjitha këto letra, telegrame e njoftime për të kuptuar se si ishte gjendja në Nikaj Mërtur në atë periudhë, dhe sa rendësi i jepnin pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tij kësaj zone, që donin ta mbanin me çdo kusht nen kontrollin e vet… Por tepër i rëndësishëm është fakti se Nikaj Mërturi nuk dorëzoi asnjë luftëtar të lirisë, madje as nuk spiunoi për arrestimin e ndonjërit prej tyre. Dhe pavarësisht nga kushtet tepër të renda, dhe reaksioni i ashpër, çeta e Col Qerimit vazhdoi aktivitetin duke kryer detyra të rëndësishme për Lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare. Kështu në shkresën që Ministri i Brendshëm i drejtonte Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë , më dt. 29 maj 1944, thuhej: “Zef Avdija nga katundi Curraj ka hy në shërbim të Komandantit të Shtabit të Kosovës të Partisë komuniste, Fadil Hoxhës. I përmenduri qenka ngarkue me mbajtë postën e Partisë me Col Qerimin , komandant i një çete të formueme në Curraj të Epërm”.
Në një letër të Fadi Hoxhës, ndërmjet tjerave thuhet “përvoja na ka mësuar se me ato mjete që kemi, lufta jonë në defensivë kurrë nuk mund të na sjellë në fitore. Prandaj bisedoni me Shaban Haxhinë, Ymer Pulën, Mehmet Bajramin dhe Col Qerimin që inisiativën ta mbani në duart tuaja”.
Më dt.3 korrik 1944, Prefektura e Shkodrës, me shkresën Nr.278/1 njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se “ Col Qerimi nga Currajt e Epërm të Komunës Nikaj Mërturit, me 15 shokë të tij ka marrë pjesë me çetën e Gani Begut dhe luftue në Bytyç të Tropojës kundër një fuqie gjermane. I përmenduni më 20.6.1944 bashkë me shokët e tij asht kthye në shpinë e vet, tue marrë me veti 20 komunista krasniqas. Organet e Sigurimit të vendit, për mungesë personeli nuk janë në gjendje të veprojnë kundër tyre”. Prefekti Javer Hurshiti.
Sipas shkresave të shkëmbyera midis Komandës së Xhandarmerisë së Kukësit dhe Komandëes së Përgjithshme të Xhandarmerisë, rezulton se çeta e Col Qerimit ka marrë pjesë në sulmin mbi minierën e Kamit. Ndërmjet tjerave aty thuhet: “Çeta e kryesueme nga Hasan Kryeziu e Mehmete Bajraktari, të përbame prej 100 vetash, ka sulmue Minierën e Zogajt. Ali Brahimi me partizanët e Nikaj Mërturit, si dhe ata të Shalës, të përbame prej 120 vetash kanë sulmue minierat që ndodhe në katundin Kam”.
Çeta e Nikaj Mërturit vazhdoi luftën deri në çlirimin e plotë të vendit, duke vazhduar luftimet bashkë me Brigadat VI dhe XXV deri në çlirimin e zonës nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre…Është e vërtetë se Brigadat partizane kanë hy në Nikaj Mërtur me luftë, por duhet theksuar se shumica dërmuese e atyre që u përpoqën me armë tw pengonin hyrjen paqësisht si në shumë zona të tjera të Veriut, nuk ishin banorë të Nikaj Mërturit, por ishin vullnetarë të rekrutuar në zona tjera të Shqipërisë….
Mbas çlirimit të vendit Col Qerimi u emërua Komandant i Komandës së vendit. Në vitin 1945, në kuadrin e masave represive që u morën në atë krahinë, u arrestua edhe Col Qerimi. Mbas një procesi farse u dënua me pak vite burgim, dhe mbas pak kohësh u lirua….Mbas lirimit nga burgu ai nuk u trajtua siç e meritonte, megjithatë, atij ju njohën meritat nga Organizata Kombëtare e Veteranëve të Luftës duke e vlerësuar me titullin e Veteranit të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.