Izet Çulli e Kastriot Hadëri
Botuar në DITA
Sevo Tarifa u lind nga Savo e Jano Tarifa, prej nga më pas kanë lindur përplot të rinj: nip, mbesa e stërnipa dhe stërmbesa. Kjo familje e nisi rrugën e vet nga Mashkullora e Gjirokastrës dhe sot është shpërndarë në një gjeografi të gjerë në Shqipëri e në botë. Por jeta e Sevos nuk ishte siç do ta dëshironte çdo fëmijë.
Në djepin e varfërisë
Babai i tij, Jano, mori rrugët e kurbetit, kur djali i ardhshëm ishte në barkun e nënës. Shkoi në Argjentinën e largët si emigrant ekonomik. U kthye pas tri dekadash. Jetim u rrit Sevoja, po me baba gjallë.
Ishte nxënës shembullor, i urtë, i zellshëm; mësuesi i tij i parë ishte Ahmet Idrizi, një nga ata mësuesit e rrallë që e shkrinë veten si qiriri për të ndriçuar të tjerët.
Për kushtet e asohershme ekonomike të familjes, ndonëse djalë i vetëm, Sevo nuk e vazhdoi shkollën. Ai u konsiderua si një burrë i vogël i shtëpisë dhe në kushtet e varfërisë ç’nuk provoi në kurriz, si bujk, bari, usta në Gjirokastër, ku vidhte ndonjë zanat, siç është ai i marangozit, më tej punëtor krahu në rrugën që ndërtohej aty teposhtë fshatit e në mirëmbajtje, duke shtyrë karrocën, apo me lopatë, në duart e tij të njoma. Me vete kishte një copë bukë misri me djathë. Profesionet e tij të rastësishme nuk kishin të sosur deri në shitës dyqani, shërbyes në një familje gjykatësi, çirak, këpucar e më tej në Tiranë në një furrë buke. Për pak kohë shërbeu në familjen e shkrimtarit Haki Stërmilli e të mjekut Reiz Fico, pastaj kamerier, gështenjapjekës gjatë viteve të para të Luftës.
Kohët ndryshuan. Nisën veprimet në ilegalitet për të shpërndarë trakte e komunikata; qysh kur ishte në fshat e mandej në Vlorë e Tiranë. Merr pjesë në grupin edukativ (fundviti 1942) dhe futer në rininë komuniste. Tri herë iu rrezikua seriozisht jeta, i përndjekur nga fashistët, po edhe nga xhandarët e kudondodhur.
Në luftën partizane
Në një nga ato ditë të pazakonta niset nga Tirana për në Mashkullorën e tij, ku qëndroi i fshehur. Me ato lekë, që kishte fituar në kryeqytet, bleu një mushketë italiane dhe pas disa ditësh largohet fshehtas nga shtëpia (24 mars 1944), pa mundur të takonte as nënën Savo.
Kaloi nga beteja në betejë, në operacionet në qarkun e Gjirokastrës, e më pas në Vlorë, i inkuadruar në Brigadën e VI Sulmuese. Më pas Sevoja u hodh në Shqipërinë e Mesme dhe pastaj në atë të Veriut, ku si gjithnjë jorgan kishin qiellin, dyshek tokën dhe për jastëk gurin!
Lufta ka vështirësitë e veta, ku kërkohet trimëri e guxim, rregull e disiplinë, vigjilencë dhe shpejtësi në kohën e duhur si edhe një vlerësim të situatës e cila ndryshon nga çasti në çast. Po rruga drejt lirisë asnjëherë nuk është e shtruar me lule.
Sevo Tarifa u transferua në shtabin e divizionit të II partizan, ku u caktua në një detyrë jo të lehtë në atë të korrierit. Ruajtja e sekretit ishte e shenjtë; keqdashësit e simulantët mund të të bënin gjëmën.
Ai shkoi më pas në Veri të Shqipërisë, me dy brigadat e VII dhe XXII që vazhduan mësymjen përmes alpeve në Kukës – Pukë – Shkodër. Përballjet e mëtejshme u shtrinë në Malin e Zi, në ndjekje të ujkonjës së egër naziste në tërheqje e sipër.
Kthimi për në Shqipëri, s’ishte aq i lehtë në kushtet e motit dhe të papriturave që sillte një udhëtim i tillë më këmbë deri në Shkodrën e çliruar. Sevoja aty qëndroi një vit, ku e gjeti edhe votimi i 2 dhjetorit 1945 e në ato ditë u nis për në Mashkullorën e tij të dashur ku kishte gjyshen dhe nënën.
Pas çlirimit
Jeta e Sevos vazhdon përsëri e vrullshme, aktive, e gjallë. Mbasi u çmobilizua nga ushtria si rezervist (1946), bëri punë të ndryshme: Sërish në Rruga – Ura, me lopatë.
Më tej nisi punën e sekretarit teknik në Këshillin Sindikal, mandej në gjendjen civile në Këlcyrë, daktilografist në Komitetin qarkor të partisë e në Komitetin ekzekutiv të qarkut. Ai hapat i hidhte njëri pas tjetrit dhe ja u gjend drejtor i Radio Gjirokastrës. Në 1948 (prill) emërohet sekretar i Komitetit të rinisë të qytetit për disa vjet deri në Sekretar të parë, duke shkelur kësisoj çdo fshat dhe cep të rrethit.
Kryhej një punë e studiuar dhe e kualifikuar me përbërje të ndryshme shoqërore dhe etnike. Sevo krijoi përvojë të gjatë në këtë sektor, të cilën do ta shpaloste më pas në librat e tij. Ishte edhe koha kur ai krijoi familjen me gruan e parë Nedret Bajkon që u nda shpejt nga jeta, me të cilën pati djalin Melsi. U rimartua me Sofije Taçin dhe lindën tre fëmijë: Fatosin dhe dy vajza binjake: Dhuratën e Dritën.
Me rezultatet e mira që arriti në punë u transferua në qarkun e Elbasanit për gati dy vjet, ku duhet të njihej me punën e rinisë në pesë rrethet e atjeshëm. Punët e problemet që duheshin zgjidhur ishin të shumta dhe vështirësoheshin nga lindja6 e fëmijëve të vet. Në këtë kohë një ngjarje e rëndësishme i gufoi zemrën: ardhja e babait të tij, Jano, mbas 30 vjetësh nga Argjentina (maj 1955).
Sevo ishte nga ata që “nuk i zinin këmbët dhé”. U dërgua në shkollën e Komsomolit në Moskë, dhe pas kthimit andej, nisi punë në Komitetin e rinisë në Durrës për dy vjet. Tanimë ai ishte bërë një “specialist” i mirëfilltë i punës delikate, por të bukur me rininë. Emërohet Sekretar i parë i rinisë në Tiranë, një punë e vështirë, por ai ia kishte marrë dorën dhe ia doli në këtë detyrë në kryeqytet, ku qëndroi për shtatë vjet.
Kur e pyet atë për punët që kreu në këto katër rrethe, ai të thotë se i konsideron si katër universitete, si ato të M. Gorkit. Vazhdoi me rininë, në funksione të larta të saj, për 20 vjet. Ishte faqebardhë e zemërdëlirë; këtë e dëshmon edhe pamja e tij e jashtme, mirësia që i endej në fytyrë. Në çdo hap që ka hedhur ka rrezatuar së pari me shembullin që jepte vetë.
Gjatë kësaj periudhe ai ka shkuar në mbi 1100 fshatra anembanë Shqipërisë. Natyrisht do të vinte një ditë që do të largohej nga puna me rininë, të cilës iu përkushtua me mish e me shpirt.
Nisi punën si nënkryetar i Komitetit ekzekutiv të Tiranës, një rreth që kishte shumë probleme për t’u zgjidhur, si ato të punësimit, strehimit, shkollimit. Por kur ke dëshirë të punosh, ia del mbanë çdo detyre.
Shkoi përsëri në qytetin e Gjirokastrës për disa vjet. Janë tepër të rralla rastet kur një kuadër të ketë pasur kaq shumë transferime në jetën e vet sa Sevo Tarifa. Nisi paskëtaj veprimtarinë në Komitetin qendror të partisë për 20 vjet qysh prej 20 marsit 1970; sekretar i Enver Hoxhës, redaktor në botimin e veprave të tij. Ka patur me të biseda, disa nga të cilat i ka hedhur në ditarin e tij.
Në 1969 botoi librin “Mbi dashurinë, martesën dhe familjen socialiste”, ndër librat e parë të tij. Qysh para viteve ’90 ai ka publikuar veç artikujve nëpër gazeta e revista, 8 libra me problematikat e kohës, të cilat më pas morën rrugë të mbarë në 150 tituj.
Për 5 vjet ishte në sekretarinë e Enver Hoxhës dhe më vonë në sekretarinë e botimit të veprave të tij, ku duhej kryer një punë të vëllimshme. Njëri pas tjetrit u bënë gati për botim në kohën e tij nga vëllimi 17 te 71-shi, si edhe mjaft botime monografike për tema të brendshme dhe ato të arenës ndërkombëtare, të cilat asohere ishin mjaft të mprehta e të njohura në vend e jashtë shtetit. Mjaft prej tyre u përkthyen në disa gjuhë të huaja. Për këto vepra Sevoja ka bërë me qindra biseda e ligjërata anekënd atdheut me atë maturinë dhe oratorinë e tij të njohur.
Një jetë aktive në pension ka bërë ai edhe pasi u shkëput nga puna e përditshme zyrtare, duke shtuar numrin e faqeve të lexuara, të qëmtimeve e të përjetimeve nga jeta, të cilat më pas do t’i hidhte në dhjetëra libra të tij.
Shpirti nuk iu nda për asnjë çast nga veteranët e shumtë si brenda dhe jashtë atdheut. Sevoja ka shkuar e ka takuar mjaft prej tyre si në Austri, Francë, Zvicër, Belgjikë, Luksenburg, Kanada, Sh.B. A, Islandë etj., ku preku nga afër jetën e gjallë në ato vende e përshtypje të atilla i hodhi nëpër libra.
Puna krijuese
Ky është një kapitull i ri në jetën e Sevo Tarifës, sidomos pas daljes në pension. Ai është shprehur se: “Arkivin që kemi në kokë të mos e marrim me vete”. Dhe iu shtrua punës me një pasion rinor e të pashtershëm. Vepra e tij kryesisht publicistike, memuaristike, studimore etj është e gjerë; madje ka provuar jo pa sukses edhe romanin (“E kuqja” dhe fabulën “Ç’ke bilbil që t’u zu gryka?!”)
Librat e tij janë vlerësuar nga një numër i madh autorësh si D. Agolli, Rr. Dervishi, L. Deda, S. Hasko, P. Koçi, R. Bedo, Dh. Shtëmbari, Xh. Çeli, A. Kote, O. Porodini, K. Kristafi, D. Mustafai, H. Hako, N. Ligori, Z. Golemi, E. Puto, M. Guga, K. Pogaçe, F. Kulli, e shumë të tjerë nëpër vite.
Ai me korrektësinë e vet karakteristike u është përgjigjur atyre me letra, shënime falënderuese, madje ka botuar edhe libër me ato mendime, sepse ato e kanë nxitur dhe më tej. Disa nga titujt e librave janë “Dhomëzat e zemrës”, “Nëpër dallgët e luftës”, “Lule të gjalla”, “Vallja e luleve”, “Fjalë e valë”, “Stinë të një jete”, e sa të tjera si këto.
Sevo Tarifën mund ta konsiderojmë sociolog, psikolog, publicist, shkrimtar, portretist, historian, biograf. Ak lexohet me lehtësi, se shkruan qartë, kuptueshëm, thjesht. Sot flitet me të drejtë për bibliotekën me emrin “Sevo Tarifa”.
Natyrisht jetën e pasur të njerëzve të veçantë si ai është e vështirë ta përmbledhësh dhe ta vizatosh në një shkrim gazete.
Edhe pse kaloi 95 vjetët, Sevo kishte një kujtesë të admirueshme. Ai ka botuar për rininë, veteranët, dëshmorët, shokët e punës e të jetës, për familjen, fshatin Mashkullorë, për bashkëfshatarët e vet dhe më gjerë.
Në bibliotekën e tij do të gjesh me dhjetëra blloqe shënimesh e refleksionesh, të cilat nuk e dimë se kush dhe kur do t’i gërmojë, për të mësuar nga përvoja e një njeriu vullnet-hekurt.
Ai ishte një baba, gjysh e stërgjysh shembullor.
Për Sevo Tarifën mund të shkruash shumë dhe mendon sërish se kurrë nuk mund t’i shprehësh të gjitha. Një NJERI i përplotësuar me virtyte të larta, punëtor i palodhur i penës, masovik dhe i dashur që kurrëkujt s’i ka bërë keq dhe nuk i ka hyrë në hak. Na ka sjellë si të gjallë me dhjetëra heronj e dëshmorë, veteranë, njerëz të thjeshtë të punës së ndershme nëpër vite e dhjetëvjeçarë.
Një intelektual që me siguri do të jetë përherë si një përmendore e dashur për sot dhe brezat që do të vijnë…