Krahas skemës së vlerësimit të testeve të Maturës Shtetërore 2023, tashmë janë konfirmuar edhe procedurat dhe afatet, se si do të veprohet për rivlerësimin e provimeve të detyruara dhe lëndës me zgjedhje, nëse maturantët do të konstatojnë parregullsi. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka rikonfirmuar edhe një herë tjetër në konferencën e zhvilluar gjatë ditës së djeshme risinë e rregullores së këtij viti, për përfshirjen e rivlerësimit të provimeve të maturës. Edhe pse sipas saj, gjatë maturave të shkuara kanë qenë të rralla rastet e vlerësimeve të gabuara, përkundrejt pakënaqësive të shumta të ngritura nga maturantët, është vendosur që në rregulloren e këtij viti, të lejohet edhe rivlerësimi i testeve. Ky proces do të kalojë në duart e disa komisioneve.
Sipas kushteve të përcaktuara në rregullore, çdo maturant apo kandidat tjetër që ka marrë pjesë në maturën e këtij viti, ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit, 1 ditë pas shpalljes së rezultateve paraprake të të gjitha provimeve. Pasi të jetë pajisur me fotokopjen e testit, maturanti ka të drejtë ta paraqesë kërkesën për rivlerësim në rast se ka konstatuar ose mendon që ka pasaktësi në vlerësim, krahasuar me çelësin e përgjigjeve të sakta të shpallura në çdo lëndë.
Fillimisht kërkesa do të paraqitet pranë komisionit të maturës që funksionon në çdo shkollë. Nëse mësuesit e lëndës përkatëse të përzgjedhur në këtë komision të shkollës, do të vlerësojnë si të drejtë ankesën e paraqitur nga maturanti, do ta dërgojnë atë më pas për rivlerësim në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit. Kjo e fundit, pasi të bëjë rivlerësimin do të vendosë nëse nota e marrë nga maturanti do të jetë më e lartë, më e ulët, apo nuk do të ndryshojë.
Edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2023, maturantët do t’u nënshtrohen katër provimeve, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila është përzgjedhur sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale, gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z.
Skema e korrigjimit të provimeve të Maturës 2023
Vlerësimi i përgjigjeve të maturantit do të bëhet me pikë, të cilat më pas do të konvertohen në notë të shkallëzuar. Për të qenë kalues në këto provime, maturanti do të duhet që të sigurojë detyrimisht 25 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi.
Lidhur me skemën e vlerësimit, MAS ka bërë me dije se do të përfshihen mësuesit më të mirë të secilës lëndë. Qendra e Shërbimeve të Arsimit brenda muajit maj do të duhet të ketë përfunduar me përzgjedhjen e mësuesve që do të përfshihen në procesin e vlerësimit të testeve të Maturës Shtetërore 2023.
Kushtet për mësuesit që do jenë pjesë e korrigjimit
Për të qenë pjesë e skemës së vlerësimit janë një sërë kushtesh që mësuesit duhet të përmbushin. Kështu, sipas rregullave të përcaktuara, korrigjimi i testeve do tu besohet mësuesve që do të plotësojnë kushtet në vijim: kanë arsimin e duhur universitar, kanë jo më pak se 5 vjet përvojë pune në mësimdhënie në një institucion të arsimit të mesëm të lartë në lëndën përkatëse (preferohen mësuesit me mbi 10 vjet përvojë pune); janë të vlerësuar për rezultate të larta në mësimdhënie, janë vlerësuar me të paktën “Mirë” dhe “Shumë mirë” në kualifikimin e fundit të mësuesve, janë të certifikuar si vlerësues, të mos jenë në konflikt interesi, si dhe të jenë treguar të saktë dhe të përpiktë në vlerësimet e mëparshme të provimeve të Maturës.
Përzgjedhja e vlerësuesve të testeve do të jetë në varësi të numrit të testeve dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit. Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve, grupi i hartimit të testeve i Qendra e Shërbimeve të Arsimit orienton vlerësuesit e testeve në përputhje me kërkesat e testit dhe sipas skemës përkatëse të vlerësimit. Vlerësimi i testeve realizohet në qendra vlerësimi me mjedise të përshtatshme dhe të sigurta, të përzgjedhura nga Qendra e Shërbimeve të arsimit.
Shpallja e rezultateve të provimeve
Rezultatet e provimeve paraprake të Maturës shpallen jo më vonë se data 30 qershor. Për të shmangur çdo parregullsi, procesi i vlerësimit të testeve mbikëqyret nga grupe pune, të ngritura me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. Në vijim Qendra e Shërbimeve të Arsimit do të dorëzojë zyrtarisht në MAS të gjitha rezultatet paraprake dhe përfundimtare të Maturës Shtetërore, sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara nga MAS-i, të cilat do të jenë objekt monitorimi.
Për të qenë pjesë e korrigjimit të provimeve të Maturës 2023, çdo mësues duhet:
- Të ketë arsimin e lartë përkatës;
- Të ketë jo më pak se 5 vjet përvojë pune në mësimdhënie në një institucion të arsimit të mesëm të lartë në lëndën përkatëse (preferohen mësuesit me mbi 10 vjet përvojë pune).
- Të jetë i vlerësuar për rezultate të larta në mësimdhënie.
- Të jetë i vlerësuar me të paktën “Mirë” dhe “Shumë mirë” në kualifikimin e fundit të mësuesve.
- Të jetë i certifikuar si vlerësues.
- Të mos ketë konflikt interesi.
- Të jetë treguar i saktë dhe i përpiktë në vlerësimet e mëparshme të provimeve të Maturës.
SI DO TË BËHET RIKORIGJIMI I TESTEVE PËR MATURANTËT E PAKËNAQUR
- Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit, 1ditë pas shpalljes së rezultateve paraprake të të gjitha provimeve.
- Maturanti/kandidati pasi është pajisur me fotokopjen e testit, ka të drejtë ta paraqesë kërkesën për rivlerësim testi në Komisionin e Maturës së shkollës, ku është regjistruar si maturant, më datë 3 korrik.
- Fotokopjet e testeve të paraqitura në Komisionin e Maturës së shkollës, shqyrtohen nga dy mësues lëndor të përcaktuar nga Komisioni i Maturës së shkollës, (nëse një shkollë nuk ka dy mësues të lëndës shqyrtimi do të bëhet vetëm nga një mësues i lëndës).
- Mësuesit e përcaktuar shqyrtojnë kërkesat e paraqitura nga maturantët/kandidatët vetëm për pyetjet e ankimuara dhe vendosin nëse këto teste do t’i kalojnë për rivlerësim QSHA.
- Komisioni i Maturës së shkollës, kërkesat për rivlerësim të miratuara nga mësuesit lëndor, i përcjell në ZVAP në format elektronik, brenda datës 3 korrik dhe në format shkresor brenda datës 4 korrik.
- Zyra Vendore e Arsimit, kërkesat e paraqitura nga Komisioni i Maturës së çdo shkolle do ti përcjellë në format elektronik në QSHA brenda datës 3 korrik, si dhe zyrtarisht në format shkresor, brenda datës 5 korrik.
- QSHA-ja kryen procesin e rivlerësimit të testeve, me të njëjtat rregulla e procedura si vlerësimi i testeve, duke i sekretuar me barkode testet që rivlerësohen. QSHA-ja kryen rivlerësimin e të gjithë testit.
Pas rivlerësimit, vlerësimi përfundimtar i maturantit mund të jetë:
- me të njëjtin rezultat
- duke iu ndryshuar rezultati me rritje pikësh
- duke iu ndryshuar rezultati me ulje pikësh
- Rezultatet përfundimtare të provimeve të maturës pas procesit të rivlerësimit shpallen jo më vonë se data 7 korrik.
PËRJASHTIMI DHE MOSNJOHJA E PROVIMIT NGA QSHA-JA
- Maturanti/kandidati përjashtohet nga provimi, kur:
Paraqitet në qendrën e provimit dhe/ose konstatohet gjatë provimit me celular.
Ndryshon vendin që i është caktuar;.
Merr, jep informacion apo kopje ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë;
Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit.
Refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjatë hyrjes në qendrën e provimit.
- Maturantit/kandidatit nuk i njihet rezultati:
- Nëse përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si ato të përcaktuara në nenin 26 të kësaj rregulloreje, ose përdor më shumë se një ngjyrë në plotësimin e testit.
- Nëse ka dëmtuar testin (e ka palosur, e ka zhubrosur, e ka grisur, i ka vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuar në procesverbal.
- Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga Komisioni i ngritur për testet e dyshuara për kopje.
- Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.