ALEKS STAVRE DRENOVA
Thirrje kur shkroi esse-në “Naim Frashëri si idealist shqiptar”
Prof. Hamit Boriçi
- Fillet – “Shqipëtari” (Albanezul)
Asdreni, përveçse poet, ishte edhe një nga personalitetet më të shquara të publicistikës shqiptare. Fondi publicistik i tij gjëndet në arkivat e mediave shqiptare, ballkanike dhe europiane. Ai botoi në gazetat e revistat shqiptare, rumune, bullgare, egjiptiane, italiane, angleze etj. duke propaganduar Shqipërinë, të vërtetën mbi të, qenësinë, idealet dhe luftën e popullit e të kombit tonë për liri, pavarësi e përparim; ka ngritur një varg problemesh në qarqet e ndryshme politike, diplomatike e shtetërore të huaja duke shprehur pikëpamjet e veta, si dhe demaskuar e denigruar armiqtë e Shqipërisë. Ai ishte bashkëkohës e bashkëluftëtar i Çajupit, Nolit, Gramenos dhe i disa shkrimtarve e publicistëve të tjerë.
Veprimtaria e tij në këtë fushë shtrihet në një periudhë të gjatë kohe, që nga fundi i dhjetëvjeçarit ’90 të shekullit XIX deri në vitet ’20 të shekullit XX. Hapat e parë i hodhi që në moshën njëzetvjeçare. Krahas vjershave, filloi të shkruajë e botojë në shtypin shqiptar në Bukuresht artikuj letraro-publicistikë, nepërmjet të cilëve shprehte ide të guximshme patriotike kombëtare, antifeudale.
Nisma e kësaj prirjeje duhet kërkuar që më 1892, kur ishte anëtar i Shoqërisë “Drita” të Nikolla Naços; kur, i ngarkuar nga ajo shoqëri, u aktivizua në gazetën “Shqipëtari” (Albanezul) për redaktimin e shkrimeve që botoheshin në atë fletore. – ( SQIPETARI (Albanezul), gazetë politike, shoqërore, kulturale e letrare në gjuhët shqip (t), rumanisht e frëngjisht në Bukuresht (Rumani). Drejtohej nga Nuçi N. Naço. Numri i pare qarkulloi më 7 gusht 1888. Doli në dy kohë Me një ndërprerje dyvjeçare. Kohë e parë (1888-11889) dhe e dyta 1903. Nga viti 1899 titullohet SHQIPETARI ( L’Albanais ). – Shih edhe P. Daka në Revistën Studime historke, Tiranë 1971, nr. 3, f. 149 /artikujt ne gjuhe shqipe i shkrova une, por shpesh here nen inspiraten e tij, se qe i rende ne te shkruar, por vullneti i tij per te dhene udhezime qe i madh…” (- J.Bulo – Nga korrespondenca e Asdrenit- Rev. Studime Filologjike, viti 1972, f.172 )
Në shënimet e veta autobiografike Asdreni shkruan “…unë kam bashkëpunuar me të ndjerin Nikolla, artikujt në gjuhën shqipe i shkrova unë, por shpeshherë në inspirimin e tij…”.( Revista “Studime filologjike”, Tiranë. 1972, f. 172 )
Ishin ato vite, kur Asdreni njëzetvjeçar nis e formohet si patriot, perparimtar e demokrat nën ndikimin e anëtarëve më përparimtarë të Shoqërisë ”Drita” të Bukureshtit, nga të rinj me pikëpamje demokratike; kur më 1900 u themelua Shoqëria “Qarku i studentëve shqiptarë” ku ishte ndër nismëtarët dhe organizatorët kryesorë, duke i paraprirë kështu themelimit të Shoqërisë “Shpresa” promovuar më 1902, po ashtu si figurë kryesorë e djalërisë shqiptare mërgimtarë në Rumani.
Shpejt drenovarasi mendjemprehtë, krahas krijimtarisë letrare, do t’i hynte publicistikës politiko-shoqërore. Kështu, poeti i lirikave intime sa vjen e rritet si mendimtar atdhetar. Ai është i mirëpritur nga botuesit e të përkohshmeve shqiptare “Albania” e Konicës dhe “Drita” e Sofjes
Krijimet e para poetike të Asdrenit si “Mallkimi”, “Poshtë errësira”, “Erdhi dita” etj. u botuan në vitet 1901 e 1902, pikërisht në atë kohë, kur Asdreni nis e zhvillon nje veprimtari të dëndur publicistike në revista e gazeta të ndryshme.
Asdreni u muar me publicistikë pareshtur deri nga mesi i viteve ’20 të shekullit XX, pasi’ pas dështimit të Revolucionit të Qershorit më l924, pësoi një traumë, një rënie në diziluzione, duke humbur shpresat për përmbushjen e idealeve, aqsa u shpreh se “vegjëlia nuk mund t’i arrijë qëllimevet e veta”. Ne disa raste, i ndikuar edhe nga mjedisi i jetës në mërgim, kalon edhe në njëfarë idealizimi të jetës në vendet e zhvilluara.
- Përmbajtja – politika editoriale
Publicistika e Asdrenit është shumëplanshe. Ajo ka karakter të mirëfilltë politik, por edhe kulturor e shoqëror, shtjelluar kurdoherë në dritën e ardhmërisë së atdheut dhe të kombit shqiptar: lirinë, pavarësinë kombëtare, çlirimin e vegjëlisë nga barra e rëndë e çifligarëve dhe e parësisë së pangopur për fitime në kurriz të popullit, demokracinë dhe përparimin kulturor e shoqëror.
Shkruan e boton një varg artikujsh publicistikë me frymë demokratike përparimtare. Ngriti e trajtoi çështjen e lirisë kombëtare dhe njëkohësisht çështjen e çlirimit të vegjëlisë nga prangat e shtypjes dhe të shfrytëzimit.
Një sy disa artikujve e trajtesave
“Dy tri fjalë për oxhaksinë” – ( Revista “Albania”, 1902, nr. 3 )
Është një shkrim konceptuar si “një letër”, drejtuar revistës “Albania” si përgjigje, reagim për artikullin “Shqipëria më 1801 e më 1901”, Autori, pseudonim me siglat N. B., mbron parësinë, oxhaksinë shqiptare dhe përçmon vegjëlinë. Sipas tij, vetëm “Oxhaksia” është e zoja të merret me çështjen shqiptare dhe përparimin e Shqipërisë.
Asdreni, shtruar, me argumente e arsyetime logjike, por edhe me humor e satirë i mposht mendësitë e thëniet e oxhaksisë. Ai u kujton zëdhënsve të Oxhakësisë: “Ajo vegjëli që derdhet kurdoherë në çdo rrezik, kur parësia rri e vështron për së largu; ajo vegjëli që është përpjekur edhe sot përpiqet me nevojat e rënda, të cilat parësia nuk i ndjen se, si ju thatë vetë, u lëpihen këmbët e anadollakëve për ca argjent; ajo vegjëli që në kohë të Skënderbeut ishte e lumtur, sot është e shtypur e ndrydhur…”.:
“Një shtetësi e çuditëshme”` ( Gazeta “Toska”, Misir (Egjipt), 1902, nr. 4 } Artikull- me tiparet e një pamfleti, u bën thirrje lexuesve për t’u ruajtur nga farsat e armiqve. Pamfleti zë fill e zhvillohet nisur nga një fakt, që Asdreni e paraqet në një dritë sarkastike- “Gazetat greqisht të fundit thonë se mbreti Gjergji i Greqisë na paskërka thënë se do të vërë mësimin e gjuhës shqipe në tre qytete ku ndodhën më tepër shqiptarë”. Asdreti e fton lexuesin të hyjë në analizën e brendinë e kësaj lodre. Hapur e me nëntekst, ai stigmatizon “përkujdesjet” e qeverisë greke, të propagandës së saj dhe të pseudopatriotëve, që bëjnë tam-tame e reverencë për mbretin “human” që menduekërka për gjuhën e kombit tonë. Autori pyet: si evoluan “këta armiq të djeshëm në miq të sotëm ?” Dhe u sjell në kujtesë lexuesve idenë e një farë Kristovasilis, i cili në një artikull thoshte se mbreti Gjergji mund të jetë fort i mirë edhe për mbret i Shqipërisë. Pamfleti mbyllet me thirrjen: “Shqiptarë! Shikoni mirë, mentohuni thellë!”!.
Në titullin “ Mendime të kohës”, Asdreni tregon për lëvizjen e vitit 1911, kur në Shqipërinë e veriut kishte marrë hov kryengritja e mirënjohur kundër ushtisë uzurpuese Asdreni i frymëzuar shkroi edhe poezi si “ Zëri i Kryengritësve” që u botua si fletë volante; si “Çpërblimi “, ku nxjerr në pah e ngre lart virtytet politike e morale, patriotizmin e vegjëlisë përmes një epizodi të një luftëtari patrioti që heroikisht dha jetën. Asdreni shprehet me optimizëm në këtë shkrim: “ më në funt gjithë me atë zjarr edhe me atë dëshirë t’atij qellimi po përgatitet lëvizja kombëtare edhe ndë Shqipëri të jugës, me një mënyrë të atillë që Shqipëria tërë, me një zë, si një njeri i vetën duk’ u ngritur të mundnjë të dalë ndë jetë të re…”.

3. Vepra publicistike – pasqyrë besnike e historisë
Trashëgimia e begatë që ai na ka lënë në fushën e letrave shqipe është një pasuri e vyer, që dëshmon, jo vetëm për aftësinë e këtij poeti-publicist për t’u marë me tema nga më të ndryshmet, por edhe për vetë jetën e luftën e gjallë e aktive politike, ideologjike e shoqërore që zhvillonte kombi ynë në ato kohë të rëndësishme për xhvillimet në shqiptare. Ndaj Asdreni rënditet me shkrimtarët publicistë të shquar të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe e viteve pas Pavarësisë..
Ai shkroi për luftën e pareshtur të popullit shqiptar për liri e të drejta politiko-shoqërore (“Një çap përpara”, “Qeveria otomane dhe shqiptarët”, “Robëria dhe liria”, etj.); demaskon politikën shovene të shteteve fqinj, të grekëve e të grekomanëve, për grabitjen e trevave shqiptare (“Ç’thonë grekët?”, “Gorgonët e Shqipërisë e të kombit tonë”, “Megalomania greke”); rrok gjerësisht tema të kulturës, siç ishte cikli i shkrimeve për alfabetin e gjuhës shqipe, siç është çështja e ardhmerisë së kulturës dhe të arsimit në Shqipëri (“Universitetet shqiptare”); trajton edhe temen shoqërore, luftën kundër zakoneve prapanike e dëmprurëse, duke e lidhur atë me unitetin e kombit tonë..
Në një artikull fejtonal, Asdreni, në “Përgjigje gazetës “Pirros”” për një shkrim, botuar me pseudonimin “Prej një ortodoksi”, tregon mjeshtëri të lartë të publicistikës letrare. Pas një hyrjeje të drejtpërdrejtë, me një ligjërim polemik dhe logjikë të fortë “nuk e lë kundërshtarin të marrë frymë” nga faktet dhe argumentet që shoqërojnë arsyetimet, me shprehje edhe në mënyrë të figurshme dhe ironi therëse. ( `Gazeta “Drita”, Sofje, 5 nëntor 1904 )
Lexuesit e gazetës “Drita” e ndiqnin me kërshëri fjalën dhe mendimin e Asdrenit, që pasqyronte aq bindshëm edhe në shkrime të mëparshëm, kur shpjegonte “Ç ‘thonë grekët?”- Ai qesëndiste idenë e grekëve të atyre kohëve për të ngritur “.. një qendër shqiptare prej burrash të njohurë e të zgjedhurë”, gjoja, “për mirëkuptim e bashkëpunim”; kritikonte me ashpërsi përpjekjet e tyre, që me gënjeshtra, “të na kenë mashë për të nxjerrë gështenjat nga zjarri”. Lajkat – shkruane autori – “janë përkdhelime dhelpre” dhe këshillonte:…”Kush ka veshë le të dëgjojë”!
Këto ide, mendime e qendrime vinin si përgjigje një letre, botuar në një gazetë të Athinës, shkruar nga një nëpunës diplomat i lartë, i cili deklaronte se “Vetëm me elementin shqiptar mundim të shpëtojmë ndë Maqedoni si dhe ndë viset e tjerë të Turqisë së Europës…”. (Gazeta “Drita”, Sofje, 2 korrik 1905 )
Qarqet institucionale greke të atyre kohëve, për të greqizuar Shqipërinë shfrytëzonin edhe studiues që ishin gati të shtrembëronin realitete historike, si rasti profesorit të historsë, z. Karolidhi, i cili në gazetën “Kratos” më 9 tetor l905 shkruante ndër te tjera: “Shqipëria fillon përtej maleve të Epirit, nëqoftëse këto fillojnë nga Vjosa ose Shkumbini”. Revista “Drita” përmes penës së Asdrenit i përgjgigjet dhe me argumente historike hedh poshtë mashtrimin “intelektual” duke i thënë: “më kot mundoheni të paraqiteni me hijen tuaj”.
Në shkrimet për Shqipërinë dhe shqiptarët në trojet arbërore dhe në mërgim zien malli për atdheun. Ai pasqyron gjëndjen politike dhe ekonomike të Shqipërisë në robërinë osmane deri më shpalljen e Pavarësisë dhe zhvillimet pas 1912-s me luftërat e brendshme dhe kërcënimet gllabëruese të shteteve fiqnj. Ndonëse vetë ishte në emigracion, kritikonte sidomos “Parësinë shqiptare” duke e bërë përgjegjëse për emigrimin masiv të shqiptarëve nga atdheut. “U mbush Misiri, u nbush Greqia, u mbush Rumania,-ngre zërin Asdreni-, nuk gjen fshat pa mos gjetur shqiptarë…”. Dhe u drejtohet atyre që mendojnë vetëm për xhepat e tyre: “Mjaft, pra, zotërinj, me të këtilla sjellje; mjaft me shpinën unjur përpara armikut; mjaft me fjalë të erës se u doli kallaji. Mentohuni se jeni shqiptarë…!” ( Gazeta “Liri e Shqipërisë”,Sofje, 21 prill 1912}
Mallin për atdhe dhe ndenjat kombëtare i ka shprehur edhe në shkrimin “Robëria dhe liria”. ( Gazeta”Shqipëria”, Konstancë, 28 nentor l930 ) Asdreni bëri përpjekje për t’u kthyer në atdhe, por iu pamundësua, jo vetëm nga rrethanat e 1914-s në kohën e Princ Vidit, por edhe më 1937.
Këto probleme kishte shtruar edhe në revistën. ”Trumbeta e Krujës” që Faik Konica nxori me 1911 në Sant Louis Missouri (ShBA) me moton “Vetqeverim për Shqipërinë”.
Artikull me interes për përmbajtjen atdhetare është “Çështja e alfabetit” (Revista “Albania”, Londër, nr. 4, 1905). Asdreni tregohet erudit, njohës i historisë së abetares shqipe që nga Bogdani deri në ditët që ai shkruan. Autori nënvizon idenë-tezë, sipas së cilës gjuha është e lidhur me qenien e kombit. Ndonëse ka disa vërejtje, Asdreni është për fjalorin e shoqërisë “Bashkimi”, për “një abetar të thjeshtë latin”. Ai është i mendjes se me zgjedhjen e caktimin e një “abetari të përgjithshëm”, që të marrë zgjidhje çështja e gjuhës “duk’i bashkuar të dy dialektet, toskë e gegë”.
Shkrimi “Përgjigje gazetës “Pirros” (“prej një ortodoksi”), botuar në gazetën “Drita” të Sofjes më 5 nëntor 1904, është një pamflet i shkruar me mjeshtëri. Pas një hyrjeje të drejtpërdrejtë, autori, përgjigjet me një ligjërim të fuqishëm, saqë kundërshtarin nuk e le të marrë frymë. Shkrimi karakterizohet nga argumenti bindës, nga logjika e fortë, nga mendimi i ngjeshur, meditimi, ironia e sarkazma.
Po ashtu, me atë frymë lufton edhe kundër “Parisë”, që “ e solli vendin në këtë ditë”, duke ngritur kështu një aktakuzë publike. E padit parinë përgjegjëse për emigrimin masiv të shqiptarwve nga atdheu. “U mbush Misiri, u mbush Greqia, u mbush Rumania,-ngre zërin Asdreni-, nuk gjen fshat pa mos gjetur shqiptarë…”. Dhe u drejtohet atyre që mendojnë vetëm për xhepat e tyre: “Mjaft, pra, zotërinj, me të këtlla sjellje; mjaft me shpinën unjur përpara armikut; mjaft me fjalë të erës se u doli kallaji. Mentohuni se jeni shqiptar…!”.
Jani M. Lehova qëkur përgatitej për botimin e gazetës “Atdheu”, që e nxorri në qarkullim në Konstancë të Rumanisë, iu drejtua Asdrenit për një shkrim përurues. Poeti publicist pranoi dhe i dërgoi artikullin “Qeveria otomane dhe shqiptarët”. Në të, duke argumentuar se së shpejti Shqipëria do të festojë shkëputjen nga Stambolli, iu drejtua Portës së lartë me paralajmërimin se për ta “fundi nuk do të jetë i pëlqyer”. (Gazeta “Atdheu”, nr. 1, gusht 1912.
4. Kontribut të dukshëm në mjeshtërinë publicistike
Lëvroi essenë, artikullin, komentin, pamfletin, reportazhin dhe shënimin publicistik. Shquhet sidomos për shtjellime të natyrës polemike. Mjaft prej tyre kanë tiparet e llojit-pamflet. Ato karakterizohen nga një stil i shtruar, hyrje në thelbin e problemit, pa hallkatje s tërsgjatje. Artikujt e tij kanë përgjithsisht ekulilibër logjik e profesional në raportet fakt-ide, fakt-intepretim.
Ai shfrytëzon aftësitë e tij krijuese letrare edhe në shkrimet publicistike si “Mësuesi im”, “Independenca shqiptare”, “Kujtime nga Shqipëria”, etj. Në ta faktet konkrete, ngjarjet, detajet jetësore pasqyrohen me ndjesi lirike. Lirizmi nuk gjen shprehje vetëm në përshkrimin e peizazheve të natyrës, por edhe në vizatimet e mjediseve shoqërore, në portretizimin e tipave shoqërorë, të gëzimeve e shqetësimeve të tyre.
Me vend përdor mjetet e figurshme letrare (“Që ta nxjerrim në liman anijen që ndodhet në rrezik”), pyetjet retorike, arsenalin e urtësisë popullore, jo rrallë duke formuluar sentenca si “Shqiptarët para kanuneve duhet të jenë një”. Ashtu si në poezi, edhe në publicistikë është krijues, mjeshtër në shfrytëzimin e elementëve të letërsisë, jo vetëm në përshkrimet e peisazheve të natyrës, por edhe ne vizatimet e mjediseve njerëzore, në portretizimet e tipave shoqërorë, duke pasqyruar botën e brendshme, mendimet, shqetësimet, idealet e tyre. Ai shfaqet si një hulumntues e njohës i problemeve që trajton, i njerëzve dhe i mjediseve shoqërore që përshkruan. Mjetet letrare gjuhësore e stilistike që përdor e ndihmojnë për t’u dhënë forcë ideve dhe tipave shoqërorë.
Shkrimet e tij nuk rrjedhin qetë-qetë përmes “lëndinave”, por kanë ngarkesa emocionale, ritëm, jetë. Fraza e përpunuar, përpiqet dhe shpesh ia arrinë qëllimit të shfrytëzojë me vend shprehje e fjalë popullore, si “Mbrohen që të mos u pritën thonjtë”, “s’u ndjehet zëri fare”; shprehje të figurshme, si “…ta nxjerrin në liman anijen që ndodhet në rrezik”; bashkëbisedon lirshëm me lexuesit; ironik me armiqtë e Shqipërisë, si në rastin e disa grekomanëve, “këshilltarë”, që sugjeronin alfabet helen edhe në gjuhën shqipe etj.
Autori polemizon duke përdorur si mjete retorikën publicistike për të kundërshtuar me argumente dhe për të mundur kundërshtarët politikë e ideologjikë. Shpreh me mjeshtëri dhe me masë ironinë e sarkazmën therëse në polemikën e vet, aq sa në disa shkrime është vështirë të dallosh artikullin nga pamfleti. Në shkrimet në formën e kujtimeve, si “Mësuesi im”, “Indipendenca shqiptare”, “Kujtime nga Shqipëria” është i frymëzuar, përshkruan me ndjenja e lirizëm të thellë dhe detaje jetësore, interesante. Ndjehet forca poetike e autorit edhe në reportazhet “Shkodra”(Përshtypje) ose pershkrimet “Shqipëria” e “Liqeni i Prespës”
* * *
Publicistika e Asdrenit është e vlertë prandaj u mirëprit nga redaktorë drejtues të shtypit shqiptar, por edhe rumunë, bullgarë, egjiptian, italianë etj, ku janë botuar shumë artikuj, esse, letra, pamflete, permes të cilëve është njohur Shqipëriia dhe kombi shqiptar. Në të njëjtën kohë, ky publicist, ka ngritur një varg problemesh në qarqet e ndryshme politike e diplomatike, shtetërore e kulturore të Ballkanit dhe të disa vendeve të Evropës. Kështu, Asdreni i kalon caqet e një publicisti shkrimtar, duke u radhitur me figurat më të njohura të publistikës bashkëkohëse në Ballkan dhe në disa shtete të Evropës.
Drenovari, poet i lirikave të ndjeshme, botonte në mediat e ndryshme shqiptare artikuj publicistikë, ku shprehte pikëpamjet, mendimet e veta për ngjarjet e zhvillimet kombëtare edhe tej komunitetit shqiptar në Rumani e shtete ballkanike, në Belgjikë, në Bullgari, në Egjipt, Itali, etj.
Iishte i mirëpritur nga botuesit e të përkohshmeve shqiptare “Albania” e Konicës, “Drita” e Sofjes, “Toska” e Misirit (Egjipt), “Atdheu” i Konstancës (Rumani), “Liri e Shqipërisë” e Kristo Luarasit (Sofje, Bullgari), “Shqipëria”, Konstancë (Rumani)
Asdreni u muar me publicistikë pareshtur deri nga mesi i viteve ’20 të shekullit XX, pasi, pas dështimit të Revolucionit të Qershorit më l924, pësoi një traumë, një rënie, duke humbur shpresat për përmbushjen e idealeve, aqsa u shpreh se “vegjëlia nuk mund t’i arrijë qëllimet e veta. Në disa raste, i ndikuar edhe nga mjedisi i jetës në mërgim, kalon edhe në njëfarë idealizimi të jetës në vendet e zhvilluara.
