Policia e Shtetit duket se ka bërë një hap pas nga metodat e saj të përballjes me protestuesit, veçanërisht në trajtimin e të miturve si dhe kontrollin arbitrar të telefonave të tyre.
Përmes një shkrese të datës 22 tetor, të rrjedhur në media, zv.drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Tiranës u kërkon shtatë komisariateve të kryeqytetit dhe atij të Krujës që të respektojnë legjislacionin penal për të miturit gjatë shoqërimit, kontrollit dhe marrjes së deklarimeve të tyre.
Gjatë protestave të dy javëve të fundit, qindra të mitur u ndaluan apo proceduan penalisht nga Policia e Shtetit, por një pjesë e arrestimeve u konsideruan të paligjshme nga Gjykata, ndërkohë që Avokati i Popullit monitoroi raste të shkeljeve ligjore në trajtimin e tyre.
Një ndër problemet e konstatuara ishte dhë kërkesa e punonjësve të policisë për zhbllokimin e telefonave të lëvizshëm dhe lejimin e kontrollit të të dhënave personale. Juristë dhe përfaqësues të shoqërisë civile e konsideruan kontrollin pa autorizimin e nevojshëm të dhënë nga gjykata, si cenim të ligjit dhe të së drejtës për privatësi.
Në shkresën për marrjen e masave, që rrodhi në media të hënën, kërkohet që çdo punonjës policie në detyrë të jetë lehtësisht i identifikueshëm, me numër identifikues të dukshëm, si dhe identifikim të automjeteve në çdo operacion.
Po ashtu, kërkohët që në bashkëpunim me Bllokun e Sigurisë të merren masa urgjente për menaxhimin e rasteve të të miturve, me qëllim zvogëlimin e menjëhershëm të numrit të personave dhe transferimin e tyre brenda kapacitetit ligjor.
Komisariateve u kërkohet gjithashtu që të mundësojnë sigurimin e kamerave dhe vendosjen e tyre në çdo ambient shoqërimi dhe intervistimi, në çdo zyrë, me ruajtjen e pamjeve, si dhe ruajtjen e menjëhershme të pamjeve të datës 19 tetor 2026.
“Të mos kryhet asnjë kontroll i telefonave pa urdhër gjyqësor dhe asnjë kërkesë për fjalëkalime pa bazë ligjore. Të sigurohet në çdo rast prania e prindit ose kujdestarit dhe psikologut për çdo të mitur, formulimi i të drejtave në versionin për të mitur, para çdo pyetjeje, si dhe regjistrimi i veçantë për të mitur”, citohet në shkresë.
Po ashtu, u kërkohet strukturave të policisë që veprojnë në terren gjatë protestave që të njihen me aktet ligjore mbi përdorimin proporcional të forcës dhe gazit lotsjellës, si dhe të plotësohen regjistrat e shoqërimit me të gjitha të dhënat e kërkuara. “Merrni masa për sa kërkohet në shkresë, si dhe për zbatimin korrekt të detyrimeve ligjore për sa u përket të miturve,” thuhet në shkresën e firmosur nga zv.drejtori për Sigurinë Publike, Edmond Meshini.
Reporter.al
