Vrasja e 59-vjeçarit Martin Bardhi këtë të martë në Rrëshen, dyshohet të jetë vijimësi e një sage të përgjakshme konfliktesh, që janë mbyllur me shumë viktima në Mirditë, si pasojë e përplasjes mes dy fiseve, me zanafillë jashtë vendit.
E fundit përplasje plumbash mes fiseve ishte tentativa e vetë viktimës Bardhi bashkë me djalin, Enrikun, për të eliminuar Sajmir Reçin, nip i Kastriot Reçit, ndaj të cilit u lëshuan breshëri plumbash më 26 mars të këtij viti, por për fat të mirë askush nuk mbeti i lënduar.
Paraprakisht hetuesit janë të rezervuar nëse edhe fisi Bardhi ka qenë në të kaluarën pjesë e përplasjeve që nisin prej vitit 2016, por sigurojnë se ata janë përplasur me Sajmir Reçin këtë vit, ku tentuan të vrisnin me armë dhe motiv mbetet po hakmarrja. Nëse lidhjet konfirmohen, Bardhi është viktima e shtatë në po kaq vite lufte mes këtyre grupeve me basë fisnore.
9 shtator 2016
Gjithçka ka nisur më 9 shtator 2016, mes fiseve Reçi e Gjini në Rrëshen, konflikt që do të pasonte shumë viktima. Atë ditë u vra Saimir Jaku, ish-drejtor i linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE. Ai u qëllua për vdekje me kallash kur pinte kafe në lokal.
28 prill 2017
Më 28 prill 2017 u vra në Romë të Italisë, Gasper Reçi, 43 vjeç. Sipas autoriteteve dyshohej se vrasja e Gasper Reçit të vinte si hakmarrje për ekzekutimin e Saimir Jakut.
6 shtator 2017
Nuk kaloi shumë dhe më 6 shtator 2017 në Belgjikë, u vra Kreshnik Gjini, nipi i Saimir Jakut. Dyshimet e policisë belge ishin se ngjarja vinte si hakmarrje për vrasjen e Gasper Reçit në Itali. Gjini u vra në komunën e Forestit të Belgjikë, nga persona të maskuar, të cilët qëlluan drejtë tij dhe humbi jetën menjëherë.
13 gusht 2019
Në sy të dy fëmijëve u ekzekutua më 13 gusht 2019 Armando Gjini, i njohur me emrin Tonin Gjini. Ai u qëllua disa herë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. Viktima ishte person i njohur në qytetin e Rrëshenit, kjo edhe për shkak të arrestimit të tij në vitin 2018 dhe vendosjes së eksplozivit në makinë pak kohë para vrasjes.
7 janar 2020
Kastriot Reçi u ekzekutua me armë zjarri përpara lokalit të tij në qendër të Rrëshenit, teksa rihapi plagën e vjetër të hakmarrjes në Mirditë në fillim të 2020-ës. Emri i tij ishte lakuar prej kohësh për trafikim droge, edhe pse në fakt nuk ishte skeduar asnjëherë. Reçi u ekzekutua në një plan të mirëorganizuar me një plumb të vetëm në zemër, me snajper, që dyshohet vrasës me pagesë. Pasi takon një grua e cila mbante përdore një fëmijë në shëtitoren e qytetit, qëllohet dhe bie menjëherë në tokë.
15 shtator 2020
Mbi urën e Nisharakut në Tiranë u tentua më 15 shtator 2020 eliminimi fizik i Preng Gjinit. Në makinën me të cilën udhëtonte i ishte vendosur një sasi tritoli 400 gramë C4, në pjesën e përparme, me shpërthim të kontrolluar në distancë. Atentati që atëherë u dyshua se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve, por në deklaratën e bërë nga vetë Gjini më vonë e mohoi.
15 dhjetor 2020
Anton Keli u ekzekutua më 15 dhjetor 2020 duke zbritur nga makina në Rrëshen. Pasi u qëllua lëvizi në këmbë për disa metra, hyri në një markat i plagosur. Ka qenë shitësja ajo që ka lajmëruar policinë dhe ambulancën, por nuk mundi të mbijetojë. 51-vjeçari u qëllua me pistoletë nga një distancë e afërt dhe një nga plumbat e preku gjoks. Keli ishte kushëriri i Armando dhe Preng Gjinit. Vrasja e tij dyshohet se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve Gjini dhe Reçi.
