Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure në fshatin Kërçisht, Maqellarë, ku një operacion policor për kapjen e një personi shumë të kërkuar ka përfunduar me plagosjen e një prej efektivëve të forcave “Shqiponja”.
Policia e Dibrës përmes një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se gjithçka ka ndodhur në momentin kur forcat e policisë janë futur në banesën trekatëshe për të arrestuar shtetasin Klodian Llomi (Mazari), 35 vjeç, i cili konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë.
Gjatë ndërhyrjes, efektivi Gentjan Meda është rrëzuar aksidentalisht nga muri rrethues dhe si pasojë ka pasur dëmtime serioze në kokë.
Një banore e zonës, që është ndër të parat që e ka gjetur efektivin e gjakosur, ka deklaruar se ai mund të kishte pak kohë që kishte rënë nga lartësia.
“Oh vdiqa, tha. Ishte i përgjakur ishte shtrirë aty tek gurët. Zoti e shpëtoftë. Ai mund të ketë pas rënë më herët aty, or mund të ketë qenë ora 6”, tha ajo.
Fillimisht ai është transportuar në spitalin e Peshkopisë për ndihmë ne parë, e më pas me helikopter drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Raportimet e para ngritën dyshime se efektivi u shty nga 35-vjeçari, madje që pati dhe përdorim të armës së zjarrit, pasi në zonë ishin dëgjuar krisma. Megjithatë, kjo pistë është hedhur poshtë së fundmi nga Policia.
Në zhvillim të këtij operacioni policor, efektivët bënë të mundur arrestimin e Klodian Llomit, i cili akuzohet për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit, ka njohur dënimin e Gjykatës së Apelit të Romës në Itali, ku ka për të vuajtur dënimin e mbetur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
