Nga Helmuth Rosebrock
Persona të panjohur vranë tre shtetas jugosllavë afër Heilbronnit. Për autoritetet gjermane të sigurisë, kjo masakër përfaqëson një kulm të ri në luftën e fshehtë midis agjentëve të shërbimeve sekrete jugosllave dhe kundërshtarëve të regjimit të shtetit shumëkombësh. Pas ekzilantëve kroatë, qeveria e Beogradit tani duket se i ka shpallur luftë të përgjakshme edhe shqiptarëve të ekzilit nga Republika e Kosovës.
BMW-ja e gjelbër 316, po dilte nga garazhi i pasëm. Shoferi, për shkak të borës, nuk donte të kthehej dhe e drejtoi makinën në marshin e kundërt për 40 metra, deri në një kryqëzim. Kur automjeti u ndal për një moment nën dritën e një llambë rruge, një burrë doli nga një kantier ndërtimi dhe qëlloi nga rreth tre metra largësi, brenda makinës.
Një burrë i dytë gjithashtu qëlloi, pastaj qëndroi pranë makinës për të verifikuar efektin e të shtënave përmes xhamave të thyer të dritareve anësore.
Fqinjët, të zgjuar nga zhurma e të shtënave, panë të dy burrat duke ikur. Skena e tmerrshme që banorët e “Habichtshöhe” në komunën Untergruppenbach pranë Heilbronnit panë atë natë në të hënën e kaluar ishte kjo: motori me katër cilindra vazhdonte të punonte me ritëm të lartë, shoferi kishte ende këmbën mbi pedalin e gazit. Pastaj, me sa duket, e lëshoi – ai ishte vdekur. Makina filloi të rrotullohej pa kontroll në një gjysmërreth në të majtë dhe u përplas me një derë garazhi të mbyllur. Rrotat e para u ngulën në borë, motori u fik – dhe u bë heshtje.
Brenda makinës, policia gjeti:
Shoferin Bardhosh Gërvalla, 31 vjeç, i goditur nga gjashtë plumba, i vdekur pas timonit.
Pasagjerin Kadri Zeka, 28 vjeç, i vrarë nga dy plumba në pjesën e sipërme të trupit.
Vëllain e shoferit, Jusuf Gervalla, 36 vjeç, i plagosur rëndë nga dy plumba.
“Të tri viktimat u identifikuan shpejt dhe u klasifikuan edhe politikisht: shtetas jugosllavë në ekzil me prejardhje shqiptare nga Krahina e Kosovës në jug të shtetit ballkanik. Të tre ishin agjitatorë kundër qeverisë së Beogradit.
Për autoritetet kompetente gjermane të dhënat e para hetimore u morën menjëherë pas krimit. Në vendin e ngjarjes, Jusuf Gërvalla, i cili më vonë vdiq, u pëshpëriti policëve: “E bëri UDB-ja, shërbimi sekret jugosllav, Sluzba Drzavne Bezbednosti…”
Dymbëdhjetë të shtëna nga dy pistoleta – kalibër 7.65 – u gjuajtën kundër tre burrave, dhjetë plumba i goditën në zemër, mushkëri dhe qafë. Një policë në vendngjarje tha: ‘Ka të gjitha tiparet e një ekzekutimi profesionistësh’!
Ishte vepruar me metodën tipike të shërbimeve sekrete, sipas instruktorit të policisë, Siegfried Hübner nga Shtutgardi: “Zakonisht godasin me katër të shtëna. Tre për të neutralizuar viktimën ose, nëse qëndron në këmbë, për ta rrëzuar dhe të bëhet i paaftë për luftim, pastaj e shtëna përfundimtare vdekjeprurëse. Edhe kjo të çonte drejt UDB-së”
Për shumë vite, agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave dhe kundërshtarët e regjimit kanë zhvilluar përleshje të përgjakshme jashtë vendit. Në shumë raste, jugosllavë militantë në ekzil, kanë sulmuar me dhunë ambasadat, konsullatat dhe përfaqësuesit e vendit të tyre. Beogradi gjithmonë i është përgjigjur vrasjeve dhe terrorit, me të njëjtën monedhë. Skena e këtyre përleshjeve ballkanike, ka qenë vazhdimisht Republika Federale e Gjermanisë, dhe policia deri më tani, ka qenë e paaftë t’i japë fund këtyre veprimeve!
Përgjegjësitë janë të dukshme. Beogradi i konsideron grupet e përkushtuara në ekzil, si burim trazirash në shtetin shumëkombësh – dhe i lufton ato. Deri më tani, vrasësit e shërbimeve sekrete, kanë drejtuar armët kryesisht kundër kroatëve në ekzil. Në disa raste të vrasjeve të kroatëve në ekzil, përfshirja e Beogradit është provuar qartë!
Shembull: Kur kroati Franjo Goreta, vetë një ish-anëtar i shërbimeve sekrete jugosllave, me detyrë vrasjeje në Republikën Federale Gjermane, u shkëput dhe po vriste një oficer udhëheqës, Beogradi dërgoi një komando. Pothuajse sapo Goreta përfundoi dënimin e tij në burg, njerëzit e UDB kryen një tentativë vrasjeje, nga e cila Goreta shpëtoi me pak!
Në procesin pasues kundër tre të përfshirëve, gjyqtari shkroi një apel – deri më tani të padëgjuar – në Bonn, në vendimin e tij: “Nuk mund të pranohet që në tokën tonë, të ekzekutohen urdhra vrasjesh që janë iniciuar nga shtete të huaja, për të zgjidhur problemet e tyre të brendshme”.
Përveç kroatëve, tani edhe shqiptarët në ekzil kanë hyrë në shënjestrën e institucioneve shtetërore jugosllave. Që kur në pranverën e kaluar rezistenca në krahinën shqiptare të Jugosllavisë, Kosovë, u shndërrua në trazira të përgjakshme, Beogradi ka identifikuar “manipulatorë të huaj”.
Sipas politikanëve të Beogradit, konflikti drejtohet nga shteti fqinj Shqipëria dhe nga shërbimi sekret shqiptar aleat i Moskës, por gjithashtu në masë të konsiderueshme nga Republika Federale e Gjermanisë!
Në fakt, vetëm në Baden-Württemberg jetojnë rreth 2000 shqiptarë-jugosllavë në ekzil, shumica prej tyre kanë përfituar azil politik. Konsullata e Përgjithshme në Shtutgart, shpesh ka pasur ankesa për aktivitetet e tyre.
Në pranverën e vitit 1981, për shembull, pati një demonstrim të shqiptarëve që kërkonin ndarjen e Kosovës nga Jugosllavia, i cili kaloi pak a shumë pa bujë. Kur demonstruesit vunë re se po fotografoheshin nga një shtëpi ku ndodhej një shkollë jugosllave, disa prej tyre hynë brenda dhe, përveç fotografit, gjetën edhe konsullin e përgjithshëm jugosllav Branko Dimitrijeviq. Ata morën filmin, por më vonë u detyruan ta dorëzonin policisë.
Kjo mund të ketë shkaktuar një zinxhir aktesh fatale, pasi një nga personat e përfshirë, të cilët me siguri u fotografuan në atë film, ishte pikërisht Bardhosh Gervalla, shoferi i vrarë pranë Heilbronnit.
Vëllezërit Gërvalla ishin të njohur në skenën e ekzilit. Vëllai Jusufi, sapo kishte deklaruar në një intervistë për ‘Tageszeitung’, se mbështeste ‘luftën e armatosur’ kundër shtetit jugosllav, sipas të dhënave të policisë. Ai ishte gjithashtu botues i një gazete ekzili, që quhej ‘Zëri i Kosovës’”.
Bardhosh Gervalla kishte ardhur në Republikën Federale Gjermane, që në vitin 1974. Ai ndoqi një kurs trajnimi në Arbeiterwohlfahrt (Organizatën për Mirëqenien e Punëtorëve) të Württemberg-ut Verior dhe prej kohësh punonte në një qendër kujdesi dhe këshillimi social për punëtorët jugosllavë, në Solitudestraße 44 në Ludëigsburg.
Bardhoshi, i martuar me dy fëmijë, ishte aktiv kryesisht në çështjet e sindikatave dhe të drejtave të punës, për bashkatdhetarët e tij.
Truri politik i vëllezërve, të cilët në vjeshtën e vitit 1981 kishin marrë shtëpinë në Untergruppenbach, ishte padyshim Jusuf Gervalla. Ishte ai që konsullata jugosllave në Shtutgart e akuzoi zyrtarisht, si anëtar drejtues i ‘Frontit të Kuq’, një organizatë që luftonte kundër qeverisë jugosllave.
Deri atëherë, organizata kishte qenë aktive vetëm në Jugosllavi dhe, si grupet e tjera nga Kosova, nuk kishte shfaqur në raportet vjetore të Zyrës së Brendshme dhe të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës
Jusufi, i martuar me tre fëmijë, thuhej se ishte kreu botues i gazetës së ndaluar në Jugosllavi ‘Zëri i Kosovës’, për të cilën punonte nga vendi i tij i banimit. Kadriu, gjithashtu gazetar, ishte bashkëpunëtor kryesor i të njëjtës gazetë.
Në murin e jashtëm të shtëpisë së tyre në ‘Auf der Habichtshöhe 40’ javën e kaluar, u vendos sfidues një flamur i kuq me shqiponjë dykrerëshe dhe një yll me pesë cepa, që është flamuri kombëtar i Shqipërisë
Rëndësia që Beogradi i kushton aktiviteteve të shqiptarëve në ekzil, nuk rrjedh vetëm nga masakra e Heilbronnit. Një operacion i madh, me të cilin shërbimi i sigurisë jugosllave mori në shënjestër bashkatdhetarin Rasim Zenelaj, në fillim të vitit të kaluar, tregon qartë këtë.
Zenelaj ishte anëtar drejtues dhe kryetari i ‘Lidhjes Nacional-Demokratike të Besnikërisë Shqiptare’”. Me të shtënat me pistoletë kundër kundërshtarit të regjimit, Zenelaj, i cili mbijetoi me lëndime të rënda më 14 maj të vitit të kaluar, u bë e qartë për herë të parë objektivi i ri i shërbimit sekret jugosllav.
Për të eliminuar Zenelaj, në Beograd thurën plane të ndërlikuara, rekrutuan disa agjentë, madje morën rrezikun që të përfshinin edhe anëtarë zyrtarë të konsullatave në komplotin e vrasjes, si dhe të ekspozonin ndihmës të tjerë të lartë.
Megjithatë, plani dështoi dhe të implikuarit u zbuluan: Në procedimin aktual në Frankfurt, kundër përgjegjësve të tentativës së vrasjes së Zenelajt, përfshirja e institucioneve jugosllave në ndjekjet vrastare të emigrantëve, u bë edhe një herë tmerrësisht e dukshme.
Në fund të viteve ’70-të, një figurë e lartë e shërbimit sekret në qytetin kosovar Uroševac, u ngrit në rang konsullor. Me emrin Salih Salihi, ai u shfaq në shërbimin diplomatik të vendit të tij në Republikën Federale Gjermane, fillimisht në konsullatën e përgjithshme në Hamburg, pastaj në konsullatën e përgjithshme në Frankfurt.
Atje ai u vendos si roje, i pajisur me lejen konsullore gri, nr. 6750. Në Frankfurt vepronte tashmë një koleg tjetër i shërbimit sekret, Svetozar Mirjačić, i quajtur ‘Tozo’, i cili me lejen nr. 6322, vepronte si funksionar i lartë konsullor. Konfident i lartë i këtyre dy agjentëve, ishte Rade Surla, i vendosur në Frankfurt si sipërmarrës ndërtimi.
Surla i vizitonte miqtë në konsullatë dhe i informonte për veprimtarinë e njerëzve në ekzil. Një herë, – siç kujton shoferi i tij, – atij vetë i erdhi një vizitor. Mysafiri i errët (Surla i tha shoferit: ‘Duhet të kemi kujdes nga ai’) ishte gjenerali i shërbimeve sekrete, Milan Sašić.
Në mars 1981, menjëherë pas shpërthimit të trazirave në Kosovë, trioja nga Frankfurti, hyri në veprim. Salihi kërkonte të dhëna midis jugosllavëve në ekzil, për zakonet e jetesës së aktivistit shqiptar Rasim Zenelaj dhe i çonte raportime të sigurta Tozos. Edhe Surla u aktivizua, kur filluan pranimet konkrete për vrasjen. Gjurmë të ndryshme dhe dëshmitarë të komplotit, kanë treguar qartë se sa të pacipë dhe agresiv ishin vepruar agjentët e shërbimeve sekrete
Agjenti i parë që ata vendosën kundër Zenelajt, një kroat në ekzil, i zbuloi porositësit shtetërorë përmes dëshmive në gjykatë. Ante Kujundžiq, ishte rekrutuar nga Tozo, për vrasjen.
Por ai ua tregoi fillimisht të vërtetën miqve të tij kroatë në ekzil. Shumë shpejt policia gjermane mori vesh, detajet e përgatitjeve për atentat.
Kujundžiq u kontaktua në prill 1981 në stacionin e Frankfurtit, nga një bashkatdhetar. Atij iu kërkua të telefononte një ‘person të rëndësishëm’ dhe të identifikohej si; ‘studenti i muzikës’. I panjohuri i dorëzoi një numër telefoni – dhe e instruktoi Kujundžiqin, që të shtonte numrin 2 në çdo shifër, kur formonte numrin.
Nën numrin e formuar, u përgjigj konsullata jugosllave. Kujundžiqit iu kërkua fillimisht, të ndiqte dhe survejonte shqiptarin në ekzil, Zenelaj.
Si shpërblim, Tozo ofroi para, dokumente të reja dhe ndihmë për marrjen e azilit politik në RFGj. Gjatë një takimi të mëvonshëm, Tozo i ofroi edhe një pasaportë të rreme, për rastin nëse duhej të largohej shumë shpejt nga vendi.
Kujundžiq tha: ‘Po më bëhej e qartë se duhej ta vrisja atë që po ndiqja’. Agjenti hoqi dorë dhe informoi autoritetet gjermane. Policia më pas vendosi Zenelajn nën mbrojtje.
Për t’ua treguar këtë komplotuesve, policët gjermanë një herë e çuan Zenelajn me qëllim nën mbrojtje, përpara konsullatës jugosllave. Një herë tjetër, gjatë një shëtitjeje në kopshtin zoologjik, spiunët jugosllavë vëzhguan shqiptarin, së bashku me shoqëruesin zyrtar – dhe vetë u vëzhguan nga gjermanët!
Zenelaj u vu në rrezik, vetëm për shkak të veprimeve të veta: ai tregoi në rrethin e miqve, për një masë tjetër mbrojtëse – policia i kishte veshur një xhaketë të papërshkueshme nga plumbat. Një person që e mori vesh këtë, punonte për sipërmarrësin e ndërtimeve, Surla.
Kështu jugosllavët krijuan një plan për kundërshtarin e tyre të papërshkueshëm nga plumbat. Manipuluan një situatë ku ai do të duhej ta hiqte xhaketën. Një grua do duhej ta bënte këtë dhe më pas do lëshonte të shtënat vdekjeprurëse.
Si ndihmëse u gjet shpejt serbja bionde, Zorica Aleksić. Ajo jetonte pa të ardhura dhe pa punë afër Darmstadtit dhe u bind shpejt për planin, përmes kërcënimeve fillimisht dhe më pas me premtimin për një shpërblim prej 2000 markash. U organizuan rrethanat për një takim midis gruas dhe viktimës së saj, Rasim Zenelaj.
Ky e çoi agjenten në apartamentin e tij. Kur gruaja doli nga banjoja me pistoletë të gatshme për të gjuajtur, ai nuk e kishte më të veshur xhaketën mbrojtëse. I goditur nga pesë të shtëna afër zemrës, Zenelaj u rrëzua përtokë!
Vrasësja iku dhe u prit në hyrje të ndërtesës nga Surla dhe shoferi i tij. Zorica Aleksić i ktheu armën dhe mori paratë e saj dhe një biletë për në Beograd. Në një ‘Volvo’ gri, të tre u nisën menjëherë për aeroportin e Frankfurtit.
Por serbja, nuk arriti të largohej nga vendi. Fqinjët, të alarmuar nga të shtënat, gjetën viktimën dhe thirrën ambulancën dhe policinë. Një nga policët që ishin caktuar për mbrojtjen e shqiptarit u vu në ndjekje. Një kërkim i shpejtë në rrethin e miqve të viktimës, çoi te Zorica, e cila u arrestua pak më vonë, gjatë kontrollit në aeroport.
Punonjësit e konsullatës Tozo dhe Salihi, u kthyen shumë kohë më parë në Jugosllavi. Kontakti Surla, arriti të largohet në mbrëmjen e ditës së atentatit. Një paralajmërim telefonik erdhi, Surla tha vetëm: ‘Në rregull’. Pastaj i kërkoi shoferit të tij, që ishte dëshmitar i telefonatës, ta çonte me nxitim përtej kufirit, në hotelin ‘Holiday Inn’ në Strasburg. Atje gjurma e tij u humb!
Dështimi nuk duket se e ka dekurajuar UDB-në. Një konfirmim u gjet më 10 tetor 1981 në Bruksel: atje një shqiptar i quajtur Vehbi Ibrahimi, u vra nga disa sulmues me një pistoletë kalibër 7.65, në një rrugë përpara banesës së tij. Gruaja e tij, që e kishte shoqëruar, u plagos rëndë nga të shtënat. Ibrahimi ishte nënkryetar i Lidhjes së Besnikërisë Shqiptare.
Policisë gjermane, tani iu bë e nevojshme që pas atentateve ndaj Zenelajt dhe Ibrahimit, të kujdesej edhe për mbrojtjen e kryetarit të parë të Lidhjes, Emir Fazlija. Ai banonte afër Göppingen dhe midis fqinjëve ishte i njohur vetëm si ‘një burrë i respektuar dhe i moshuar’.
Policët e përgjegjshëm shprehën shqetësimin se; ‘do ta vrisnin edhe atë’. Që atëherë Fazlija është i izoluar dhe nuk është më i arritshëm as në telefon!
Në luftën kundër veprimeve ‘nëntokësore’ jugosllave, organet policore gjejnë pak mbështetje politike. Ekziston një marrëveshje midis Bonit dhe Beogradit, për të ofruar ndihmë reciproke në rast atentatesh. Herë pas here shkëmbehen edhe të dhëna për origjinën e eksplozivëve dhe kalibrin e armëve. Por sa pak interes ka në realitet për bashkëpunim (të paktën nga njëra palë) e tregojnë vetë atentatet.
Për shembull, për një kohë të gjatë Zyra Federale e Hetimeve Kriminale, vërejti se në atentate kundër kroatëve në ekzil, kur ishin të përfshirë anëtarë të UDB-së, përdoreshin pistoleta me tytë katër-pritëse, plumbat e të cilave fluturonin me rrotullim djathtas. Në fakt, shumica e këtyre armëve gjuajnë me rrotullim majtas. Organizatorët e atentateve as nuk e menduan të nevojshme të fshihnin këtë veçanti.
Kur në vitin 1978, katër anëtarë të RAF-it u kapën nga policia jugosllave, jugosllavët paraqitën një listë me kroatë në ekzil, të kërkuar për një shkëmbim të burgosurish. Autoritetet federale refuzuan, dhe Beogradi i lëshoi të lirë anëtarët e RAF-it.
Për sa i përket bashkëpunimit gjerman-jugosllav midis shërbimeve policore, ana gjermane ankohet. Në vend që të ndjeknin fajtorët, jugosllavët shpesh ofronin vetëm këshilla për motivet: ‘Çështje nderi’, ‘punë me gra’, ‘shlyerje llogarie në mjedisin e stacioneve’ ose ‘tregti me armë’, duhet të kishin qenë shkaku i vërtetë”!
Përfshirjen e shërbimeve të inteligjencës së Beogradit, politikanët jugosllavë e mohojnë kategorikisht para kolegëve të tyre në Bonn. Në këtë frymë, zhvillohen gjithmonë bisedat e rregullta midis posteve të larta të Ministrisë së Brendshme Federale dhe kolegëve të tyre në Beograd. Ministri i Brendshëm, Franjo Herljeviq, një ish-gjeneral partizan dhe shok i rrugës së Titos, gjithmonë mohon dhe pretendon se shërbimet sekrete jugosllave nuk veprojnë në Republikën Federale Gjermane!
Deputeti i CDU-së, Fritz Wittmann, në vjeshtën e vitit 1981, në pyetjen e tij për reagimet e Bonit, ndaj sjelljes së Beogradit, mori vetëm një përgjigje evazive nga Ministria e Jashtme. Boni, -tha ministrja Hildegard Hamm-Brücher, – shprehet vetëm ‘aty ku ka arsye dhe është e përshtatshme’”!
Ndërkohë, përveç proceseve të ndryshme gjyqësore, ekzistojnë edhe dëshmi për veprimtarinë e UDB-së. Për shembull, në ambasadën e Jugosllavisë në Bon, një diplomat ishte bashkëbisedues i shërbimeve policore gjermane, atasheu policor Tomo Renac.
Ai i dërgonte pyetjet gjithmonë në Beograd, por kurrë nuk merrte përgjigje. Arsyen për këtë qëndrim zvarritës gjermanët e kuptuan kur një dokument i Renacit, i dërguar në Beograd, ra në duart e gabuara!
Në një pritje, kryepolici i Bonit theksoi veprimtarinë e spiunazhit të diplomatëve jugosllavë, për të cilën ka prova, dhe shtoi se diplomacia jugosllave në Republikën Federale Gjermane, vepron shumë e koordinuar.
“Kjo na detyron të konkludojmë se puna e pikave tona në Republikën Federale Gjermane, po bëhet gjithnjë e më e vështirë” – tha ai.
Prandaj hetuesit gjermanë, nuk kanë besim në shërbimet jugosllave për ndihmë reciproke. Kur një prokuror në Frankfurt, kohët e fundit shpalli se në rastin e shqiptarit në ekzil, Rasim Zenelaj, ishte i gatshëm të jepte ‘dëshmi në Jugosllavi’, specialistët e brendshëm, nuk i dhanë shpresë.