1700 punonjës të policisë së Shtetit janë angazhuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2023, të cilët do të jenë të përqendruar në të gjitha pikat turistike, zonat muzeale, zonat bregdetare, zonat urbane e rurale, si dhe në pikat e kalimit kufitar. Në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, policia e shtetit ka hartuar një plan të gjerë masash, me qëllim krimin e kushteve sa më të mira të sigurisë për shtetasit shqiptarë dhe të huaj në zonat turistike.
Në një konferencë për mediat, Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, shpjegoi se janë planifikuar shërbime shtesë të policisë në disa zona turistike. Për garantimin e rendit e sigurisë në zona malore, janë planifikuar shërbime shtesë të Policisë, në zonat turistike: Theth, Valbonë, Lurë, Voskopojë dhe Dardhë. Në vijim, në Theth dhe në Valbonë do të ngrihen stacione policie provizore.’- njoftoi policia.
Duke u ndalur tek siguria në det, Bizhga tha se, nëpërmjet një flote të përbërë nga 35 mjete lundruese Jet Ski dhe nëpërmjet një trupe policore të përbërë prej 105 punonjësish policie të trajnuar e certifikuar për drejtimin e mjeteve lundruese, do të monitorohet gjithë hapësira urojë e Shqipërisë.
Masa shtesë po ashtu janë marrë edhe në pikat kufitare, pasi janë shtuar burime njerëzore, me qëllim me qëllim rritjen e kontrollit në kufirin e gjelbër, parandalimin e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, parandalimin e krimeve kufitare, si dhe forcimin e kontrollit në kufirin blu. Po ashtu është bërë edhe kufizimi i qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave gjatë ditëve të pushimit.
‘Ka filluar kufizimi i qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave, në ditët e pushimeve javore dhe të festave zyrtare. Drejtoritë vendore të Policisë kanë filluar zbatimin e detyrimeve për kufizimin e lëvizjes së këtyre automjeteve, që prej datës 15 qershor dhe ky kufizim do të vijojë deri më 15 shtator 2023.’- tha Bizhga. Edhe për parandalimin e ndotjes akustime, policia thotë se për mjediset e hapura për ditët e premte dhe të shtunë të jetë nga ora 19:00-24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19:00-23:30.
‘Në lidhje me monitorimin për parandalimin e ndotjes akustike dhe parandalimin e gjenerimit të zhurmave tej normave të lejuara, nga subjekte të ndryshme, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash të veçantë, i cili është i integruar në planin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për masat shtesë në kuadër të sezonit veror. Për mjediset e hapura, orari i lejimit të veprimtarive për ditët e premte dhe të shtunë të jetë nga ora 19:00-24:00, ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19:00-23:30, sipas normave të lejuara të zhurmës, të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët nr. 8, të datës 27.11.2007. Në këtë kuadër Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.’- njofton policia.
Policia bën me dije po ashtu se janë nënshkruar 2 protokolle bashkëpunimi të Policisë së Shtetit me Policinë e Kosovës dhe me Policinë e Malit të Zi, të cilat do të zbatohen gjatë sezonit turistik 2023.
‘Me qëllim shkëmbimin e praktikave policore, mbështetjen për parandalimin e ngjarjeve kriminale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, forcimin e sigurisë rrugore, si dhe për luftën kundër veprave penale me karakter ndërkufitar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në zbatim të Marrëveshjeve së Qeverive të Republikës së Shqipërisë me atë të Malit të Zi dhe me atë të Kosovës, kanë nënshkruar 2 protokolle bashkëpunimi të Policisë së Shtetit me Policinë e Kosovës dhe me Policinë e Malit të Zi, të cilat do të zbatohen gjatë sezonit turistik 2023’, njofton Bizhga.
