Gjatë marshimit të pedagogëve dhe studentëve në protestat për dorëheqjen e Kryeministrit u shfaqen edhe disa pankarta me shkrimet “Koha për Atdheun, jo për partinë”.
“Të gjithë pedagogët e kanë detyrim të mbështesin studentët”, citoi ai.
“Ky tubimi i sotëm është një mesazh shumë domethënës. Ka përpjekje për të organizuar dhe për të dhënë maksimumin e kësaj lëvizje dhe shpresojmë që përfaqësuesit e forumeve që kanë marrë përsipër të këmbëngulin në këtë detyrë që kanë marrë. Fatkeqësisht erdhëm në këtë pikë, ku zemërimi shndërrohet në dhunë. E them fatkeqësisht se askush nuk pranon pamjet e këtyre ditëve të fundit. Kryeministri ka dalë sot dhe ka vendosur karrige duke ftuar njerëzit për dialog, por mua më duket një pamje e dëshpëruar. Por mendoj që janë kaluar disa caqe që e bëjnë të pamundur kthimin mbrapsht. Mbështesim studentët në kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit. Akti i dorëheqjes është gjëja më e pakët që kryeministri duhet të bëjë”, tha pedagogu.
Zanafilla e protestës studentore, e cila është shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse.
Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm. Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin.
Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.
j.l./ dita
