Dr. JORGJI KOTE
Më në fund, pas plot 40 njoftimeve të Presidentit Trump, më 19 Qershor në Gjenevë do të nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit midis SHBA-ve dhe Iranit. Padyshim ngjarje me rëndësi të madhe, mbasi i çel rrugën përfundimit të krizës, rivendosjes së sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.
Gjithsesi, nuk ka vend për eufori, mbasi kjo nuk është ende marrëveshje në kuptimin klasik të fjalës, por më shumë një deklaratë qëllimesh me as 2 faqe; ajo pritet të kthehet në marrëveshje të vërtetë pas negociatave diplomatike në 60 ditët e ardhëshme; deri atëhere me plot sfida dhe të papritura, mbasi bëhet fjalë për tema të mprehta madhore si uraniumi i pasuruar dhe bomba atomike, bazat raketore iraniane, fati i ushtrive të tij rezervë, Huthëve dhe Hizbullahut, qëndrimet e Izraelit ndaj Libanit; dhe kompensimi financiar me shuma marramendëse i një vendi të madh si Irani, veç te tjerash,” mjeshtër” për naze, truke, shtyrje dhe zvarritje diplomatike.
Nisur nga sa më sipër, debatet, dyshimet dhe pikpyetjet madhore lidhur me paqen me Iranin do të vazhdojnë gjatë gjithë verës dhe zhegut klimatik, politik dhe diplomatik. Ndërkohë, në media dhe në forume politike ndërkombëtare po hiqen edhe paralele retrospektive midis ndërhyrjes ushtarake amerikane në Vietnam gati 6 dekada më parë dhe tani në Iran, të cilat po i shpjegojmë më poshtë.
Ekspertët dhe analistët vërejnë me shqetësim se ashtu si në rastin e Vietnamit, Irakut dhe Afganistanit, edhe me Iranin SHBA-të fillimisht lanë në harresë analizat tërësore për t’i dhënë përgjigjet e duhura pyetjes madhore gjeopolitike ” Po pastaj, çfarë do të ndodhë?” ( what comes after?)
Krahas ekspertëve dhe politologëve të tjerë me emër, këto paralelizma dhe ngjashmëri i ka përmendur hollësisht edhe historiani i shquar amerikan Gideon Rose, redaktor dhe Kryeredaktor për një kohë të gjatë i revistës “ Foreign Affairs”. Ai është autor i librit “ Si përfundojnë luftrat” që analizon konfliktet ndërkombëtare në të cilat janë përfshirë SHBA-të, nga Lufta e Parë Botërore te ajo në Afganistan.
Duke përditësuar këtë përvojë, ai dhe ekspertë të tjerë kanë shtruar pyetjen gjeopolitike nëse do kenë një fund relativisht të shpejtë lufta, kriza dhe tratativat amerikane me Iranin apo procesi do të zgjatet, ashtu sikurse ndodhi me luftën në Vietnam.
Me fjalë të tjera, a do të duhen muaj apo vite që lufta në Iran të përfundojë me një marrëveshje të vërtetë dhe të qëndrueshme paqeje, apo Presidenti Trump do të heqë dorë nga ndërhyrja ushtarake, siç edhe bëri tani duke gjetur daljen më pak të kushtueshme, mbasi edhe zgjedhjet e mesmandatit po trokasin te porta.
Lidhur këtë aspekt, ekspertët nënvizojnë disa paralele dhe ngjashmëri thelbësore midis ndërhyrjes ushtarake amerikane në Vietnam dhe konfliktit tani me Iranin.
Konkretisht, në vitet ‘60, SHBA-të bënë çmos për ta penguar Veriun komunist që të pushtonte Jugun Perendimor; ishte pikërisht Lyndon Johnson, pasardhësi i Presidentit emblematik J.F. Kenedi që në vitin 1965 urdhëroi ndërhyrjen ushtarake kundër Vietnamit të Veriut.
Ai donte të shmangte katastrofën nga një luftë që mendohej se do ishte e kufizuar në kohë, por “ngeci” dhe dështoi t’i jepte fund konfliktit, duke ia lënë “ peshqesh” Presidentit Nixon.
Mirëpo, sipas H.R.Haldeman, shefi i tij i kabinetit, edhe Nixon besonte se Vietnamezët e Veriut do të dorëzoheshin brenda dy ditëve. E kundërta ndodhi dhe lufta në Vietnam u kthye në një odise të gjatë e të dhimbëshme për vetë SHBA-të cila vazhdoi për një dekadë të tërë deri më 27 Janar 1973, kur më në fund u nënshkrua Marrëveshja e Paqes midis dy vendeve.
Të njëjtën shpresë dhe synim për një luftë dhe fitore ‘blitz’ me Iranin pati edhe Presidenti Trump. I nxitur nga suksesi i luftës së vjetshme 12 ditore kundër Iranit dhe dobësimit të tij të ndjeshëm, Trump mendoi se fitorja do ishte e lehtë dhe e shpejtë, falë supremacisë së padiskutueshme ushtarake amerikane.
Madje, kur urdhëroi fillimin e sulmit kundër Iranit më 28 Shkurt, ai kishte njoftuar se lufta do të zgjaste vetëm 3 – 4 javë, me bindjen se pas ekzekutimit të udhëheqësve iranianë, përmbysjes së rregjimit të mullahëve, shkatërrimit të flotave të tij ajrore, detare dhe armatimit, përfshirë kapjen dhe konfiskimin e mundshëm të uraniumit të pasuruar, fitorja dhe gjithçka tjetër do të ishte thjesht formalitet për SHBA-të.
Mirëpo, ashtu si Vietnamezët, edhe Iranianët bënë rezistencë të madhe dhe amerikanët u shtrënguan të hyjnë në bisedime të vështira për paqe. Kështu, Trumpi në vitin 2026 u gjend pothuajse në të njëjtat pozita si Nixon më 1969.
Kjo ndodhi, mbasi, siç pohojnë profesorët e shquar të kësaj fushe, Thomas Jäger dhe Philipp Gassert ” Trump fillon një veprim pa ditur fundin; ai vepron në mënyrë impulsive, me padurim strategjik, pa mendim, pa plan dhe pa një qëllim të caktuar”. Trump nuk e mban parasysh sugjerimin gjeopolitik se ”kur hyn në një konflikt duhet patjetër të dish edhe si të dalësh prej tij”
Ky gjykim i gabuar bëri që Administrata amerikane të mos mendonte për hartimin dhe zbatimin e një plani tërësor me strategji hyrëse dhe dalëse, jo vetëm me objektiva ushtarake, por edhe politike, ekonomike, diplomatike, etj.
Kryesorja, askush dhe as vetë Trump nuk pyeti ndonjëherë se çdo të ndodhte, sidomos në rast se nuk realizoheshin objektivat e saj dhe Irani ofronte rezistencë apo kalonte në luftë asimetrike dhe ekonomike, siç edhe ndodhi. Ca më tepër se rregjimi iranian në 47 vitet e tij kishte ndërtuar jo një e dy, por shumë shtresa lidershipi, çka ka bërë të mundur që politikisht dhe institucionalisht ai të mos dobësohej, por të forcohej më tej.
Për pasojë, tani në Teheran veprojnë disa rryma, ku mbizotëron krahu më i ashpër, çka e vështirëson dialogun diplomatik, që sipas ekspertëve ishte më i lehtë gjatë sundimit të Kameneit, kjo edhe falë autoritetit të tij absolut.
E keqja më e madhe ishte se Trump injoroi sugjerimet e këshilltarëve të vet lidhur me mundësinë e bllokimit nga Teherani të Ngushticës së Hormuzit, me pasojat e një “ bombe atomike”, siç e kanë cilësuar atë ekspertët për ekonominë botërore.
Paralelizmi dhe ngjashmëria tjetër lidhet me taktikat e ngjashme të ndjekura nga Nixon dhe Trump; në kohën e tij, Nixon i shoqëronte negociatat për paqe me kërcënime jo proporcionale ushtarake. Këtë po bën sot edhe Presidenti Trump kur nga njera anë pohon se udhëheqësit e rinj iranianë janë më të moderuar dhe nga ana tjetër, bombardon, bllokon dhe bullizon Iranin, duke deklaruar “se do ta kthejë shuajë dhe do ta kthejë qytetërimin iranian në epokën e gurit!”.
Në atë kohë Nixon urdhëroi sulmin ndaj Vietnamit me 17 aviona bombardues; madje ai deklaroi se “ dua që ta besojnë se jam i gatshëm të bëj çdo gjë për të mbaruar luftën”! Mirëpo, më vonë, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë pohonin se Nixon e kishte quajtur atë doktrinë si “teorinë e një të çmenduri” ( Madman’s theory) duke humbur fare logjikën e duke u bërë totalisht i paparashikueshëm.
Pak a shumë në të njëjtën linjë mendimi dhe veprimi ka vijuar edhe Trump, por në kushte të tjera cilësisht të ndryshme të globalizimit, ku çdo veprim, sidomos ushtarak ka pasoja të gjithanshme në gjithë botën dhe në vetë SHBA-të.
Ndërkohë, Presidenti Nixon u përball me një trysni dhe kundërshtim të jashtëzakonshëm popullor ndaj luftës në Vietnam. Kudo u bënë manifestime masive proteste, ku interpretoheshin hite dhe himne kundër luftës nga legjendat botërore të muzikës si Bob Dylan, Rolling Stones, Beatles dhe Neil Young.
Kjo dukuri tani nuk po ndodh me SHBA-të, sepse ndryshe nga Vietnami, në Iran nuk ka trupa tokësore amerikane dhe viktima. Kjo e ka mbrojtur Trumpin deri tani nga shpërthimi i protestave popullore, por nuk i dihet se çmund të ndodhë në të ardhmen. Por, konflikti në Iran ka ndikuar së tepërmi në rritjen e çmimeve të benzinës, të inflacionit në mbi 4 për qind dhe në përgjithësi në shtrenjtimit të kostos së jetesës, për të cilën amerikanët nuk “të falin”.
Ndaj, kjo protestë dhe pakënaqësi apo ndoshta edhe ndëshkim politik për Trumpin dhe kampin e tij mund të ndodhë në zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin dhe Senatin amerikan në fillim të muajit nëntor, sidomos nëse bisedimet për paqe me Iranin do të ngecin!
Nisur nga paralelet dhe ngjashmëritë e mësipërme, pavarësisht nga demarshet dhe rezultatet e deritanishme të vlerësuara diplomatike për paqe nuk i përjashtojnë dot parashikimet skeptike se me vazhdimin e ndërhyrjes dhe një lufte të mundshme kundër Iranit, SHBA-të mund ta pësojnë pak a shumë si në Vietnam. Dihet se në këtë të fundit, amerikanët u tërhoqën me një marrëveshje e cila nuk i dha zgjidhje çështjes kryesore — fatit të Vietnamit të Jugut, i cili vetëm dy vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes ra në duart e Veriut komunist.
Mirëpo, siç pohojnë ekspertët, edhe Iranianët janë po aq kokëfortë sa edhe Vietnamezët atëhere dhe janë gati të përballojnë sakrifica për një kohë të gjatë.
Ja pse, siç pohon Gideon Rose “Ajo çka do të ndodhë më vonë midis SHBA-ve dhe Iranit do të jetë ndoshta një marrëveshje që t’i japi fund luftës dhe të lejojë rifillimin e qarkullimit detar në Ngushticën e Hormuzit, por aspektet e tjera do të mbeten të paqarta. Tamam si atëhere lidhur me fatin e Vietnamit të Jugut, edhe programi bërthamor bashkë me fatin e rregjimit në Iran do të vendosen më vonë në kohë”.
Madje, sipas disa ekspertëve të njohur, duke parë se pa armën bërthamore Irani nuk mund të rezistojë gjatë, kjo mund ta shtyjë atë që të përshpejtojë përpjekjet për prodhimin e bombës atomike. Nëse do të ndodhë një gjë e tillë, atëhere amerikanët do të jenë humbës në të gjithë zinxhirin e luftës, ndoshta edhe më keq se në Vietnam.
Në përfundim, do thënë se krahas paraleleve, ka edhe 3 – 4 dallime cilësore midis Vietnamit atëhere dhe Iranit. Dallimi i parë ka të bëjë me gjendjen tejet më komplekse gjeopolitike sot në botë; atëhere ishin vetëm dy blloqet krysore, SHBA dhe BE-ja, ndërsa sot është një botë shumëpolare, me disa qendra graviteti gjeopolitike, si Kina, BRICS, etj.
Gjithashtu, Vietnami i Veriut atëhere, veç rrezikut të përhapjes së komunizmit në jug nuk paraqiste ndonjë interes dhe problematikë të veçantë ndërkombëtare dhe ca më pak globale; ndryshe nga Irani ai nuk kishte pasuri jetike, sidomos naftë, apo Ngushticë Hormuzi, që të shkaktonte gjithë këto telashe gjeopolitike. Dhe së fundi, Presidenti Nixon kishte një ekip me ambasadorë me emër dhe sidomos “Princin” e diplomacisë moderne, emblematikun Henry Kisinger.
Ndërsa Presidenti Trump nuk e ka një ‘ Kisinger”; madje ai ka alergji nga ambasadorët e karrierës dhe ka shkurtuar 1300 diplomatë duke i zëvendësuar negociatorët dhe ndërmjetësuesit profesionistë me përfaqësues të biznesit nga rrethi familjar. Mirëpo, ata, ndryshe nga diplomatët e karrierës që i njohin mirë kleçkat, kthinat, kulisat dhe truket diplomatike, nuk ia kanë haberin nga kjo anë. Së fundi, nisur nga gjithë këta aktorë dhe faktorë madhorë gjeopolitikë, edhe paqja me Iranin pritet te jetë proces vështirë, i gjatë dhe i mundimshëm, sepse në diskutim janë tema të nxehta dhe të ndërlikuara; trajtimi dhe ca më tepër zgjidhja e tyre e qëndrueshme kërkon kohë, vëmendje, demarshe të sforcuara dhe kompromise të vështira diplomatike.
Sepse fjala është për një marrëveshje që të garantojë paqe të qëndrueshme dhe jo thjesht një armëpushim apo një pauzë midis dy luftrave, ca më tepër në një rajon shpërthyes gjeostrategjik si Lindja e Mesme.
DITA
