Kritikët e Bashkimit Evropian shpesh herë e përcaktojnë atë si një aparat institucional i vetmi në llojin e tij, i përbërë nga teknokrat dhe ekonomist, pa një identitet dhe shtrirje territoriale të mirë përcaktuar, ku vështirë se gjen një qytetar të tijin të sakrifikojë jetën për ta mbrojtur dhe që akoma nuk ka mësuar të flasë në një zë të vetëm. Përkundër kësaj, kur vjen puna për të pranuar anëtarin e ri në rrethin e tyre, gjithçka shqyrtohet në imtësi dhe frenohet nëse secili nga vendet anëtare nuk plotëson “tekat e veta”, deri sa të gjithë së bashku vendosin.
Politika e zgjerimit vijon të jetë një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se procesi i ndërtimit nuk ka përfunduar, pra territori në të cilin do të ushtrojë pushtetin entiteti “gati shtetëror” është akoma i pa-definuar. Në dallim nga e shkuara, ku pushteti i një shteti imponohej përmes luftës, pushtimit të territorit të një shteti tjetër, në rastin e BE-së, kjo arrihet në mënyrë paqësore, vullnetare nga shteti objekt i përfshirjes territorial, i cili për më shumë, duhet të ndajë dhe/ose plotësojë vlerat themelore të kësaj bashkësie.
Kjo maksimë u aplikua kryesisht për vendet e Evropës post-komuniste: tashmë një pjesë e konsiderueshme e tyre janë pjesë e Bashkimit Evropian, (si Lituani, Estoni, Letoni, Slloveni, Çeki, Poloni Sllovaki, Hungari, Bullgari, Rumani dhe Kroaci), ndërsa të tjerët kryesisht, vendet e Ballkanit Perëndimor (Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut – plus Turqi), kandidat potencial.
Zgjerimi bazohet në artikullin 49 dhe 2 të Traktateve të Bashkimit Evropian, konkretisht: artikulli 49 siguron bazën ligjore për çdo shtet evropian që dëshiron të anëtarësohet në BE; ndërsa artikulli 2 përcakton vlerat mbi të cilat është themeluar BE-ja.
Pikat kyçe për të qenë kandidat i përshtatshëm për në BE janë: së pari, vendi kandidat të jetë një shtet evropian; dhe së dyti, të përkushtohet në respektimin e vlerave, në veçanti dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit – respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave, respekt për një shoqëri të karakterizuar nga pluralizmi dhe mos-diskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia midis grave dhe burrave etj.
Gjithashtu, vendi kandidat duhet të përmbushë kriteret e pranimit të BE-së, të cilat zakonisht njihen si kriteret e Kopenhagës, siç përcaktohet nga Këshilli Evropian i cili u zhvillua në Kopenhagë në Qershor 1993. Këto kritere janë: prania e institucioneve të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, respektimin e pakicave dhe mbrojtjen e tyre; ekzistenca e një ekonomie të besueshme tregu dhe aftësia për të përballuar forcat e tregut dhe presionin konkurrues brenda Bashkimit; aftësia për të marrë përsipër dhe zbatuar në mënyrë efektive detyrimet që lidhen me anëtarësimin, duke përfshirë objektivat e unionit politik, ekonomik dhe monetar.
Këshilli Evropian i cili u zhvillua në Madrid në Dhjetor 1995, shtoi se, vendi kandidat duhet të jetë në gjendje të zbatojë ligjin e Komunitetit dhe duhet të jetë në gjendje të sigurojë që, ligji Komunitar, i integruar në ligjin kombëtar, të zbatohet në mënyrë efektive përmes strukturave të përshtatshme administrative dhe gjyqësore. Ndërkohë që BE-ja rezervon të drejtën të vendosë kur vendi kandidat ka përmbushur kriteret e pranimit. Për më tepër, vetë Bashkimi Evropian duhet të jetë në gjendje të integrojë anëtarin/anëtarët e rinj.
Procedurat ose procesi i anëtarësimit është një aspekt tjetër kompleks, i cili kërkon, ndër të tjera, kohën e vet për t’u zbatuar. Shkurtimisht ato mund të përmblidhen kështu:
1). Aplikim: vendi evropian që plotëson kriteret e përcaktuara në artikullin 2 të sipër përmendur, paraqet një kërkesë zyrtare në Këshillin e BE. Këshilli informon Parlamentin Evropian, Komisionin Evropian dhe parlamentet kombëtare për kërkesën për anëtarësim; 2). Komisioni Evropian jep vlerësimin e tij mbi aplikantin: pas konsultimit me Këshillin e BE-së, Komisioni Evropian lëshon një opinion mbi kërkesën e vendit për anëtarësim në BE; 3). Statusi i kandidatit: statusi i vendit kandidat jepet nga Këshilli i BE pas një mendimi nga Komisioni dhe është subjekt i miratimit nga Këshilli Evropian; 4). Negociatat: negociatat hapen pas një vendimi unanim nga Këshilli i BE. Ato zhvillohen gjatë konferencave ndërqeveritare midis qeverive të vendeve të BE-së dhe të vendit kandidat. Acquis (trupi i legjislacionit të BE-së) ndahet në fusha të politikave me qëllim organizimin e negociatave në mënyrë efektive. (Aktualisht ekzistojnë 35 fusha të politikave ose ‘kapituj tematikë’). Këshilli i BE mund të vendosë standarde për hapjen ose mbylljen për të gjithë kapitujt tematikë ose standardet e përkohshme për kapituj të veçantë. Vendimi për krijimin e standardeve bazohet në një raport të sondazhit që rezulton nga ushtrimi i shqyrtimit për kapitujt individualë. Një kapitull mund të mbyllet provizorisht vetëm kur vendi kandidat demonstron se ka zbatuar tashmë acquis të një kapitulli të veçantë ose se do ta zbatojë atë deri në datën e pranimit dhe ka përmbushur standardet ku ato janë vendosur. Gjatë fazës së para-anëtarësimit, Komisioni ndjek përpjekjet e vendeve kandidate në zbatimin e acquis. Ai gjithashtu ndihmon vendet kandidate në proces me instrumentet e para-pranimit të financimit të tilla si TAIEX.[1] Komisioni informon Këshillin e BE-së dhe Parlamentin Evropian gjatë gjithë procesit, veçanërisht përmes paketave vjetore të zgjerimit të përbërë nga një dokument strategjik horizontal në formën e një komunikimi të politikës së zgjerimit dhe raporteve të vendeve. Këto dokumente diskutohen në Parlamentin Evropian, i cili paraqet vëzhgimet e tij në rezolutat e miratuara nga plenari. Vendi kandidat harton gjithashtu programe vjetore kombëtare në të cilat vlerëson gjendjen e tij të zbatimit në lidhje me kapitujt e ndryshëm të acquis; 5). Aderimi: sapo negociatat e pranimit të përfundojnë pas mbylljes përfundimtare të të gjithë kapitujve në një paketë, hartohet një traktat pranimi, i finalizuar nga një konferencë e vendeve anëtare të BE-së. Anëtarësimi duhet të miratohet nga Këshilli i BE-së njëzëri dhe duhet të marrë aprovimin e Parlamentit Evropian. Traktati nënshkruhet më pas nga secili prej vendeve anëtare të BE-së dhe vendi i pranimit. Para hyrjes në fuqi, Traktati i Anëtarësimit duhet të ratifikohet nga secili shtet anëtar i BE-së dhe nga vendi i pranimit, në përputhje me procedurat e tyre përkatëse kushtetuese.
Për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor BE ka parashikuar një proces të veçantë për shkak edhe të prapambetjes dhe problematikave shumë dimensionale që mbart ky rajon. Marrëdhëniet midis BE-BP zhvillohen brenda një kornize të njohur si procesi i Stabilizimit dhe Asocimit i cili ka tre qëllime: 1. Stabilizimi politik dhe tranzicion i shpejtë drejt një ekonomie tregu; 2. Promovimi i bashkëpunimit rajonal; 3. Anëtarësim eventual në BE. Ky proces ofron një ndihmë vendeve të interesuara për të ndërtuar kapacitete, për të miratuar dhe zbatuar ligjin e BE-së, standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Në muajin Shkurt 2018, Komisioni Evropian miratoi strategjinë e Ballkanit Perëndimor, e cila e sintetizuar përcaktonte një Plan Veprimi me gjashtë nisma kryesore në fusha specifike me interes të përbashkët si: 1. sundimi i ligjit; 2. siguria dhe migracioni; 3. zhvillimi socio-ekonomik; 4. lidhja e transportit dhe energjisë; 5. axhenda dixhitale; 6. pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Aktualisht, përveç Kosovës ku Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit hyri në fuqi në muajin Prill 2016, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë përfunduar këtë fazë, konkretisht: Serbia (2014), Mali i Zi (2012), plus Turqia (2005) kanë hapur negociatat (kapitujt e acquis); Shqipëria (2014) dhe Maqedonia e Veriut (2005) kanë marrë statusin e vendit kandidat dhe janë në pritje të vendimit të Këshillit në lidhje me hapjen e negociatave të pranimit; Bosnja – Hercegovina (2016) ka aplikuar dhe është në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat.
Çështja e nacionalizmit është në qendër të dy kontradiktave kryesore në politikën e sotme të Bashkimit Evropian. Në këtë pikë të analizë na intereson marrja në shqyrtim e kontradiktës të parë, pra që “projekti i bashkimit mbikombëtar realizohet përmes shteteve kombëtare, por duke zhdukur nacionalizmat e ndërlidhura”. Nga këndvështrimi i BE, kjo do të thotë që të paktën vendi aspirant duhet të ketë zgjidhur të gjitha problematikat e karakterit nacionalist, në sensin e ngushtë të fjalës (territorial, minoritar, identitar) me vendet fqinje dhe/ose me vendet anëtare. Vlen të theksohet se secili prej vendeve kandidate apo aspirantë të trajtuar më sipër vazhdon të ketë probleme të brendshme ose të jashtme të karakterit nacionalist në nivele të ndryshme konkretisht,
Bosnje-Hercegovina: Me shpalljen e pavarësisë nga ish-Jugosllavia (1992) dhe përfundimin e konfliktit, më të egër në territor evropian pas Luftës së Dytë Botërore, përmes ndërhyrjes së OKB, NATO e SHBA, arriti të formojë, si rezultat i Marrëveshjes së Dejton (1995), shtetin federal shumë etnik të pavarur e të njohur ndërkombëtarisht. Aktualisht kjo marrëveshje paqe, për shkak të kompleksitetit të saj, sidomos sa i përket organizimit dhe funksionimit të shtetit, është bërë objekt kritikash sipas të cilave sistemi Dejton është shndërruar në një pengesë reale në zhvillimin e vendit, dhe që gjeneron kriza etno-politike: ky sistem është shfrytëzuar nga partitë etno-nacionaliste dhe duhet të ndryshohet, nëse vendi dëshiron të funksionojë në mënyrë më efikase dhe të ndjekë reformat që i kërkohen për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe për të siguruar stabilitet dhe progres ekonomik.
Tre komunitetet kryesore në vend (boshnjak, serb dhe kroat) të ndarë në dy entitete (Federata me shumicë boshnjake-myslimane dhe kroate, dhe Republika Serbska me shumicë serbe) dhe në një distrikt (Brcko me etni të përzier) janë larg gjetjes së harmonisë, si pasojë edhe e retorikës nacionaliste të propaganduar nga përfaqësuesit e tyre politik.
Opsionet që serviren varjojnë midis të mos bërit asgjë, kërkesave për reforma thelbësore të kushtetutës në funksion të zgjerimit të pushtetit qendror dhe zhbërjes së Dejtonit në funksion të inicimit të procesit të ndarjes, ky i fundit i mbështetur kryesisht nga partitë nacionaliste të cilat kërkojnë bashkim me Kroacinë apo Serbinë.
Serbia: Si ish qendra e federatës Jugosllave, Serbia mund të etiketohet si vendi ku pretendimet të karakterit nacionalist janë më të zhvilluara. Në këtë linjë Serbia është i vetmi vend, kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili ka pretendime të karakterit shovinist në kushtetutën e vet dhe që deri diku politika zyrtare mbështet qasjen e revizionimit të kufijve të vet, kryesisht, në dëm të shteteve të tjera (Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë), kjo sipas tyre, për të korrigjuar një padrejtësi që i është bërë në tre dekadat e fundit nga Perëndimi.
Serbia ka një traditë të gjatë të qeverive me qasje nacionaliste, politika e të cilëve ka gjetur përkrahje, jo vetëm te pjesa dërmuese e qytetarëve serb, por edhe të Kishës Ortodokse Serbe përmes promovimit dhe amplifikimit të këtyre politikave. Shpesh herë këta të fundit janë bërë udhërrëfyes për vendimmarrësit e politik bërësit, madje kanë shkuar edhe kundra politikës zyrtare dhe interferuar në zhvillimet e brendshme të vendeve të tjera.
Një aspekt tjetër, që ndoshta nuk lidhet drejt për drejt me nacionalizmin serb, është fakti se ndryshe nga të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, politika e Beogradit zyrtar është e orientuar qartazi në një pozicion neutral sa i përket influencave gjeopolitike: në rrafshin ndërkombëtar Serbia ruan një barazlargim dhe “autonomi” si nga perëndimi, nënkupto NATO, ashtu edhe nga lindja (nënkupto Rusia-Kina). Ndoshta kjo qasje, aktualisht nuk përbën problem për Bashkimin Evropian, por në një të ardhme, kur Serbia do të jetë anëtar me të drejta të plota, më e pakta, do të shtojë disonancën e BE në lidhje me qëndrimet e saj në politikën e jashtme.
Mali i Zi: Konsiderohet një shtet, politikanët e të cilit kanë mbajtur më së shumti qëndrime pragmatiste se sa nacionaliste. Pas shkëputjes të qetë nga ish-Jugosllavia (2006), Mali i Zi ndërmori një seri reformash pozitive të brendshme dhe të jashtme, dhe një progres në kuadër të relaksimit të marrëdhënieve me vendet fqinje.
Pas pothuajse një dekade nga data e shpalljes së pavarësisë ky vend kërkoi dhe arriti të integrohet në NATO. Mali i Zi zgjidhi në mënyrë paqësore demarkacionin me Kosovën dhe konfirmoi ato me vendet e tjera (Shqipëri, Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci). Aktualisht është vendi i cili më së shumti ka avancuar në plotësimin e kapitujve të acquis.
Si një vend i vogël, problematike në aspektin e sovranitetit kombëtar malazez vlerësohen ndërhyrjet serbe në politikën e brendshme, kulturë dhe religjion. Kjo situatë amplifikohet edhe për shkak të veprimtarisë së minoriteteve dhe subjekteve politike filo-serbe. Ndërkohë që minoriteti shqiptar i Malit të Zi nuk ka ngritur shqetësime thelbësore të karakterit diskriminues, apo në lidhje me bashkëjetesën ndëretnike, kjo të paktën në dekadën e fundit.
Mund të thuhet se Mali i Zi paraqitet më pak problematik nga këndvështrimi nacionalist, por sidoqoftë potencialisht i kërcënueshëm dhe burim tensionesh për shkak të polarizimit të shoqërisë në pro Perëndimore dhe pro Lindore.
Kosova: Shteti më i ri në gjirin e Evropës, por që akoma nuk është njohur nga shumica e kombeve ekzistuese për të qenë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe e organizmave të tjerë ndërkombëtar politike e të sigurisë. Gjithashtu, edhe pse pavarësia e Kosovës (2008) u njoh nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila deklaroi se, ky akt nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, sovraniteti i Kosovës mbetet i cunguar si pasojë e mbetjes në fuqi të Rezolutës 1244. Pushtetarët kosovarë mbështetën Paketën Ahtisari si udhërrëfyes për organizimin, funksionimin dhe adresimi i disa nga problematikat që prekin këtë vend, sidomos sa i përket mosmarrëveshjeve me Serbinë.
Edhe pas më shumë se një dekade nga shpallja e pavarësisë, shteti i Kosovës vijon të ketë të njëjtat probleme me Serbinë – pretendime ekzistenciale (mos njohja e realitetit të formimit të shtetit të Kosovës) dhe territoriale (Kosovës vijon të konsiderohet, në kushtetutën serbe, pjesë integrale e tyre).
Kohët e fundit, por në një kontekst tjetër, edhe nga pushtetarët kosovarë janë artikuluar pretendime territoriale ndaj Serbisë si komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në të cilat jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptar. Retorika nacionaliste e politikanëve kosovarë merr tone shqetësuese sa herë që ajo provokohet nga fqinjët e saj verior.
Shpesh herë, vendimet të karakterit sovraniste-nacionaliste e drejtuesve të qeverisë, kanë shkaktuar reagime kundërshtuese nga faktori ndërkombëtar dhe për pasojë destabilitet politik dhe rënie të qeverive.
Gjithashtu, një nga partitë politike kryesore kosovare, Lëvizja Vetëvendosje, e cila në dekadën e fundit ka regjistruar një rritje progresive në elektorat, në statutin e saj, rezervon të drejtën Kosovës që të bashkohet me Shqipërinë, çka e ka mbuluar me një hije dyshimi nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtar dhe në analizë të fundit i ka kushtuar kësaj lëvizje politike mbështetjen e tyre.
Maqedonia e Veriut: Përmes marrëveshjes së Prespës (2018) arriti të zgjidhë mosmarrëveshjet me Greqinë, të cilat zgjasnin që nga koha e shpalljes së pavarësisë (1991) nga ish-Jugosllavia. Kontestimet e palës greke lidheshin kryesisht me emrin e shtetit, historinë, identitetin dhe ekzistencën e minoriteteve maqedonas në territorin e vet. Ky qëndrim kishte bllokuar procesin e aderimit në strukturat euro-atlantike dhe njohjen në nivel ndërkombëtar me akronimin FYROM.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut ka mosmarrëveshje të karakterit gjuhësor, historik dhe identitar me Bullgarinë të cilat nuk arritën të tejkaloheshin përmes marrëveshjes së fqinjësisë të mirë të nënshkruar midis dy vendeve në vitin 2017. Këto problematika bllokuan de facto zhvillimin e konferencës ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe BE në Dhjetor 2020-2023, për shkak të vetos bullgare. Këta të fundit pretendojnë që problematikat të zgjidhen jashtë kornizës së acquis.
Gjithashtu, përtej një përmirësimi të dukshëm të situatës të komunitetit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, si faktor shtet formues, sidomos pas konfliktit të vitit 2001, mbetet akoma shumë punë në drejtim të zbatimit në frymë dhe në germë të Marrëveshjes së Ohrit.
Shqipëria: Rënia e ideologjisë komuniste, ku pikënisja u identifikua simbolikisht me shkatërrimin e murit të Berlinit, pati efektin domino në Evropën Lindore dhe do të godiste edhe gurin e fundit prej graniti, Shqipërinë. Rënia do të ishte e ngadaltë, por e pa kthyeshme, përtej tentativave të Ramiz Alisë dhe kastës komuniste për të gjetur një hapje më të butë. Kërkesat e rinisë, e studenteve dhe studentëve shqiptar, tre dekada më parë, ishin të shumta çka reflektonin dëshirën e tyre për të kapur, sa më shpejt, kohën e humbur, për ta bërë Shqipërinë, pa humbur kohë, “si e gjithë Evropa”.
Lindi nevoja që gëzimi dhe euforia të kanalizohej në synime konkrete politike ku më i rëndësishmi mbi të gjitha u vlerësua zhbërja e sistemit monopartiak, e partisë shtet, pra hapja e rrugës së pluralizmit politik, e prej këtej, e demokracisë, lirisë për t’u shprehur, për të besuar në religjion, për të lëvizur, e jetuar jashtë territorit shtetëror, të drejtës për të pasur pronë apo aktivitet privat e kështu me radhë.
Zhvillimet e mëtejshme, të cilat nga një pikëpamje historike nuk janë të thjeshta për t’u vlerësuar, do të sinjalizonin një rrugëtim të gjatë e të lodhshëm tranzicioni për Shqipërinë dhe shqiptarët për të arritur aspiratën e tyre. Themi aspiratën sepse edhe pas tre dekadash pjesa dërmuese e shqiptarëve vijon të aspirojë që Shqipëria të bëhet si gjithë Evropa.
Çuditërisht kombi shqiptar rezulton të jetë populli më pro evropian, nëse krahasohet me vendet e Ballkanit Perëndimor. Me hyrjen në sistemin pluralist, subjektet politike që u formuan, mund të thuhet se, nuk zhvilluan politika të bazuara mbi ide nacionaliste, ose të paktën ato që bënin të tyre kauza të tilla si “unifikimi i trojeve etnike nën një shtet” nuk siguruan asnjëherë mbështetjen e maxhorancës se qytetarëve. Ndërsa qeveritë që u formuan, herë të djathta e herë të majta, në politikën e jashtme, ndoqën pothuajse gjithmonë rrugën e relaksimit të marrëdhënieve me fqinjët dhe sigurimin apo avancimin e të drejtave të bashkëkombësve në shtetet ku jetonin. Madje edhe atëherë kur u shfaq mundësia për të ndrequr një padrejtësi që i ishte bërë kombit shqiptar, me shkëputjen e trojeve të Kosovës, Tirana zyrtare vendosi në unison t’i nënshtrohej vullnetit të ndërkombëtarëve dhe të frenonte avancimin e kërkesave dhe pretendimeve, të shqiptarëve të Shqipërisë, të Kosovës si dhe të diasporës, për t’u bashkuar në një komb shtet. Një angazhim i tillë bëri që të binin njëherë e përgjithmonë tezat se shqiptarët po punojnë në fshehtësi për të jetësuar idenë e “Shqipërisë së Madhe”. Kjo ide, e cila nuk i ka rrënjët te intelektualët shqiptar, në përgjithësi është përdorur si kambanë alarmi për faktorin ndërkombëtar se, një luftë tjetër po trokiste te dyert e tyre. Ironikisht ideja e “Shqipërisë së Madhe” nuk promovohej nga shqiptarët, por nga ato vende që avanconin pretendime territoriale në ato zona ku historikisht banonin, në pjesën dërmuese, shqiptar.
Për kombin shqiptar bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë nën një shtet mbetet një qëllim midis utopisë dhe idealit. Nga ana tjetër Bashkimi Evropian ka krijuar mundësinë që ideja e bashkimit të dy shteteve shqiptare të arrihet nën ombrellën e tij. Ndoshta kjo është edhe një nga arsyet që kombi shqiptar përkrah me kaq vendosmëri aderimin në BE? Nëse kështu do të ishte, atëherë do të binim në një situatë absurdi, pasi përmes humbjes së sovranitetit kombëtar, e barabartë me aderim në BE, do të arrinim qëllime nacionaliste, e barabartë me bashkim midis Kosovës dhe Shqipërisë!
Si do që të jetë, rruga e të dy shteteve shqiptare, për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, duket se është akoma shumë e gjatë, ku për Kosovën primare është njohja, de jure dhe de facto, ndërkombëtare si entitet shtetëror, ndërsa Shqipëria vijon të ndalohet në dëshirën e saj për shkak të vlerësimeve negative në plotësimin e kritereve të nevojshme e domosdoshme që të jetë anëtare e denjë e familjes evropiane ku, pa marrë në konsideratë kërkesat individuale të vendeve anëtare[2], më kryesoret mbeten: stabiliteti politik, institucione të pavarura, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në çdo nivel si dhe zhvillimi ekonomik i lidhur kryesisht me frenimin e emigracionit dhe azil kërkimit.
Si do e kur do të ndodhë, aderimi i Shqipërisë apo edhe i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk duhet parë thjesht si përfshirje në zonën evropiane të një territori evropian, pra plotësim të një boshllëku në hartë, por si pjesë integrale, një vlerë e shtuar e denjë për t’u konservuar dhe zhvilluar në gjirin e Evropës të bashkuar. Ky komb, me historinë, gjuhën, kulturën e tij do ta pasurojë dhe plotësojë këtë bashkësi identitetesh të cilat u formuan, evoluuan dhe i rezistuan sfidave të ndryshme që u shfaqën ndër shekuj.
Ndaj të gjitha sfidave me të cilat Bashkimi Evropian do të duhet të përballet, aspekti ndoshta më i rëndësishëm lidhet me ndjenjën e përkatësisë, të identitetit. Nëse qëndrimet nacionaliste mbizotërojnë, Bashkimi do të ketë pak të ardhme, duke mbetur një entitet abstrakt i perceptuar si i largët dhe shtypës, nëse në vend të kësaj mendojmë për ndarjen e vlerave dhe traditave, do të ketë shpresë të bëhet organizata më solide, më afër ndjenjave të qytetarëve anëtarë, “të bashkuar në diversitet”.
Konceptoi: Gridi Pazolli
[1] TAIEX është instrumenti i Asistencës Teknike dhe Shkëmbimit të Informacionit të Komisionit Evropian. TAIEX mbështet administratat publike në lidhje me përafrimin, zbatimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së, si dhe lehtësimin e ndarjes së praktikave më të mira të BE-së.
[2] Edhe Shqipëria nuk është pa problematika të hapura me vendet fqinje, sidomos me Greqinë. Për të zgjidhur këto çështje të mbartura (si minoriteti grek, çështja çame, zbulimi i eshtrave të partizanëve grek, anulimi i ligjit të luftës, delimitimi i kufijve detar). Për të zgjidhur këto mosmarrëveshje përveç takimeve të posaçme palët kanë vendosur t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë.