Nga Fatos Tarifa
Pasi lexoi opinionin që botova dje ne këtë gazetë “Pse m’u kujtua një ministër nazist i drejtësisë”, një mikesha ime më shkroi:
“Mënyra e transferimit [të z. Veliaj] ishte vërtet skandaloze, por çfarë thoni ju në shkrimin tuaj nuk besoj ta ketë bërë [ministri] Gogu, sepse e njoh shumë mirë. E di që ti nuk beson në fe, por Gogu ka parime”.
Aty për aty i ktheva këtë përgjigje:
“Une e njoh mirë Veliajn, siç njoh mirë dhe kryeministrin Rama. Në këtë rast besoj te parin, jo Ramen dhe as Gogun, sepse, nën pushtetin e Ramës, nëse me bindje ose nga frika e pranon atë, kushdo mund të bëhet mashë në duart e tij. Sa për parimet morale, ato nuk janë privilegj i njerëzve besimtarë. Përkundrazi, unë çmoj veçanërisht ata njerëz që udhëhiqen nga parime morale jo për shkak të besimit fetar, as nga frika e ndëshkimit hyjnor apo shpresa e një shpërblimi në në botë tjetër, por sepse e konsiderojnë moralin një detyrim të ndërgjegjes së tyre”.
Ky argument është në linjë me etikën kantiane, sipas së cilës, njeriu moral vepron drejt jo nga frika apo interesi, por nga bindja se kështu duhet të veprojë.
Në fakt, më shumë se ministrit Gogu, unë nuk i besoj këtij kryeministri që kemi. Në gjykimin tim, ai i është Demagogu më i madh që kam njohur ndonjëherë në jetën politike shqiptare.
Me këtë nuk shpreh thjesht mosbesimin tim ndaj tij, as një antipati personale për të. Ky është vlerësimi im për mënyrën se si ai e ushtron pushtetin dhe komunikon me qytetarët dhe partinë që drejton.
Demagogjia nuk është thjesht arti i të folurit bukur për të fshehur të vërtetën. Ajo është, mbi të gjitha, arti i zëvendësimit të argumentit me retorikën, të përgjegjësisë me justifikimin dhe të llogaridhënies me spektaklin politik.
Për mua, problemi më i madh me këtë kryeministër që kemi është trajtimi prej tij i çdo kritike, edhe kur kjo bëhet nga radhët e tij, si armiqësi, ndërsa kërkesën për transparencë ai e ka parë dhe e sheh gjithnjë si një bezdi që duhet shmangur. Këto kanë rezultuar në një përqendrim dhe korruptim kolosal të pushtetit dhe në një arrogancë të paparë deri më sot në jetën politike të këtij vendi.
Mosbesimi im ndaj këtij kryeministri është më i thellë sesa mosbesimi ndaj cilitdo prej ministrave të tij. Ministrat vijnë e ikin, dalin jashtë loje si gurët e shahut që i lëviz një dorë, por kultura politike që ka krijuar dhe ushyer kreu i qeverisë është bërë një tumor malinj në jetën e PS-së dhe të vendit.
Ngaqë fjalët e kryeministrit deri më sot kanë shërbyer më shumë për shmangjen e pyetjeve sesa për t’u dhënë përgjigje atyre, demagogjia e tij është shndërruar në një mënyrë të keqe komunikimi dhe qeverisjeje.
