Nga Uashington DC, për DITA
Prof. Xhelal Gjeçovi
Sivjet vendi kremton 80-vjetorin e përfundimit të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të zhvilluar në kuadër të Luftës së Dytë Botërore. Është rasti që,krahas aktiviteteve politike e kulturore, si ngahera, të bëhet dhe një bilanc i kësaj ngjarjeje, për të rikonfirmuar arritjet dhe ndryshimin që solli ajo luftë në jetën shoqërore dhe për të riparë e plotësuar analizat e bëra deri tani me të dhëna e dokumentet e reja, tënxjera nga studimet, kërkimet në arkiva, apo debatet në rrethet e historianëve e studiuesve. Një proces i natyrshëm i vazhdueshëm që rifreskon studimet e mëparshme, por u jep dhe përgjigje problemeve të reja që dalin në proces. Shkenca historike është një dije konservative, që ruan me fanatizëm vlerat, çdo gjë të dobishme që sjell një ngjarje e caktuar, në rastin konkret lufta Nacionlçlirimtare, e vetmja luftë e fituar përfundimisht nga shqiptarët. Por, njëherësh ajo është dhe dinamike, që mbetet gjithnjë e freskët, e aftë që të kryejë misionin në shoqëri, për të na sjellë jetën shoqërore e kulturore të paraardhësve, brezave të mëparshëm, përvojën, preokupimet, përpjekjet, por dhe mesazhet për ditët që jetojmë. Ajo rishikon vazhdimisht veten, produktin e vet, korrigjon e plotëson analizat, që të mos mbetet prapa kohës e kërkesave të saj.
Shkrimi që i jepet publikut u përgatit enkas me qëllim që të tërheqë vëmendjen e të japim dhe shpjegimin tonë plotësues, nëse mund të thuhet, aq sa është e mundur, në harkun e hapësirat e një shkrimi, për disa probleme që në vështrimin tonë kanë nevojë të rishihen. Njëri nga këto është çështja se si duhet të shihet e të vlerësohet kjo ngjarje nga distanca e tetëdhjetë viteve. Për të parë nëse ndryshimet e ndodhura e kanë zbehur, apo lëkundur vlerat e vlerësimet për Luftën dhe për dy periudhat e ashtuquajtura komuniste, që autorë, kryesisht me prejardhje kolaboracioniste, identifikojne me diktaturën dhe me luftën e klasave. E, së dyti, përse pas një bashkëpunimi shumë të dobishëm me aleatet në vitet e Luftës së Dytë Botërore, lidhjet me aleatët perëndimorë pas lufte, u ndërprenë.
Duhet theksuar që në krye se ndaj luftës dhe përfundimeve të saj është hedhur shumë baltë e janë bërë manipulime skandaloze, kryesisht nga pasardhës tëkolaboracionisteve, që u është errësuar pamja dhe shohin gjërat që iu duken të errëta, negative, pa vlerë, e duke mos parë asgjë pozitive e me vlerë. Jo pak nga kjo kategori, biles nga ata, që diktatura nuk i preku fare, që u plotësoi dhe tekat, duke u dhënë mundësi që të shkollohen në degët që dëshironin e të zënë vende pune të priviegjuara, për të mos thënë qoshe të ngrohta. A mund të ndodhte kjo me fëmijtë e antifashistëve, nëse pushtetin do ta merrnin ballistët e legalistët? E megjithatë, pavarësisht trajtimit njerëzor që iu rezervua pas çlirimit, ata kanë qenë iniciatorë të fushatave pa mbarim kundër luftës, duke i qëndruar besnikë prejardhjes se tyre. Qëllmi ka qenë e mbetet përhapja e konfuzionit mbi çështjet e historisë, mohimi i kontributeve, i arritjeve e i ndryshimit që solli lufta, e në këtë kuadër, deheroizimi i idealeve, antifashizmit më së pari, sakrificave mbi njerëzore që u bënë në emër të tij nga popujt, në të katër anët e globit, në ballafa qim me forcat e errësirës ,me nazifashistët e bashkëpunëtorët, që po e çonin botën drejt humnerës.
Por, angazhimet në këtë fushë e për këto qëllime kanë dështuar pa arritur synimet, pa cenuar apo zbehur ndopak rëndësinë e luftës, kësaj ngarjeje madhore, me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e vendit e të kombit shqiptar e as vlesimet e bëra për të, e aq më pak nderimin e popullit. Shqiptarët vazhdojnë të çmojnë e nderojnë luftën, që çliroi vendin dhe e shpëtoi nga copëtimi, shkombëtarizimi e asgjësimi; çmojnë e nderojnë patriotët e antifashistët shqiptarë, veçanarisht të rënët, dëshmorët e atdheut, e, krahas tyre, dhe drejtuesit e luftës, Komandantin e Përgjithshëm dhe bashkëpuntorët e tij, antarët e Shtabit të Përgjithshëm e drejtues të formacioneve partizane, që mund të kishin rriskun dhe fatin e tyre, pasi së bashku dhe në një kohë i dolën zot vendit, në momentet më të rënda të historisë, kur baballarët e kushërinjtë e këtyre që sot çirren e qahen, ndër ta jo vetëm Uran Butka e takëmi i tij, por dhe figura si Visar Zhiti, etj., që shfaqen dhe si babaxhanë, që s`lë rast pa theksuar se lufta paska sjellë diktaturën, duke anashkaluar faktin që, para diktaturës, solli pavarësinë, arritjen më të madhe për kombin shqiptar; solli gjithashtu dhe ndryshimin në jetën shoqërore, që në disa fusha jetike ishin impresionuese, të pa arritshme as sot, si në arsim e shëndetësi, që mbajnë gjallë e ripërtërijnë gjeneratat e reja, por dhe në ekonomi, etj., duke kapërcyer shekujt e mesjetës e të sundimit otoman. E po të mos zinin pozicionet që zunë, po t`i bashkoheshin luftës, e jo okupatorit, ishte e mundur që ndryshimi e përparimi pas lufte të ishin dhe më të mëdha, pasi shumë gjëra mund të bëheshin më mirë dhe me kontributin e tyre, sepse potencialet intelektuale nuk u mungonin, por duhej dhe vullneti politik, që nuk e patën dhe nuk e vunë kurrë në shërbim të vendit.
Megjithatë, Lufta i arriti objektivat kombëtare, i riktheu vendit pavarësinë dhe nisi jetën e lirë e të pavarur, në sajë të heroizmit, të sakrificave e të gjakut te bijve e bijave qe dhanë jetën për lirinë e vendit, por dhe mbështetjes se aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë, me të cilët vendi dhe lufta u lidhën e u mbështetën që në fillimet e Luftës së Dytë Botërore. Është meritë e udhëheqjes së luftës, Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij, që u orientuan drejt, në anën e duhur të historisë, duke iu bashkuar Luftës Antifashiste dhe Koalicionit Antifashist, në ballë të cilit qëndronin tri fuqitë e mëdha aleate, Britania e Madhe, BS dhe SHBA dhe udhëheqësit e tyre largpamës, Ruzvelt, Stalin, Çërcill. Kjo zgjedhje ka qenë shpëtimtare për luftën e për vendin.
Por, pas lufte, regjimi komunist do të shpaloste një tjetër konceptim ndaj aleancave, duke e futur vendin në bllokun Lindor. Në këtë zgjedhje, veç ideologjisë nga e cila udhëhiqej, mesa duket ka ndikuar dhe një faktor, që rrallë përmendet, të paktën për të justifikuar para opinionit këtë qasje, e cila, duhet thënë se nuk binte ndesh me vendimet e Jaltës, ku tre të mëdhenjtë, udhëheqës të tri fuqive të mëdha aleate, Ruzvelt, Stalin dhe Çërcill vunë piketat e hartës politike të Europës pas lufte. Ruajtja dhe vazhdimi i lidhjeve me aleatët e me këto vende, shihej si garanci për mbrojtjen e fitoreve të luftës, por dhe mundësinë për të ecur më tej, për të ndryshuar Shqipërinë, e zhytur në varfëri, mjerim e padije, nga keqqeverisjet para lufte, si dhe pasojat e luftës shkatërrimtare që përjetoi vendi, për gati gjashtë vjet.
Mirëpo, pikërisht në këtë kohë, opinioni mori dijeni se njëra nga fuqitë lider tëAleancës Antifashiste, Britania e Madhe qe pozicionuar hapur në mbështetje të pretendimeve greke, për të ashtuquajturën çështje “Vorio-Epirote”, e sajuar qëllimisht për të aneksuar Shqipërinë e Jugut.
Britania e Madhe, mesa duket e paskësh harruar (ose bënte sikur) dramën e luajtur pikërisht në kryeqytetin britanik, në Konferencën e 1913-ës, ku gjashtë fuqitë fituese të Luftës së Parë Botërore vendosën të çajnë dysh territoret shqiptare, për të kënaqur ambiciet e vjetra të satelitëve të tyre ne Ballkan, në kurriz të një venditë vogël e të pambrojtur, siç ishte Shqipëria, që kishte mbajtur një qëndrim neutral në konfliktin botëror. Pikërisht këtu, me vendimet e konferencës së Ambasadorëve do t`i hapej rruga aneksimit serb e grek të Kosovës e Çamërisë, territore të banuara në shekuj nga shqiptarët autoktonë dhe të pushtuara prej tyre gjatë luftrave ballkanike.
Ambicjet e qarqeve ekstremiste greke nxiteshin dhe nga dy rrethana specifike. Së pari, nga mbështetja që po u jepej nga Britania e Madhe. Dhe, se dyti, nga shpresa dhe iluzioni i qarqeve vorio-epirote se ndoshta në krye të shtetit shqiptar do të vinte një i ngjashëm me Mit`hat Frashërin, një politikan liberal i cili kishte dhënë prova se ishte i gatshëm për çdo marrëveshje e lëshim ndaj fqinjëve, sidomos grekëve, në këmbim të mbështetjes së ambicjeve për pushtet. Mirëpo, kohët kishin ndryshuar dhe në rrethanat e reja, as njera dhe as tjetra, nuk do të mund të arriheshin. Nëkrye të shtetit kishte ardhur Enver Hioxha që do t`u vinte dy palëve kufirin tek thana, duke i paralajmëruar se kishin marrë fund njëherë e përgjithmonë pazaret me territoret shqiptare e se e shkuara nuk kishte asnjë shans që të përsëritej. Fatet e vendit, pavarësia dhe integriteti territorial ishin të siguruara përjetësisht. Këtë siguri ato e kishin fituar me angazhimin e kontributin në Luftën e Dytë Botërore përkrah aleatëve anglo-sovjeto-amerikanë. Populi i konsideronte ato si vlera të shenjta e të paprekshme, që ishte i gatshëm t`i mbrojë edhe me gjakun e vet, duke përsëritur sakrificat e kohës së luftës, nëse do të jetë nevoja, nëse do të tentohet qët`i preken. Ata duhet të kuptonin se llogaritë, në këtë rast qenë bërë, sic thotë populli pa hanxhinë, pa të zotët e shtëpisë, e bash për këtë nuk do të kishin të ardhme. Sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më mirë do të ishte për ta.
Megjithatë, reflektimi kërkonte kohën e vet që të realizohej. Tradita, e shkuara, lidhjet e vjetra, edhe për shumë kohë do ndikonin në qëndrimet e politikanëve, duke lënë gjurmë në rrjedhën e ngjarjeve. Këtë e kishte parashikuar dhe Eduard Grej, ministri i jashtëm britanik që kryesoi punimet e Konferencës së Ambasadorëve, kur në mbyllje të punimeve do të deklaronte se kur të merren vesh vendimet e saj, kritikat e reagimet do të jenë nga më të ashprat dhe nga të gjitha anët. Megjithatë, theksonte diplomati anglez, mendoj se kemi bërë gjënë e duhur. Ato ishin mundësia e vetme, që të sigurohej paqja, uniteti e pranimi nga pjesëmarrësit, pavarësisht se në kurriz të një vendi të vogël dhe të pa mbrojtur. Kjo ishte logjika dhe morali i kohës, i më të fortit që bën ligjin, pa pyetur për pasojat, që nuk do të vononin të shfaqeshin, duke e çuar botën në një tjetër luftë, më të tmerrshme dhe më shkatërrimtare, siç ishte Lufta e Dytë Botërore.
Por, edhe në rrethanat më të vështira, historia gjithnjë ofron një zgjidhje. Krijimi i Koalicionit Antifashisht, një aleancë sui generis, që bashkonte vende, popuj dhe shtete, pavarësisht dallimeve në orientimet ideologjike, për një çështje e preokupim të përbashkët, për të shpëtuar njerëzimin nga rreziku nazifashist që kërcënonte ekzistencën, ishte zgjidhja që kërkohej, një imperativ i kohës. Kauza e tij do të përqafohej nga popuj, vende e shtete, në të katër anët e globit.
Në krahun tjetër, agresionet fashiste të paralajmëruara, nuk do të vononin dhe ndër viktimat e para të revanshit të tyre marramendës do të bëhej Shqipëria. Por, njëherësh ajo do tëe fiksohej në analet e historisë, dhe si një ndër vendet e para të Rezistencës Europiane. Krismat e para të saj do të dëgjoheshin pikërisht në limanet e këtij vend të vogël ballkanik. Ashtu sikurse, dy ndër çetat e para në vend, e Pezës dhe e Dibrës, që udhëhiqeshin nga dy patriotë të mëdhenj, M. Peza dhe H. Lleshi, do të ishin ndër formacionet e para antifashiste, të krijuara në Europë. Këto fakte na bëjnë krenarë, pasi tregojnë vetedijen e një kombi dhe karakterin popullor të Lëvizjeve të tij, që me themelimin e PK (8 nentor 41) dhe të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar (16 shtator 42) do të shndërroheshin në Lëvizje të organizuara në shkallë kombëtare, me një udhëheqje e program kombëtar, që synonte të realizonte objektiva madhore kombëtare, dëbimin e forcave okupatore e rivendosjen e pavarësisë së shkelur me agresionin e 7 prillit 39. Krahas tyre, ndër hapat e para që do të merreshin, do të ishte dhe aderimi i menjëhërshëm në Koalicionin Antifashist, në ballë të të cilit qëndronin tri Fuqitë e Mëdha Aleate.të udhëheëur nga politikanët e mëdhenj të kohës, Ruzvelt, Stalin, Çërcill. Lidhja e luftës sonë me Koalicionin Antifashist ka qenë ndër aktet e urta, me rëndësi të jashtëzakonshme të Konferencës së Pezës, të kërkuara e të miratuara unanimisht nga delegatët, figura kombëtare të njohura në mbare vendin për angazhimin në luftë kundër agresorëve fashisteë.
Por Lufta ka ligjet e logjikën e vet, për rrjedhojë do të vazhdojë deri në fund ciklin, me përplasjet në mes dy blloqeve ndërluftuese, por dhe me rivalitetet brenda tyre. Në përfundim, agresorët fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, që mbinë si “këpurdha pas shiut”, në vendet e përfshira në luftë, do të përjetojnë shpartallimin e armatave të tyrë dhe dhënien fund të mitit të pathyeshmërisë, në ballafaqim me forcat antifashiste, të cilave u prinin ushtritë e Fuqive Aleate.
Megjithatë, dallimet në qëndrimin ndaj problemeve të mbartura, të trashëguara apo të krijuara në proces, do të ishin të pashmangshme.
Në fillim të vitit 42, qeveria britanike do të bëjë hapin e parë zyrtar, me të cilin e bënte të qartë pozicionin e pandryshuar, ndaj çështjes “Vorio-Epirote”, duke nënshkruar dhe një marrëveshje me qeverinë mbretërore greke në mërgim, të vendosur në Londër, e cila për një kohë nuk do të bëhej e njohur. Me të qeveria britanike merrte përsipër të angazhohej, që kërkesat greke të njiheshin dhe në Konferencën ePaqës, që ishte parashikuar të mblidhej pas lufte.
Duke iu përmbajtur angazhimeve të marra, ajo do të përpiqej me të gjitha mënyrat, por pa sukses që kërkesat greke, të shoqëruara tani dhe me një mal akuzash, sipas të cilave Shqipëria paskësh mbështetur agresionin e Italisë Fashiste kundër Greqise (Tetor 40) e për këtë arsye do të duhej të konsiderohej e trajtohej si bashkëpunëtore e fashizmit, duke u dënuar, siç po dënoheshin dhe vendet e tjera, me dëmshpërblime financiare e gjymtime territoriale. Një shtrembërim flagrant i realitetit, pasi dihej botërisht, dhe nga anglezët, që ndiqnin me vëmendje zhvillimet në rajon, që Shqipëria, megjithëse, edhe vetë e pushtuar, gati një vit para Greqisë, nga të njëjtët agresorë, mbështeti hapur Rezistencën Greke në përballimin e agresionit fashist. Kreu i fashizmit italian B.Musolini do ta rendiste mbështetjen e shqiptarëve si njërin ndër shkaqet kryesore të disfatës së trupave italiane. Prandaj, qëndrimi pa sens i grekëve e i anglezëve në Konferencën e Paqes (1946) do të linte një përshtypje jo të mirë tek pjesëmarrësit në mbledhje dhe do të sillte efekte të kundërta nga ato që qenë parashikuar; jo cilësimin e Shqipërisë si baskëpunëtore e fashistëve italianë, në konfliktin italo-grek dhe as ndëshkimin për këtë arsye, por hedhjen poshtë njëzëri të pretendimeve dhe akuzave të pathemelta të paraqitura nga kryeministri grek Caldaris, që tani po shfaqej dhe si zëdhënës i qarqeve vorio-epirote të dala mendsh.
Shtypi parizien të nesërmen vinte në dukje rolin e dy burrështetasve të njohur, njëri ishte Enver Hoxha, kryeministër i Shqipërisë dhe kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Konferencë dhe tjetri ministër i jashtëm sovjetik, diplomati e politikani i njohur V. Molotov, që e shpëtuan Shqipërinë nga rreziku i një copëtimi, edhe më të tmerrshëm që po i kërcënohej. Kryeministri i Shqipërisë la një përshtypje të jashtëzakonshme, jo vetëm me nivelin e lartë të komunikimit, në debatin me kryeministrin grek, në gjuhën frënge, që siç do të thoshte më pas njëri nga diplomatët anglezë, pjesëtar i misioneve angleze, do t’ia kishte zili dhe francezi më i kulturuar. Por, mbi të gjitha vlerësoheshin argumentet logjike e historike të pakundërshtueshme, që paraqiti E. Hoxha për të rrëzuar pretendimet dhe akuzat greke, duke fituar duelin me kryeministrin grek dhe ithtarët e tij.
Unë deklaroj solemnisht, theksoi ndër të tjera kryministri shqiptar, se në kufijtë tanë nuk ka asnjë pëllëmbë toke të huaj. E kundërta ka ndodhur. Prandaj askush, as kjo konferencë nuk ka të drejtë të vërë në diskutim kufijtë tanë; ata që do të tentojnë t’i prekin, do të marrin përgjigjen e merituar. Për këtë të mos kenë kurrfarë dyshimi.
Me intetes u prit gjithashtu dhe ndërhyrja e ministrit të jashtëm sovjetik, Molotov, kur iu drejtua kolegëve anglezë, pjesëtarë të delegacioneve të vendeve të tyre, duke iu kujtuar se “ju keni mbështetur qysh në fillim luftën e popullit shqiptar për rikthimin e pavarësisë së shkelur nga fashistët talianë, me agresionin e 7 prillit 39. Dhe këtë besoj e keni bërë me koshiencë, se e dinit dhe e çmonit pozicionin që zuri Shqipeëria, përkrah nesh, në ballafaqimin me agresorët fashistë. Përndryshe, ju nuk do të mbështetnit një bashkëpunëtore të fashzimit. Ky fakt flet për qëndrimin e urtë, të mbajtur në atë kohë, e që nuk ka arsye të mos e mbajmë dhe sot”.
Fjala e kryeministrit shqiptar e ndërhyrja diplomatit sovjertik ndryshuan rrënjësisht rrjedhën e mbledhjes, duke futur diskutimin në shinat e duhura, që do të çonte tek pranimi i së vërtetës dhe përfundimi i miratuar nga shumica e pjesëmarrësve, hedhja poshtë e pretendimeve të qarqeve Vorio-epirote greke dhe mbyllja përfundimisht e kësaj çështjeje.
***
Më tej, do të kemi ftohje të marrëdhënieve, të shoqëruara me provokime, siç ishte dhe i ashtuquajturi incident në kanalin e Korfuzit, për të cilin fillimisht u fajësua Shqipëria. Me këtë vendim, fatkeqësisht u pajtua dhe ndonje historian shqiptar, nuk e di përse, duke u nisur thjesht nga fakti sepse ai kishte vendosur minat, nga shpërthimi i të cilave gjetën vdekjen një numër jo i vogël ushtarakësh, duke injoruar shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes. Një tragjedi e vërtetë, produkt i rethanave të kohës. Po trokiste Lufta e Ftohtë, me pasoja në raportet ndërkombëtare.
Një analizë më e plotë e bërë në vazhdim, nga studiues, kryesisht ushtarakë, drejtues të flotës detare, ku do të veçoja njërin, Artur Meçollarin, për kontributin në sqarimin e kësaj ngjarjeje e jo vetëm. Në punimet e tyre bëhet e qartë se analizat dhe gjykimet e bëra me nxitim, sapo ndodhi ngjarja, që cuan në fajësiminn e Shqipërisë, nuk kishin qenë të plota, e aq më pak objektive, që të përfshinin të gjitha rrethanat e faktorët që ndikuan, por të nxituara e të paragjykuara, ku duket qartazi preokupimi për nxjerrjen e përfundimeve, siç e kërkonin koniunkturat politike.
Ngjarja ndodhi në ujërat territoriale shqiptare jo britanike. Vizita e paftuar ose më së paku pa njoftuar autoritetet përkatëse, krijonin dyshime të bazuara për inkursionin e anijeve angleze. Qëllimi, me sa duket, ka qenë demonstrimi i forcës dhe provokimi, që duhet t’u shkelte syrin qarqeve të caktuara në vendin fqinj, me te cilin na ndanin vetëm disa kilometra, në një kohë që ai deklaronte hapur gjendjen e luftës (“Ligjin e Luftës” që edhe sot nuk e kanë abroguar) e pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë, të shoqëruara me kërcënime e provokime në kufi. Në këto rrethana, kësaj të fundit i njihej e drejta dhe detyrimi kushtetues që të merrte masa mbrojtëse, që sovraniteti e integriteti territorial dhe jeta paqësore e qytetarëve të garantoheshin me çdo mjet. Kësisoj, vendosja e minave në ujërat tona territoriale ishte i ligjshëm, një detyrim kushtetues. Incidenti do të ishte evituar nëse do të komunikohej ose të dëgjoheshin thirrjet e paralajmërimet e autoriteteve, që të bënin kujdes, se ishin futur në ujërat territoriale të një shteti sovran.
Këto zhvillime natyrisht do të ndikonin në acarimin e marrëdhënieve me Britaninë e Madhe, por jo vetëm, që çuan më në fund në largimin e njëri pas tjetrit të përfaqësive të Britanisë së Madhe dhe SHBA nga Shqipëria. Do të duhej ndërrimi i sistemit, që të marrin fund këto peripeci, të kapërcehen ngërçet e krijuara e të shkohej tek pjesa më e mirë e trashëgimisë së përbashkët, shqiptaro-britanike, tek marrëdheniet e vendosura në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe zhvillimet e mësipërme të kujtohen, si një copëz, sigurisht jo pa rëndësi nga tabloja e gjërë dhe e pasur e aktiviteteve të dobishme, që mbushën kuadrin e marrëdhënieve me qeverinë britanike në këto vite prove. Këtu duhet veçuar sidomos Deklarata e dhjetorit 1942, e bërë në koordinim dhe me dy vendet e tjera lidere të Luftës Antifashiste dhe të Koalicionit Antifashist, SHBA e BS, me të cilën ata njihnin dhe mbështesnin pa rezerva Luftën e popullit shqiptar për t’i rikthyer vendit pavarësinë që gëzonte para lufte, të shkelur nga Italia Fashiste me agresionin e 7 prillit ‘39.
Deklaratave të mësipërme nuk vonoi t’u shtohej dhe ajo kryeministrit anglez U. Çërcill, e bërë enkas në Dhomën e Komuneve, në të cilën “çmohen lartë veprimet e çetave partizane në Shqipëri dhe cilësitë e luftëtarëve partizanë, që po vazhdojnë traditën më të mirë luftarake të parëve të tyre, duke goditur pa rreshtur armikun e duke krijuar panik e pasiguri në radhët e tij”.
Abaz Ermenji, njëri nga krerët ballistë të njohur do të nxitojë të pohojë se deklarata ishte një nderim që i bëhej Ballit Kombetar, të sapokrijuar. I menjëhershëm do të ishte dhe reagimi i KristoFrashërit: “Balli në këtë kohë,do të shkruante profesori, ishte në shpërgënjë, s’kishte ngritur asnjë njësi të armatosur e nuk kishte shkrepë asnjë pushkë”. Një përgjigje dinjitoze e një patrioti e shkencëtari të rrallë.
Sot me Anglinë, Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera, besimi e mirëkuptimi. Britania e Madhe ka çmuar rolin e Shqipërisë dhe iniciativat e qeverisë shqiptare, për zbutjen e tensioneve dhe shndërrimin e Ballkanit, nga nje fuçi baruti, sic ishte nëtë kaluarën, në një rajon paqeje, stabiliteti e mirëkuptimi. Ajo është sot avokatja më e mirë që s’rresht së kërkuari, si kur janë në pushtet konservatorët e po ashtu dhe kur alternohen me laburistët, që Shqipëria të zërë vendin që i takon në familjen europiane.
Politika angleze ka çmuar gjithashtu qëndrimet ndaj Kosovës, një çështje tepër sensitive për shqiptarët,po me interes dhe për ndërkombëtarët. Është për t`u përmendur roli iqeverisë britanike dhe i ish kryeministrit Toni Bler, në vendimmarrjen, bashkë me presidentin amerikan Bill Klinton, të fushatës së bombardimit të Jugosllavisë së mbetur, që do të shkatërronte makinerinë e luftës së Millosheviçit dhe do t`i jepte fund gjenocidit, spastrimit etnik dhe dëbimit masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre, duke krijuar premisat dhe për zhvillime të tjera historike, që do të çojnë në dhënien fund të sundimit shumëvjeçar serb dhe krijimin e Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike, një faktor paqeje e stabiliteti në rajon e më gjerë.
Botuar në rubrikën HISTORI të gazetës DITA