Xhelal Gjeçovi
Pse Pavarësia u shpall në Vlorë?
Vendimi historik për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, u mor në ditën e parë të mbledhjes së Kuvendit kombëtar, pikërisht me 28 nëntor 1912 në Vlorën e njohur për atdhetari, me pjesëmarrjen e delegatëve, të zgjedhur e të pajisur me mandat përfaqësimi nga krahinat e ndryshme te vendit. Zgjedhja e Vlorës si vendi ku do të ngrihej flamuri e shpallej pavarësia, nuk u bë rastësisht. Patriotët e bashkuar rreth Ismail Qemalit, rreth projektit të tij, pas situatës së rënduar të krijuar në Durrës, ku fillimisht qe menduar se mund të kurorëzohej ky eveniment, shqyrtuan e diskutuan variantet e tjera të mundshme dhe, në fund, konkluduan, se për momentin, në situatën kritike në të cilën ndodhej vendi, me një pjesë të territoreve të pushtuara e të tjera të rrezikuara nga fuqitë e huaja, kryesisht fqinje, Vlora ofronte kushte e mundësi më të mira, që misioni i nisur të përfundonte me sukses. Në këtë rast u morën në konsideratë, më së pari, rrethanat që ishin prezente në Vlorë, atmosfera që sundonte në qytet e në rrethina, siguria që ofronte Vlora, për aktivitetet që do të zhvilloheshin, në këtë kuadër, si dhe për fillimin e veprimtarisë së qeverisë dhe organeve të tjera të shtetit të ri, që do të dilnin nga Kuvendi historik.
Vlora qe e përgatitur në të gjitha këto aspekte. Angazhimi qytetar ishte në lartësinë e momenteve historike që po përjetonte kombi shqiptar. Kësisoj, zgjedhja dhe vendimi i delegatëve do të justifikoheshin. Vlora i përmbushi me një përkushtim shembullor obligimet e veta. Ajo i dha ngjarjes, veç emrit te vet dhe gjithçka duhej, për të përmbushur misionin që u qe ngarkuar delegatëve, për kurorëzimin e këtij evenimenti historik të pa përsëritshëm. Ndërkohë vëmendja e shqiptarëve, anë e mbanë vendit, ishte përqendruar pikërisht këtu, në Vlorën e Ismail Qemalit, nga ku pritej me padurim lajmi i ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë. Në këtë mënyrë, Vlora, me përgatitjet, me angazhimin e me atmosferën e krijuar, po u jepte delegatëve të ardhur nga të gjitha krahinat e vendit gjithë mbështetjen që meritonin, për veprën historike që po realizonin në dobi të kombit shqiptar.
Edhe më pas,Vlora do të vazhdonte të qëndronte mbështetje e fuqishme e pavarësisë; më 1920-n, në luftë për dëbimin e pushtuesve italianë, për mbrojtjen e tërësisë tokësore, për bashkimin e çdo pjese të atdheut. Por, kjo traditë do të shkëlqejë veçanërisht në vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, luftës që i riktheu vendit pavarësinë e shkelur e të mohuar nga agresorët fashistë. Historia dëshmon se Vlora, pavarësia dhe Ismail Qemali, figura qendrore, do të përbënin një trinom të pandarë, që nuk mund të kuptohen ndryshe veçse së bashku. Ky gjykim, ka përcaktuar faktin e kthyer tashmë në traditë, që kremtimet qendrore, në përkujtim e në nderim të kësaj ngjarjeje, të protagonistëve të saj, gjithnjë të zhvillohen në Vlorë, një privilegj që Vlora e meritonte, por dhe vendit i bëhej mirë, po të kemi parasysh emrin e mirë që gëzonte në të gjithë hapësirën shqiptare. Në këtë mënyrë, ajo do të shërbente si simbol e katalizator bashkimi për shqiptarët nga të gjitha trevat, për të forcuar ndjenjën e unitetit kombëtar. Kushdo që ka tentuar, ta ndryshojë këtë traditë, të zhvendosë manifestimet, qoftë dhe në kryeqytet, ka dështuar, siç ndodhi në 100-vjetorin e pavarësisë, ku S. Berisha, në atë kohë kryeministër, tentoi të zhvendoste manifestimet në Tiranë. Qëllimi ishte i që të mënjanohej e të lihej në hije Vlora, e po qe e mundur të zbehej dhe vete ngjarja, duke devijuar e deformuar kështu historinë e saj dhe të vendit. Veprimet arbitrare e tinëzare, që u ndërmorën në këtë kuadër, unë i kam denoncuar e analizuar pikërisht në momentin e saposhfaqur, në një shkrim të datës 14 nëntor 2012.
Pavarësia rezultante logjike e historisë së shqiptarëve
Vepra që realizoi Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë të bashkuar rreth tij, është e jashtëzakonshme, e pashembullt në historinë tonë dhe kontributi i Vlorës, i popullit të saj, i pashoq. Por kjo nuk do të thotë se duke vlerësuar Vlorën dhe Ismail Qemalin, siç e meritojnë, nënvleftësohen apo u hyhet në hise, apo akoma më keq minimizohen dhe injorohen meritat e krahinave të tjera. Pavarësia është vepër e të gjithë kombit shqiptar,e të gjitha krahinave, e Shkodrës dhe e Tetovës, e Prishtinës dhe e Tiranës, e Manastirit dhe e Korçës, e Elbasanit, Gjirokastrës dhe e Filatit, e patriotëve të mëdhenj nga Shqipëria, nga Kosova e nga Çamëria, që nuk reshtën së punuari e së luftuari për vite e dekada të tëra, për lirinë e mëvetësinë e mëmëdheut. Kësisoj, Pavarësia nuk mund të shihet, sepse as nuk mund të arrihej nga një vendim i rastit, i shkëputur nga tradita, nga e kaluara, e të trajtohej si vepër e një grushti njerëzish e aq më pak e një apo disa krahinave. Figurat e Pavarësisë, të cilëve u printe plaku i urtë i Vlorës, kanë padyshim rolin e meritat e tyre të padiskutueshme, ashtu sikurse ka dhe Vlora, por njëherësh me ta dhe në krah të tyre, masat popullore të vetëdijshme për misionin e përgjegjësinë e momenteve, me veprime dhe qëndrime dinjitoze, i vënë vulën procesit, përcaktuan rrjedhën e fatin e tij. U vërtetua dhe në rastin tonë, se pa masat popullore, pa mbështetjen e tyre, asnjë lëvizje e madhe, shoqërore apo kombëtare, nuk mund të arrijë objektivat e veta.
Pavarësia shqiptare ka patur fatin që të dy këta komponentë, masat popullore dhe figurat që u prinin, kane qenë në sinkron, në lartësinë e momenteve historike që kalonte vendi e bota, e u janë përgjigjur, e pse jo dhe paraprirë atyre, që të mos ziheshin në befasi, nga zhvillimet dhe problemet që historia kishte shtruar për zgjidhje.
Pavarësia është vepër e të gjithë kombit shqiptar. Ajo i ka rrënjët tek angazhimi e përkushtimi i qindra e mijëra patriotëve të shquar, nga jugu e nga veriu, nga Shqipëria e nga Kosova; është pjesë integrante e procesit të nisur vite e dekada më parë, me kryengritjet e pareshtura të fshatarësisë, kontributore përherë e fuqishme, pasi përbënte shumicën dërmuese të popullsisë. Pavarësia jonë ka në themele kontributin e mendjeve të ndritura, iluministeve e idealisteve të rrallë të kombit shqiptar, vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut, që me idetë e veprën e tyre, mbajtën gjallë shqiptarizmën, rrënjosën në vetëdijen e shqiptarëve shpresën, se ditë më të mira do të vijnë, e se e ardhmja është në duart e tyre, koha punon për ta. Në atmosferën e ndezur që krijuan mesazhet e tyre, do të shfaqej një lëvizje e gjerë, e fuqishme e Malësisë së Madhe, e viteve 1910-12, e udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, që tronditi themelet e Perandorisë Osmane, që do t’i paraprinte e shtronte rrugën Pavarësisë. Menjëherë, pas saj, pa u tharë ende gjaku i malësorëve trima, atdhetarë të tjerë të spikatur, nga të gjitha trevat, si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Dom Nikollë Kacorri, Aqif Pashë Elbasani, Musa Demi etj. të prirë nga Ismail Qemali do të ndërmerrnin udhëtimin historik drejt Vlorës së bekuar, për të finalizuar procesin, për të realizuar misionin historik, që përbënte qëllimin e jetës së tyre, ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë.
***
Shpallja e pavarësisë përbënte një ngjarje të përmasave epokale. Ajo çeli një epokë të re, një faqe të ndritur në historinë e kombit shqiptar. Por, procesi historik nuk do të ndalej këtu. Pavarësia ishte fillimi e jo fundi i tij. Etapa e re që po niste, do të kishte të tjera probleme, të tjera vështirësi e pengesa, por ato nuk do të thyenin vullnetin e shqiptarëve, patriotëve shqiptarë për ta bërë Shqipërinë, për ta renditur në radhën e kombeve dhe vendeve të civilizuara. Si në të shkuarën edhe tani do të dilnin figura të tjera,që do të vazhdonin rrugën e nisur. Veprimtaria e tyre tashmë, nuk do të zhvillohej në një terren djerrë, por në një tokë të lëvruar më parë, nga paraardhësit. Vepra që u realizua më 28 nëntor, do të shërbente, jo thjesht e vetëm si burim frymëzimi e krenarie, por dhe mendimi e veprimi në etapat në vazhdim, pasi barte një përvojë, me mësime e mundësi të mëdha për të çuar përpara procesin, për të konsoliduar pa reshtur pavarësinë, për të zhvilluar ekonominë e kulturën kombëtare, dy shtylla mbi të cilat do të qëndronte e do të forcohej pavarësia.
Historia do të ofronte, në vazhdim situata e rreziqe të tjera për pavarësinë. Vendi do të përfshihej në vorbullën e zhvillimeve, në kuadër të Luftës së Dytë Botërore, që kishte nisur. Shqipëria do të ishte ndër viktimat e para të agresioneve nazifashiste dhe do te kthehej në një shesh lufte të tmerrshëm të imponuar prej tyre. Shqiptarët do të viheshin përsëri para një prove tjetër të vështirë. Këtë provë, mbreti dhe mbretëria nuk do ta përballonin dot. Vetë mbreti në vend të rezistencës që kishte premtuar, zgjodhi largimin nga vendi, bashkë me qeverinë dhe oborrin mbretëror, të diskretituar, veç të tjerave dhe për këtë arsye.
Por, vendi, nuk do të ngelej bosh, nuk do të mbetej pa zot. Do të dilnin të tjera forca, të tjerë patriotë, nga i gjithë vendi,nga të gjitha krahinat,besimet e orientimet, që të bashkuar në Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar e të organizuar në rreshtat partizane, do të nisin një tjetër luftë të vështirë, por të domosdoshme, për rikthimin e pavarësisë, por kësaj here të një pavarësie krejt ndryshe, që s’e kish parë e s`e kish njohur deri atëherë vendi, me sovranitet të plotë, të pa cenuar dhe kufij të garantuar, të paprekshëm, që të mos përsëritej e kaluara e hidhur, rrënimi e asgjësimi i tyre. Këtë kishte parasysh Noli i madh, kur thoshte se historianët kur të shkruajnë historinë pas njëqind vjetëve, pavarësinë do ta shohin të lidhur pazgjidhshmërisht me 29 nëntorin 44, që iu dha fund, njëherë e përgjithmonë pushtimeve të huaja dhe dallavereve në kurriz të saj. Ndryshimi ishte rrjedhojë e përfundimeve të luftës, në të cilën Shqipëria, qe rreshtuar në anën e duhur të historisë, me aleatët anglo-sovjeto-amerikanë, me fitimtarët, një meritë tjetër e saj dhe nga kjo pozitë do të gëzojë çlirimin nga zgjedha nazifashiste dhe pavarësinë e rivendosur të 1912-s. Kështu ,veprës së ndritur që solli 28-ta, do t`i shtohej dhe ajo e 29 nëntorit 44, e partizanëve heroikë shqiptarë, që të udhëhequr nga PK dhe Enver Hoxha, komandanti i tyre, çliruan vendin e rivendosën pavarësinë, që 28 e 29 nëntori, të qëndrojnë përjetësisht bashkë, si protagonistët e tyre, por tani në panteonin e lirisë e të traditës më të mirë historike, për të mos u shkulur kurrë që andej, si shprehje e unitetit të popullit, e si garanci që pavarësia shqiptare, e Shqipërisë dhe e Kosovës, të qëndrojnë e të përparojnë në jetë të jetëve.
të lumtë o xhelal gjeçovi. ti, njëlloj si aleks buda, ngelesh një ndër historianët më realistë të shqipërisë. mos u step nga këllirat ballistozogiste të tipit uran butka. ata historinë e përdorin për politikë jo për edukim.