Nga Ruben Avxhiu
Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në Tiranë, u mbajt këtë muaj një veprimtari për prezantimin e librit “Atletika dhe ansambli i atletëve dinamovitë 1960-1970” me autor Prof. Dr. Ilia Maznikun.
Veprimtaria u kthye edhe në një homazh për autorin e ndjerë, i cili përveçse një nga kirurgët e mjekët ortopedë më të mirë të Shqipërisë ka qenë edhe kampion e rekordmen për shumë vite në kërcim së larti dhe në garën 110 metra me pengesa.
Prof. Dr. Ilia Mazniku është edhe autor i 18 librave, i dhjetëra artikujve shkencorë, referatesh, e recensionesh, oponencash, e ligjëratave në veprimtari shkencore.
Ishin mbledhur me këtë rast ish-shokë të kohës së sportit, atletë të shquar të Shqipërisë kryesisht të dekadës që mbulohet nga libri, profesorë të Universitetit “Marin Barleti” që e kanë njohur Prof. Dr. Maznikun si pedagog, studjues e autor librash shkencorë që i shërbejnë përgatitjes fizike dhe sportive, profesionistë të fushave të tjera e njerëz të familjes.
Mori pjesë edhe vetë kryetari i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, Prof. Dr. Skënder Gjinushi, të cilin organizatorët e falenderuan që u kishte mundësuar përdorimin e sallës që mban emrin e akademikut të shquar shqiptar, Aleks Budës.
Veprimtarinë e drejtoi ish-kampioni dhe rekordmeni Reuf Dimraj, i cili ka qenë edhe Zv-Ministër i Arsimit dhe Sporteve. Ai foli shkurtimisht për figurën e Ilia Maznikut si sportist i shquar i Shqipërisë dhe pastaj ia kaloi fjalën bashkëshortes, Prof. As. Luljeta Mazniku.
Ajo ka qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e punës dhe pasionit me të cilin Prof. Dr. Mazniku shkroi librin “Atletika dhe ansambli i atletëve dinamovitë 1960-1970”, i cili mbeti si një nga veprat botimin e të cilave nuk arriti ta shihte për shkak të ndarjes së papritur nga jeta.
Dr. Luljeta Mazniku dhe familja kanë qenë të vendosur që edhe kjo vepër me rëndësi historike dhe shkencore për sportin e atletikës shqiptare, të mos mbetej thjesht në arkivat personale të kirurgut dhe sportistit të shquar.
Kështu disa muaj më pare u botua biografia monumentale “Prof. Dr. Panajot Boga, themelues dhe figurë qendrore e ortopedisë shkencore shqiptare”, e cila u prezantua në Sallën Qendrore të Spitalit të Traumës ku Prof. Dr. Ilia Mazniku punoi si kirurg e mjek ortoped për disa dekada. Libri përshkruante evolucionin e ortopedisë shkencore shqiptare, themeluesin e saj historik, Prof. Dr. Bogën, plejadën e shquar të ortopedisë në vite si dhe punime e arritje të rëndësishme shkencore e profesionale të kësaj fushe. Ndërsa këto ditë doli në dritë vepra e dytë e tij, post-mortum. Kësaj here frymëzuar nga koha kur Ilia Mazniku ishte sportist, kampion e rekordmen kombëtar në disa disiplina.
“Atletika dhe ansambli i atletëve dinamovitë 1960-1970” ofron një kolazh portretesh atletësh të shquar që bënë histori në Shqipëri, është i pasur me njohuri historike për origjinën dhe rrethanat e evoluimit të disiplinave të ndryshme atletike, duke filluar që nga lashtësia, edukon lexuesin me metodologjitë shkencore të stërvitjes së atletëve, regjimin dhe teknikat e konkurrimit në vite, etj. Libri është i pasur edhe me detaje intime, gazmore, mbresa, e kujtime të vyera nga jeta sportive që do t’u shijojnë lexuesve të të gjitha brezave.
Për suksesin dhe potencialin e madh si atlet të Ilia Maznikut foli Prof. Dr. Albert Karriqi, studjuesi i njohur i metodologjisë së stërvitjes sportive. Ai argumentoi se si mungesa e pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare të kohës dhe mungesa e metodologjisë shkencore modern si dhe situate e kushteve të stërvitjes shërbyen si tavan në rezultatet e rekordmenëve dhe kampionëve të kohës si ai.
Nga ana tjetër, ai foli për evoluimin e Prof. Dr. Maznikut në një intelektual kurioz e këmbëngulës për të gjetur jo vetëm përgjigjet më të mira për përdorimin e shkencës në botën e sportit, por edhe për shëndetin dhe efektivitetin e debatit shkencor bashkëkohor.
Prof. Dr. Lluka Heqimi foli për njohjen e tij me autorin që nga fëminia, për suksesin e tij si sportist, ortoped, por edhe studjues, duke e cilësuar si “sportist shkencëtar”. Ai dhe Prof. Ilia Mazniku janë bashkautorë të tre librave që gërshetojnë përvojat mjekësore me ato sportive e të aktivitetit fizik: “Fizioterapia” (një tekst mësimor), “Dëmtimet sportive”, si dhe “Mjekësia sportive 1”.
“Dikur para 30 vitesh thonin që sporti nuk bëhet dot shkencë, por puna e Ilias, Albertit etj ka treguar që sporti bën edhe shkencë”, tha Heqimi.
Prof. Dr. Artan Shyti, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale, Turizmit, dhe Sportit, në Universitetin “Marin Barleti” vlerësoi kontributin e Prof. Dr. Ilia Mazniku si pedagog dhe studjues. Ndonëse vetëm për një periudhë kohe, ai mbetet një nga personalitetet me të cilët krenohet Universiteti “Marin Barleti”, për kontributin jo vetëm akademik por edhe njerëzor. Ai argumentoi se njerëz me një kontribut kaq të gjithanshëm meritojnë titullin “Nderi i Kombit”.
Vasil Muka, Asistent Lektor në Universitetin “Marin Barleti” foli për aftësitë e mëdha komunikuese të Prof. Dr. Ilia Maznikut, popullaritetin që kishte me studentët, aftësinë për t’u ulur mes tyre, interesin kurioz që zgjonte te ta. Ishte gjithnjë një mister për shumë profesorë kjo lloj marrëdhënie e ngushtë dhe e hapur që ai krijonte me të rinjtë e një brezi krej tjetër.
Kujtimet e shokëve sportistë
Pjesë e bukur dhe emocionuese ishte pa dyshim ajo e fjalëve dhe kujtimeve nga shokët e tij të viteve sportive. Të gjithë shumë herë kampionë e rekordmenë, elita e një brezi, portretet e të cilëve do t’i gjeni në librin që u prezantua. Mes pjesëmarrësve nga bota e sportit ishin edhe kampionë e rekordmenë historikë si Çlirim Balluku, Marjeta Pronjari, e shumë të tjerë.
Mbase më i afërti me autorin e librit, Vinçens Kacagjeli, heroi i papërmbajtur i garave 400m dhe 400m/p si dhe i garave të stafetave, tha se nuk kishte dyshim që rekordet kombëtare të Ilias, do të kishin qenë shumë më të larta nëse do të kishte pasur kushte të tjera stërvitjeje e konkurrimi.
“Ne vraponim në pistë të dheut. Në qymyr. Shpesh i thonim njëri-tjetrit, po sikur të kishim vrapuar në tartan, me çfarë kohe do t’i kishim mbaruar garat?”, tha ai. “Ilia Mazniku kërceu dy metra lartësi, mbi rërë. Imagjinoni po të kishte pasur sfungjer”.
“Ne kemi bërë një sport me sakrificë e me kushte të vështira, por e kishim me zemër e me pasion. Ndryshe nga sot kur kushtet janë por vëmendja është te leku, tha “Ceci” si e njohin shokët e tij të hershëm.
“Për mua ishte vëlla”, tha ai, “Unë nuk endaj nga vëllezërit e mi. Por ishte njeri shumë i dashur, e të gjithë shokët i ndihmonte. I ka ndihmuar të gjithë”.
Një nga ato që e morën fjalën ishte edhe Lumturi Markola, e cila në ato vite që përshkruhen në libër habiti mbarë Shqipërinë kur si vajzë adoleshente, ende në bangat e shkollës, theu rekorde kombëtare e fitoi praktikisht çdo garë, në momentin që i preku këmba pistën e vrapimit.
Ajo foli për grupin e atletëve të rinj të suksesshëm të asaj kohe. Ilian e përshkroi si talent të lindur që shquhej për natyrën e tij sociale e dashamirëse: “Ishte prototipi i një sportisti elitar dhe çdo njeriu pranë tij i jepte guxim e optimizëm”. Kishte domethënie të madhe, tha ajo, se si Ilia Mazniku dhe vëllai i saj Shpëtim Markola mund të ishin konkurrentë aq të fortë në të njëjtën garë dhe përsëri miq aq të mirë.
“Bënim një sport të pastër, me vullnet dhe pasion”, tha Markola, e cila e ka njohur Ilian edhe si pedagog, kur të dy ishin emëruar në Institutin “Vojo Kushi”, mbas diplomimit. Ajo e përgëzoi familjen Mazniku që po ia boton librat e që po ia bën të njohur vlerat edhe te ata që nuk kanë pasur fatin ta njohin.
Ramazan Driza, kampion në gara si hedhje e gjyles dhe çekiçi si dhe flakja e diskut, nuk ka qenë pjesë e “Dinamos”, por miqësia mes atletëve si e ka përmendur edhe vetë Mazniku në librin e tij shkonte përtej përkatësisë së klubeve.
“Më vjen mirë shumë për këtë eveniment, për promovimin e librit dhe të shokut e mikut tonë, atletit të talentum, djalit punëtor, me batuta që unë s’i harroj dhe që i kujtoj vazhdimisht. Ky libër do të më bëjë ta lexoj dhe ta kem Ilian në shtëpi”, tha Ramazani.
Figurat që duhet të nderojmë si shoqëri
Një nga fjalimet spontane që zunë vend ishte edhe ai nga Dëfrim Methasani, kryetar i Unionit të Gazetarëve Sportistë, i cili vuri në dukje se kjo ishte një veprimtari ndryshe, për një autor dhe vepër që meritojnë vëmendjen e duhur nga shoqëria shqiptare.
“Në Shqipëri për fat të keq bëjnë lajm vetëm ngjarjet e këqia”, tha ai. “Mirëpo, Ilia Maznikut nuk ia mbulojnë dot emrin e mirë, as VIP-at, as pluhuri i harresës, se ai ka lënë punën e tij, ka lënë kujtimet, ka lënë veprën, librat si ky që po promovojmë sot”.
Prof. Dr. Ilia Mazniku është me të vërtetë një figurë poliedrike që ka lënë një vend të pazëvendësueshëm e të paharrueshëm në kujtesën e të gjithë atyre që e kanë njohur. Është domethënëse që pati kaq shumë për të folur e për të lavdëruar nga jeta dhe puna e tij gjatë këtij aktiviteti, pa qenë nevoja të përmendej puna e tij kryesore e shtrirë gati në gjysëmshekulli si mjek e kirurg ortoped. Personalitete të tilla shumëdimensionale meritojnë të njihen e të nderohen nga shoqëria shqiptare.
Në fund të veprimtarisë, pjesëmarrësve iu dhuruan kopje të librit “Atletika dhe ansambli i atletëve dinamovitë (1960-1970)” dhe u kalua në një koktejl të bukur të organizuar nga familja në një tendë të vendosur në kopshtin e kompleksit të Akademisë së Shkencave.
Aty, miqtë sportistë e familjarë të Prof. Dr. Ilia Maznikut vijuan të kujtojnë me nostalgji histori e anekdota të vjetra, me humor e emocion, grimca të paharrueshme të një jete plot sfida, arritje, e të jetuar bukur e në maksimum deri në çastin e fundit.
b.m/dita