Dr. Skënder Demaliaj*
Reforma arsimore është e lidhur me nevojën për një kontribut të efektshëm në zhvillimin ekonomik të vendit, me zhvillimin demokratik të tij dhe për një ndikim më të madh në integrimin e ardhshëm europian. Shkolla e lartë e ka mision dhe i ka mundësitë të ndihmojë në realizimin e saj. Në zbatim të kësaj detyre nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë u hartua programi i ri për përgatitjen e edukatorëve dhe të mësuesve për Ciklin e Ulët, i cili do të realizohet në vitet akademike 2022-2025. Është një program cilësor, bashkëkohor europian, ku lëndët psikologjike dhe pedagogjike zënë peshën kryesore. Ky program u krijon studentëve që diplomohen mundësitë të punojnë si ndihmësmësues në vendet e Europës.
Sipas Dokumentit të Strategjisë Kombëtare të Arsimit, në pesë vitet e ardhshme do të krijohen kushtet që të gjithë fëmijët e moshës 5-6 vjeç të kenë akses në arsimin parashkollor, qoftë nëpërmjet regjistrimit në grupet e 3-ta në kopshte ose në klasa përgatitore. Gjeneratat e reja të mësuesisë do të duhet të rrisin cilësinë dhe të jenë në lartësinë e nevojave të zhvillimit të këtij cikli mësimor dhe edukues në përputhje me kërkesat që ka ligji për arsimin parauniversitar, gjendja dhe prirjet e zhvillimit të gjeneratave të reja të dekadës së tretë të shekullit XXI, si dhe përputhja e zhvillimit arsimor me zhvillimet rajonale, europiane dhe ato globale.
Një mësues që do të merret me mësimin dhe edukimin e këtyre breznive do të duhet të ketë një formim të përshtatshëm dhe në gjendje të përballojë sfidat e zhvillimit vendor dhe atij ndërkombëtar.
Fëmijët e shekullit XXI shprehin ndryshime të dallueshme me fëmijët që janë rritur 20 apo 30 vite më parë. Ky ndryshim lidhet me zhvillimet e vrullshme të shoqërisë në plan kombëtar dhe atë global. Është zgjeruar informacioni dhe mjetet e informimit, është zgjeruar liria dhe si rrjedhojë respektimi i kontributit dhe personalitetit të njeriut pavarësisht nga mosha dhe niveli i shkollimit. Jeta është bërë më virtuale dhe fëmijët ende pa filluar shkollën fillore luajnë dhe përdorin pajisjet dixhitale, duke zhvilluar një tip krejt të pa hasur më parë të imagjinatës dhe inteligjencës artificiale.
Programi i arsimit parashkollor dhe i ciklit të ulët është një program gjithpërfshirës që krijon kushte që nxënësit të zhvillojnë njohuri, shkathtësi, qëndrime dhe vlera në pajtim me kërkesat e shoqërisë demokratike, të përballen në mënyrë konstruktive me sfidat e jetës, si dhe të kontribuojnë në ndërtimin e mirëqenies vetjake dhe të shoqërisë.
Ndryshimi nuk mund të realizohet nëse nuk formohet një staf i mësuesve të ciklit parashkollor dhe për ciklin e ulët, i ri në mentalite, kapacitete dhe kulturë të përgjithëshme. Gjithçka që mësohet mirë, shkencërisht korrekt, në përputhje me psikologjinë e moshës dhe që ndihmon në qëmtimin e prirjeve dhe mirformimin e karakterit, si dhe të ndërtimit të tipareve të njeriut të shekullit XXI, ndihmojnë në realizmin e objektivave të shoqërisë dhe ecjen e saj përpara.
Ne kemi bindjen se arsimi parashkollor dhe i ciklit të ulët, ku hidhen bazat e formimit shkencor, edukimit qytetar dhe dashurisë për dijen e kulturën, përbën një nga sfidat më të mëdha, me të cilën duhet të përballet transformimi i sistemit të edukimit në Shqipëri.
Në përputhje me qëllimin e politikës që ndërlidhet me sistemin arsimor parauniversitar, objektivat specifike që ndërlidhen me këtë qëllim në programin që hapim për vitin 2022-2023 janë: krijimi i mundësive për formimin cilësor të mësuesve të ardhshëm, që i inkurajon ata të zhvillojnë nivele të larta të aftësive për mësimdhënie, zbatimi i plotë i kurrikulës së bazuar në kompetenca nëpërmjet mësimdhënies efektive dhe shfrytëzimit të burimeve të cilësisë së lartë, zhvillimit të kompetencës digjitale nëpërmjet shfrytëzimit më të mirë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për mësimdhënie dhe të mësuarit.
Kohët e fundit UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Arsim) ka bërë një vlerësim për politikat arsimore në Shqipëri, nga ku rezulton se se ende deri më 2017: “Mësimdhënia në vendin tonë ka dështuar të nxisë krijimtarinë dhe aftësitë. Gjatë dekadave të fundit, shkollat duhet të ndryshonin rolin e tyre nga riprodhimi me saktësi i lëndëve, drejt nxitjes së rritjes dhe zhvillimit të mendimit kritik dhe kompetencave dixhitale për pjesëmarrje në shoqërinë dhe ekonominë e Shqipërisë dhe përtej saj”.
Ne gjykojmë se mosmarrja e rezultateve të pritshme vjen si pasojë e nivelit të pamjaftueshëm profesional të mësuesve që zhvillojnë mësim në këtë nivel shkollimi.
Është kjo arsyeja që programi është konceptuar në frymën e kurrikulave të arsimit të detyruar, duke iu referuar dimensioneve themelore në mirërritje dhe edukim të fëmijës në grupmoshat 3-6 vjeç, 6-11vjeç.
Programi merr në konsideratë teoritë e konfirmuara të zhvillimit dhe të të nxënit për këtë grupmoshë. Mbi këtë bazë janë konceptuar fushat e të nxënit, është përcaktuar mjedisi i të nxënit, është konfirmuar domosdoshmëria e partneritetit me familjen.
Në përputhje me parimet e përgjithshme të reformës kurrikulare, bazuar në kompetenca, në hartimin e kurrikulave të këtij programi, është mbajtur parasysh ndryshimi i rolit dhe përgjegjësive të mësuesit, të institucionit arsimor parauniversitar, si dhe pritshmërinë ndaj tyre.
Mësimdhënia dhe të nxënit me kompetenca kërkon mësues cilësisht të aftë për të përmbushur zhvillimin e përgjithshëm dhe të nxënit e fëmijëve, të përkushtuar ndaj interesave e nevojave të tyre, për të përzgjedhur lojëra, veprimtari, mjete dhe burime të përshtatshme për ta bërë procesin e të nxënit sa më efektiv. Theksojmë se hartimi i këtyre kurrikulave është bërë në harmoni të plotë me paketën e e zhvillimit profesional të mësuesve, sipas dokumentit të standardeve profesionale të mësuesit të arsimit parashkollor dhe ciklit të ulët, ku kërkohet që mësuesi të ketë
në vëmendje arritjet e fëmijëve sipas fushave të zhvillimit dhe të të nxënit.
UMSH ofron garanci për studentët sepse programi që do të zbatojmë në vitet akademike 2022-2025 ka disa specifika që, në një gjykim objektiv bazuar në traditën më të mirë, sendërton veçori përmbajtësore, didaktike, kurrikulare, metodologjike, dhe shkencore, që përputhen me objektivat e mijëvjeçarit, si dhe me detyrat që ka strategjia kombëtare e zhvillimit të arsimit për këtë nivel.
Ky program ka në qendër interesat individuale të fëmijëve, aftësitë dhe stilet e ndryshme të të nxënit, ndryshimet ndërmjet individëve dhe nevojave të tyre të veçanta; trajtimi i të gjithë fëmijëve në mënyrë të barabartë, të drejtë dhe dinjitoze, duke treguar respekt për çdo fëmijë dhe familjen e tij, pavarësisht prejardhjes dhe kulturës së saj në mënyrë që çdo fëmijë të përmbushë potencialin e tij; ndryshimin e strukturës dhe planit mësimor, duke realizuar një raport ambicioz, midis formimit shkencor (matematikë, gjuhë, histori, etj) dhe formimit profesional (pedagogji, didaktike, psikologji etj.) aftësimin e mësuesve për përdorin me efikasitet të Teknologjisë së Informacionit dhe asaj dixhitale. Rikonceptimin e praktikave mësimore dhe stazhit, duke bashkëpunuar me shkolla të arsimit parauniversitar. (Kontrata me shkolla cilësore me interes të përbashkët, konkretisht me shkollën “Elitë”).
Çfarë e garanton suksesin? Kurrikula e dallueshme nga ato që janë aktualisht në treg. Stafi i profesorëve në shkenca si matematika, psikologjia, didaktika,sociologjia, antropologjia, komunikimi, kultura IT dhe inteligjenca artificiale. Një pjesë e pedagogëve kanë përvojë të gjatë në mësimdhënie dhe punë në auditor duke qenë dhe autorë tekstesh. Ka pedagogë që kanë kryer studime në universitete shumë të njohura në Angli, Austri, Itali dhe gjetkë. UMSH ka laboratorë të IT dhe të matematikës së aplikuar. UMSH ka bibliotekë të pasur dhe politika të mirëmbështetura financiarisht për hyrjet e botimeve më të fundit. UMSH ofron mundësinë që në nivelin Master të studiohen fusha që e ndihmojnë arsimin, si psh psikologjia, pasi pranë institucionit tonë zhvillohen studime të nivelit Msc të akredituar në dy profile. Ka politika sociale për dhënien e bursave falas për studntët ekselentë, të talentuar, për studentët nga familje me më pak të ardhura, për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, për komunitetin rom dhe egjiptian etj.
Paraqitja e programit, mediatizimi, zhvillimi i seminareve dhe workshopeve, librave, afishimet on-line, si dhe komunikimi me shoqërinë dhe institucionet e linjës janë garancia që ky program të ketë ndikim pozitiv dhe të rrisë ndjeshëm numrin e të interesuarve.
Kthesa cilësore e shekullit XX në arsim lidhet me dy elementë të rëndësishëm:
- Ekonomia në prirje të arsimit u zëvendësua me arsimin në prirje të ekonomisë.
- Parashikimi për zhvillimin perspektiv të shoqërisë u mbështet në arsim. Aq më të fuqishëm janë këta dy elementë në shekullin XXI. Shkollë cilësore nuk mund të kesh pa mësues cilësorë. Mësuesi cilësor arrihet me punë, me punë dhe vetëm me punë gjatë shkollimit si mësues dhe pasi del në punë. Zhvillimi i shpejtë i shkencës, qëllimet shoqërore të shkollës,kërkesat e reja të ekonomisë – kërkojnë ndryshime në programe, në tekste, ndryshime që nuk mund të realizohen me sukses pa kualifikimin e mësuesve. Fleksibilizimi i ekonomisë dhe i shoqërisë do të thotë shndërrim në kërkesat për kualifikim.
Nisur nga çfarë parashikuam më sipër pedagogët në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë po ndërmarrin nisma dhe zotime të reja për ta shndërruar këtë në një qendër kombëtare Kualifikimi për edukatorët, mësuesët e ciklit të ulët, mësuesit e informatikës etj.
*Pedagog në universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe një nga hartuesit kryesorë të këtyre programeve.
Shkrim profesional per nje ceshtje te rendesishme qe ka te beje me te ardhmen e brezave te rinje.
Shkruar bukur!