Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Për Vinçens Prennushin
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kryesore > Për Vinçens Prennushin
KryesoreKulture

Për Vinçens Prennushin

Published: August 17, 2023
Shpërndaje

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

Vinçens Prennushi kurrë nuk mund ta kishte menduar se do të vdiste si një martir.

- Publicitet -

I paqtë në shpirtin e tij, serioz dhe i ditur, i pasionuar pas arteve dhe mirëbërës i habitshëm, kurrë nuk mund ta kishte menduar se fundi i jetës së tij do i përngjante një kalvari të pafund, të mundimshëm dhe të gjakuar.

Prennushi do të ishte ndër të ata prelatë që e mundte komunizmin me paqe!

Ai vuan se mos shokët e qelisë së madhe, ku njerëzit janë shtrirë bri njëri tjetrit, sa nuk mund të lëvizet më tej, nga njëri cep në tjetrin, nuk e njohin për vëlla , se mos të bashkëdënuarit nuk shohin edhe përtej syrit dhe të tashmes së tyre, nuk i ndjen njëlloj vuajtjet e tyre, edhe ashtu të rënda..

Vuan thellësisht nga vuajtjet e të tjerëve dhe nuk e njeh dhëmbjen e tij. Është i kryqëzuar në fatin e tij, solemn para çastit të fundit, pa asnjë lloj pendimi e, për më tepër, besnik i fatit të tij, që i ishte bindur deri në verbëri, pa asnjë lloj mërie.

Çdo gjë e ka bërë mirë, është munduar për më të mirën e mundshme, jo vetëm si prift, por mbi të gjitha si njeri, është përpjekur “ për të dashtunën botën tonë”, ka bërë çka mundur për të sjellë paqe mes njerëzve, pjesë përsosmërie të shpirtit.

E shumëfishtë është veprimtaria e tij, hapësirë e pamatë, trazuese, por kurrë shpërthyese. Ajo do të shtrihej që nga përmbledhjet e para virtuoze të Visareve të Kombit, më pas poet, i njohur në përkthime, drama, vepra fetare, përshtatje poetike dhe botues i klasit të parë, njësues i gjuhës dhe drejtues i revistave famoze ; për të dhe rreth tij do të shkruajnë figurat më të njohura të kohës, atdhetar i klasit të parë, përbashkues i mendimit kombëtar, orator i shquar, njëri ndër prelatët më të lartë të Kishës katolike, drejtues i saj në fillimin e viteve të errta për ekzistencën e saj, e në fund, si të mos mjaftonin të gjitha këto, martir i saj.

Tepër i madh qëndron ai në shikimin tonë të përditshëm, lartësia e tij nuk sheshohet dot, pasi adhurimi i tij për Shqipërinë shndërrohet në një dashuri të flakët; vetëm duke depërtuar në shpirtin e tij, në zgafellat aspak të mistershme, mund të kuptojmë ndjenjën e thellë të Vinçens Prennushit për njerëzit dhe njerëzimin, afërsinë njerëzore që të afron, dhe, që, befasisht, aq mrekullisht , shfaqet në poezi.

Heronjtë dhe heroinat e poezive të tij, përfytyroj këtu vajzën që, duke dalur hëna ndër bajama, rri e qëndis flamurin e Shqipërisë, dashurinë e saj të pakrahasueshme me asgjë tjetër, janë si ato që në një vend tjetër i paraqet poeti i madh gjerman , Gëte, në formën e tyre më të lartësuar, që edhe në çastet sublime ata gjejnë kurajon për të dëshmuar dashurinë për jetën dhe atdheun që i takojnë, sado që i njëjti atdhe ka në gemin e tij , në themelin e posa hedhur, gjakun e tyre..
Poezia e Prennushit, përgjithësisht didaktike, ngjason me ato të poetëve të tjerë nga rradhët e krijuesve të botës së krishterë katolike, sidomos të prelatëve të saj. Ajo ka veçantinë që, si pak herë të tjera, më shumë shijohet duke e dëgjuar, se sa gjatë leximit, pasi është ngritur që në zanafillë si e tillë: për t’u deklamuar, për të qenë pronësi e të tjerëve. Ajo bëhet më e afërt pikërisht kur rizgjohet, e atëherë ka çastin e saj më intensiv jetësor, bëhet pjesë e së prditshmes, fiton madhësi të reja.

Gjthë format e dukshme të shpien nga i njëjti qëllim, përkryerja, çka ia jep edhe besimi dhe devotshmëria e tij; ndjenja, dhe ata e ndjejnë jetën dhe pasqyrimin e saj; besimin, pa të cilin tek Prennushi asgjë nuk ka vlerë; gurgullimën e jetës, si shenjë lumturie dhe vuajtje në të njëjtën kohë; Prennushi është më i madh si Njeri se sa si poet, por poetika e tij e lartëson si Njeri.

Shikoni portretin e tij: është ndër më fisnikët që mund të paraqitet. Është tipike qytetare shkodrane, me sytë që shkëndijojnë dhe të sjellin qetësi, shikimi i paqtë dhe qetësues, zhbirues , por jo gërryes; gjithçka e hapur, disi qiellore, si të donin të paralajmëronin fundin e tij; një burrë i pashëm që ndjell mirësi dhe tek i cili mund të kesh besim të pafund.

Portreti i tij të afron, të ndjell qetësi, ai, aq sa duket si njeriu i lartë e Kishës, aq është edhe përshfaqja fisnike njeriut që të beson dhe që, po ashtu të grisht drejt besimit. Në sytë e tij, në të gjitha portretet e njohur, edhe në çastet më sublime, ka mirësi, duket sikur aty është feshur shpirti i shenjtë i njeriut dhe i poetit në të njëjtën kohë. Është një shkëlqim që të grish, të cilit i afrohesh pa droje, pas asnjë ngurrim, sado të vogël, dhe që ke dëshirë ta ndjesh.
Kur e shikon portretin e tij përshtypja e parë është mirësia, ndërsa ajo që vjen pas saj është stoicizmi. E ndjen se ky njeri nuk mund të thyhet dhe se rrugës që i është përkushtuar domosdo nuk do e braktisë, sado të mundismhme do të jenë çastet e saj. Për të përgatitur veten për Golgotën që e pret ai i kushtohet poezisë, por nuk është ajo jeta e tij; është diçka mes qendresës që do i duhet më pas, kur jeta e tij do të jetë në zgripin e pa mëdyshuar, por edhe qetësim i shpirtit.

Të gjitha tiparet e tjera të portretit të tij i gjen në atë staturë njerëzore që mund të quhen “zotërinjtë e Shkodrës” dhe që e gjen në të gjitha besimet e atij qyteti tolerant, të çuditshëm, kështjellës së mbretërve që do të bëhet edhe kështjella e njërit nga besimeve më të lashtë të botës, katolicizmit dhe që do të ketë më shumë martirë se asnjë qytet tjetër në botë, përfshirë edhe Jeruzalemin.

Nëse Roma do të ishte dhe vazhdon të jetë vatra ku krishtërimi buloi si askund deri sa u kthye në kryeqytetin e tij, Shkodra, pak më tej në hartën e botës do të jetë qyteti i dhëmbjes së krishterë, vendi ku përjetimi i shkeullit të par të ndjekjes së Apostujve, do të përsëritej dy mijë vite më pas dhe do të jetë shembulli i pazakontë në historinë e Njerëzimit.

Janë dy shembuj torturues që mund ta përligjin fjalinë e mësipërme. Nga 31 poetë, dramaturgë, përkthyes, njerëz të artit të pushkatuar nga regjimi komunist 9 prej tyre ishin prelatë katolikë, në të gjitha rangjet. Mes tyre Vinçens Prennushi, atë Gjon Shllaku, atë Anton Harapi, dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Imzot Jul Bonati, atë Nikollë Gazulli, atë Benardir Palaj..të gjithë nga emrat m të shquar të shkencave shqiptare, disa nga të cilët kishin në momente të veçanta aktivë në polikë, por që ajo kishte qenë kurdoherë pasuesja e jo domehtënia e jetës së tyre.

Nga 146 artistë, shkrimtarë, poetë, dramaturgë, përkthyes të burgosur, ekzekutuar apo vdekur në internim, një e katërta kanë qenë priftërinj të besimit katolik dhe më shumë se kaq i takojnë këtij besimi…

Prennushi do të jetë njëri prej tyre. Ndoshta më i shquari. Në listën e më të lartëve të hierarkisë kishtare. Intelektual i përkryer, njohës i disa gjuhëve, sidomos i gjermanishtes, e pasionuar pas muzikës, sidomos Mozartit dhe Bethovenit, ai me të njëjtin pasion grumbullon visaret e kombit, sidomos në Gegëri, ku edhe e shkon jetën e tij, pa harruar dashurinë e të pamatë për viset e tjera shqiptare.

Prenushi do të jetë bashkëkryetari i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të vitit 1946, sëbashku me një tjetër emër të njohur, Sejfulla Malëshova dhe që do të kenë të njëjtin përfundim, vetëm se njëri, Prennushi, do të vdesë i kryqëzuar si Ati i tij shpërtëror, ndërsa tjetri, Malishova, i internuar, në një vetmi të madhe; do të jenë dy jetë dhe bindje të kundërta që do të ndëshkohen njëlloj: Malishova komunist i bindur, fanolist dhe kjo e bashkonte paska me Prennushin, që ishte mik i afërt i Gurakuqit dhe i Fishtës, që të dy fanolistë; Malisova do të ishte ndër krerët e komunizmit në Shqipëri, por jo hakmarrës, liberal në strofkën nga nuk do të dilte më veçse i sakatosur; Prennushi ishte e kundërta e tij, ai i takonte njerëzve që besonin në Atin e tyre të Shenjtë, por , kur u bashkuan, në pasjetën e tyre martire, megjithëse kishin iluzione të ndryshme, nuk e mendonin se fundin do e kishin të njëjtë.

Prennushi do të vdes i martirizuar, gjithnjë me antkhin se mos sakrifica e tij nuk ishte e mjaftueshme, Malishova i braktisur, i përcjellë me një karrocë komunale dhe i mënjanuar nga një botë e tërë, që kishte kujtuar se ishte bota e tij.

Edhe në akthet e fundit, i përpëlitur nga dhimbja e pazakontë, prag vdekje, me shpinden e gjakosur nga dërraset e dyshemesë ku ishte shtrirë, si të kërkonte shartet e fundit, ai vuan se mos nuk kuptohet nga njerëzit e tij , se mos ajo që po heq nuk është e mjaftueshme për të dëshmuar sakrificën, belbëzon se ” gjithmonë kam menduar me ba mirë”, motivi i jetës së tij, sheh të vetë të munduar dhe vuan se nuk i ndihmon dot, e di fare mirë se gjithçka që ka filluar nuk është asgjë tjetër veçse Golgota e vuajteve, por, si heroina e tij, nuk shterr forcën për të dhënë përgjakimin e fundit shpirtëror: jetësimin e tij për vizionin e tij misionar.

Asnjë poet tjetër nuk mund të kishte parashikuar një fund të tillë për vete, se sa Prennushi me poemthin e tij.

Është vizionar, misionar, martir dhe kryengritës pa asnjë armë tjetër veç shpirtit të tij.

Madhëshia e tij e ndoqi pas gjithë jetën,, por asnjëherë ajo nuk u dëshmua më fuqishëm se sa në vdekjen e tij.

E pamohueshme është tani lavdia e tij.

 

 

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Të shtëna me armë zjarri në një lokal në Shëngjin, një i plagosur
  • Rama reagon ndaj Iranit: Qeveria e ajatollahëve i është bashkuar zyrtarisht protestës
  • Evropa përballë të nxehtit afrikan, shkencëtarët: Kjo do bëhet normale. Përgatituni!
  • Flamingot e Tiranës fluturojnë në linjën Bruksel – Uashington
  • “Po nxjerrin emigrantët nga shtëpitë”, Trazira dhe sulme raciste në Irlandën e Veriut

Komentet e Fundit

  1. Populli on Zvërneci, Rama: Ka shumë gjysmë të vërteta që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha
  2. info analitike on Zvërneci, Rama: Ka shumë gjysmë të vërteta që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha
  3. Detari on Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  4. Protestusi on Rama kapet sërish me influenceret: Nxisin racizëm ndaj emigrantëve filipinezë
  5. edi rama - Fjale e Rrene on Zvërneci, Rama: Ka shumë gjysmë të vërteta që po bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?