Zëvendësministri i Brendshëm, Andi Mahila, në një lidhje ‘skype’ për studion e Report TV, teksa foli për aksionin e SPAK në kampin e muxhahedinëve në Manzë, tha se këta të fundit ishin paralajmëruar vazhdimisht për shkeljen e marrëveshjes së firmosur me qeverinë shqiptare. Mahila tha se gjatë 10 viteve të fundit në vazhdimësi anëtarët e organizatës së MEK kanë kryer veprime të cilat binin ndesh me pikat e dakordësuar me qeverinë shqiptare.
Ai theksoi se komunikimi me përfaqësuesit e MEK kanë qenë të vazhdueshme ndërsa theksoi se mëngjesin e sotëm para nisjes së aksionit në kampin e muxhahedinëve në Manzë, drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku u takua me përfaqësuesit e MEK për t’i informuar mbi aksionin. “Sot drejtori i Policisë së Shtetit, para se të niste aksioni, e ka filluar me takimin që ka patur që në orën 08:00 të mëngjesit me drejtuesit e vendbanimit ku ata qëndrojnë. Kështu që komunikimet tona me ta kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme. Nuk ka çaluar marrëdhënia”, theksoi ai.
